OPINION
Nga Llesh NDOJ
1.
Demokracia, pa as më të voglin dyshim, është sistemi më i mirë, i provuar për qëndrueshmërinë e tij dhe i pazëvendësueshmëm, deri më sot të paktën, nga asnjë sistem tjetër. Kjo, jo se plotëson pritshmëritë e çdo individi, për më tepër tekat e secilit, por se është i pranuar nga shumica, rregullave të të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjithë dhe kjo e bën mekanizmin “50 përqind plus një” një mekanizëm funksional e jetëgjatë. Edhe pse ky mekanizëm, apo parim, ndërkohë ka pësuar transformime që e shmangin nga thelbi, apo e largojnë nga demokracia e vërtetë, siç ishte ajo e “poliseve” të famshme të dikurshme, e ku çdokush në moshë shprehej me votë, prap ai mbetet mekanizmi më i gjithëpranuar.
Realisht transformimet nga “50 përqind plus një” e së tërës, në “50 përqind plus një” e pjesmarrësve, në shumë aspekte si në votime, në parlament, në mbledhjet e forumeve vendimmarrëse, në referendume etj, nuk është mënyra më e mirë për t’a mbajtur lart peshën e gjithëpranueshmërisë së këtij mekanizmi, pasi dukshëm “është katandisur kokoshi në një thelë”, por prap ky mekanizëm zbatohet kudo dhe “justifikohet” me faktin se pjesmarrja ose jo është vullnet i patjetërsueshëm i individit, ndërsa nënshtrimi ndaj vullnetit të shumicës është detyrim i secilit.
Ç’ndodh praktikisht? Marrin pjesë në votime më pak se 50 përqind e zgjedhësve, fiton të drejtën e qeverisjes partia që merr 50 përqind plus një të përfaqësuesve (jo të pjesmarrësve në votime!), e kjo shumicë qeverisëse si më lart, i merr vendimet edhe me 50 përqind plus një të votave të përfaqësuesve të saj! Thela vërtetë katandiset keq, por… Më mirë do të ishte një pjesmarrje e detyrueshme e të gjithë atyre që nesër do të kërkojnë shërbimet e qeveritarëve të zgjedhur nga vota, që këta të kishin minimumi 50 përqind plus një vota në favor të tyre, por ky është një ushtrim demokracie që kalon nëpër “litarin e ekulibrit”, që e lidh atë me qeverisjet autoritare, apo diktaturat.
2.
Edhe në komunizmin e pretenduar 50 – të vjeçar shqiptar, një sistem i njohur tashmë gjërësisht për ushtimin e një diktature të gjithanëshme, zhvilloheshin disa ushtrime gjasëm demokratike, por qëllimi i tyre ishte krejt tjetër, kryesisht njohja e diferencimi i mëtejshëm i njerëzve e “pastrimi i radhëve” nga elementi kundra apo armiqësor, siç quheshin atëhere, pa asnjë hezitim. Ligjërisht, nuk ishe i detyruar të merrje pjesë në zgjedhje (në fakt në votime se për zgjedhje as që bëhej fjalë!), por në se e bëje këtë, d.m.th nuk votoje, çdo mënyrë do të sajohej që të të priste burgu.
Kishte nga ata njerëz që në pragzgjedhjesh “humbnin gjurmët” për disa ditë dhe e gjithë shoqëria, përfshirë edhe Sigurimin e Shtetit, do të alarmoheshin derisa t’a gjenin atë ndërsa ai, si një rafinat i vërtetë, nuk shprehej kundër pjesmarrjes, por nxirrte herë një nevojë për leje pune për t’u larguar nga koperativa në ndërmarrjet shtetërore ku pagesa ishte shumëfish më e lartë, herë nevojën për ndonjë bursë studimi, herë për t’ia afruar djalin ushtar në ndonjë repart më të afërt, e të tjera kërkesa që do të plotësoheshin nga pushtetarët e vegjël vetëm që fjala mos të shkonte tek udhëheqësi se “s’bënte që ai të shqetësohej” për të tilla gjëra të vogla. 99,99 përqind ishte rezultati i pjesmarrjes në zgjedhje gjithnjë, e 99,99 përqind e tyre kishin votuar pë …!
Formalisht pranimi në koperativat bujqësore, si organizatë ekonomike kolektive, bëhej me vullnetarizëm, por kush guxoi të kundërshtoje atë, u damkos keqas si kulak dhe disa i priti edhe burgu. Formalisht këto organizime ekonomike ishin demokratike, ku për gjithshka vendoste anëtarësia, por plani vinte nga lart dhe … guxo e ndrysho po deshe, qoftë edhe një zë prej tij! Ligjet e vendimet e mëdha, përfshirë edhe Kushtetutën e kohës, para se të merrnin duartrokitjet e kukullave – deputetë në Kuvendin Popullor, diskutoheshin në mbledhjet e hapura të popullit, por në se aty shprehje qoftë edhe dyshimin më të vogël ndaj projektit e drejtësisë së programuar nga mendjet e ndritura lart, punën e mëtejshme me ty e merrte në dorë Sigurimi i Shtetit. Rëndësi kishte të ruhej fasada, sepse “themelet” i ruante tjetërkush.
