Bisedë me stërnipin e Ismail Bej Vlorës, Qamil Ismail Vlora

0
Naming ceremony - Ismail Qemali street - New York

Nga Këze Kozeta Zylo, Illyria.com

Ati i Pavarësisë së Kombit Shqiptar, Ismail Bej Vlora, u përjetësua dhe në Amerikë në vendin më demokratik të botës. Një nga rrugët kryesore në Staten Island, New York u pagëzua me emrin e madh të Ismail Qemalit.

Në këtë ceremoni madhështore ishte i ftuar dhe nipi i Ismail Bej Vlorës, Qamil Ismail Vlora.

Ju ftoj të ndiqni bisedën!

Ju jeni një prej pinjollëve të familjes së madhe kombëtare të Ismail Qemal Bej Vlorës. Çfarë peshe keni mbi supe, duke qenë pasardhës i tij?

Mendoj se të jesh pasardhës i një figure historike, siç është figura e Ismail Qemal Bej Vlorës, figurë e lidhur pazgjidhshmërisht me ngjarjen më të madhe të shqiptarëve, pikërisht atë të Shpalljes së Pavarësisë apo Ditës së Flamurit, më shumë se krenari është një peshë e rëndë, por që nuk të lodh, përkundrazi, edhe pse në momente të shkurtra apo të rralla, të jep një kënaqësi krejtësisht të veçantë, siç ishte edhe kënaqësia e papërshkrueshme e momentit kur, rrethuar nga qindra shqiptarë që jetojnë në Amerikë, por edhe shtetas amerikanë dashamirës të Shqipërisë, emri i Tij u zbulua i shkruar mbi pllakën që do mbetet në breza, në një nga rrugët e New York-ut.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me regjimin komunist, pasi është fatkeqësi që pasardhësit e Ismail Qemal Bej Vlorës u lanë në hije dhe, për të qenë e sinqertë, nuk dinim ku ishit edhe pse prindërit tanë, nën zë, na tregonin se Ismail Qemal Bej Vlora kishte lënë 9 fëmijë?

Historia e familjes sime, përgjatë regjimit komunist, është një histori e gjatë dhe shumë e komplikuar në vetvete. Por, e thënë shkurt, ajo është një marrëdhënie mosbashkëpunimi midis familjarëve të mi dhe regjimit komunist, të cilët u distancuan në mënyrë të hapur kundrejt sistemit që po instalohej në Shqipëri, pasi ata nuk kishin asgjë të përbashkët me ideologjinë komuniste dhe nuk miratonin veprimet, që ai sistem po zbatonte në Shqipëri, që në ditët e para të pasluftës.

Ismail bej Vlora - me familjeIsmail bej Vlora – me familje

Pikërisht, për këtë distancim apo refuzim për të qenë pjesë e atij sistemi, gjyshi im, Qamil Bej Vlora, djali i Ismail Qemal Bej Vlorës (emrin e të cilit unë mbaj) u arrestua, me akuzën «sabotator i pushtetit» pasi nuk kishte dorëzuar, në afatin e duhur, një revolver. Sigurisht ky ishte thjesht një pretekst për të ligjëruar veprimin e tyre pasi, në të vërtetë, ishte goditja që ata kërkonin t’i jepnin atij dhe familjes Vlora. Më pas, për të njëjtat arsye, pra të mosbashkëpunimit, në mënyra dhe forma të ndryshme, u persekutua gjithë familja jonë përgjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste.

Njëkohësisht, paralelisht persekutimit të familjes, u shtrembërua edhe historia familjare e Ismail Qemalit, protagonistit të Shpalljes së Pavarësisë. Ajo tregohej jashtë mase e cunguar, si për prejardhjen e tij ashtu edhe për familjen që ai krijoi vetë, duke u martuar me Kleoniqi Surmelin, me të cilën pati plot 9 fëmijë, disa prej të cilëve ishin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, që e mbështetën dhe e ndihmuan në rrugëtimin drejt Pavarësisë, e më pas deri në ditët e fundit të jetës.

