BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
Ishte një ditë e hershme vjeshte, dhe ne qëndronim në verandën e shtëpisë, dhe me shumë kujdes rregullonim kopshtin tonë të vogël. Një qetësi e ëmbël e mbështillte natyrën përreth, kur papritmas erdhi Agoni, djali ynë, me një buzëqeshje të ndritshme në fytyrë. “Pas dy ditësh do të udhëtoni për në Hungari,” na tha ai, me një entuziazëm që na befasoi. “Udhëtimi është organizuar, gjithçka është e leverdishme – katër natë e tri ditë në Budapest,” shtoi ai me plotë siguri. E shikuam të habitur, nuk kuptonim se për çfarë po fliste.
Me një lëvizje të shpejtë, nxori rezervimet nga xhepi, na i lëshoi në dorë dhe u largua për në qytet, duke na lënë pas me një grusht pyetjesh. I hodha një vështrim Tefikut, duke shpresuar se ai do të më shpjegonte më shumë. Ai qeshi lehtë, me një ndriçim të veçantë në sytë e tij, dhe më tha: “Shiko buletat, dhe do ta kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë.”
U ula në karrige dhe fillova të studioj rezervimet me kujdes. Lexova me habi: “Hungari, një vizitë katër ditore në Budapest.” Udhëtimi përfshinte fluturimin dhe një guitë të organizuar. Hoteli ku do të qëndronim ishte me katër yje dhe ndodhej në zemër të qytetit, një mundësi e rrallë për të përjetuar bukuritë e këtij vendi. Kur i tregova Tefikut se çfarë kishte shkruar në rezervime dhe se nisja ishte pas dy ditësh, ai qeshi sërish, ndërsa ndjeva një kënaqësi të papritur që po përvijohej brenda meje për aventurën që na priste.
Tani, me befasitë e djalit tonë duket se ishim mësuar, dhe gjithçka ndodhte natyrshëm. U përgatitëm, dhe pas dy ditësh, u gjendëm në aeroport, ku na priste një përfaqësues nga agjencia e udhëtimeve. Fluturimi filloi, dhe ndërsa aeroplani ngrihej në qiell, më përshkonte mendimi se ky udhëtim nuk ishte as në ëndrrat tona të mëparshme. Ndoshta, sepse Hungaria dukej si një destinacion i afërt, i cili nuk kishte zënë vend në planet tona të gjera. Megjithatë, me aeroplanin që lëvizte qetë mbi re, ndjehej një zhurmë e ëmbël midis udhëtarëve, ndërsa ngadalë i afroheshim qëllimit tonë. Pas vetëm dy orësh, aeroplani ateroi në aeroportin e Budapestit.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, në qendër të Budapestit, 2017
Aeroporti ishte përplot njerëz që vraponin pas bagazheve të tyre, duke kaluar njëri-tjetrin me një nxitim të pamëshirshëm. “Më pritni këtu, kam disa obligime në aeroport,” tha udhëheqësi i grupit dhe u zhduk mes turmës. Pas njëfarë kohe u kthye, tashmë i lirë, me valixhen e tij në dorë dhe na thirri që ta ndiqnim. Ishte një djalë i ri, plot energji dhe vetëbesim, i cili e drejtonte grupin me njohuri të bollshme.
Në parkingun e aeroportit na priste autobusi, ku hymë një nga një, duke nxituar të zëmë vendet tona. Guida jonë, me një përpikëri të habitshme, na thirri emrat një nga një, siguroi që të gjithë ishim aty, dhe autobusi nisi rrugën, duke gjëmuar drejt Budapestit. Ndërsa rrugët filluan të zgjaten para nesh, ndjeva një kënaqësi të veçantë. Ky vend, ku nuk kishim qenë më parë, tani po bëhej një ftesë për të zbuluar një botë të re. Një udhëtim që s’e kishim parashikuar, por që po na priste me gjithë bukuritë e tij.
