ANTIFASHISTI DHE KOMUNISTI PETRO MARKO

0
Petro Marko

😯 vjetori i çlirimit të Atdheut

Në kuadër të 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut dy fjalë për antifashistin dhe shkrimtarin e shquar Petro Marko, me të cilin jam njohur dhe me njerëzit e tij të afërm kam punuar e jetuar.

Petro Marko lindi në Dhërmi në vitin 1913, ishte arsimtar, publicist, gazetar, shkrimtar. Ishte anëtar i Grupit Komunist të Tiranës dhe luftëtar në brigadat internacionaliste të Spanjës së kuqe.

Rreth viteve 1934- ’35 ai përfitoi një bursë për të ndjekur studimet në Paris, ministri i atëhershëm i Arsimit Hil Mosi, e ka ndihmuar duke parë talentin e Petros, për të vazhduar studimet jashtë shtetit. Petro Marko do të detyrohej të ndërpriste studimet, kur filloi lufta në Spanjë dhe në vitin 1936, ai së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, regjistrohet në brigadat e forcave vullnetare të Spanjës.

Në vitin 1941, kur vepronte në Tiranë, arrestohet dhe internohet në burgjet e Ustikas në Itali, nga ku lirohet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Vuajtjet e burgut do ti rrëfente në romanin “Nata e Ustikës”.

Luftëtar antifashist.

Petro Marko ka qenë gjithnjë nën mbikqyrjen e policisë fashiste, kështu Stacioni Kuestrurës në Dhërmi me shkresën nr. 0526 datë 18.3.1939 i shkruan Këshillit të Përgjithshëm Policisë në Tiranë: “Në përputhje me rregulloren e mbikëqyrjes më njoftojnë se në datën 16 të këtij muaji zbarkoi këtu i emëruari Marko Petro di Petro, student shqiptar i riatdhesuar nga Franca. Do të vlerësoja informacionin e saktë për sa më sipër, veçanërisht në lidhje me situatën politike. Organizatori i policies”. (AQSH, F. 153, V. 1940 D. 31.10 f. 274)

Në përgjigjen e kësaj shkrese thuhet se Petro Marko ka qenë në Spanjën e kuqe si komunist dhe se ka qenë në marrëdhënie me Bahri Omarin, Ali Këlcyrën, Azis Çamin etj.

Në një shkresë tjetër thuhet: “Ministria e Brendshme Mbretërore ka raportuar se sipas informacioneve të marra nga një burim i besueshëm, i mirëinformuar, i kthyeri nga Franca, Petro Marko ish mësues i shkollës fillore, rreth 28 vjeç, lindur në Dhërmi, Vlorë i njohur si komnist, që ka luftuar me trupat e kuqe në Spanjë, mendohet se ka marrë detyrë të kthehej në Shqipëri për të kryer misionin si komunist.

I lartëpërmënduri ka qenë në shoqëri të Bahri Omarit, Ali Këlcyrës dhe Azis Çamit, më pas ai ka shkuar në Greqi për të takuar një tregëtar të madh shqiptar një farë Petro Haxhijani, që jeton në Athinë me adresë: Odhos, Athinë.

Duke vënë në dukje se i lartpërmënduri Petro Marko ka ide komuniste lutemi organizoni hetimet e mundshme.

Me shkresën nr. 12001 datë 8 kallnuer 1942 – XX, Kuestura e Tiranë i shkruan Prefekturës Mbretërore: “Mbasi ishte caktue shërbimi me qëllim qi të mund të arrestohet nji farë Petro Marko nga Vlona, për të cilin dyshohej shumë se ishte nji ndër atentatorët e rrezikshëm komunistë, agjenti i policisë Panichi me shërbim në rrugën “Isa Boletini” kishte vrejtun nji njeri të dyshimtë shënjimet e të cilit i përgjigjeshin të përmëndurit Petro Marko.

Kur ky iu afrue për të marrë identitetin e tij, ay nxorri nji bombë dore dhe deshi t’i jepte zjarr. Agjenti menjëherë nxorri rovolen dhe shtini kundër Petro Markos, i cili i frikësuar nga predhat e rovoles hiku pa pasur kohë të zbraste bombën.

I ndjekun, pati mundësi të hikte ndër rrugica qi ishin aty afër. Pasi arritën të tjerë agjenta, qi gjenden ndër afërsitë e atyshme, trokëlluen në derë të nji shtëpie ku mejtohej se banonte i përmënduni Petro Marko. Nga dera në fjalë duel jashtë nji njeri i identifikuem mandej për Niazi Islami, vjeç 38 nga Tepelena, shofer, i cili menjëherë qe kapun dhe kontrollue, ku iu gjetën nji rovole automatike, dy bomba dore dhe disa manifesta kundërshtare. U pyet se cilët ishin personat e tjerë qi banojshin në shtëpi, mbasi u mundue ta ndërlikonte me fjalë deklaroi se në shtëpinë e tij gjindeshin edhe dy njerës të tjerë.