Ku keni jetuar dhe cilat janë disa nga kujtimet tuaja në shkollë, miqësia apo diskriminimi, që keni ndjerë në bangat e shkollës?

Unë kam lindur dhe jetuar në Tiranë, ku ndoqa edhe periudhën e shkollimit. Nuk mund të them se në periudhën shkollore ka pasur diskriminim ndaj nesh. Thjesht, edhe pse e parë nga jashtë mund të duket jo e rëndë, karshi nesh u ndoq një politikë indiferentizmi dhe mosvlerësimi. Ishte gjetur një mënyrë për të na luftuar në heshtje, duke mos na dhënë hapësirën që meritonim, duke na penguar në dëshirat tona, pasionet, rrugën studimore që do dëshironim, etj., gjëra që, në të kundërt, u krijoheshin, shpesh edhe pa meritë, fëmijëve që u përkisnin klasës së tyre. Unë vetë, duke patur pasion matematikën, kam mundur, edhe pse me vështirësi, të merrja pjesë në disa olimpiada kombëtare, ku edhe kam fituar çmime, por mendoj se nuk më jepnin vlerësimin që meritoja.

Ismail bej Vlora - me Isa BoletininIsmail bej Vlora – me Isa Boletinin

Pse ju detyruan të ndryshonit mbiemrin Vlora dhe pse Ismail Qemal Bej Vlora në kohën e diktaturës njihej vetëm si Ismail Qemali?

Historia e ndryshimit të mbiemrit të familjes sime është një histori e gjatë, e komplikuar dhe e mirëmenduar. Neve nuk na detyruan ta ndryshonim mbiemrin. Thjesht dhe në mënyrën më arbitrare na e ndryshuan atë. Në Bashkinë e Tiranës është akoma rregjistri i vitit 1946 ku, më 30 tetor të po atij viti, një komision i posaçëm, pa pyetur e pa lajmëruar askënd dhe pa shënuar asnjë motivacion, në fletën ku ishte e rregjistruar familja, mbi të katër personat e familjes që ishin të rregjistruar, përkatësisht gjyshi im, gjyshja, babai dhe xhaxhai, kanë ndërhyrë duke vendosur një vizë mbi mbiemrin ekzistues Vlora dhe duke shënuar përbri tij mbiemrin e ri: Ismaili, të zgjedhur prej tyre.

Pra familja ime nga Vlora, mbiemër që e kishin trashëguar brez pas brezi, u gjet, pa e ditur as vetë, me një mbiemër të ri. Ky ishte një veprim mjaft i qartë dhe i mirëmenduar. Në atë kohë gjyshi im, bashkë me dy djemtë e tij, ishin të vetmit meshkuj që jetonin në Shqipëri dhe që kishin mbiemrin Vlora. Pra duke iu hequr këtë mbiemër, aq të njohur, autorët mendonin që, në këtë mënyrë, do ta zhduknin atë.

Ismail Qemali – shpallja e pavarësisë

Kjo gjë vihet re qartë edhe në formën e emrit që përdorën ndaj Njeriut që Shpalli Pavarësinë. Ai u prezantua në historiografinë shqiptare thjesht si Ismail Qemali, pa titullin Bej dhe pa mbiemrin familjar, me qëllim që ta ngulitnin në kujtesën e re kombëtare të shkëputur nga historia e familjes së tij. Mbiemri Vlora, me aq kontribut në historinë tonë, filloi pak nga pak të lihej në harresë aq sa edhe sot, fatkeqësisht, dihet fare pak për paraardhësit e Ismail Qemal Bej Vlorës, themeluesit të shtetit tonë shqiptar, dhe për prejardhjen e tij.

Na tregoni ju lutem diçka për gjyshin tuaj, Qamil Bej Vlorën, djalin e Ismail Qemal Bej Vlorës.

