Çlirimi i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe nje vështrim ne Zarfa Postare

0
Zarfi - Njohja ndërkombëtare e rezistencës shqiptare

Zarfi pare : Njohja ndërkombëtare e rezistencës shqiptare

Besnik Fishta Besnik Fishta

Historia jonë kombëtare është e shënuar nga sakrifica të mëdha dhe përpjekje të pareshtura për mbijetesë, dinjitet dhe liri. Ndër faqet më të ndritshme të kësaj historie është padyshim Lufta Nacionalçlirimtare, një betejë e vërtetë popullore kundër pushtuesve nazi-fashistë, që u zhvillua me përkushtim dhe heroizëm të jashtëzakonshëm nga vetë shqiptarët.

Ishte një luftë për ekzistencë, për identitet dhe për të ardhmen e kombit. Mirëpo, siç ndodh shpesh në historinë botërore, të vërtetat e mëdha shpesh janë përpjekur të zëvendësohen me versionet që i shërbejnë interesave të caktuara politike. Një rast i tillë është edhe ai që lidhet me zarfa postare të leshuara në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore

Me poshtë do të bëjmë interpretimin e dy zarfave të SHBA në vitet 1943 dhe 1944, ku Shqipëria është përfshirë në kontekstin e vendeve të pushtuara nga fashizmi dhe të rezistencës antifashiste.

Në vitin 1943, kur bota ishte ende në flakët e luftës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshuan një “serí zarfash të quajtura “Occupied Nations Series” (Seria e Kombeve të Pushtuara), ku përmes pullave dhe ilustrimeve nderoheshin kombet që rezistonin ndaj pushtimit nazi-fashist. Mes tyre, vend nderi zinte edhe Shqipëria. Në një nga këto zarfa, i vulosur në Washington, më 9 nëntor 1943, shfaqet një pullë amerikane me flamurin shqiptar dhe një ilustrim që përshkruan shqiptarin malësor, simbol i krenarisë dhe luftës për liri. Nën figurën shkruhet:

“Albania – Home of fighting mountaineers – A key point in the Adriatic.”
(“Shqipëria – Atdhe i malësorëve luftëtarë – Një pikë kyçe në Adriatik”)

Kjo ishte qartesisht një njohje zyrtare ndërkombëtare, e mbështetur nga një shtet aleat, për kontributin real të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore. Ajo dëshmon se, që në vitin 1943, rezistenca shqiptare ishte e njohur dhe e respektuar në botë. Ky është një dokument zyrtar, autentik dhe i pakontestueshëm, që nderon popullin tonë.

Zarfi i dytë: Një falsifikim i qëllimshëm dhe provokues

Vetëm një vit më vonë, më 18 nëntor 1944, u shfaq një tjetër zarf, i vulosur po në Washington D.C., por këtë herë me përmbajtje thellësisht të diskutueshme dhe manipulative. Ky zarf, në dukje i ngjashëm në format, përmban një pullë të njëjtë me flamurin shqiptar, por i shoqëruar nga një ilustrim politikisht i ngarkuar dhe historikisht i rremë. Në të paraqitet një portret i Marshall Titos, flamuri jugosllav në sfond, dhe një shqiponjë që mban një banderolë me mbishkrimin: “Tirana, the capital of Albania, was liberated by Yugoslav partisans.”

(“Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u çlirua nga partizanët jugosllavë”)

Ky zarf nuk është një dokument zyrtar amerikan, por një produkt propagandistik i krijuar nga qarqe dashakeqe, që synonin të minimizonin rolin e shqiptarëve në çlirimin e vendit të tyre. I shfaqur si një “souvenir cover” (zarf përkujtimor), ai përfaqëson një falsifikim sa trashanik aq dhe provokues të historisë sonë kombëtare.

Në fakt, çlirimi i Tiranës më 17 nëntor 1944 është një nga faqet më të ndritshme të historisë sonë kombëtare. Në këtë betejë, që u zhvillua shtëpi më shtëpi, morën pjesë 11 brigada partizane shqiptare, dhe numri i te reneve ishte shumë i madh. Ky ishte një akt heroik i pastër shqiptar. Nuk kishte asnjë ushtar të huaj në këtë betejë. Asnjë njësi e huaj nuk kontribuoi në çlirimin e kryeqytetit. Fakti që shqiptarët çliruan vetë vendin e tyre nga Saranda në Shkodër, dhe pastaj përtej kufijve në Vishegrad të Bosnjës, është unik në Ballkanin e kohës.

Kjo përpjekje, që vazhdoi edhe përtej kufijve, me pjesëmarrjen e partizanëve shqiptarë në luftimet në Jugosllavi, tregon karakterin ndërkombëtar të kontributit tonë antifashist. Në betejat jashtë kufijve ranë shumë partizanë e partizane shqiptare, dëshmi e përkushtimit të këtij populli ndaj lirisë dhe drejtësisë.

Çlirimi i vendit tonë është një vepër krejtësisht shqiptare. Nuk i detyrohet asnjë ushtrie të huaj, por vetëm gjakut të derdhur të bijve dhe bijave tona më të mirë. E kemi detyrë dhe amanet të ruajmë me fanatizëm të vërtetën historike, sepse ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe një borxh i përjetshëm ndaj brezit që e fitoi lirinë me armë në dorë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.