AKADEMI KULTURORE NË 400-VJETORIN E LINDJES SË ERUDITIT SHQIPTAR IMZOT PJETËR BOGDANIT

0
Akademi për Pjetër Bogdanin

GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA – EDICIONI I TRETË

“Gjurmëve të rrënjëve tona”, një organizim i nivelit të lartë, për identitet e kujtesë nga pasuria kombëtare e trashëguar, po bëhet traditë trevjeçare, në Lucern, duke sjellë tema dhe figura për debat historik dhe njohuri të reja. Aktivitet kulturore, humanitare që përbashkon mërgatën janë duke zhvilluar në vazhdimësi nga Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” në Zvicër, shpesh në bashkëpunime edhe me Misionin Katolik Shqiptarë dhe subjekte tjera.

Duke qenë në jubileun e 400 vjetorit të lindjes, kësaj radhe u përzgjodh një akademi, kushtuar Imzot Pjetër Bogdanit.

Në historinë e pasur kulturore dhe shpirtërore shqiptare pak figura janë aq dimensionale sa Imzot Pjetër Bogdani (1630–1689). Ai është konsideruar si preludi i Rilindjes Kombëtare, një dijetar, teolog, filozof dhe humanist i rrallë, i cili ngriti kulturën dhe gjuhën shqipe në një nivel të lartë shpirtëror dhe intelektual.

Manifestimi u çel me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Shoqatës “Nëna Tereza”, z. Nue Zalli, i cili theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe nderimit të figurave madhore të kombit tonë. Mikpritja dhe mirëseardhja janë qasja e tij për të gjithë të pranishmit, e cila buronte nga zemra, duke krijuar një frymë uniteti e respekti për të gjithë pjesëmarrësit.

Prezantimi i programit nga moderatorja Besiana Qani Mehmeti, me një elegancë dhe fisnikëri ashtu siç dinë vetëm vajzat shqiptare të rritura dhe të ushqyera me vlera kombëtare, e vuri të gjithë mbrëmjen në një kornizë profesionale dhe kulturore. Nderimi i figurave të tilla si Pjetër Bogdani, janë burim frymëzimi, krenarie dhe patriotizmi, vlera të pashoqe të historisë, kulturës, besimit dhe atdhedashurisë sonë.

Mbrëmja u shoqërua me mjeshtëri nga këngëtari i vlerave shqiptare, z. Shkodran Tolaj, dhe u përshkua nga finesa e pianistes znj. Ermira Lefort, e cila me talentin dhe interpretimin e saj i dha ngjyrë artistike, butësi dhe madhështi këtij programi festiv.

Kumtesa akademike nga prof. dr. Elena Kocaqi – 400 vjetori i lindjes së imzot Pjetër Bogdanit

Pjetër Bogdani – Historian, Gjuhëtar, Letrar, Filozof, Teolog e Patriot.
Kumtesa akademike kushtuar 400-vjetorit të lindjes së eruditit imzot Pjetër Bogdanit mbajtur nga studiuesja dhe historiania e njohur në mbarë trevat shqiptare dhe më gjerë për forcën e mendimit analitik profesional, për fakte në trashëgiminë historike Prof. Dr. Elena Kocaqi.

Në qendër të mbrëmjes qëndroi përkujtimi i 400 -vjetorit të lindjes së At Pjetër Bogdanit, njërës prej figurave shumëdimensionale të kulturës shqiptare:
Nga kumtesa e historianes u theksua për Bogdanin si: Historian që dokumentoi realitetin e kohës së tij, elitë filozofike dhe shpirtërore me mendime që paraprinë Rilindjen Kombëtare. Gjuhëtar që ngriti shqipen në piedestalin e kulturës evropiane.

“Gjuha është dritë e shpirtit të një kombi; humbja e saj është shuarje e vetvetes.” – Pjetër Bogdani.
Patriot i fjalës dhe i pushkës, gjithnjë në mbrojtje të besimit dhe vlerave kombëtare të popullit të tij. Ajo e portretizoi si figurë qendrore të identitetit shqiptar, një mendimtar që zgjoi vetëdijen kombëtare. Çeta e profetëve është cilësuar si vepra e parë në prozë me vlera të mëdha në letërsinë e shkruar.