Teksa udhëtonim nëpër rrugë, mendimet e mia shpesh shkonin te ideja se vjeshta e hershme është koha më e bukur për të shijuar udhëtimet. Një periudhë e freskët, plot diell të butë, që të fton në shëtitje të gjata e të qeta, pa atë nxehtësinë që digjte verës. Ndërsa u rehatuam në autobus dhe nisëm të lëviznim drejt qytetit, guida na lajmëroi me zërin e tij të qetë: “Jemi duke hyrë në Budapest, një nga kryeqytetet më të bukura të Evropës.” Ai vazhdoi të na shpjegonte se dikur, qytetet që ishin ndarë nga lumenjtë llogariteshin ndër më të bukurat, dhe kështu është Budapesti—dy qytete, Buda dhe Pesta, të cilat, 150 vite më parë, ndërtuan Urën Zingjirore që i lidhte ato mes veti.
Budapesti është vendosur në dy brigjet madhështore të Danubit, ku Buda mbështetet në kodrat e saj shumëngjyrëshe dhe simpatike, ndërsa Pesta, me bulevardet e saj të gjera dhe gjallërinë që i përket një metropoli të zhvilluar, i jep shpirtin dinamik këtij qyteti. Harmonia e Budës dhe Pestës është e dukshme në përzierjen e stileve arkitekturore, në sheshet e gjera, në rrugët e gjata dhe në urat e shumta që shtrihen mbi Danub, duke i dhënë Budapestit me të drejtë epitetin e “Parisit të Evropës Lindore.”
Guida na siguroi se atraksionet kryesore të Budapestit mund të vizitoheshin lehtësisht në këmbë, falë afërsisë së tyre, ndërsa transporti publik ishte i mirë organizuar, duke e bërë çdo shëtitje edhe më të lehtë. Zëri i tij nuk pushonte teksa ne afroheshim drejt zemrës së qytetit, duke na dhënë edhe një përmbledhje të shkurtër për Hungarinë. Një vend pa dalje në det, e vendosur në Evropën Qendrore, Hungaria ishte një shtet me një trashëgimi të thellë dhe një histori të pasur, që prisnim ta zbulonim në ditët në vazhdim.
Hungaria, ky vend me kufij të ngushtë, prehet mes fqinjëve të saj, duke ndarë hapësirën e saj me Sllovakinë në veri, Ukrainën në verilindje, Rumaninë në lindje e juglindje, Serbinë në jug, Kroacinë dhe Slloveninë në jugperëndim, dhe Austrinë në perëndim. Me një popullsi prej 9.6 milion banorësh, shumica janë hungarezë etnikë, ndërsa një valë e heshtur e popullsisë rome përbën pjesën tjetër. Gjuhë e tyre është hungarishtja, një melodi unike që mbush rrugët e Budapestit, kryeqytetit të shkëlqyer të këtij vendi, që është po ashtu dhe qyteti më i madh i tij.
Hungaria shtrihet mbi një sipërfaqe prej 93,030 kilometrash katrorë, ku toka e saj tërheqëse përfshin 33,883 kilometra katrorë, ndërsa lumenjtë dhe liqenet e freskëta përmbajnë 59,147 kilometra katrorë. Ajo ngjitet te koordinatat e 47° të gjerësisë veriore dhe 20° të gjatësisë lindore, ku klima kontinentale përshkohet nga dimra të ashpër e vera që shpesh sjellin nxehtësi, por edhe freski. Lumi Danub, i cili rrjedh madhështor, ndan qytetet dhe fshatrat, ndërsa lumi Tisa e lumi Drava ndjekin me qetësi të njëjtën rrjedhë. Ndërkohë, liqeni i Ballatonit, i njohur dhe i dashur për shumë banorë e vizitorë, qëndron si një perlë e ujërave të kristaltë.
Teksa autobusi ndaloi, udhëheqësi ynë tha se disa nga udhëtarët duhet të zbresin në një hotel të vendosur në periferi. Një nga një, ata u përshëndetën dhe ikën, deri sa arritëm në hotelin tonë, që ndodhej mu në qendër të qytetit. Hymë brenda dhe pamja që na priti ishte befasuese. Fuajet e tij të mëdha, të ndriçuara nga drita e bardhë e qelqtë, na përshëndetën si një frymë e freskët. Mysafirët e hotelit kalonin pranë nesh, me mirëkuptim në sy, duke u drejtuar kah restoranti, ku nxitonin për të përfunduar drekën. E ne, me një lloj ngazëllimi, ndjemë se udhëtimi ynë kishte vetëm filluar.
