
Anton Nikë Berisha
– Rreth soneteve të Eqrem Çabejt –
Deri më 2008, kur Brikena Çabej, vajza e profesorit të ndjerë, Eqrem Çabejt, botoi vëllimin Sonete[1] (18 sonete) të shkruara nga ai, të cilat për gati 60 vjet mbeten larg syrit të lexuesit[2], askush që është marrë me veprimtarinë e tij s’ka ditur se shkencëtari ynë i shquar ishte marrë edhe me poezi, pra ishte dhe poet. Është e vërtetë se ata që janë marrë me veprat e tij në fushën e studimit të letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar, mund ta kenë marrë me mend se Çabej mund edhe të kishte krijuar diçka në fushën e artit të fjalës. Them kështu për arsye se në punimet e tij për letërsinë, si, fjala vjen, në atë për poezinë e Poradecit, për Këngën e Leonorës, për poezinë e Fishtës, pastaj në veprën “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”[3], ai kishte dëshmuar një dije të gjerë e shije të lartësuar për artin e fjalës. Vetëm një njeri që e njeh mirëfilli letërsinë, mund të bënte vlerësime të tilla për vepra letrare vlerash të mëdha.
Këtë prirje të Eqrem Çabejt për artin e fjalës, për letërsinë, e përligjin në mënyrën e pandërmjetme sonetet që i la në dorëshkrim, të cilat, me një anë, dëshmojë për dashurinë e tij, për prehjen shpirtërore dhe për tundimet që i shkakton ajo, ndërsa dy sonete ia kushtoi djalit, Artanit, i cili (Artani), siç thotë Brikena, “vendosi të ikte prej nesh e të nisej drejt qiejsh të tjerë, shpresoj më të kthjellët[4]”.
Çabej i shkroi sonetet në vitet 1949 – 1950 (strofën përkushtuese gruas, Shyhretit, në fillim të dorëshkrimit, më 1951), ndërsa dy sonetet kushtuar djalit, Artanit pas vitit 1970.
Po qe se këto sonete të Çabejt të ishin botuar në kohën kur u shkruan, do të çmoheshin shumëfish më tepër, siç thuhet në veprën e Shekspirit, Tregtari i Venedikut: “Çdo send e marrka vlerën nga rrethanat” (f. 120) dhe koha. Megjithatë, duhet thënë se arti i mirëfilltë letrar me natyrën e vet ngadhënjen mbi kohët; secila kohë i jep ngjyrimin e vet, e përfill dhe kushtëzon një komunikim të mëvetësishëm.
Sonetet që Çabej na i la në trashëgim ruajnë vlerën e tyre poetike të pamohueshme dhe zgjojnë kërshërinë edhe për lexuesin e sotëm, për të komunikuar me to dhe për t’i interpretuar.
Dashuria si objekt artistik
Sonetet e Çabejt të botuara në vëllimin e përmendur kanë si objekt poetik dashurinë, të degëzuar në dy rrafshe: dashurinë për të dashurën dhe dashurinë (dhe dhembjen) për djalin e vdekur.
Ajo që i bën të rëndësishme këto sonete të përftuara me përkushtim është arti i tyre, shumësia e mesazheve të teksteve dhe e të shprehurit gjuhësor poetik, që është, siç thotë Jeronim De Rada, “Kënaqësia që i japin shpirtit shumë sende, të cilat nuk i vlejnë gjë trupit, i është atribuuar formës së bukur[5]”, janë fjalët, kuptimet dhe mundësia e tyre të ndikojnë estetikisht[6] në lexuesin: “Të vërtetat intelekti i nxjerr prej gjithësisë dhe i bart si nocione abstrakte […] Pra, arti i përsosur mund të cilësohet edhe si një riprodhim inteligjent i vetë Krijimit […] Kështu, arti, nga njëra anë, është instruktiv dhe, nga ana tjetër, është spastrues dhe shembullor.