At Ndue Kajtazi, vështrim mbi “Çeta e Profetëve” – Trashëgimi historike dhe shpirtërore.
Patër Ndue Kajtazi në kumtesë analizoi veprën monumentale “Çeta e Profetëve”, duke e vënë në kontekst biblik dhe historik. Bogdani i konsideronte tri shtyllat kryesore të jetës shqiptare: gjuhën, si lidhje e shenjtë kombëtare; besimin dhe kombin, si amanet shekullor. Në këtë kuptim, ai i parapriu Rilindjen Kombëtare, duke dhënë shembullin e besimit, dijes, kulturës dhe patriotizmit.

Vepra është një manifest i besimit të krishterë dhe një udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.

Vallet dhe Fryma e Traditës

Momente të gjalla i solli Ansambli “Shqiponjat”, me vallet e tyre të frymëzuara nga tabani kulturor shqiptar, i dhuruan mbrëmjes ngjyrime, dinamizëm dhe një larmi që e bëri atmosferën edhe më festive dhe të paharrueshme.

Kremtimi i Ditës së Alfabetit dhe Ditës së Flamurit

Me këtë rast u shënua edhe Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, monumenti themelor i identitetit tonë kombëtar. U rikujtua me nderim Kongresi i Manastirit, si akti që vulosi unitetin e alfabetit gjuhësor të shqiptarëve. Sot, duke shënuar përvjetorin e alfabetit, ne nderojmë vizionin e tyre dhe përmbushim thirrjen e Bogdanit:

“Gjuha asht arma e parë e lirisë.” – P. Bogdani
Nderimi për këtë ditë është nderim për familjet që ruajtën gjuhën, për të moshuarit që përcollën traditat, për rilindësit që mbajtën gjallë dritën në epoka të errëta dhe për ata burra e gra që sakrifikuan për të ardhmen.

Artistët e këngës shqipe, Mezosoprano Besiana Mehmeti dhe Tenori, Shkodran Tolaj

U interpretua me nota të veçanta Himni i Alfabetit nga Besiana Qani Mehmeti, duke u dhuruar të pranishmëve emocione të forta për shkronjat e arta të gjuhës së shpirtit.

Po ashtu u kremtua edhe Dita e Flamurit, ku këngëtari Shkodran Tolaj ngjalli emocionet e patriotizmit me këngët e tij plot patos, duke sjellë në zemrat e të pranishmëve frymën e 28 Nëntorit – simbolit të Lirisë, nga Pavarësia e Shqipërisë – Fati i shkruar me gjak, vizion dhe dritë.

Në fund, u mbyll me fjalën përmbyllëse nga Don Anton Uka, në emër të dy institucioneve, ku falënderoi të gjithë ata që kontribuuan, në pararojë apo në prapavijë, për ta bërë këtë manifestim një sukses të vërtetë kulturor e shpirtëror. ´´Gjurmëve të Rrënjëve tona´´ është më shumë se një akademi historike, janë vlera praktike, të prekshme, që na dallojnë si popull: mikpritja, bujaria, qëndrueshmëria dhe fryma e atdhetarisë. ”

Një mbyllje festive

Mbrëmja u finalizua me një aperitiv të mrekullueshëm, të ngrohtë e mikpritës, ndërsa atmosfera festive u krijua nga interpretimet e artistëve që i dhanë ngjarjes finesë, madhështi dhe një ndjesi të thellë bashkimi.

Ajo çfarë u përjetua ishte më shumë se një aktivitet kulturor. Ishte frymëzim, histori, gjuhë, kulturë, dhe traditë.

Një mbrëmje që të ngulitet në kujtesë dhe të bën të reflektosh mbi rrënjët, mbi krenarinë dhe mbi rrugën e përbashkët që na mban si komb.

Ndahemi me një lutje në zemrat tona; qofshim ne, bijtë e këtij kombi, dritë për historinë, rojë për gjuhën tonë të shenjtë, forcë për rrënjët tona, nderim për gjakun dhe sakrificën e të parëve. Paçim urtësi për të ruajtur vlerat tona, për të ecur në paqe dhe me nder!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.