Çdo natë rrjedh Ibri në mua

0
Fatmire Duraku

Fatmire Duraku

Çdo natë rrjedh Ibri në mua

Çdo natë rrjedh Ibri në mua
Rrjedh e qan rrjedh e etjen zgjon
E gjumë s` kam e s` jam një
Kaq vjet në vete përgjysmua`!

Natë. Hëna në dritare shua`
As është në qiell, as në ujë
As është kund në botë thua`!
E vrau kush, e piu kush
Apo hajni i verbër e vodhi?

Ah, po ku qe vallë Gjeto Basho Muji!?
Ah, po ku qe vallë trimi në kalë në Krujë!?
Ah… e – Adem Jashari, ah!?

Kaq vjet rrjedh Ibri në mua
E gjumë nuk kam as kam ëndërr
Kot ikë hije bregut të majtë të ujit
Ikë para vetes ikë pas vetes
Gjithnjë flakë në një patkua
E djegur etjeje te një krua!

Për çdo natë rrjedh Ibri në mua.

Eci urës

Eci urës gjysmë të ngrirë të Ibrit
Eci në lot, në mall, gjysmë e ngrirë
E një gjeth e bart era në hapësirë

Eci e nga larg vjen një muzikë
Eci, këmbët e mpira bien mbi ngrica
“Kurrë nuk ndahet Mitrovica!”

Eci e kam dhembje e kam mall
Për mëngjeset me ritme gjallërie
Për gjurmët e një fëmijërie

Të mbetur larg, larg, larg fare

Ja, prapë këngë bie nga një dritare
“Jo, nuk ndahet Mitrovica”, pra,
Pa ngelur Kosova në fëmijë e gra!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.