Pra, për shkak se me anën e fjalës, që është mjeti i saj, poezia zbulon dhe paraqet me qartësi dhe bukuri të madhe kuptimin dhe rendin e sendeve që paraqet, qëndron mbi artet e tjera paraqitëse reprezentative. Fjala shprehet me zë të plotë në gjuhën, që bart idenë dhe shfaq arsyetimin e mënyrën vetjake të inteligjencës, si edhe trajtën e të menduarit brenda njeriut. Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit, përmes veprimeve, bisedave, ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë. Fjala ka mundësi, gjithashtu, duke u ndodhur në mes lëvizjes së përhershme të qenieve, të pasqyrojë dhe të shprehë kuptimin e këtyre qenieve, duke nxjerrë në pah shkakun e brendshëm intim[7]”.
Në sonete Çabej i kushtoi kujdes të madh gjuhës dhe shprehjes poetike të secilit varg dhe të secilit sonet si tërësi. Si perceptime poetike disa prej tyre të kujtojnë tekstin e Këngës së këngëve (“O ideal’ i gruas, ti ku je?”, “Dhe fryma jote rrjedh ngadalë në mua), poezinë e dashurisë së Petrarkës (‘Ju që dëgjoni vargjesh zërin tim, / Ato psherëtima q’ushqyen zemrën time[8], I”), poezinë gojore arbëreshe, sidomos vargje dhe pamje poetike të poezisë së De Radës (“Me gjeth të plotë që më vesh me hje”, “Ditët e gushtit kur na ndrite hera”, “Me gaz të thellë, me hidhi të derë”, “Ti je në mua: Posi liri era”), shprehjen dhe simbolikën e poezisë së Poradecit të cilën Çabej e çmonte jashtëzakonisht shumë (“O gjum’ i rëndë! O i djegur lot!”, “Gushën mermer, e me të larta hie”, “Dhe qetas deti hapet valë – valë”, “Ti vazë e derdhur mjeshtërishte dore”).
Dashuria e shqiptuar në sonetet e Çabejt dëshmon rëndësinë e saj për njeriun, si e thoshte Dostojevski “E çka është më e përjetshme sesa dashuria? Dashuria është më e lartë se ekzistenca, është kurorëzim i ekzistencës […]?”, ose siç thuhet në tekstin e Këngës së këngës:
[…] dashuria është e fortë si vdekja,
pasioni është këmbëngulës si mbretëria e të vdekurve,
flakërimet e saj janë shkëndija zjarri,
një flakë hyjnore!
Ujërat e mëdha nuk mund ta shuajnë dashurinë,
as lumenjtë nuk mund ta përmbytin[9].
(Nga “Kënga e këngëve” 8, 6 – 7)
Pra, sonetet i kushtohen dashurisë si prehje dhe kënaqësi, po dhe shqetësim, tundim e shtjellë trazimesh, si dramë shpirtërore, që përligjet në rrjedhën – gjallimin konkret ose imagjinar: “Të ndihem një me ty e ti me mua”, “Fryma jote hyn në dejt’ e mi”, “Shpirti na hapet , ti je një me mua” apo “Dhe fryma jote rrjedh ngadal në mua” (kujto Këngën e këngëve: Unë jam e të dashurit tim, / gjakimi i tij mua më përket, 7, 11)[10].
Në katër sonetet e para autori përkujton “fluturat, që ju muar era”, po që në zemrën e tij lanë gjurmë të pashlyera “Po te kjo zemër mbetet e pavdarë / Ftyra juaj […]”.
Në vlimet e dashurisë jeta është “ëndërr magjiplote” që të pushton, ndërsa e dashura për poetin është “E blera urdhe degënjoma je”, dhe e pandarë nga qenia e tij. Duke e cilësuar të dashurën si urdhe e re dhe hardhi e bardhë (shprehje nga poezia gojore arbëreshe), poeti ynë krijon dy vargje poetikisht tejet të rralla dhe me vlera poetike të papërsëritshme:
Me gjeth të plotë që më vesh me hje[11],
Me lëng të dlirë posi lot i qarë[12].
Të dashuruarit janë njësuar mes tyre, ata kanë qëllime dhe gjakime të përbashkëta; ajo është kopshti i shpirtit të tij dhe do ta ndjekë atë kudo “si hije mitare”, edhe “Dhé mbë dhé, a në të largta dete”. Në shqiptimin e jetës së këtillë të hareshme, autori përfton tablo të plota dhe poetikisht të lartësuara, siç ndodh në sonetin e tretë (III):
Atje ne rrimë. Poshtë valë – valë
Qyteti hapet si një faqe deti…
U ndjej se shpirti im një kopsht më gjeti,
Një bot’ e re me ëndrra m’u ka falë[13].