Guida u soll si një mikpritës i vërtetë, duke na vendosur në dhomën më të mirë që hoteli kishte për të ofruar. Na përshëndeti me një buzëqeshje të lehtë, duke na lënë me fjalët: “Nesër, në orën 9, fillojmë turrin nëpër qytet.” Një premtim për aventurën që pritej të zbulohej.
Meqenëse ndodheshim në zemrën e Budapestit, nuk mund të rrinim brenda. Me nxitim, vendosa rrobat në dollap dhe dolëm, të etur për të ndjerë pulsin e këtij qyteti mahnitës. Shpirti im mezi priste të shijoja një kafe të freskët, si një fillim i ëmbël për ecjet tona nëpër rrugët e panjohura.
Budapesti është një qytet që nuk i mungojnë kafeteritë e bukura, vende ku të pushosh, të marrësh frymë, dhe të vështrosh jetën që rrjedh rreth teje. Kuzhina hungareze, sipas leximeve që kam bërë, është një thesar më vete, e pasur me shije të veçanta dhe pjatat shpesh mbyllen me një ëmbëlsirë delikate. Hungarezët krenohen me gastronominë e tyre, duke thënë se bota njeh tre kuzhina të mëdha: atë franceze, kineze dhe hungareze. Dhe verërat e tyre, të pjekura në diellin e ngrohtë të vendit, janë të një cilësie të shkëlqyer.
Në qoshe të hotelit, gumëzhinin njerëzit përreth një restoranti të mbushur plot.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, një pamje nga Citadela,
kodra Gellert, Budapest, 2017
Instinkti ynë gjithmonë na çon drejt vendeve ku njerëzit mblidhen me shumicë, sepse aty ku ka shumë, ushqimi është i sigurt, i freskët dhe i shijshëm. Restoranti ishte një ftesë e heshtur për t’u ulur dhe për të shijuar diçka të paharrueshme, të përgatitur me dashuri dhe traditë të vjetër. Kështu, përveç shijes së qytetit, do të kishim edhe aromën e tij të përjetuar përmes çdo kafshate.
Kështu vepruam edhe kësaj here, duke ndjekur aromën e salsiçeve që na përplaste flegrat e hundës si një ftesë e papritur nga kuzhina e rrugës. Pa menduar gjatë, blemë një sanduiç të thjeshtë me salsiçe dhe dolëm në rrugë, duke ecur me nxitim nëpër kalldrëmet e lashta të Budapestit, ndërkohë që shijonim çdo kafshatë. Çmimi ishte më i lartë se ai që njihnim në vendin tonë, por në atë çast, kjo kishte pak rëndësi.
Rrugët e qytetit na sollën spontanisht përpara lumit Danub. Atje, ulur në stolat pranë ujit, vështruam anijet që kalonin me madhështi, ndërsa dritat e qytetit fillonin të ndizeshin një nga një, duke i dhënë Budapestit një shkëlqim magjik nën qiellin e mbrëmjes. Kthimi ynë në hotel ndodhi vonë, por mjaftoi të na jepte qetësinë dhe pushimin e nevojshëm për ditën e ardhshme.
Mëngjesi i bollshëm na përgatiti për aventurën që na priste. Guida, gjithmonë i buzëqeshur, na ftoi të bashkoheshim me grupin për të vazhduar eksplorimin e kryeqytetit hungarez. Duke ecur nëpër rrugët e gjera dhe të hijshme, së shpejti u gjendëm në Bulevardin Andrássy, një arterie madhështore e Budapestit, pranë Sheshit të Heronjve. Ky bulevard, i cili lidh Sheshin Elizabeth me Sheshin e Heronjve, ishte një udhëtim në kohë. Hapësira e tij prej 2.5 kilometrash përfaqësonte jo vetëm krenarinë e qytetit, por edhe një pjesë të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, që nga hapja e tij në vitin 1876.