Gjyshi im ishte djali dhe fëmija më i vogël i Ismail Qemalit. Ai lindi në Stamboll, më 14 dhjetor 1895. Si djalë i Ismail Qemalit atij iu desh të përballej me vështirësi të ndryshme që në fëmijëri. Ishte pikërisht koha kur Ismail Qemali kishte dalë hapur kundër politikës së Sulltan Hamidit II-të, gjë që e detyroi të arratisej nga Turqia në vitin 1900, duke marrë me vete vetëm një pjesë të familjes. Gjyshi im atë kohë ishte vetëm 5-vjeçar dhe mbeti në Stamboll bashkë me nënën e tij dhe dy vëllezërit e mëdhenj të cilët, shumë shpejt, u arrestuan dhe u internuan larg Stambollit. Kështu ai e kaloi fëmijërinë vetëm me nënën e tij dhe larg babait, për plot 8 vjet.

Ismail bej VloraIsmail bej Vlora

Kur Ismail Qemali u kthye përsëri në Stamboll, në vitin 1908, gjyshi im ishte 13-vjeçar. Në ato vitet e para, kur familja u ribashkua, ai nuk i ndahej babait të tij mirëpo, në rrugëtimin e tij në shërbim të çështjes kombëtare, Ismail Qemalit i duhej shpesh të qëndronte larg familjes. Më pas, gjatë periudhës së Pavarësisë, kur Ismail Qemali ishte në Vlorë, gjyshi im u vendos në Francë ku edhe mbaroi studimet. U kthye në Shqipëri në shkurt 1919, kur, bashkë me dy vellezër, Et’hem beun dhe Qazim beun, shoqëruan trupin e pa jetë të babait të tyre nga Perugia e Italisë në Vlorë.

Gjatë qëndrimit në Vlorë u njoh me vajzën e Ahmet Aga Dyrmishit, Ylvien dhe nga martesa e tyre lindën dy djem: Ismail Qemal (im atë) dhe Xhevdeti. Më pas gjyshi u vendos në Tiranë, bashkë me familjen, dhe u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai kishte studiuar në Europë dhe fliste shumë gjuhë të huaja. Në Ministrinë e Jashtme nga nënpunës i thjeshtë arriti të emërohej Sekretar i Parë i asaj ministrie dhe të dekorohej fare i ri me urdhrin e Skënderbeut dhe atë të Legjionit të Nderit të Francës. Mirëpo edhe ajo periudhë e “qetë” familjare do ndërpritej më 1932 kur, i dyshuar si pjesëmarrës në “Organizatën e Fshehtë të Vlorës”, e cila mendohej se kishte për qëllim rrëzimin e monarkisë, u arratis nga Shqipëria (bashkë me familjen) dhe u vendos në Francë. Pas largimit të Mbretit Zog u kthye sërish në Shqipëri dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit.

Ismail bej Vlora – familja

Pas luftës, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, refuzoi bashkëpunimin me atë regjim, gjë që i kushtoi përndjekjen. Më 10 dhjetor të vitit 1946, me akuzën “sabotator i pushtetit”, pasi, siç thashë edhe më sipër, nuk kishte dorëzuar brenda afatit një revolver, që kishte në zotërim, u arrestua dhe u dënua me një vit burg. Në Arkivin e Ministrisë së Brendëshme janë akoma dokumentat që dëshmojnë mbi arrestimin e gjyshit tim, akuzat, masa e dënimit, etj. sidhe disa dokumenta të tjera që dëshmojnë se si Sigurimi i Shtetit ndiqte të gjitha lëvizjet e tij, me kë takohej, ku shkonte, etj. Gjatë vuajtjes së dënimit gjyshi im u prek nga turbekulozi dhe, pasi doli nga burgu, u kurua për pak kohë në senatoriumin e Tiranës, ku edhe ndërroi jetë më 15 dhjetor 1950, në moshën 55-vjeçare.

