Nga Gjon Marku
- Tregim
Qyteti ynë, i vendosur përballë një shpatulle mali e buzë një liqeni plak, kishte tre muaj që flinte e zgjohej nën shiun që binte curril. Çative u kishin nisur cirkat e vjeshtës. Jashtë përziheshin shiu, vetëtimat dhe ca të qeshura vajzash që sikur vinin prej nëndheut. Ajri po merrte ngjyrën e mërzisë. Gjethet e rrëzuara nga era e parë e vjeshtës mbulonin trotuaret.
Në fund të qytetit rridhte lumi. Përgjatë brigjeve të tij ecnin ciganët. Në njërën prej pijetoreve tavolinat qenë mbushur me gabelë.
Mbi urën e vogël kalonin bashkëfshatarët e mi urtakë, të drejtuar për në stacionet e autobusëve.
Sa herë shiu pushonte për pak, merrnin jetë pingërimat e sorrave që ta shtonin trishtimin. Tufa sorrash, orëpremet, e nxinin qiellin dhe rendnin turra-turra pa ditur askush se ku shkonin. Nëpër oborre grinden macet e, turrthi, u suleshin minjve që dilnin nga birucat.
Nën shi, qyteti i bukur kishte marrë një ngjyrë gri. Thuhej se mbante mbi supe një legjendë po aq të vjetër sa vetë ai; një qytet që i kishte provuar të gjitha, edhe të bardhat, edhe…
Vendi i qejfit, thoshin, ishte zhytur në krizë. Ca e pranonin, ca jo. Nexho, bashkë me shushurimën e plepave, përsëriste në çdo derë pijetoreje të njëjtat fjalë:
– Kohë krize.
Me to e niste ditën, e me to e mbyllte. Bashkë me shokët e tij ishin të fundit që braktisnin rrugët e zymta të qytetit.
Ata ishin gjithnjë njësoj: si në mëngjes, si në mbrëmje, të pirë. Dikush i quante pijanecë, dikush pijetarë, dikush qejflinj, e dikush të këqijtë e vetes.
Njëri banonte në krye të rrugës kryesore. Zbriste ngadalë teposhtë dhe ndalonte sa në një lokal, sa në tjetrin, duke hedhur nga një gotë. Tjetri jetonte pranë tregut, mes qoftexhinjve, dhe bënte të njëjtin ritual në lokalet e asaj ane. Më pas të dy takoheshin në kryqëzimin ku, nga një rrugë e tretë, mbërrinte edhe pijetari tjetër.
Tregtarët u jepnin ndonjë gotë edhe kur nuk kishin para. Kështu, pa e kuptuar, edhe pijanecët krijuan “zonat e tyre të influencës”. Kur njëri hynte në një rrugë, tjetri shmangej në tjetrën, ndërsa i treti merrte një drejtim tjetër. Tregtarët i njihnin, madje i respektonin dhe u ofronin ndonjë teke. Dhe gjithçka shkonte mirë.
Çdo mëngjes takoheshin e i tregonin njëri-tjetrit se nga do ta kalonin ditën. Në mbrëmje mblidheshin në lokalin që mbyllej i fundit. Pronari ishte një plak, njeri pa njeri, që në shpirt dukej se kishte veç paranë. Megjithatë, me ta tregonte një dorëlëshim të çuditshëm. Çdo natë u qeraste nga një gotë, ndoshta sepse ata i bënin shoqëri deri pas mesnate dhe e ndihmonin të shtynte kohën. Në fund të fundit, ku do të shkonte edhe ai?
Ashtu e kalonin jetën: e respektonin dhe e donin njëri-tjetrin. Kur kishin një gotë, e pinin bashkë. Dhe, për aq sa zgjaste ajo gotë, dukeshin të lumtur.
Kishte ndodhur që tregtarët e qytetit të ziheshin mes tyre e sherri të merrte dhenë. Kishte ndodhur që piktorët të mos flisnin me njëri-tjetrin. Në ndonjë zyrë, dy specialistë të të njëjtit profesion nuk përshëndeteshin për shkak të rivalitetit. Madje edhe ish-kryetari i bashkisë nuk fliste me kryetarin e ri, sepse ky i fundit ia kishte marrë mandatin. Po ashtu, e ndoshta edhe më keq, dy shkrimtarë kalonin – njëri në njërën anë, tjetri në tjetrën – pa i folur njëri-tjetrit. Të gjitha këto qytetarët i kishin kaluar me sportivitet. Pijanecët, jo.