Sabile Keçmezi-Basha, përmendorja e Lirisë, Budapest, 2017
Bulevardi kishte një elegancë të përjetshme: trotuaret e tij të gjera, rreshtat e gjatë të pemëve që lëshonin hije të freskëta dhe ndërtesat e mrekullueshme të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit njëzetë. Një nga këto ndërtesa ishte Opera Shtetërore Hungareze, e cila daton që nga viti 1884, një kryevepër e arkitekturës që ngrihej me krenari mbi rrugën. Dhe pak më tutje, Muzeu Memorial i Franz Liszt, ku jetonte shpirti i pianistit të famshëm, i cili kishte lënë gjurmët e tij të paharrueshme në historinë e muzikës.
Në këtë bulevard, ndërtesat e ambasadave u shfaqnin në radhë të gjatë, duke reflektuar një përzierje elegante të kulturave dhe diplomacisë, si një testament i rëndësisë së Budapestit në hartën evropiane. Shëtitja jonë vazhdoi, ndërsa qyteti shpalosej përpara syve tanë si një libër i hapur me faqe të shkruara nga historia dhe moderniteti.
Duke ecur mes grumbullit të turistëve, ndjeva ritmin e shëtitjes dhe fjalët e guidës që mbushnin ajrin, duke treguar qëllimin tonë: kalimin në anën tjetër të lumit Danub, për të soditur Parlamentin e madhërishëm të Hungarisë. Por guida, i njohur mirë me çdo cep të qytetit, kishte në mendje diçka më shumë për ne. Ai deshi të na shfaqte Urën Zinxhirë, simbolin që përkonte me shpirtin e Budapestit.
Ura e lashtë dhe madhështore kishte një histori prekëse që na u tregua me kujdes. Konti Istvan Sheheni, i prekur nga pamundësia për të vizituar babanë e tij të sëmurë për shkak të një stuhie, urdhëroi ndërtimin e kësaj ure. Në vitin 1849, ajo u hap për herë të parë, dhe bashkimi i dy anëve, Pestës dhe Budës, më në fund u bë realitet në vitin 1876. Kjo urë nuk ishte vetëm një ndërtim, por një urë që bashkoi dy zemra të qytetit të madh.
Kalimi i saj ishte një shëtitje e shkurtër, por me një pamje që të mbushte shpirtin. Nga njëra anë shfaqej Parlamenti madhështor, ndërsa nga tjetra shtrihej Kalaja e Budës, që ngrihej si një rojtar i vjetër mbi qytet. Por pamja më e bukur ishte ajo e natës, kur ura ndriçohej dhe dukej sikur frymonte nën dritat e arta. Pas një mori fotografish që ruajtën kujtimet mbi urë, u nisëm përgjatë brigjeve të Danubit, për të admiruar më afër Parlamentin e Hungarisë.
Ndërtesa e Parlamentit, madhështore dhe mbresëlënëse, sundonte brigjet e lumit si një simbol i pashoq i Budapestit. Me të drejtë, ajo është jo vetëm një ndër më të bukurat në Evropë, por edhe një nga më të mëdhatë në botë. I dyti në Evropë dhe i treti në botë për madhësinë e tij, ky objekt monumental ishte ndërtuar me frymëzimin nga vetë Parlamenti i Londrës, dhe shpaloste një arkitekturë që lartësonte çdo detaj.
E ndiejmë veten të përulur teksa hyjmë në brendësi të tij. Dhomat ishin zbukuruar me vepra të shumta arti, duke reflektuar një histori të pasur dhe një kulturë të rrënjosur thellë. Kurora e Shenjtë e Hungarisë, një simbol i shenjtë për kombin, ishte ekspozuar me krenari, si një thesar i çmuar që qëndron ende sot në stemën e vendit. Çdo detaj i kësaj ndërtese përforconte madhështinë e një kombi, ndërsa ne mbeteshim të mahnitur nga përjetimi që kalonte përtej fjalëve.