Poeti e ndien në shpirt të dashurën e vet; ata janë për njëri – tjetrin kroi ku e shuajnë etjen e ndërsjellë; në sytë e saj rri ëndrra që ai e dëshiron ose vera që do ta pijë dhe do ta dehë:
Në syrin tënd rri ëndrra që u dua,
Vera e rëndë që më deh kur pi[14].
Gjendja e hareshme shpirtërore, përmasa epshore në të cilën të dashuruarit janë kredhur dhe e ndiejnë njëri – tjetrin, i bën ta përfytyrojnë dhe ta vështrojnë “Jetën në ëndërr, ëndrrën në jetë”, një varg për shumëçka i veçantë dhe kuptimisht i pa fund.
Mirëpo, mirëkuptimi dhe kënaqësia që ata ndjejnë në një kohë marrin rrjedhë tjetër: nata e re kur qenë takuar dhe kur vesa e majit e kishte zbutur dheun, kalojnë; fati që i lidhi edhe i ndan; vendin e gëzimit dhe lumturisë e zë vjeshta; fillon vuajtja, pësimi. Ëndrra e jetës zhduket: “Tani që ëndrra e një jete ra” dhe “Tani po e shoh se vetëm jam te jeta”.
Po kujtoj këtu gjendjen e ngjashme të poetit të madh të dashurisë, Petrarkës, harenë dhe kënaqësinë që i shkaktonte dashuria, po dhe shqetësimet dhe dramën e pa skaj:
E imja shpresë e tretur po lëngonte
Si një qiri që dridhet, flakërin,
Si ëndërr e fikur që sillte veç trishtim. (XXXIII)
ose
Me tjetër varg po qaj me pikëllim
Të shuhet shpresa, dhimbje e kotësi
Që i njeh mirë, kush ra në dashuri,
Të falur s’dua, po vetëm përdëllim. (I)
Pamja që poeti e përfton në sonetin VII, për shumëçka të veçantë, sidomos poetikisht, e përligj dramën që e përcjell dashurinë, shenjëzuar me vjeshtën, me vetminë, me shiun dhe me erën:
Tani q’erdh vjeshta, kodra çdo të thotë
Që ne nuk vemi si dikur te vera?
Selvit’ e gjata presin më të kotë;
Shi vjeshte bie, atje lart fryh era[15].
Edhe pse poeti e ndien thellësish në shpirt dramën e ndarjes me të dashurën, e ndien vjeshtën, ai është zemërgjerë për të: ajo duhet të vazhdojë jetën edhe pasi ai të bjerë në dhe: “Të ecësh jetës […]”.
Tragjika e dashurisë shprehet veçmas në sonetin VIII, kur poeti do të klithë: “O gjumë’ i rëndë! O i djegur lot!” Të dashuruarit bashkohen në përfytyrim, apo në varr, po aty s’ka jetë: “Sa qemë gjallë s’u bashkuan dot: / Kur jemi bashkë jetë më nuk ka!”
Edhe në poezinë gojore arbëreshe, po dhe në atë gjithë shqiptare, përligjet ky fat tragjik: qiparisi dhe dhria (hardhia) e bardhë (trimi dhe vasha) bashkohen vetëm të vdekur, në varr.
I kredhur në tundimet dramatike të dashurisë, poeti i drejtohet idealit të gruas (si dukuri parimore), për arsye se gruaja ka qenë e do të jetë përherë gjakim dhe kërkim i burrit; pa gruan bota nuk do të kishte as vlerë e as kuptim[16]. Pra, idealin e gruas, përkatësisht të dashurisë, poeti e kërkon në mendime, në vështrime, në ëndërrime: “Mendimi tret n’ëndërrim të kot” apo
Ti je sirena: Me vështrim magjie
Nga larg më ndjell me mall ndaj vetes sote[17],
Me krip pas erës derdhurë, hirplote,
Gushën mermer, e me të lartë hie[18].
Dashuria është si jeta: kur mungon konkretësia e saj, atëherë zbatohet (gjakohet) projektimi, poeti i kthehet asaj që quhet: “Harresë bote”, “Mendim i derdhur, kohë e paharruar”, ose i lihet vend përfytyrimit, ëndërrimit “Ç’ëndërr kërkoj në ty, o pjekëgjata?”. E dashura bëhet synim i përsiatjeve, edhe pse “Një turbullirë kam në shpirt përhera”.