Që nga ajo kohë, familja ime u konsiderua si kundërshtare e atij regjimi ndaj edhe pasojat u ndjenë tek të gjithë ne, deri në vitin 1990, kur në vendin tonë morri fund regjimi komunist.

Çdo të thoshte për babain tuaj të pagëzohej me emrin e madh të Ismail Qemal Bej Vlorës?

Im at ishte i pari djalë që lindi në familje pas vdekjes së Ismail Qemalit. Lindi në Vlorë më 26 Korrik 1920, ndërkohë që Ismail Qemali kishte vdekur në janar të vitit 1919. Pra im atë pati nderin të trashëgonte emrin e tij duke u quajtur edhe ai Ismail Qemal, pra dy emra, siç përdorej në gjerësisht në atë kohë. Mendoj se të trashëgosh emrin e një personaliteti të njohur është, përveç kënaqësisë apo nderim, edhe një përgjegjësi mjaft e madhe. Im atë, në kohën kur në Shqipëri u instalua regjimi komunist, ishte një i ri 24 vjeçar. Studimet i kishte kryer në Francë dhe njihte disa gjuhë të huaja. Duke mos bërë asnjë lloj kompromisi me regjimin që u instalua në Shqipëri, veprim që, në radhë të parë do cënonte dinjitetin e tij por, për pasojë, edhe atë çka ai pikërisht përmes këtij emri përfaqësonte, jo vetëm që u ndie i nderuar me emrin që ishte pagëzuar por e lartësoi edhe më shumë atë.

David M. Carr – Council of county, New York

Edhe pse në një periudhë të jetës së tij, fatkeqësisht të gjatë, e privuan të përdorte zyrtarisht mbiemrin e tij, nuk e ndaluan dot ta përdorte në jetën e tij private dhe vetë ai nuk linte rast pa e evidentuar atë. Në të gjithë korrespondencën që im atë mbante me kushërinjtë e tij që jetonin jashtë Shqipërisë, korrespondencë e shpeshtë dhe e ngjeshur për kohën, mbi zarf ai do vendoste emrin e tij të plotë: Ismail Qemal Vlora dhe, në po të njëjtën formë, i vinin të gjitha letrat. Gjithashtu edhe në ato pak raste kur i duhej të drejtonte ndonjë kërkesë zyrtare vendoste gjithmonë emrin e plotë. Pra, duke menduar kohën ku ai jetoi, ai veprim ishte një sfidë ndaj asaj padrejtësie që i kishin bërë.

Në vitin e fundit të jetës, 1990, pas disa përpjekjeve për të rimarrë mbiemrin e familjes, im atë arriti të bënte korrigjimin e duhur dhe të shumëpritur. Kështu edhe pse gjatë rrugëtimit të tij iu desh të njihte edhe atë padrejtësi sa dashakeqëse aq edhe absurde, ai u largua nga kjo jetë me atë mbiemër të nderuar që kishte patur fatin të lindte.

Ismail Bej Vlora ka lënë thesar të paçmuar për kombin. Ju keni dokumenta apo diçka tjetër?

Në peripecitë e shumta që kaloi vetë Ismail Qemali, e më pas gjithë familja e tij, sidomos pjesa e familjes që mbeti në Shqipëri, shumë dokumenta apo sende që i përkisnin vetë Ismail Qemalit, por edhe paraardhësve të tij, fatkeqësisht, humbën. Pjesa më e madhe e trashëgimisë familjare ndodhej në Vlorë, trashëgimi që u sekuestrua gjatë regjimit komunist. Vetë Ismail Qemali, kur u arratis nga Turqia më 1900-ën, u dënua me vdekje në mungesë dhe me sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij.

