1. PROMETEU
Nuk ka rëndësi ku ndodhet ai
Në cilën kështjellë sterrë
Mbi majë të cilit shkëmb
Lidhur me hekura
Duar e këmbë
Është e rëndësishme
Të besojmë fort unë edhe ti
Se dritën e syve e kemi nga ai
E rëndësishme është
T’i besojmë edhe vatrës
Se prej zjarrit të Prometeut
E ka në oxhak flakën
2. PROMETE ËSHTË AI
Ai posa niset
Brerores hyjnore
Të shtegut që sjell dritën
Posa niset
E ndien vringëllimën
Të zinxhirëve
E të shpatës
Në dorën e tiranit
Por kokën nga ai s’e kthen
Njerëzimit ia ka borxh zjarrin
3. METALET FISNIKE
Metalet fisnike
Nuk u nënshtrohen
Reaksioneve kimike të shkencës
As ndryshken
As nga acidet nuk gërryhen
Ari argjendi platini
E ndonjë metal tjetër
Që nuk e njoh ta thërras tash në emër
Fisnikë mbeten e blozë nuk u mbin në zemër
Me vite drite larg ritit demokratik të llupësisë
Tejet larg bastardëve që tundin në moçal baltën
E ditën tonë e bëjnë pis











