ÇFARË PO NDODH? Al-Abar ia beson një kompanie tjetër kontratën për Durrës Marina…

0
Rama - Al-Abar

ÇFARË PO NDODH? Arabi që përuroi me Ramën projektin 2 miliardë dollarësh të portit të ri të Durrësit do t’ia besojë dikujt tjetër kontratën e lidhur me qeverinë shqiptare, dhe për ministren Belinda Balluku “transaksionet mes kompanive janë normale”

Nga Babel.Al9 shkurt 2022

Gazetari-ekonomist që shkruan për MCNTV-në, Klodian Tomori na bën me dije një fakt që të trazon: “Një javë më parë në sportelet e Qendrës Kombëtare të Biznesit mbërriti një aplikim. Dërguesi ishte Symphony Invest Limited, guacka e Muhamed Alabarit nga ishujt Cayman, që do të marrë koncesionin e Portit të Durrësit. Por në aplikim Symphony Invest Limited njoftonte se kishte shitur 100 për qind të kuotave tek një kompani e re.

Transaksioni i shitjes së kuotave të Symphony Invest Limited ka ndodhur në Ishujt Cayman në datën 23 dhjetor. QKB-ja e studioi aplikimin për një javë. Një ditë më parë vendosi ta pezullojë atë, duke mos e kryer regjistrimin për ndryshimin e kuotave. Arsyeja? Kompania e re, që ka blerë aksionet e Symphony Invest Limited nuk dihet se çfarë është, nga vjen dhe se nga kush zotërohet.

Me fjalë më të thjeshta, arabët që kanë marrë 85 hektarë tokë shtetërore falas në zonën e Portit të Durrësit për të ndërtuar një port të ri nuk duan të merren vetë me këtë punë, dhe kanë vendosur t’ia besojnë dikujt tjetër!!! Shteti shqiptar që duhet të certifikojë këtë kalim të drejtash, po merr kohë për të mësuar se kush janë ata që “do të përfitojnë 85 hektarë tokë shtetërore falas”.

Tomori bën disa pyetje të natyrshme: “Kush është fantazma që po merr 85 hektarë tokë shtetërore falas në Portin e Durrësit, një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar? Cilët janë pronarët e rinj që kanë hyrë në lojë? Dhe çfarë po e shtyn Muhamed Alabarin, ish drejtuesin e grupit Emaar, që të kryejë manovra të tilla me shitje kuotash?

Sipas tij, “manovra të tilla ndodhin vetëm në dy raste. Së pari, kur investitorët nuk kanë para dhe duan të afrojnë në projekt aktorë të tjerë, që sigurojnë financime. Dhe së dyti, kur duan të kalojnë një pjesë të llokmës tek vendimarrësit lokalë, pra të japin tarifën e rryshfetit.

Shkrimin e plotë të Klodian Tomorit mund ta lexoni në linkun http://www.mcntv.al/2022/02/08/nj-fantazm-ble-portin-e-durr-sit

Por qeveria shqiptare e sheh këtë si diçka anormale. Ministrja e Infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku u pyet sot, dhe ajo la të kuptohej se nuk ishte e shqetësuar. Fillimisht ajo tha, sipas Panorama.al-it, se “kompania arabe statusin e ka marrë nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, kështu që pyetja duhet t’i drejtohet asaj”, por sakaq shtoi: “Sa i takon nëse është kompani ‘fantazmë’ apo jo, kjo është diçka që e thoni ju. Unë them … se transaksionet mes kompanive janë normale, përsa kohë ato [bëhen mbi bazën e ligjit].

Duket se për qeverinë nuk paska qenë i papritur ky zhvillim. Por nesër, në seancën parlamentare të ditës së enjte, ku do të ketë një interpelancë nga Ferdinand Xhaferaj për këtë çështje, do të marrim vesh më shumë.

© Babel.al. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.