Duke vazhduar shëtitjen nëpër brigjet e qeta të Danubit, u gjendëm në Budë, dhe vizituam Sinagogën e Madhe, e cila ngrihej me madhështi përballë qiellit të hapur. Ishte sinagoga e dytë më e madhe në botë, pas asaj të Nju Jorkut, dhe me hapësirën e saj të pafundme, mund të strehonte deri në 3000 besimtarë. Ndërtuar midis viteve 1854 dhe 1859 në stilin maure-bizantin, ajo përngjante me një xhami për shumë sy që e vështronin. Por s’ishte vetëm ajo që ndriçonte historinë e hebrenjve. Krejt afër, qëndronin Muzeu Hebre dhe Qendra e Dokumentacionit, një kujtesë e gjallë e tmerreve të pashlyera të Holokaustit. Në atë vend, memoria e një tragjedie të papërshkrueshme mbizotëronte: nga 861,000 hebrenj të Hungarisë, vetëm 255,000 mbijetuan Luftën e Dytë Botërore.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, ura zinxhirure mbi lumin Danub, 2017
Ndërsa ecnim dhe bisedonim për dhimbjet që lufta shkakton, pa e kuptuar, Kosova po futej në mendjen tonë. A thua, pse bëhen luftërat? Pyetja na ngjiste në heshtje. Lufta – një plagë që të gjithë e dinë që vetëm fatkeqësi sjell. Pyetje që përhumbeshin më shumë përbrenda vetes se sa thuheshin me zë. Pse njerëzit nuk e gjejnë dot paqen në një mënyrë të qetë? Çfarë kërkojnë me gjithë këtë dhunë? A nuk lindin të gjithë njerëzit të lirë? Me ç’të drejtë dikush tenton të robërojë tjetrin, ta bëjë të palumtur e të pafat?
Në atë moment, guida jonë u ndal, dhe me një gjest të ngadaltë, na tregoi me dorë drejt brigjeve të Danubit. “Shikoni,” tha, “shihni këto.” Para syve tanë, 60 palë këpucë metalike qëndronin rreshtuar përgjatë shëtitores së Danubit, pranë Parlamentit. Ato këpucë ishin vendosur atje për të përkujtuar 3500 njerëzit që u pushkatuan në brigjet e lumit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një pamje e tmerrshme që të ngrinte gjakun në damar. U ndalëm të gjithë, dhe më dukej sikur çdo shpirt qëndronte i përulur, duke bërë një lutje të heshtur për ata të pafajshëm, viktimat e një gjenocidi të papërfytyrueshëm.
Atëherë, padashur, mendja ime shkoi te tragjeditë e popullit tonë, te dëbimi biblik i shqiptarëve nga trojet e tyre. E mendova me dhimbje: Po sikur të kishim edhe ne një vend si ky, ku këpucët e fëmijëve tanë të vrarë pa mëkat të tregonin historinë e tmerrshme të tyre? A do të ndryshonte bota, a do të kujtohej më gjatë dhimbja jonë?
Pas një dreke të shpejtë, vazhduam rrugën tonë drejt mrekullive të tjera të Budapestit, dhe ndalesa jonë e radhës ishte Shtylla e Mijëvjeçarit. Kjo shtyllë, që ngrihej madhështore me mbi 36 metra lartësi, mbante në majën e saj statujën e engjëllit Gabriel me krahët e shtrirë, si të mbante mbi supe të gjithë peshën e historisë. Në këmbët e saj, statujat e figurave të shquara historike të Hungarisë qëndronin si rojtarë të heshtur të së kaluarës. Në zemrën e këtij sheshi të gjerë, që përshkruhet si një ndër më mbresëlënësit e Budapestit, ndodhej Varri i Heroit të Panjohur, një vend që të shtyn të reflektosh mbi sakrificat e popullit të këtij vendi.
Guida jonë na kujtoi me një buzëqeshje se të gjitha atraksionet turistike ishin të shtrira afër njëra-tjetrës. Me kohën, u bindëm për këtë fakt, pasi çdo hap na çonte drejt monumenteve të tjera që i jepnin Budapestit atë hijeshi të veçantë. Aty afër ndodheshin Muzeu i Arteve të Bukura dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor, ndërsa në distancë të shkurtër, rrethuar nga jeshilimi i freskët, qëndronte Kopshti Zoologjik. Pas tij, shtrihej Parku i Qytetit, një oazë i qetë brenda zhurmës së metropolit.
