Arbesa Morina
N’atë kodrinë rronte bariu,
treqind dele nën sy i mbante,
një për një me emër i njihte,
si prifti n’lutje t’shenjtë i thërriste.
“Veç edhe pak,” thoshte me vete,
“e kjo begati ka me m’pri,
n’derë t’mbretit n’kamë do t’rri,
jo me ar, po me burrni.”
S’kam kurora me t’i falë,
as argjend që hedh shkëlqim,
kam burime dritëkthjellta,
bar me vesë e zogj n’agim.
Kam ca fusha lulebardha,
kam një qiell mbushun me shpendë,
treqind zemra, t’bardha bore,
rrahin bashkë në gjoksin tem.
Oj bijë mbreti, flokë të arta,
si kallinjtë kur piqet vera,
se ç’shikon ar e flori,
shih livadhet kah fryn era.
Edhe prijësi i kopesë,
Leshori, me hapa t’randë,
ka me ngrehë kryet përpjetë,
si një plak i urtë ndër anë:
“Po, kjo është kope mbretërore,
jo pse mban kurorën n’ballë,
po se rron n’livadhe e n’fusha,
ku s’ka smirë e s’ka përçallë.”
Eh, ç’mbretni do t’ish ajo!
Pa pushtet e pa hile,
veç me dele, bar e diell,
ku tretë mbrëmja pa lënë hije.
Gjersa bariun e endte andrra,
kopeja mori shtegun dalë,
një nga një kapërcyen gardhin,
pa ba za e pa u ndalë.
Por andrra është një mjegull vere,
që n’agime tretet ngadalë,
kur pas kotjes hapi sytë,
s’kish më zile e asnjë za.
Me një dorë i bie kambanës,
zani endet lug e shpat,
veç jehona i përgjigjet,
prej së largu, ftohtë e thatë.
“Kthehuni, delet e mia,
mos u tretni në pyll t’zi,
ju kam rritë për prroje e fusha
jo për fron as për mbretëri.”
Atë mbrëmje, nën yllësi,
s’e kujtoi më Fronin Mbret,
se një zemër rritë ndër prroje,
s’blihet n’ar, as me pushtet.











