Shkruan: Florim Zeqa, 23.03.2023
Serbia e sotme është e njëjta sikurse ajo e kohës së Millosheviçit. Ambiciet pushtuese të Vuçiqit janë të njëjta sikurse të Millosheviçit, retorika luftënxitëse është e njëjta sikurse ajo e Millosheviçit. Pra, Serbia ka qenë, është dhe mbetët kërcënim permanent për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Sa më shumë po ledhatohet Vuçiqi, aq më agresore po bëhet Serbia!
Problemi qëndron tek bashkësia ndërkombëtare, e cila në vend që ta ndëshkojë Serbinë për të gjitha luftërat dhe gjenocidin ndaj popujve të tjerë në Ballkan, po e ledhaton me mbështetje financiare dhe ushtarake, me investime kapitale dhe zhvillim ekonomik.
Përderisa në të njëjtën kohë ne shqiptarëve dhe të tjerëve si viktima të saj, ende po na ndëshkon me getoizim dhe embargo të investimeve kapitale, pa të drejt të ngritjes së kapaciteteve energjetike dhe ushtarake për vetëmbrojtje nga e njëjta Serbi luftënxitëse në hapësirat ballkanike!
Andaj lojërat e Serbisë në dialog me Kosovën nuk janë më befasi dhe as të papritura. E papritur nuk është as çasja e BE-së, por e papritur është çasja e amerikanëve e cila po e ledhaton Serbinë!
Edhe përkundër të gjitha gjakderdhjeve të shkaktuara nga Serbia në Ballkan, sërish po i lejohet asaj të luaj me fatin e popujve tjerë. Kjo është e pafalshme për SHBA-të dhe aleatët e saj brenda Bashkimit Evropian!
Në vend të ledhatimeve ndaj pasardhësit të Millosheviçit, do duhej vënë kushte dhe obligime ndaj shtetit të Serbisë, siq është kërkimfalja dhe detyrimi i pagimit të dëmëve të luftës. Ngase Serbia e Vuçiqit nuk ka ndryshura për asgjë nga ajo e Millosheviçit, i cili me arrogancë po e vazhdon politikën e vjetër hegjemoniste, të kërcënimit me luftë për agresion të ri ndaj Kosovës dhe jo vetëm.
Rreziku nga tjetërsimi i historisë
Në kohën, kur është duke u tentuar të ndryshohet dhe tjetërsohet më çdo kusht historia më e re dhe më e lavdishme e Kosovës, përkatësisht rezistenca e gjatë aktive paqësore e viteve të ’90-ta dhe lufta e lavdishme çlirimtarëve, duke e shpallur viktimën fajtore për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe duke e stimuluar në anën tjetër agresorin me investime dhe kompromise të reja në dëm të viktimës, duke e detyruar këtë të fundit (Kosovën) të bëjë kompromise drastike në dëm të shtetit, duke e detyruar të formojë krijesa artificiale siq është “Zajednica”.
Sa më zemërgjërë që po tregohet kryeministri ynë në dialog, aq më shumë po rriten obstruksionet dhe aspiratat e Serbisë ndaj Kosovës. Pa kaluar java nga takimi i fundit në Ohër, Vuçiqi del hapur me deklarata kundërshtuese për moszbatimin e neneve të caktuara të marrëveshjes së dakorduar në prezencën e ndërmejtësve ndërkombëtar!
Bashkësia ndërkombëtare sa më parë dhe pa humbur kohë duhet t’i caktojë “vijat e kuqe” Vuçiqit në raport me Kosovën. Në të kundërtën do të bëhet përgjegjëse dhe bashkëpjesëmarrëse në cenimin e rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu ne, duhet t’ia bëjmë të çartë bashkësisë ndërkombëtare, se, edhe pse nuk e kemi forcën ushtarake për determinimin e zhvillimeve politike në rajon, e kemi ndërgjegjën e pastër si popull liri-dashës dhe vetëdijen e zgjuar shtetformuese, bashkë me këtë edhe të drejtën për t’u mbrojtur në trojet tona stërgjyshore!