Duke ecur, vështrimet tona u ndalën te një ndërtesë me pamje serioze: Muzeu “Shtëpia e Terrorit”, një monument kushtuar viktimave të fashizmit dhe komunizmit. I hapur në vitin 2002, ky muze ishte bërë një atraksion i njohur, duke rikujtuar me ngulm të kaluarën e hidhur të vendit.
Nuk mund të harrojmë edhe Bulevardin Andraši, rrugën kryesore të qytetit që ka parë shumë ndryshime për shkak të situatave politike. Në vitin 1950, ai mori emrin Bulevardi i Stalinit, pastaj Bulevardi Republika, dhe më në fund, në vitin 1989, iu rikthye emri i tij origjinal, Andraši. Në pjesën që të çon drejt Sheshit Elizabeta, radhiteshin dyqanet më luksoze të botës: Louis Vuitton, Gucci, Burberry, Roberto Cavalli, Ermenegildo Zegna dhe të tjera, që me dritaret e tyre vezulluese dukeshin si art më vete.
Çdokush që viziton Budapestin, nuk duhet të harrojë të bëjë një shëtitje në Parkun e bukur të Qytetit, që ndodhet në të djathtë të Sheshit të Heronjve. Ky park fsheh thesare të shumta: Kopshtin Zoologjik, sallën e koncerteve Petefi, dhe banjën termale Sečenji, një vend që përshkon shpirtin me qetësinë e tij. Brenda parkut, gjendet Kalaja Vajdahunyad, një strukturë e ndërtuar me mjeshtëri për të imituar kështjellën me të njëjtin emër në Transilvani. Fillimisht, ajo ishte ndërtuar si një sfond për Ekspozitën e Mijëvjeçarit në 1896, por me popullaritetin që fitoi midis viteve 1904 dhe 1908, u rindërtua me tulla dhe gur, dhe sot strehon Muzeun e Bujqësisë, më të madhin e këtij lloji në Evropë.
Në secilën kthesë, Budapesti na zbulonte një pjesë të shpirtit të tij, një qytet ku e kaluara dhe e tashmja vallëzojnë së bashku nën tingujt e historisë.
Me një përkushtim të pashoq, guida jonë na drejtoi në çdo rrugë dhe shesh të Budapestit, duke na shpërfaqur me entuziazëm çdo detaj të mrekullive të këtij qyteti magjepsës. E ndërsa ecnim nëpër rrugët që mbanin gjurmët e historisë, nuk mund të linim pa vizituar Kalanë e Budës, atë fortifikatë madhështore që dikur ishte streha e mbretërve dhe mbretëreshave, vendi ku qëndronin pushtuesit turq gjatë shekujve të 16 dhe 17, dhe më pas fisnikëria Habsburge. Sot, kjo kala nuk është më vetëm një kujtim i së kaluarës, por një vatër e kulturës, ku ndodhen Galeria Kombëtare Hungareze, Muzeu Historik i Budapestit dhe Biblioteka Kombëtare. Aty, historia dhe arti përplasen në një harmoni që vetëm Budapesti mund ta ofrojë.
Sabile Keçmezi-Basha& Tefik Basha, përmendore në kuartin e hebrenjve, Budapest, 2017
Në një tjetër cep të qytetit, Bastioni i Peshkatarit na tërhoqi vëmendjen me tarracat e tij neo-gotike, të ndërtuara me hijeshi e delikatesë. Ky vend na ofroi një pamje të paharrueshme të Danubit dhe të qytetit të Budapestit që shtrihej përpara nesh si një tablo e gjallë. Vendosur afër Kishës së Shën Matiasit, bastioni ishte si një kartolinë e jetës së përditshme të këtij qyteti që përzien në vetvete të shkuarën dhe të tashmen.
Kemi parë shumë kisha gjatë udhëtimit tonë, secila me përmasat dhe historitë e tyre unike, por asnjë nuk krahasohet me Kishën e Shën Stefanit në Budapest. E ndërtuar për të nderuar mbretin e parë të Hungarisë, kjo kishë madhështore, që hapi dyert e saj në vitin 1906 pas 50 vjet ndërtimi të mundimshëm, mund të strehonte deri në 8500 njerëz në gjirin e saj të shenjtë. Kupola e saj, që arrinte lartësinë e 96 metrave, ishte e barabartë me atë të Parlamentit, një simbol i respektit dhe barazisë që ndërtuesit dëshironin të ruanin. Pamja nga maja e kullës, ku mund të ngjiteshe me ashensor, ishte një përjetim magjik, që përfshinte gjithë qytetin e Budapestit nën një dritë të veçantë.