Vegimet e tilla dashurore kushtëzojnë që autori të përftojë tablo poetikisht të ngritura dhe me mundësi të madhe komunikimi dhe ndikimi:
Kur ti në verë anës detit rri
Dhe sheh si mugu ulet mengadalë,
Dhe qetas deti hapet valë – valë
E drita tretet në të natës gji[19].
Poeti i bën të ditur të dashurës, po edhe vetit (natyrisht edhe lexuesit të soneteve të tij), se jeta është e shkurtër (ose e gjatë) se vdekja është një çast ose një përjetësi, prandaj në jetë dashuria është prehje e ngushëllim shpirtëror që duhet shfrytëzuar, siç thuhet në Këngën e këngëve:
dashuria jote shumë më e ëmbël se vera,
parfumi që del nga ti më i mirë se çdo erësim.
Buzët e tua nektar kjasojnë, oj nuse,
nën gjuhën tënde rrjedh mjaltë e qumësht[20]
(4, 10 – 11)
Përkundër faktit që rrjedha e dashurisë e ka tronditur poetin Çabej dhe në zemrën e tij ka vjeshtë, ai vazhdon të përsiatë për të dashurën, ta ndjejë hirin dhe dramën e dashurisë për të; mendon për atë që i ka ndodhur, po e merr me mend edhe atë që do të mund t’i ndodhë, edhe “Kur të bie në të rëndin dhé” dhe kur prej tij (në varr) do të bijë një qiparis, ndërsa prej të dashurës një hardhi.
Me pak fjalë, e dashura vijon të jetë në mendjen e poetit “Mendim i derdhur, koh’ e paharruar”, edhe pse “Më tej në dete s’dua më të bie”. Ai gjakon ta ketë të dashurën brenda vetes që ”Teje të dehem mos të pi më dot” apo “Dua të tretem ku merr frymë ti”, ta përfytyrojë apo ta ëndërrojë atë “Ëndërr të thellë si s’e jep dot nata, / As gaz as helm, po gjerësi të qetë”.
Vitet që i kanë mbetur, poeti dëshiron t’i kalojë në vetmi të plotë për arsye se “Mendimi tretet n’ëndërrim të kotë / e ç’humba gjetkë un’ e gjej atje”. Vetëm në përfytyrim, në përsiatje e dashura do t’i dalë me butësi të re dhe larg kësaj bote. Peti e krijon realitetin imagjinar, realitetin e mendimeve: “Livadhe ëndrrash shpirti ku kullot” apo “U rroj në ty e në mendimet tote” (e tua), pra e dashura është (dhe dashuria) “je i ëndrrës krua”.
* * *
Në dy sonetet kushtuar djalit të vdekur, Artanit, Çabej shpreh dashurinë dhe dhembjen që e ka pushtuar, ku tri cilësi të djalit të vdekur ngrihen mbi të tjerat: a) është një yll që u shua: “Tani na re si ra një yll q’u shua”, b) “Ti rri si një shenjt edhe një mbret” dhe c) ishte ujë e krua për ata që kishin etje: “Kush pati et iu bëre ujë e krua”.
Është vështirë të gjendet në poezinë tonë një cilësim kaq sublim, të përjetësohet kaq mjeshtërisht në art një qenie njerëzore, në rastin konkret djali; atë mund ta përftonte vetëm një mendje e aftë dhe një poet që e shmang me shkathtësi ndjenjën, të shprehurit pohues dhe retorik, që u ka ndodhur shumë krijuesve. Çabej edhe në raste të dhimbjes së pafund përfton një strukturë të tekstit që e dëshmon poetin e mirëfilltë:
Ti rri si një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulonjë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet[21].
Kjo gjendje dhe këto vargje të kujtojnë rapsodinë Vajtim, të fundit të pjesës së tretë Himne të lashta (pjesa e fundit) të veprës së Zef Skiroit, Rapsodie Albanesi (1887), ku nëna vajton të birin e rritur me gjakun (derisa e ka pasur në trup) dhe me qumështin e saj (jashtë trupit të saj), të cilin vdekja e ka bërë të pa ndijim dhe të ftohtë si borë, po me vargjet e këtillë poetike ai bëhet i pavdekshëm:
Ni çë ti na rrí përpara
pá ndëlgim, i ftoht si bora,
te ku vate drita e sivet,
gazi i t’ëmbël, gjella jote?
