BOTA E MESHKUJVE ËSHTË E PISTË, POR JO TË GJITHË MESHKUJT

0
Doruntina Grulaj

Shkruan: Doruntina Grulaj

Burrat as me burra nuk kuptohen, ata në mes vete vriten.

Bota e meshkujve është e pistë, aq sa ndonjëherë as ata vet nuk e kuptojnë dhe nuk e njohin veten, madje disa prej tyre ndjehen të turpëruar që i përkasin gjinisë mashkullore. Fatmirësisht nuk janë të gjithë meshkujt të tillë, kemi edhe meshkuj që janë shumë të edukuar të dashur, të respektuar, të vlerësuar ndonëse çdo ditë e më të paktë.

Kjo gjendje, në të cilën është futur shoqëria jonë është shumë shqetësuese dhe për tu brengosur, ky është një rrezik i madh për të gjithë, kemi frikë dhe pasiguri nga meshkujt, burrat e tillë në çdo vend si: në punë,  në rrugë, në lëvizje, në familje, në shoqëri, në institucione, d.m.th situata është shumë e rënduar. Niveli i lartë i femicideve në vendin tonë, tregon dështimin e hallkës zinxhirore të organeve të sigurisë dhe të drejtësisë. Vrasjet e lidhura me gjininë janë vrasjet brutale me ekstrem të dhunës ndaj vajzave, grave.

Fatkeqësisht në shoqërinë tonë, ne po flasim për dhunën, jemi duke protestuar kundër dhunës por dhuna është duke u shtuar ajo është duke u normalizuar. Ne njohim shumë persona në rrethin tonë familjar, shoqëror, në komunitet që flasin për dhunën por pikërisht janë ata ushtrues të dhunës së vazhdueshme në familje. Ata ushtrojnë dhunë psikologjike ndaj motrës, nënës, vajzës, gruas, babait ose babai ushtron dhunë fizike ndaj vajzës, gruas, djalit etj. Kjo etja për të mbajt pushtetin, patriarkalizmi dhe bota maskuliste sjell konflikte të shumta si: mes vëllait me vëllain, shokut me shokun, djalit me baba, burrit me grua, vëllait me motër, punëtorit me shefin.

Në raste të tilla sikur ndihemi të kufizuar në fuqinë dhe mundësinë që kemi për të ndryshuar botën, por ne mund të ndihmojmë duke kërkuar barazi gjinore në mënyrën e veçantë. Pse burrat sot janë ushtrues të dhunës psikologjike, fizike, seksuale ndaj grave dhe duke i vrarë ato, kjo është krejt si mos edukim i djemve, e që faji nuk duhet hedhur gjithmonë tek nënat.

Gabimi që bëjnë vajzat, grat është se ato tolerojnë, shpeshherë më shumë se që duhet, harrojnë qenien e tyre, heshtin për hir të familjes, mentalitetit, shoqërisë dhe kur vjen momenti sa nuk mund të durojnë më atëherë reagojnë, por është vonë.

Gabimi dhe mashtrimi tjetër që bëjnë disa vajza, gra, sidomos në ditët e sotme është që shikojnë prestigjin, statusin e punës që kanë meshkujt apo burrat, nuk e kuptojnë që edukimi dhe shkollimi janë dy gjëra të ndara. Nuk e kuptojnë që personi më i mençur mund të jetë edhe krimineli më i madh, idioti, maniaku më i madh, dhe del të jetë person me shumë fytyra të paraqitet si engjëll në aparancë por brenda kanë djallin që u fle, dhe presin momentin që të marrin veprimin e tyre të tmerrshëm dhe brutal.

Patjetër duhet të theksojmë edhe gabimin më fatal që bëjnë vajzat, gratë që tolerojnë dhunën dhe maltretimin nga partnerët e tyre pikërisht për interesa të ulëta, për gjëra materiale, për ta bërë një jetë më luksoze para botës ato tolerojnë tradhti, përulje, nënçmim, dhunë psikologjike, fizike, deri aty sa e lejojnë veten të trajtohen si objekt seksual, duke nënvlerësuar çdo vlerë njerëzore që kanë. Dhe si rezultat po këta djem, meshkuj, burra, të cilët përveç të dashurës dalin edhe me vajza tjera, e shumë burra të martuar që përveç gruas kanë dashnore, si përfundim pikërisht për problemet që ata vet i krijojnë dhe nga mos edukimi, paaftësia e të qenit burrë këta i vrasin gratë dhe dashnoret e tyre.

Shumë prej meshkujve, burrave janë manipulues në shumë mënyra nga më të ndryshmet, duke filluar nga justifikimi me sjelljen dhe ngacmimin ndaj vajzave dhe grave, pastaj shpenzimin e parave me vetëdije në gjëra negative si: drogë, alkool, bixhoz, jeta e shfrenuar me vajza të reja, xhelozia ndaj partneres me pretekstin se të dua, duke ja ndaluar jetën e saj, nuk të lë të dalësh se e di si janë meshkujt, por punën nuk ja ndalon sepse ja merr parat, pastaj shpeshherë përdorin viktimizimin para tyre sepse e din që bota e femrës është e butë, tolerante dhe e ndjeshme, ata godasin aty ku dhemb më së shumti. Ata janë të kamufluar para familjes, rrethit të ngushtë, shoqërisë por kur vrasin ata gjejnë justifikim për vrasjet e kryera, dhe fillojnë e thurin edhe fjalë e gënjeshtra nga më ulëtat për partneret e tyre.

Jemi në një situatë ku e vështirë të jesh e edukuar, e emancipuar, e shkolluar, e pavarur, e respektuar, e dashur sepse vajzat e tilla meshkujt si përballojnë dot, kemi anën tjetër ato që harrojnë veten për një partner tolerojnë dhunën psikologjike, fizike, seksuale, mos respektin e tij, mosmirënjohjen, dembelizmin, qejfet e shumta që ka e që as vet ai nuk i di. Kjo situatë është pse burrat i vrasin grat e tyre sepse ata janë të paaftë për të krijuar dhe mbajtur familjen, dhe nuk mund të durojnë një grua të fortë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.