Po ashtu edhe më 1912-ën, ku u nis për të shpallur pavarësinë, ai la në Stamboll gjithçka që kishte. Dokumentat personale të Ismail Qemalit, ato që mundën të shpëtonin, i kishte djali i tij, Qazim Beu, i cili u vendos në Strugë, ku edhe vdiq në vitin 1953. Dokumentat që ai kishte me vete duhet të kishin një rëndësi të madhe kombëtare, pasi ai kishte shoqëruar të atin kudo në 20-vjeçarin e fundit të jetës. Qazim Beu jetonte i vetëm në qytetin e Strugës, kështu që nuk dihet fati që pësuan ato dokumenta aq të çmuara, që ai kishte me vete.

Sot ne kemi shumë pak kujtime por, në gjithë këtë histori, ajo çka është më e rëndësishme është Vepra e Tij. Ajo mbeti për t’i shërbyer një kombi të tërë.

Le të hidhemi në ditën e inagurimit të rrugës «Ismail Qemali» në Staten Island, e inicuar nga z. Naser Nika, Dr. Bari Ceka dhe mbështetur nga të gjithë ne, ishte një ditë historike për Diasporën, Kombin dhe natyrisht edhe për ju. Si e mirëpritët dhe e përjetuat këtë lajm, këtë ditë historike, ku fjala juaj mbetet shumë mbresëlënëse?

Kur mësova, nëpërmjet Internetit, se në Staten Island po bëheshin përpjekje që një rruge t’i vinin emrin «Ismail Qemali», sigurisht ndjeva një kënaqësi të madhe, pasi këto veprime tregojnë respektin, mirënjohjen dhe dashurinë që populli ka ndaj atyre burrave, që luftuan e sakrifikuan për të krijuar shtetin shqiptar, atë që ne gëzojmë sot.

Indenpedence Hall George Washington

Pasi hyra në kontakt me një nga inisiatorët e këtij projekti të madh, z. Naser Nika, i cili me mjaft dashamirësi më sqaroi gjithçka që lidhej me këtë projekt, pra idenë, propozimin, miratimin e deri vendin ku do vendosej emri i tij, mendova të bëja përpjekjet e duhura për të qenë i pranishëm në atë eveniment.

Ajo ditë do mbetet thellë në kujtesën time, për pjesëmarrjen e madhe, personalitetet e shumta që e nderuan, për të gjithë ata që përshëndetën, për mënyrën e organizimit dhe për çdo detaj me të cilat ishte ndërtuar ajo ceremoni. Ndaj unë përfitoj të përsëris këtu falenderimet e mia dhe ato të familjes sime, për të gjithë ju që menduat, u përpoqët dhe bëtë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, jo aq për ne se sa për brezat që do vijnë.

Sigurisht një falenderim i veçantë shkon për dy inisiatorët e këtij projekti, z. Naser Nika dhe Dr. Bari Ceka si edhe për z. David M. Carr, anëtar i këshillit bashkiak të New York-ut, për mbështetjen që i dha projektit të tyre. Po ashtu një falenderim të veçantë për miqtë e nderuar amerikanë, që ishin pjesë e asaj dite të shënuar për të gjithë ne, si edhe të gjithë të pranishmëve, që u mblodhën aty për të qenë prezent e për ta bërë më të bukur e më emocionuese atë ditë.

Qamil Ismail Vlora me Këze Kozeta Zylo

Dhe së fundi një falenderim po aq të veçantë edhe për ju, për fjalën tuaj përshëndetëse, plotë emocion e atdhedashuri dhe për këtë bisedën tonë…
Duke ju uruar çdo mbarësi, uroj gjithashtu që të kemi sa më shumë raste të tilla për t’u mbledhur e për t’u takuar sërish…

22 Qershor, 2023
Staten Island, New York

Qamil bej Vlora

Qamil Ismail Vlora me Përparim Rama

Ismail Qemali – Hasan Prishtina dhe Qazim Vlora, 1913

Prindërit e Qamil Ismail Vlorës

Qamil dhe Ismail Vlora

Qamili – djali i Ismail Vlorës, 1935

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.