Shpalime të folklorit
Skënder Karaçica
Në dasmat në Drenicë dhe Llapushë, Behlul (Karaçica) Lahuta kur këndonte me lahutën e tij, në shenjë nderimi, grukëholla i fikte të gjitha llambat në odën e burrave
Rapsodi i njohur Behlul (Karaçica) Lahuta, erdhi në shekullin e kaluar nga fshati Karaçicë në Sankofc të Drenicës dhe, me dy djemtë e tij Danin dhe Banushi, e nisi jetën në bujqësi e blegëtori rrëzë Galeshit.
Plaku Behlul Karaçica, me veti kishte sjellë lahutën me dhjetëra këngë të frymës së historisë shqiptare, që, përmes një teli të kësaj vegle muzikore kordofone, u bë i njohur në Drenicë dhe Llapushë.
Në dasmat e gëzimit,rapsodi i lahutës këndonte falas dhe, në shenjë nderimi për këngët dhe melodinë e akorduar me mjeshtri të rrallë, në Drenicë, filluan të thërrisnin me zërin e një “akordi” të burrërirë, Behlul Lahuta i Sankofcit…! Këngët e kënduara me lahutë, Behlul Lahuta bëri emër për të mirë në odën e burrave të dasmës shqiptare.
Kënga e rapsodit Behlul Lahuta dhe zëri i tij me vokalin epik të kohës me telin e lahutës, në Drenicë dhe Llapushë, thuhej se kur këndonte këngët me motive për trimërinë e Kosovës, grykëholla i fikte të gjitha llambat në odën e dasmave!
Behlul Lahuta i Sankofcit mbeti në kronikat e kohës si lahutar i parë për këngët e historisë shqiptare dhe rapsodi i vetëm si mjeshtër i kësaj vegle të traditës së folklorit edhe në Drenicë.
Fryma,akordimi, vokali i këngëve të Eposit të Kreshnikëve dhe historia shqiptare në lahutën e rapsodit Behlul (Karaçica) Lahuta nga Sankofci i Drenicës, ka zënë vend në ruajtjen e trashëgimisë shqiptare të UNESCO-s.











