BURRI SHKODRAN NË GREQI, E GRATË E MIRA NË SHTËPI…

0
Pedonale

Arben Çokaj

tregim

Ka edhe kështu, gratë ta bëjnë të zezën, ku nuk mban më, por duhen toleruar. Tregim për një ngjarje të vërtetë.

Një burrë shkodran nuk e vrau as gruan e as vajzën e tij, në një rast disi ekstrem, edhe pse e kishte kapë një hall i madh… se gratë ta bëjnë edhe të zezën, por janë gra, e dihet, duhet me i tolerua… Se gruaja po nuk bëri gabime, nuk është grua dhe nuk ka nevojë, as të tolerohet. Por pikërisht se bën gabime, kërkohet edhe tolerancë në këto raste, kërkohet me ia pagua edhe shpenzimet. Durim plako durim, se ka edhe më keq…

Një burrë i shkretë shkodran shkoi në Greqi, punonte atje si mushk për të mbajtur veten e familjen e tij, kishte lënë gruan e një vajzë adolishente në Shkodër, të cilave u dërgonte të gjitha kursime e tij, se helbete, familja. Ai u çonte para familjes e këta, në vend që të ruanin paratë, i bënin rrush e kumbulla paratë e tij, me idenë se burri po i mbledhë paratë me grabujë në Greqi. Në fakt, ai mblidhte ullinj atje i shkreti, por kush po ia qante hallin atij se?!

Ndodhë që gruaja e vajza e tij ishin mjaft të zgjuara. Vajza i zë edhe një të dashur, se helbete, pa të dashur nuk mund të rrinte – ishte nipi i një gjykatësi në Shkodër. Gruaja e vajza e tij kishin celularët e markës së fundit, se burrin e babain e kishin në Greqi, duhej pak luks, kuptohet. Marrin edhe para borxh në bankë, rreth 15 milion lekë, duke vënë apartamentin e tij – apartamentin e familjes – si garanci për bankën, në rast se nuk e shlyejnë kredinë.

E përse e donin kredinë dy gratë e zgjuara shkodrane? Për të jetuar mirë dhe për paguar dashnori i vajzës shpenzimet, për shtëpinë 3 katëshe, që ai po ndërtonte. Dihet, dashnori i vajzës, konsiderohet në Shkoder, edhe si i “fejuari” i saj. Derisa dashnori kreu shtëpinë e tij… Pasi dashnori kreu shtëpinë me paratë e dashnores së zgjuar, të cilës i mori edhe kursimet e të atit të saj dhe borxhin, që ato morën në bankë për të, ai iku, u fejua me një vajzë tjetër…

Kështu që dy gratë e zgjuara, gruaja dhe vajza, që e kishin burrin (njëra) e babain (tjetra) në Greqi, lanë leshtë për dashnorin e vajzës, duke ia dhënë atij të gjitha kursimet dhe borxhin që kishin marrë, me idenë se një ditë edhe ato do të shkonin të jetonin te shtëpia 3 katëshe e dashnorit (të fejuarit) të vajzës. Por u doli djalë legen ai… Dhe konflikti lindi, pikërisht kur gratë e zgjuara nuk kishin mundësi financiare të lanin borxhin në bankë.

Thirrën burrin e babain nga Greqia të vinte e t’ua zgjidhte problemin, që ato vetë kishin krijuar. Ai erdhi, po çfarë të zgjidhte? Të kapte kokën me dorë, e të jepte kujën?! Donte të shkonte në Fiks Fare, e ta tregonte historinë e tij para gjithë shqiptarëve, me shpresë se kjo do e ndihmonte. Po si do e ndihmonte vallë? Marrëzia nuk njeh kufi!

Gratë i treguan atij se kishin marrë para borxh, për të ndihmuar dashnorin e vajzës, që të kryente shtëpinë e tij 3 katëshe. Dhe më e forta ishte se nga ato 15 milion, ata ia kishin dhënë 2 milion drejtorit të bankës, që ai t’ua jepte kredinë. Kaq zemërgjëra janë gratë, duhet të kuptohen e tolerohen. Pra, realisht, kishin marrë 13 milionë lekë, nga 15. Dhe në fund edhe apartamentin ua mori banka, se nuk po mund të shlyenin kredinë… Pra, pasi i iku edhe dashnori vajzës, ato mbeten në zero. Dhe tani u duhej asistenca nga burri e babai, nga shpëtimtari, nga mushku i shtëpisë.

Bajroni thoshte: Një grua nuk ka nevojë të kuptohet, mjafton të dashurohet…

Burri i shkretë robëtohu në Greqi, për të mbajtur familjen, e gratë e shtëpisë mendjen te rrushi… Kur burri u kthye, e pa veten me loqe në dorë, kursimet i kishin shkuar, po ashtu edhe apartamenti… Burrë, të rroftë gruaja e vajza, që i le në Shqipëri, e ti shkove në Greqi, për një jetë më të mirë…

Pas gjitha këtyre ndodhive, vajza ngushëllohej duke thënë: “Se ishte e kënaqur, pasi të paktën në ato kohë, kur ajo kishte të dashur, ia kishte kaluar mjaft mirë me të!” Babë, të rroftë vajza, se kursimet e apartamenti të lanë shëndenë! Të rroftë mushka, e pushka e gjatë…

Burri i shkretë ngushëllonte veten, në ato ditrë të vështira për të, me fjalët: mos Zot, se ka edhe më keq!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.