13.1 C
Tirana
E shtunë, 17 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Matematika para një udhëkryqi: modeli IA po provon, por njeriu pyet pse!

Matematika para një udhëkryqi: modeli IA po provon, por njeriu pyet pse!

0
Lekë Pepkolaj

Nga Prof. Asoc. Lekë Pepkolaj

Më 8 shtator 2026, OpenAI njoftoi se një nga modelet e saj kishte zgjidhur një nga shtatë problemet e mijëvjeçarit, ato që Instituti Clay i Matematikës vuri në listë në vitin 2000, me një milion dollarë çmim për secilin. Pas më pak se tre javësh, kryefjala e debatit nuk ishte më “a është e saktë zgjidhja?”, por një pyetje më e thellë: çfarë do të thotë të bësh matematikë, kur një model IA mund të prodhojë teorema më shpejt se sa mund t’i kuptojë një njeri?

Çfarë u njoftua

Problemi lidhet me ekuacionet Navier-Stokes, që përshkruajnë lëvizjen e lëngjeve. Pyetja është nëse një rrjedhë, që nis qetë, mund të zhvillojë papritur shpejtësi që rritet pa kontroll. OpenAI pretendon se përgjigjja është po, me ndihmën e rreth 10.000 agjentëve të inteligjencës artificiale që punuan 88 orë. Riccardo Adami, matematikan në Politeknikun e Torinos, në një shkrim për portalin italian MaddMaths jep shifra të tjera: 2,7 milionë mesazhe të shkëmbyera mes agjentëve dhe 130 miliardë “tokenë” të prodhuar. Dëshmia është 166 faqe, e shoqëruar me një formalizim të plotë në Lean 4, një softuer që e kontrollon çdo hap logjik. Formalizimi kërkoi edhe 17 orë të tjera. Për këtë arsye Adami e quan gabimin “jashtëzakonisht të pamundur”. Instituti Clay, nga ana e tij, flet me kujdes për një problem “me sa duket të zgjidhur”, sepse njohja zyrtare kërkon që komuniteti matematikor ta shqyrtojë dhe ta pranojë rezultatin.

Një triumf me pikëpyetje

Alessio Figalli, italiani që fitoi Medaljen Fields në 2018 dhe sot jep mësim në ETH Zürich, sqaron se zgjidhja nuk është ajo që mendon publiku. Rrjedha e ndërtuar ka forca “të bëra me porosi” që e destabilizojnë lëngun. “Nuk është një skenar real”, thotë ai, dhe askush nuk do ta riprodhonte dot në laborator. Adami saktëson se është zgjidhur dega me forcë të jashtme, që mjafton për ta mbyllur problemin sipas formulimit zyrtar. Rasti pa forcë, më i natyrshmi dhe fizikisht më domethënësi, mbetet i hapur. Figalli shton se rezultati nuk erdhi nga hiçi. Kishte vite kërkimi shkencor që shkonin në këtë drejtim, dhe ekipi i OpenAI “vendosi pjesën që mungonte”.

Adami përmend punën e Diego Córdoba-s dhe Luis Martínez-Zoroa-s si pikënisje. Sipas tij, OpenAI nuk bëri vetëm “hapin e fundit”, por hyri në garë “në xhirot e fundit të Gran Prix-it”. Rreth meritës u hap edhe një polemikë. Tristan Buckmaster (NYU) dhe Levent Alpöge (Anthropic) punonin në një problem të afërt, ekuacionet e Euler-it, dhe ngritën dyshimin se OpenAI mund të ketë pasur qasje në shënimet e tyre private në Codex. OpenAI e hodhi poshtë akuzën, dhe sipas Adamit, pas një hetimi të brendshëm tha se ato të dhëna nuk mund ta kishin ndikuar rezultatin. Çështja, mbetet e hapur.

Letra 25 fituesve të Medaljes Fields

Më 11 shtator, një ditë pas njoftimit që pushtoi mediat, u botua një deklaratë me titullin “Një problem serioz i IA-së në matematikë”. Terence Tao tregon në blogun e tij se shkrimi u nënshkrua nga 25 fituesit e Medaljes Fields, nga Pierre Deligne e Simon Donaldson te Peter Scholze, Maryna Viazovska, Alessio Figalli dhe vetë Tao. Faqja ka marrë vlerësime të ndryshme nga mediat. Deklarata u botua edhe në frëngjisht te Le Monde dhe u komentua nga The Economist. Teza qendrore është se qëllimet e kompanive të IA-së dhe ato të komunitetit matematikor janë në “mospërputhje të thellë”. Matematikanët e shohin zgjidhjen e një problemi të famshëm si një fanar, një shenjë se janë zbuluar metoda dhe ide të reja që pastaj studiohen, thjeshtohen dhe i mësohen brezit tjetër.

Nënshkruesit paralajmërojnë se prodhimi masiv i pohimeve “të vërteta ose të rreme” mund të shkatërrojë truallin pjellor në vend që të nxisë ide të reja. Ata gjithashtu theksojnë se zgjidhjet shpesh njoftohen me nxitim, pa kohë për shkrim të kujdesshëm dhe pa cituar punën e të tjerëve, çka ngre pyetje për autorësinë dhe plagjiaturën. Pa matematikanë që t’i integrojnë këto ide, thonë ata, do të humbasë “zinxhiri njerëzor i transmetimit”. Letra nuk kërkon ndalimin e IA-së. Ajo pranon se mund ta përshpejtojë studimin e vërtetë matematikor, por thotë se nëse do të sjellë dobi apo dëm, do të varet kryesisht nga vendimet e atyre që e kontrollojnë teknologjinë.

