Ben Blushi
Duket e padrejtë të godasësh dikë që mendon se të gjithë janë duke i ngulur nga një thikë pas shpine. Ky është rasti i Albin Kurtit. Atë po e gadasin të gjithë, nga brenda dhe nga jashtë Kosovës, nga afër, nga anash, nga larg dhe nga lart.
Megjithëse të gjithë kanë të drejtë kur i kërkojnë të sillet si një politikan i përgjegjshëm, të gjithë e kanë gabim kur mendojnë se ai ndjehet keq.
Pandjeshmëria është pika më e fortë e Albinit.
Ai nuk jeton si një poltikan me lëkurë të hollë, por si një martir pa trup dhe prandaj pa lëkurë. Martirët nuk kanë lidhje me plagët, me dhimbjet dhe me torturat e shpirtit. Ata nuk ndjejnë asgjë. Kjo është arsyeja pse sot të gjithë po habiten sesi ky njeri nuk po bën asgjë që të shpëtoje nga ato që ai me siguri i quan thika, kurthe, pabesi apo pusi, siç do bënte çdo politikan normal.
Prandaj nuk do e ndjejë edhe këtë që po them, çka më lehtëson, duke e ditur që megjithëse do ta konsiderojë një thikë, prapë nuk do t’i dhembë.
Arsyeja pse nuk ndjen, kur i thonë se po dëmton Kosovën, është e thjeshtë. Kosova nuk është territori që ai duhet të shpëtojë, por është territori ku ai ka vendosur të vritet për t’u shpallur martir.
Kohët e fundit ai nuk po duron më. Duke menduar pa pushim për ditën e martirizimit të tij, ai po ngutet dhe po i lutet të gjithëve ta vrasin me rradhë ose njëkohësisht, serbëve, shqiptarëve, kosovarëve, evropianëve, rusëve dhe amerikanëve.
Është i vetmi njeri në planet që ka bërë bashkë tre superfuqi kundër: Amerikën, Rusinë dhe Evropën. Të gjithë nuk e duan për arsye të ndryshme, të cilat Albini përpiqet çdo moment t’i bashkojë në një. As Zelensky dhe as Kimi i Koresë nuk e kanë arritur dot këtë sukses, sepse megjithëse sillen keq, pothuajse çdo ditë, në fund të fundit ata sillen si politikanë sepse ata kanë qëllime praktike në jetë.
Kurse Albini ka një qëllin tjetër : ai kërkon të vdesë si politikan dhe të jetojë si një martir. Dhe prandaj po i fton të gjithë ta vrasin. Politikisht.
Ky fiksim i tij për të jetuar një jetë tjetër, pas vdekjes, duhet të jetë i hershëm dhe ndoshta ka lindur nga leximet apo nga ëndërrimet e tij të fëmijërisë. Shpresoj që ai më mirëkupton, nëse do i them se leximet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare i kanë bërë dëm. Një njeri që interpreton keq rilindasit, vjen një ditë që beson se gjithë bota është kundër shqiptarëve dhe se shqiptarët, si kërthiza e botës, do ti mbijetojnë cdo padrejtësije pa bërë vetë asgjë, ose duke bërë keq cdo gjë.
Rilindja jonë KombëTare kishte një aspekt të fortë kulturor dhe gjuhësor, por nuk kishte qëllim politik. Prandaj nga leximet euforike të poezive të Rilindjes u mbrojt gjuha shqipe, por nuk u formua dot rezistenca shqiptare kundër pushtuesit turk si dhe përpjekjet për të ndalur zvogëlimin e Shqipërisë.
Rilindja na mësoi të flisnim shqip por jo të luftonim dhe aq më pak të negocionim.
Ndërsa ne bënim lojëra të vogla bajraqesh, të tjerët bënin diplomaci dhe prandaj na morrën territore sic ishte dhe rasti i Kosovës që mbeti jashtë kufinjve shtetërorë. Në këtë mënyrë të tjerët u zmadhuan, ne u zvogëluam, duke bezdisur Evropën me tym dhe kësisoj duke ndihmuar fqinjët.
Nuk dua ta quaj Albin Kurtin një viktimë të Rilindjes, por ai po bën sot të njëjëtn gjë. Po ndihmon fqinjët duke ndezur zjarre të vogla me faqet e poezive të vjetra. Njëlloj si 100 vjet më parë po humb Evropën dhe Amerikën duke i kaluar në kahun tjetër të kufirit. Meqë nuk është politikan dhe as nuk do të jetë, ai nuk kupton ose bën sikur nuk kupton se Perëndimi nuk pranon një front tjetër në brendësi të territoreve të tij, ndrëkohë që ka një front të hapur në Ukrainë.
Por jo vetëm kaq. Perëndimi kërkon ta shkëpusë Serbinë nga Rusia duke i bërë disa favore të vogla. Duke i dhuruar një shoqatë serbësh në Kosovë që ata e quajnë asosacion.
Albin Kurti beson,ndoshta me të drejtë, se nëse serbët marrin këto të drejta, pra organizohen në një shoqatë me autonomi të zgjeruar, atëherë brenda Kosovës do të krijohet një Kosovë serbe, e cila nesër mund të shërbejë sic i shërbeu Dombasi Rusisë për të ndërhyrë në Ukrainë.
Sigurisht nuk është e njëjta gjë.
Na pëlqen apo nuk na pëlqen, Perëndimi kërkon ta bëjë edhe Serbinë, Evropë dhe serbët evropiane. Me apo ndihmën e shqiptarëve, kjo ka për të ndodhur, cka nuk është keq për shqiptarët. Përkundrazi.
Ajo që po ndodh në Kosovë nuk ka lidhje vetëm me shqiptarët dhe as me Albin Kurtin. Perëndimi kërkon të zbojë rusët nga Kosova duke joshur serbët. Prandaj kjo nuk është beteja e Albinit por e Perëndimit dhe ai po ngatërrohet kot në një territor që të tjerët e duan për qëllime të ndryshme ndrësa ai e do për tu kthyer në martir. Kjo është arsyeja pse ai është në konflikt me perëndimin dhe duke mos kuptuar cfarë po ndodh, po pengon.
Por nëse Albini nuk ndihmon, nuk i lejohet të pengojë. Kur ai të mbarojë procesin e martirizmit, kufiri që sot ndan Kosovën me Serbinë mund të jetë kufi evropian dhe jo më serb dhe aq më pak rus sic duket sot.
Prandaj Albin Kurti duhet të fillojë të shohë jashtë kufirit të Kosovës. Bota ka ndryshuar. Gjërat jashtë Kosovës nuk janë më sic ishin para 10 vitesh apo para 100 vitesh. Martirët janë mbyllur nëpër muze, pragmatistët vendosin. Kur ai të shikojë pak më larg do kuptojë se nuk mund të pengojë Perëndimin të bashkohet me Shqipërinë me Kosovën dhe me Serbinë.
Prandaj e ka gabim dy herë: edhe si martir edhe si politikan.