3.
Sistemi demokratik pluralist, është sistemi i gjithëpranuar, por edhe ky s’mund të mbajë parasyshë plotësimin e çdo teke ndaj çdokujt. Le të ndalemi tek zgjedhjet e administrimi i tyre, si shfaqja më e lehtë për t’u kuptuar pa hyrë në analiza të thella. Njerëzit ftohen të votojnë, formalisht të lirë, si shfaqja më e plotë e lirisë së shprehjes, por praktikisht nuk votojnë plotësisht të lirë. Pse? Sepse diku mungon alternativa ose e mira e pëlqyer prej votuesit dhe detyrohesh të zgjedhësh më të mirën e mundshme brenda “një menuje”, që shpesh nuk është demokratike, apo detyrohesh të marrësh pjesë e të zgjedhësh për hatër të një shoku, të një miku, shpesh edhe të partisë. Nuk përjashtohet as detyrimi për të marr pjesë e zgjedhur atë që nuk e do, sepse je nëpunës shteti, apo synon të integrohesh në ingranazhet e tij. Por ndryshimi, sidoqoftë, mbetet i madh. Dje kishim ushtrime demokratike përballë diktaturës, sot kemi shfaqje autoritare që vijnë përmes ushtrimeve demokratike.
Megjithatë, edhe në demokraci nuk eleminohen plotësisht diktatorët, këta njerëz të sëmurë që kapen pas çdo lloji pushteti partiak e shtetëror dhe maskohen me ushtrime demokratike. Tipiku prej tyre është Sali Berisha. Ai nuk ka patur as nuk ka kurrë një mendësi demokratike, përveçse është mjeshtër t’i shesë idetë e veprimet e tij si ushtrime demokracie duke i përdorur ato si maskë ndaj qëllimeve të vërteta, kurdoherë të mbrapshta të tij. Ai nuk ka asnjë faj për këtë, sepse “s’mund të ishte ndryshe”, por fajet i kemi ne, shoqëria shqiptare, Partia Demokratike, shteti shqiptar, drejtësia shqiptare që nuk “i çjerrin” këto maska shpejt për t’a çliruar atë, veten dhe shoqërinë prej mendësive të tij përfundimisht, si mbetja më e plotë diktatoriale, ndoshta e vetmja akoma në pushtet, aktualisht në Shqipëri. Historia e kësaj mendësie apo shfaqjeje maskë është sa historia e tij politike, por s’ia vlen ndoshta t’a analizojmë atë në të gjithë rrugëtimin e tij rreth 35 vjeçar.
Shkurt vetëm dy momente:
– qëndrimi ndaj zgjedhjeve,
– qëndrimi ndaj drejtësisë.
Ndaj zgjedhjeve ai është shumë i lexueshëm, sepse kur ka forcë u imponohet zgjedhësve me çdo mënyrë, i manipulon rezultatet dhe manipulimin e tyre e paraqet si vullnet të popullit, duke mos pranuar asnjë ushtrim demokratik për verifikimin e këtij vullneti, ndërsa kur humb zgjedhjet, ai nuk i pranon ato, anatemon këdo, kërcënon edhe të vetët dhe kërkon herë rinumërimin në të gjithë Shqipërinë, e herë rivotimin, thjesht se ashtu do ai për të përmbushur orekset e tij jodemokratike.
Por a mund të mbetet Shqipëria, edhe pas 35 viteve, peng i tij? Rihapja e kutive të votimit dhe rinumërimi, s’kam asnjë mëdyshje personalisht, është një ushtrim demokratik në vetvete, por a vlejnë të tilla ushtrime përballë një mendësie diktatoriale, siç është rasti i Berishës? Sipas meje, ato vlejnë aq sa vlente diskutimi popullor i ligjeve, planeve e programeve në sistemin diktatorial komunist. A duhen bërë të tilla ushtrime demokratike? Sigurisht që po, por jo deri në shkallën e plotësimit të tekave të tij prej komunisti të pandreqshëm. Organet kompetente duhet të shqyrtojnë me kujdes pretendimet dhe të vendosin pro vetëm kur jemi përballë dyshimit të arësyeshëm, dyshim që duhet verifikuar për t’a kthyer ose jo në fakt, dhe jo përballë çdo teke e çdo mekanizmi që ai përdor duke e paraqitur apriori si fakt. Ai s’ka për t’i pranuar zgjedhjet kurrë, veçse nëse rinumërimi e shpall atë “mbret” e sundimtar absolut të këtij vendi, që i duket si “feudi” i trashëguar nga babai politik Ramiz Alia, të cilit, i ngjanë fort, sidomos përsa i përket maskimit të qëllimeve të tij të vërteta.