Kur agjentat ishin tue xanë pozitat për të rrethue shtëpinë e për të proçedue kontrollimin e arrestimin e dy njerëzve këta të fundit kërcyen nëpër nji mur avllie në nji oborr dhe pasi zbrazën rovolet kundër agjentave hikën tue përfitue edhe nga errësira e natës.

Deri tash nuk ka qenë e mundun të dihet se kush ishin këta të dy komunista, mbasi qi i arrestuemi ka deklarue se njifte vetëm Petro Markon me të cilin disa kohë më parë kishte shpërnda manifesta kundërshtare dhe nji tjetër me emën Spiro. Gjatë natës janë gjetun e sekuestrue edhe 20 manifesta. Kuestori Kamber Qafmolla”. (AQSH, F. 379, V. 1942, D. 51, f. 196)

Po këtë muaj Kuestura e Tiranës ka hartuar një listë me 10 komunistë për t’u internuar. Ndër ta figurojnë emrat e Petro Markos që pas vitit 1944 do të burgosej nga shokët e tij komunistë, Spiro Ruço do të pushkatohej, Zenel Hekali do të persekutohej etj.

Komunistët burgosin dhe persekutojnë Petro Markon dhe të birin.

Pas çlirimit, Petro Marko do të themelonte gazetën “Bashkimi”. Martuar me Safon, piktoren bukuroshe, Petro do të edukonte dhe dy fëmijët e tij, Jamarbërin dhe Arianitën, nën frymën bashkkohore të artit dhe të kulturës qytetare.

Në fillim të vitit 1948 Petro Marko u arrestua nga shokët e tij komunistë, si “armik i popullit”, “agjent i anglo amerikanëve”, dhe torturohet egërsisht. Pasi vuajti rreth dy vjet në burgjet e regjimit komunist, të Enver Hoxhës, Petroja do të fillonte jetën ndryshe nga ç’kishte dashur dhe ç’kishte luftuar për vendin e tij, nën sundimin e gjatë të dinastisë së Hoxhës. Lirohet më 15 maj 1950.

Më 1957 ishte mësues në teknikumin “8 Nëntori”.
Më 1973 iu hoq e drejta për botim.

Më 1975 të birin e tij poet Jamarbër Marko e shpallin armik populli dhe e dënojnë me 10 vjet burg.
Pas vitit 1980 Petro Marko nuk iu lejua të botonte.

Pas rrezimit te diktatures së bashku me Sabri Godon dhe Vangjush Gambeten themeloi Partine Republikane te Shqiperise.

Ndërkaq persekutimin ai do ta ndjente akoma më shumë kur Madu, djali tij, do ta futnin në burg për propagandë antikomuniste. Në ato dy vitet e rrëzimit të diktaturës, Petroja do të kishte në duar dorëshkrimet më të bukura të jetës së tij, por ai fatkeqësisht dha shpirt në 24 dhjetor të 1991. U varros në vendlindje, Dhërmi, pa ceremoni, por vetëm nga familja e ngushtë e tij. Ky ishte amaneti i tij.

Shënim:
1. Niazi Islami ( 1914 – 1950). Lindi në Salari të Tepelenës në vitin 1912 dhe punonte shofer në Tiranë. Këtu u anëtarësua në Grupin Komunist të Korçës dhe më pas në Grupin Komunist të Të Rinjëve. Bashkëshortja e tij ishta motra e vëllezërve komunistë Hamit dhe Isuf Keçi.

Në maj 1943, ai si shofer, transportoi Enver Hoxhën të shoqëruar nga Ymer Veshi dhe nëna e tij, për në Vlorë ku Enver Hoxha shkonte për të shpartalluar fraksionin e Sadik Premtes!

Megjithëse shofer, Niazi Islami në vitin 1945, u emrua komisar politik i Divizionit të Gjashtë dhe në vitin 1948, zgjidhet anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste, më pas ishte zv/ministër. Këto shërbime besnikërie Enver Hoxha ia shpërbleu në vitin 1950, duke e shpallur armik të Partisë dhe të popullit dhe e detyroi të vriste veten, apo e vranë?

2. Kamber Qafmolla, kuestori fashist në Konferencën e Pezës, 16 shtator 1942, Partia Komuniste e zgjodhi kryetar të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.

AQSH, F. 153, V. 1940, D. 31.10, f. 274 – 280

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.