Megjithatë, ndoshta më e bukura nga të gjitha ishte Kodra Gellert. Me një histori që fshihet pas emrit të saj, kjo kodër mban emrin e peshkopit italian Gerard, i cili i konvertoi hungarezët nga paganë në të krishterë. Në vitin 1046, ai u vra nga paganët në këtë kodër, duke e bërë atë një vend jo vetëm me pamje të mrekullueshme, por edhe me një histori të thellë shpirtërore. Statuja e tij ngrihet solemne në rrëzë të kodrës, si një kujtesë për veprën e tij të rëndësishme dhe sakrificën e tij të madhe.
Ndërsa përshkonim këto vende me bukuri të rrallë dhe histori të përjetshme, ishte e pamundur të mos ndjenim se Budapesti është një qytet që të lë pa frymë në çdo hap, një qytet ku e kaluara dhe e ardhmja takohen në një simfoni të përkryer.
Në majën e kodrës, një Monument i Lirisë qëndron ngadhënjyes, një përkujtim solemn për heronjtë sovjetikë që sakrifikuan jetët e tyre për çlirimin e Hungarisë në vitin 1945. Ky simbol fuqishëm i shpresës dhe fitores është përfaqësuar nga një grua që mban një gjethe palme, duke ndarë një mesazh paqeje dhe mirënjohjeje. Pas këtij monumenti të shenjtë, ngrihet një kështjellë që flet për lavdinë e Habsburgëve, e ndërtuar pas luftës çlirimtare të viteve 1848/49, një kujtesë e pasurisë historike që rrethon këtë qytet të lashtë.
Pas një ecejake të gjatë, më në fund gjetëm strehim në hotelin tonë, ku na u ofrua një darkë solemne, një përmbyllje e ngrohtë për një ditë të ngarkuar me emocione dhe zbulesa. Të nesërmen, që ishte dita e fundit në këtë qytet të mrekullueshëm, vendosëm të zbulojmë Tregun Qendror të Budapestit.
Ky treg ishte një oazë e vërtetë për ata që kërkojnë produkte tradicionale hungareze. Ndërsa shëtitnim nëpër stendat e mbushura me delikatesa lokale dhe artizane të veçanta, ndiheshim si në një labirint të aromave dhe ngjyrave që flisnin për kulturën dhe pasurinë e këtij qyteti. Tregu ofronte gjithashtu mundësi për të shijuar ushqime të shpejta me çmime të arsyeshme, duke e bërë përvojën e blerjes dhe të ngrënies një kënaqësi të plotë.
Në zemrën e Budapestit, rruga më e njohur tregtare është Váci utca. Kjo arterie e gjallë është e mbushur me dyqane suvenirësh dhe antike, ndërsa ecnim në këmbë, shihnim restorante dhe kafene që i japin qytetit një frymë të gjallë dhe dinamike. Mënyra më e lehtë për të arritur në këtë rrugë është përmes linjës së verdhë të metrosë (stacioni Vörösmarty Utca) ose linjës blu të metrosë (Ferenciek Tere).
Jo shumë larg nga rruga Váci, ndodhet Rruga e Modës, e krijuar në vitin 2007 nga rikonstruksioni i rrugës Deak Ferenc. Edhe pse e shkurtër në gjatësi, kjo rrugë është një destinacion i njohur për blerje të markave të njohura ndërkombëtare si Hugo Boss, Tommy Hilfiger, Max Mara, Lacoste dhe shumë të tjera, duke ofruar një gamë të gjerë për ata që kërkojnë elegancë dhe stil.