Te një rrëmp e diellit vate
e tek era e te gjith illzit,
e mbi malet e te fushat,
e te lumet e te déjti,
te fitít edhe te lulet[22].
* * *
Në mbyllje them se me sonetet që Eqrem Çabej i hartoi në vitet 1949 – 1950 (dy për Artanin pas vitit 1970), të lëna në dorëshkrim dhe të botuara më 2008 në kujdesin e vajzës së tij, Brikenës, cilësohen me një strukturë tekstore të përftuar me përkushtim e dije dhe art të madh dhe njeriu ndjen keqardhje që ai nuk na la trashëgim vepra të tjera poetike.
[1] Eqrem Çabej, Sonete. Përgatiti për botim Brikena Çabej. Botimet Çabej, Titanë 2008.
[2] Shih punimin në dorëshkrim të Brikena Çabejt, Dy fjalë për librin, ku ndriçohen rrethanat si mbeti i panjohur dorëshkrimi për të tjerët deri pas vdekjes së Çabejt.
[3] Dr. Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe. Me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme. Shtypshkronja e Ministrisë s’arsimit, Tiranë 1936.
[4] Brikena Çabej, Punimi i përmendur në dorëshkrim, f. 1.
[5] Girolamo De Rada, Principii di estetica. (Estratti delle sue considerazioni su la Vita e i fini di essa). Napoli 1861, f. 10; Shih botimin e ri Girolamo De Rada, Opera Omnia. IX. Opere filosofiche e politiche. Introduzione di Anton Nikë Berisha. Rubbettino, Soneria Mannelli, (Catanzaro) 2007, f. 35. Përkthimin e mora nga Jeronim De Rada, Parime të estetikës. Përgatiti për botim prof. Alfred Uçi, Globus R., Tiranë 2003, f. 32 – 33. Shih dhe studimin tim Rreth veprës “Il Canzoniere albanese” të Françesk Anton Santorit. Studim. Con una sintesi i intaliano. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2012, f. 11 – 12.
[6] Për konceptin krijues poetik të De Radës shih më gjerësisht veprën time Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës. Shtëpia botuese “Arbëria 07”, Tiranë 2011.
[7] Girolamo De Rada, Principii di estetica, vep. e përm., f. 77; Jeronim De Rada, Parime të estetikës, vep. e përm., f. 148 – 149.
[8] Përkthimet nga vepra e Petrarkës “Këngëtorja” janë të Dhori Qiriazit, marrë nga interneti.
[9] Shih studimin tim Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës. Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015, f. 115.
[10] Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës, vep. e përm., f. 114.
[11] Hije, fjalë nga poezia arbëreshe. Po përmend këtu dy nga vargjet poetikisht shume të veçantë të De Radës në Këngjelen e tridhjetë të veprës “Këngët e Milosaut” (1836): Friti ér e maljevet / e rrexoi hjén e ljisit. Shih më gjerësish për këtë veprën time Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008.
[12] Eqrem Çabej, Sonete, vep. e përm., f. 13.
[13] Po aty, f. 15.
[14] Po aty, f. 17.
[15] Po aty, f. 23.
[16] Hyji e krijoi Evën nga brinji i Adamit.
[17] Eqrem Çabej, Sonete, vep. e përm., f. 29.
[18] Po aty, f. 29.
[19] Po aty, f. 33.
[20] Shih Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës, vep. e përm., f. 107.
[21] Eqrem Çabej, Sonete, vep. e përm., f. 49.
[22] G. Schirò, Rapsodie Albanesi. Testo – Traduzione – Note. Andrea Amenta, Editore, Palermo 1887, f. 338; Giuseppe Schirò, Opere I. Kroja, Rapsodie Albanesi. Rubbettino. Soveria Mannelli, Catanzaro, 1997, f. 158. Shih dhe studimin tim Mbi tri vepra poetike të Zef Skiroit. “Rilindja”, Prishtinë 1997 dhe italisht Tre saggi sull’opera di Giuseppe Schirò. “Biblos”, Palermo 1997.