“Matematika 2.0” dhe eksperimenti me ilaçin

Debati u rindez më 6 tetor, kur OpenAI publikoi 722 dorëshkrime matematikore të grupuara në 372 grupe rezultatesh të ndërlidhura, të përgatitura nga një model eksperimental i pashpërndarë ende publikisht. Shoqata për Matematikën Humane (Association for Human Mathematics) reagoi ashpër, duke ngritur çështjen e autorësisë, të plagjiaturës së mundshme dhe të mbingarkesës së komunitetit. Të rinjtë rrezikojnë të harxhojnë muaj duke studiuar materiale që mund t’i zhvlerësojnë projektet e tyre. Në një konferencë në Caltech më 9 tetor, Tao foli për “Matematikën 2.0”, sipas raportimit të Red Hot Cyber.

Teza e tij është se kemi kaluar nga pakica e provave në bollëkun e tyre, ndërsa institucionet dhe sistemi i vlerësimit u ndërtuan mbi faktin se arritje të tilla ishin të rralla. Ai paralajmëroi gjithashtu që mos të ekzagjerohet: shumica e problemeve në majat e shkencës mbeten të pazgjidhura, aftësitë e IA-së janë tejet të pabarabarta, dhe përshtypja e pushtimit të plotë krijohet nga sukseset e njoftuara, pas të cilave mbeten të padukshme tentativat e dështuara.

Për ta ilustruar problemin, Tao propozoi një eksperiment mendimi. Një rrjet nervor krijon një përzierje kimike të panjohur që shkatërron qelizat tumorale. Llogaritjet kalojnë verifikimin formal dhe preparati kalon fazën e tretë të provave klinike, por askush nuk kupton pse funksionon. A do ta merrte pacienti, pyet ai, pa e ditur që të paktën një ekspert e kupton mekanizmin? Dallimi është mes një rezultati të konfirmuar formalisht dhe të kuptuarit të pasojave të tij. Për Matematikën 2.0, Tao propozon që IA të përdoret për të shpjeguar teoritë ekzistuese, për të gjetur prova më të kuptueshme, për të bashkuar kërkime të fragmentuara dhe për të ndërtuar biblioteka formale njohurishë.

Vetë matematikanët nuk janë të një mendjeje

Figalli përfaqëson një qëndrim të matur. Në intervistën për Avvenire thotë se e përdor IA-në për t’u orientuar në literaturë dhe për detyra të caktuara, por në kërkimin e avancuar roli i matematikanit dhe i intuitës së tij mbetet vendimtar. Madje, shprehet se për matematikën teorike IA po bëhet “më shumë negative se pozitive”, pikërisht sepse kërkimi shkencor kërkon kohë. Rreziku, thotë ai, është të mendosh se matematika është teorema pa vërtetim. Udhëtimi kundrejt destinacionit.

Adami ka një lexim më të ndërlikuar. Ai e sheh promovimin mediatik të rezultatit si propagandë që nënkupton se IA tashmë e kalon inteligjencën njerëzore, përfundim që e quan “më emocional se racional”. Por parashikon se brenda kohe relativisht të shkurtër IA mund të prodhojë prova origjinale jashtë mundësive njerëzore, dhe se njerëzit mund të përjashtohen madje edhe nga kontrolli. Kjo, sipas tij, kërkon vetëkritikë të komunitetit: çmimet si ato të Mijëvjeçarit e kanë ushqyer idenë e matematikës si sport ku llogaritet vetëm kush mbërrin i pari. Ai pa dyshim sheh edhe një mundësi: të rikthehemi te formulimi i pyetjeve të duhura, që për të vlen të paktën aq sa përgjigjet.

Figalli ka edhe një vëzhgim për Evropën. Ajo ka vështirësi të konkurrojë me modelet gjigante amerikane e kineze, por mund të garojë me programe të specializuara për kërkimin shkencor e industrinë, që kërkojnë më pak para dhe më shumë përgatitje e kreativitet. Ai parashikon gjithashtu që garat për fuqi llogaritëse do të përplasen me kufij energjetikë, dhe se atëherë mund të kthehemi te “eleganca e matematikës” që përmendte Turing-u.

Çfarë mbetet pa u zgjidhur

Të gjitha burimet pajtohen në një pikë: fjala “zgjidhje” nuk e mbyll diskutimin. Verifikimi formal është i fuqishëm, por nuk thotë nëse prova është origjinale, nëse ka shfrytëzuar punën e të tjerëve, apo nëse i bën shkencës një shërbim real. Dhe pyetja e vërtetë, që Tao e shtron për gjithë shoqërinë, a ekziston një mospërputhje mes qëllimit fillestar të punës intelektuale dhe asaj që prodhon IA-ja. Për matematikën, përgjigjja sipas 25 fituesve të Medaljes Fields do të përcaktohet nga njerëzit, nga ata që drejtojnë teknologjinë dhe nga komuniteti që duhet të vendosë çfarë vlerëson.

Shënim mbi burimet: ky artikull bazohet te blogu i Terence Tao (11 shtator), RSI (11–14 shtator), Avvenire (12 shtator), MaddMaths/Riccardo Adami (19 shtator) dhe Red Hot Cyber (12 tetor).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.