Në shtegun e bulevardit Andrashi, një rrugë e magjepsur që zgjatet për 2.5 kilometra, të çon drejt Sheshit të Heronjve dhe parkut të qytetit. Këtu, bukuria e luksit ndrit përmes vitrinave të Louis Vuitton, Gucci, Roberto Cavalli, Burberry dhe Ermenegildo Zegna, të gjitha me një elegancë të pakundërshtueshme. Ky bulevard i gjatë është një parajsë për ata që kërkojnë të prekin dhe të marrin me vete një pjesë të sofistikimit të Budapestit.
Por pas magjisë së lukseve, në një anë tjetër të qytetit, pranë Bastionit të Peshkatarit, ndërsa rrugët përqafojnë Kishën e Shën Matias, janë dyqanet e suvenireve që frymojnë me frymën e kulturës së Hungarisë. Këtu, porcelani hungarez shkëlqen në rafte, ndërsa specat e famshëm të kuq ngjajnë si rubin të zjarrtë që presin të përqafohen nga shijet e vizitorëve. Ky vend, në hijen e Budës, ofron kujtime të çmuara për ata që duan të marrin me vete një copëz të këtij qyteti.
Diku më tej, pranë stacionit hekurudhor Keleti, shfaqet madhështore Arena Plaza, një qendër gjigante që ngrihet mbi 194,000 metra katrorë dhe përfshin tre kate plot jetë. E hapur në vitin 2007, kjo qendër është një fole e popullatës së re, ku moda dhe argëtimi gërshetohen nën një çati të vetme. Parkimi me 2800 vende është një strehë për ata që ndjekin modën në shpejtësi. Me vetëm pesë minuta ecje nga stacioni, qendra rrezaton ritmin e një qyteti që përqafon modernitetin.
Në mbrëmje, lumi Danub na priti në krahët e tij të butë, duke na ftuar në një shëtitje relaksuese me anije. Freskia e vjeshtës dhe dritat që ndritnin qytetin e bënin Budapestin të dukej si një përrallë magjike, ku çdo reflektim në ujë rrëfente një histori. Ishte koha e duhur, një çast kur nata fillon të flasë. E ulur mbi valët e Danubit, dëgjova sekretet që lumi mbante të fshehura. Ato fshiheshin thellë, të ruajtura me besnikëri, si premtime që nuk do t’u tregoheshin kurrë askujt.
Buzë bregut, të rinjtë përshëndetnin me dorë, ndërsa ne lundronim mes dritave dhe hijes së mistereve. Nata në Budapest dukej sikur më rrëfente ëndrra që do të mbeteshin përgjithmonë në zemrën e këtij qyteti të lashtë.
Anija lundronte butë mbi ujërat e Danubit, ndërsa flladi i freskët i natës na përshkonte fytyrat. Shpejtësia e saj sikur na merrte atë pak ngrohtësi që vera kishte lënë pas në ajër. Një ndjesi e lehtë dridhjeje na përshkoi, por hijeshia e qytetit që ndriçonte në mbrëmje na mbante ngrohtë në shpirt.
Kur zbritëm nga anija, dy vajza të bukura na përshëndetën me një zë të ëmbël në shqip. Befasimi na pushtoi. Si mund të na njihnin ato mes gjithë njerëzve të këtij qyteti të madh? Por magjia e takimit u bë edhe më e madhe kur kuptuam se këto vajza nuk ishin të huaja, por studente nga Gjilani, duke ndjekur ëndrrat e tyre në Budapest. Me një buzëqeshje të ndritshme, ato na treguan se prindërit e tyre ishin miq të vjetër që i njihnim kaher. Gëzimi shpërtheu papritur si një dritë në mes të natës. Një takim i rastësishëm, i mbushur me ngrohtësinë e njohjes dhe lidhjes së hershme, na dha një tjetër arsye për të dashur këtë udhëtim.
Të nesërmen, me nxitim mblodhëm sendet tona. Koha për t’u larguar kishte mbërritur, por ne u ndjemë mirënjohës për çdo moment. Falënderuam nikoqiret tona, të cilat na kishin përqafuar me bujarinë dhe kujdesin e tyre të pamasë. Me zemrat e ngrohta dhe kujtime të reja, u larguam nga hoteli, duke ndjerë se ky qytet na kishte ofruar më shumë sesa prisnim – një udhëtim plot surpriza dhe lidhje të çmuara.