E njejtë është edhe sjellja e tij përballë drejtësisë. E lëvdon asistemin e organet e tij të pavarura dhe i pranon vendimet e tyre vetëm kur drejtësia i gjenë “armiq” kundërshtarët e Berishës, i bullizon, ushtron presion të hapur e të fshehur ndaj tyre, nuk i pranon vendimet, shpik mekanizma ekstra, duke përdor paratë e vjedhura përmes pushtetit për t’i zvarritur e ndryshuar vendimet, sa herë që ato, apo segmente të tyre “guxojnë” vetëm të mendojnë se ndonjë gabim (faj jo e jo!) i përket Berishës. Por ndërsa kjo nuk përbën risi të madhe dhe vjen plotësisht në përputhje me atë çfarë ai është, shqetësues është qëndrimi i organeve të drejtësisë ndaj tij. Askush tjetër nuk do të ishte jashtë qelive të burgut, thjesht nisur nga ato që vetë Berisha i ka pohuar, e vazhdon t’i pohojë me fodullëk krenarie në çdo studio televizive, në takime e mitingje, në Kuvendin e Shqipërisë e kudo, pa patur nevojë për asnjë hetim të mëtejshëm.
Ai vret e damkos të vrarët hapur, ai dhunon e bën fajtor të dhunuarin (…fajin e kam unë, zoti gjyqtar! Polici vetëm sa e mbante shkopin e gomës në dorë, e unë i bija atij me krye – kush mund t’a kujtoje këtë pjesë të perifrazuar nga humori shqiptar!), ai kërcënon kundërshtarët e tij politikë hapur dhe prokurorët e gjyqtarët po ashtu, deri me shpifje të ndyra, dhe thotë se vetë ndjehet i kërcënuar për motive që s’i përkasin atij. Ai dhe enturazhi i tij vjedhin hapur e me procedura e thonë “kapeni hajdutin”, duke drejtuar gishtin nga të tjerët, ai dhunon institucionet, i djeg e shkatërron ato, hedh bomba molotov, bën thirrje për armë e zjarr e (pa)drejtësia jonë e shtynë gjykimin e tij në pafundësi drejt kalendave greke, përmes avokatëve më politikanë se politikanët.
Natyrshëm shtrohet pyetja: A vlejnë gjithë këto ushtrime demokratike përballë një njeriu dictator, në gjithë qënien e tij?
4.
Është tashmë e njohur sentenca, sipas së cilës, “drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar”. Kaluan plot 35 vite që mbajnë, në të shumtën e tyre, vulën e mendësive e veprimeve diktatoriale të Berishës dhe ne akoma mundohemi t’i dëshmojmë botës ushtrime demokracie, që s’kanë asnjë vlerë. Ndoshta një ditë ai do të gjykohet e dënohet (ose të shpallet i pafajshëm), një ditë ai do t’na “hiqet qafe” edhe nga Zoti, i cili nuk bën përjashtim as për diktatorë, as për demokratë, por kush na e rikthen vonesën historike, humbjet në njerëz dhe ekonomi që ai me veprimet e tij plotësisht të qëllimshme e dashakeqe i ka shkaktuar e vazhdon t’i shkaktojë çdo ditë këtij vendi?
Organet kompetente shtetërore, ato të administrimit zgjedhor dhe sidomos organet e drejtësisë, duhet t’ia kursejnë vendit kohën e vlefshme e të mos bëjnë “lojëra demokratike” vetëm për t’i bërë qefin një diktatori të llastuar nga jeta. Askush nuk i thotë vetes diktator! Nuk e bëri këtë as Stalini, as Enver Hoxha. Ramizi jo e jo! Nuk e bën sot as Putini, që pretendon se nuk ulet me Presidentin Zelensky se ai “nuk ka mandat demokratik”, ndërsa sulmon me çdo mjet për t’a pushtuar e aneksuar Ukrainën. Nuk e bën këtë as Khamenei në Iran, që i trumbeton botës, se më do populli im dhe fsheh prej saj prodhimin e armëve të shfarosjes në masë. Natyrisht që edhe veprimet e Natanyahu – t dhe Trump – it në Iran e Palestinë nuk janë “ushtrime demokratike”, por përballë diktatorëve dhe diktaturave edhe veprime jo shumë demokratike janë të justifikuara, ndërsa e anasjellta kurrsesi jo!
Lezhë, më 23 qershor 2025