Ai që mbjell dhunë, korr dhunë

0
Serbët në Kosovë

(Serbia me Vuçiqin nuk ka ndryshuar, vetëm ka ndërruar maskën)

Arif Ejupi
Arif Ejupi

Pamjet e protestuesve të rrahur brutalisht nga policia në Beograd, janë më shumë se një shpërthim pakënaqësie. Ato janë pasqyrë e qartë e një sistemi që u ndërtua mbi dhunë dhe tani po mbytet në të.

Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, shpeshherë shihet në rolin e “stabilizuesit” të rajonit. Madje, ai njihet edhe si hartues i projektit “Ballkani i Hapur”.

Vuçiq e di fare mirë që të gjithë e dinë se ai është një figurë e dalë drejtpërdrejt nga barku i regjimit të Millosheviqit.

Në periudhën kur Millosheviqi e lau në gjak Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Kosovën, Vuçiq kryente funksionin e ministrit të Informimit. Ai ishte zëdhënës i censurës, urrejtjes dhe mohimit të realitetit.
Të gjithëve na kujtohet deklarata famëkeqe e tij në Kuvendin e Serbisë, në korrik të vitit 1995, kur pati thënë:

“Për çdo serb të vrarë, do të vrasim njëmijë myslimanë.”

Kjo nuk kishte të bënte me retorikë. Ishte paralajmërim për krime të reja, vetëm pak ditë pas masakrës në Srebrenicë.

Krim lufte në Bijelina (1992) paramilitarët serbë ekzekutojnë civilë të pambrojtur. Një nga pamjet më rrëqethëse të luftës në Bosnje, që dëshmon mizoritë e një regjimi që përdori terrorin kundër popullsisë jo-serbe.

Ky akt, i dokumentuar nga fotografi Ron Haviv, është krahasuar nga shumë ekspertë ndërkombëtarë më i rëndë se ato në kampet naziste të Auschwitz-it dhe Mathausenit.

Vuçiq, dikur me dhëmbë tigri, sot shfaqet si i moderuar, i qeshur dhe promovues i idesë së ashtuquajtur “Ballkan i Hapur”.

Vuçiq, tash e një dekadë, mban pushtetin me dhunë, por përpara Bashkësisë Ndërkombëtare shtiret si njeri i reformave.

Ai, për fat të keq, ka ndërruar vetëm gëzofin, pa ndryshuar asnjë qëndrim nga programi i kryekasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Trupi i këtij njeriu, i shndërruar në skelet, akuzon jo vetëm kriminelët serbë, por edhe ata që zgjodhën të heshtin.

Vuçiqi, si vazhdimësi e kësaj politike fashiste, nuk e njeh Kosovën, as nuk kërkon falje për krimet e kryera. Përkundrazi, ai qëllimisht i mban në ankth mbi 1,600 familje shqiptare të të zhdukurve me dhunë, duke penguar zbardhjen e fatit të tyre.

Me këtë rast, bashkëfajtor është edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili asnjëherë nuk i tha JO idesë së Vuçiqit për “Ballkanin e Hapur”, pavarësisht se Serbia nuk shfaqi as pendesë për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ndërkohë, u arrit një marrëveshje e fshehtë për organizimin e një kampionati të përbashkët Evropian në futboll për grupmoshat nën 21 vjeç me Serbinë, duke u paraqitur sikur nuk ka ndodhur kurrë asgjë.

Pse kjo marrëveshje me Serbinë?
Pse jo me Greqinë, Maqedoninë e Veriut apo Kroacinë?

Ashiqare shihet se kjo është përpjekje për të rilegjitimuar Serbinë si “vëlla i madh” në Ballkan, pa u përballur asnjëherë me të kaluarën kriminale.

Po aq hipokrite dhe luftënxitëse është thirrja e përditshme e Serbisë për “mbrojtjen e kishave dhe manastireve në Kosovë”, kur dihet fare mirë se shumë nga këto objekte të kultit janë ndërtuar nga regjimet e saj për të ndryshuar strukturën etnike të Kosovës.

Këtë e dëshmon më së miri ndërtimi i kishës ortodokse serbe në vitet ’90, në hapësirat e Universitetit të Prishtinës.

Ndërtimi i kësaj kishe nga krimineli Millosheviq dhe “kompania” e tij nuk ishte kërkesë e komunitetit fetar serb, por një krim i qëllimshëm për të poshtëruar krenarinë shqiptare, që me gjak e sakrificë fitoi të drejtën për arsim në gjuhën shqipe.

Serbia këto kisha dhe manastire nuk i konsideron si qendra shpirtërore, por si simbole dhe pretekste për ripushtimin e Kosovës.

Serbët vazhdojnë të mitizojnë Betejën e Kosovës si mit nacionalist, duke e përdorur atë për të mbajtur gjallë tensionin dhe pasigurinë në rajon.

Kjo Betejë, më shumë legjendë sesa e faktuar historikisht, për Serbinë nuk ka kurrfarë vlere reale, përveç ëndrrës për kthim në Kosovë, ose të paktën për shkëputjen e pjesës veriore të Mitrovicës.

Nëse rinia e Serbisë dëshiron vërtet të çlirohet nga trashëgimia e errët e Millosheviqit, duhet të marrë guximin dhe të kërkojë falje ndaj shqiptarëve, myslimanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe kroatëve.

Pa këtë akt, nuk ka as Bashkim Evropian, as integrim, as paqe të qëndrueshme.

Kjo arrihet vetëm me rrëzimin e Vuçiqit nga pushteti dhe të klikës së tij, trashëgimtarë të përbetuar të neofashizmit të Millosheviqit.

Në të kundërtën, Serbia do të mbetet gjatë dele e zezë në hartën e re të Evropës, e izoluar, e turpëruar dhe pa asnjë vlerë perëndimore.

Me qëndrimet e saj të hapura pro-ruse, Serbia e Vuçiqit është e pamundur të dalë nga ky batak.

Pa pendesë, pa ndërgjegje, pa vullnet për ndryshim dhe pa vizion për paqe, ajo do të mbetet pengesa kryesore për integrimin e Ballkanit Juglindor në Evropë.

ARIF EJUPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.