Gazeta Dita, 7 gusht 2023
Politikanë evropianë e amerikanë kërkojnë ndryshim qasjeje ndaj Kosovës e Serbisë dhe jo anime ndaj një pale. Të punohet për një diplomaci parandaluese që shmang përshkallëzimin kërkon deputetja britanike, Alicia Kearns.
Deputetja e parlamentit britanik, Alicia Kearns, publikoi një letër në të cilët theksohet, se dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit, në të cilën kërkojnë që të ndryshohet qasja e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë.
Në një postim në Twitter, Alicia Kearns, shkroi se letra i është dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, letër kjo që është nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.
Aty adresohen tensionet e muajve të fundit në veriun e Kosovës e banuar me shumicë serbe dhe përmes saj nga Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni, kërkohet “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”.
“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, thuhet në letër.
Masat ndaj Kosovës
Kosova u ndëshkua me një sërë masash nga Bashkimi Evropian pasi iu kërkua tërheqja e kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe, tërheqja e njësive speciale nga godinat e kuvendeve komunale dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Veri i Mitrovicës. Qeveria e Kosovës u akuzua nga komuniteti ndërkombëtar për moskoordinim për veprimet e saj në veri. Serbët lokalë organizuan protesta, të cilat kulmuan me përleshje dhe lëndime të dhjetëra protestuesve dhe ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në letrën që e publikoi deputetja britanike, Alicia Kearns, thuhet se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të anojë nga Beogradi, por, duhet të punojë në një diplomaci parandaluese për të shmangur përshkallëzimin.
“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar, që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi, që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, thuhet në letër.
Kosova nuk do të ndërmarrë veprime që shkallëzojnë situatën
Pas masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, qeveria e Kosovës është pajtuar me planin e BE-së për shtensionimin e situatës në veri, që ndër më kryesoret parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë. Qeveria e Kosovës ka deklaruar publikisht “gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës”. Po ashtu kjo përfshin edhe një zvogëlim të menjëhershëm me 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
“Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës” dhe se “Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve në veri”. E pikërisht për zgjedhjet në veri, të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët lokalë, në letrën e politikanëve evropian dhe amerikanë, thuhet se “Kosova është shtet i pavarur dhe përpjekjet për të penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia, duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje nga jashtë”.
Ndërkohë qeveria e Kosovës ka nisur punën për sigurimin e bazës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Veri të Mitrovicës. Në këtë mënyrë sipas ministrit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave në veri shkarkimin e kryetarëve aktualë përmes një peticioni të qytetarëve të regjistruar me të drejtë vote në komunat përkatëse.
j.l./ Dita