Përparim Rama, në krye të komunës së Prishtinës ka ardhur më 7 dhjetor të vitit 2021.
Nominimin e tij për këtë pozitë mjaft të rëndësishme e pati bërë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Rama me profesion arkitekt disa vite ka jetuar në Londër të Britanisë së Madhe.
Atje fillimisht ka bërë çdo punë që i është ofruar, vetëm e vetëm që mos të jetë barrë e prindërve dhe e shtetit.
Me mjetet e fituara nga puna ka studiuar në Institutin Mbretëror të Arkitekturës në Londër, ku edhe i ka përfunduar studimet e shkallës Master.
Pastaj ka filluar punën në cilësinë e mentorit në Universitetin Nottingham,ku ka mbikëqyrur punën e kandidatëve në nivelet Master e më vonë edhe të atyre Doktorantë në Arkitekturën gjeneruese.
Kontakti me njerëz nga fusha të ndryshme dhe edukata e fituar në familje japin përshtypjen që Rama është mjaft modest dhe i lehtë në komunikim me të gjithë, veçmas me ata që janë me halle që ua sjellë papritur jeta.
Ai këto ditë me vetiniciativë ka organizuar një takim me Nafije Gubetinin dhe dy djemtë e saj Almirin dhe Ensarin, të cilët kanë mbetur pa kryefamiljarin, bashkëshortin dhe prindin Hizdri Gubetini.
Hyzdriu ishte kampion i shumëfishtë i Aeronautikës në Kosovë e Shqipëri. Meqë këto dy Federata vepronin nën një çati ai i përfaqësonte në garat ndërkombëtare.
Më 24-tetor të vitit 2021 në Festivalin Ndërkombëtar të Aeronautikës të mbajtur në Oludeniz të Turqisë,Hizdriu pati zënë vendin e parë, duke lënë pas vetes aeronautistët më të njohur të 55 vendeve të botës, që dikur kishin shënuar rezultate të jashtëzakonshme.
Gubetini është fitues edhe i shumë garave të tjera ndërkombëtare të zhvilluara në Itali, Turqi, Bullgari, Slloveni, Qipro, Serbi, Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Shqipëri.
Ai me akrobacionet e tij mjaft tërheqëse dhe lëshimet me precizitet milimetrik ka fituar medalje dhe çmime të shumta.
Rrugën drejt sukseseve të reja ia ndërpreu papritur vdekja e hershme. Miq e shokë Hizdriun e quanin “Dallëndyshe“ngase ai të shumtën e kohës e kalonte në lartësitë e qiellit.
Krahas fluturimeve Hizdriu merrej edhe me dekorimin e oxhaqeve të ndërtuara brenda shtëpive dhe kullave, traditë kjo shumë e hershme tek shqiptarët.
Ai duke bërë forma të ndryshme nga gurët e gdhendur bënte mozaikë të llojllojshëm që s’mund t’ua ndaje sytë.
Duke qenë mjeshtër i përkryer ishte i kërkuar kudo. Hizdriun vdekja e gjen duke punuar në Stanet e Dellofcit në Therandë, ish-Suharekë. Ai vdes më 5 dhjetor të vitit 2021 nga një infarkt në zemër në moshën 44 vjeçare.
Gubetini, këtë disiplinë sportive e ushtronte nga dashuria dhe vullneti i çeliktë, edhe pse nga ajo nuk fitonte asgjë. Të shumtën e herëve fluturaken e huazonte nga kolegët ose e merrte me qira, sepse një të tillë nuk e posedonte.
Me siguri zotit Rama i ka rrëfyer dikush përkushtimin e Hizdriut në këtë sport relativisht të rinj në Kosovë dhe Shqipëri.
Andaj, ai ka organizuar takim me bashkëshorten e Hizdriut dhe dy djemtë e tij, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësoj dhembjen për humbjen e tij të hershme dhe krejt të papritur.
Shihet qartë që kryetari i Prishtinës z.Përparim Rama, është njeri që njeh vlera. Ai e ka çmuar drejt sakrificën dhe kontributin e pilotit dhe aeronautistit Hizdri Halit Gubetini, i cili që nga viti 2002 dha gjithçka nga vetja në të mirë të këtij sporti si në Kosovë ashtu dhe Shqipëri.
Shpresojmë që zoti Rama, do t’i mbështesë me ndonjë bursë djemtë e Hizdriut, të cilët janë student gjegjësisht nxënës të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë.
Nga burime të sigurta mësojmë që Almiri është student i vitit të parë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Kosovës.
Kurse, Elsari brucosh në shkollën 9-të vjeçare “Ando Zako Çajupi” në Bardhosh të Prishtinës.
Njerëzit e vyeshëm dhe me kontribut në fusha të ndryshme kur përballen me të papritura dhe kanë gjendje jo të mirë ekonomike duhet t’i përkrahim dhe t’i ndihmojmë të gjithë .
ARIF EJUPI