Qyteti kishte njohur një lulëzim falë një investimi të huaj, por ai zgjati pak. Rruga ku punonin shumë banorë përfundoi. Lokaleve nisi t’u binte xhiroja ditore dhe edhe ato pak minikafe që u falnin pijanecëve ndonjë gotë filluan të rralloheshin.
Edhe ata ndryshuan.
Nuk i tregonin më njëri-tjetrit se nga do ta kalonin ditën. Filluan të shkelnin parimet e pijetarisë dhe të hynin në zonat e njëri-tjetrit. Gjendja u rëndua. Jeta u bë më e vështirë.
Një ditë plasi sherri.
Nuk përdorën fjalë aq të ndyra sa dëgjohen në parlament. Vetëm i thanë njëri-tjetrit:
– Ti s’je burrë. – Burrë jam unë, jo ti.
Kaq mjaftoi.
Që nga ajo ditë nuk i folën më njëri-tjetrit. Kalonin pranë e pranë me fytyra të ngrysura. Kishin mbetur pa lëngun e tyre të magjishëm.
Sipas Pjetrit, fajin e kishin vetë, sepse kishin hyrë në zonat e njëri-tjetrit. Sipas Nexhos, fajin e kishte kriza. Ndërsa sipas Kostës, fajtor ishte moti.
Secili prej tyre mbante një gotë në xhep. Kurrë nuk pinin me gotën e tjetrit; pinin vetëm me të tyren. Ishte një parim i pashkruar i pijetarisë.
Ishte një ditë e zymtë. Pjetri mori udhën e vjetër dhe doli në kryqëzimin kryesor. Zbriste kokëulur, pa mundur ta lagte gurmazin që sikur kishte nisur t’i zinte ndryshk. Nga ana tjetër mbërriti Kosta, pijaneci i kryerrugës së qytetit. U panë në sy, por nuk u përshëndetën. Edhe pse i kishte marrë malli të rrinin bashkë e të pinin nga një gotë, heshtën. Në fund të fundit, çfarë mund t’i thoshin njëri-tjetrit? Asnjërit nuk i kishte mbetur një lek në xhep. Ishte fund muaji.
Të dy hodhën sytë nga rruga prej nga pritej të vinte Nexho, por ai nuk po dukej. U ulën në dy trotuare përballë njëri-tjetrit. Mes tyre kalonte rruga kryesore. Asnjëri nuk foli.
Ndërkohë, Nexho endej lokal më lokal, por askush nuk po i afronte një gotë.
– Kohë krize… – murmuriste dhe largohej.
Kur e humbi edhe shpresën e fundit, nën shushurimën e plepave dëgjoi dikë ta thërriste. U kthye. Një mik i zgjati një shishe me gjysmë litre raki fshati. Nexho e ngriti përpara syve, e tundi lehtë dhe pa rruazat e vogla që i premtonin se ishte raki e mirë. E falënderoi, por nuk e hapi. Me shishen në dorë mori vrap drejt kryqëzimit.
As vetë nuk dinte pse po shkonte atje. Me Pjetrin dhe Kostën nuk fliste më. I kishin hyrë në zonën e tij dhe lokalet nuk i prisnin më si dikur.
– Jeni bërë shumë… Pastaj është kohë krize, e shihni edhe vetë… – u thoshin shpesh.
Kur mbërriti në kryqëzim, pa Kostën ulur në trotuar. Në anën tjetër, pranë rrugës së lumit, rrinte edhe Pjetri. Të dy dukeshin të mjerë.
Nexho nuk foli. Nxori gotën nga xhepi dhe ia tregoi Kostës. Atij iu mblodh lëngu në gojë. Fut dorën në xhep, preku gotën e tij bosh; prej ditësh nuk kishte rënë asnjë pikë raki në të.
Pastaj Nexho u kthye nga Pjetri dhe i tregoi shishen. Edhe ai mbeti duke e parë në heshtje. Të dy ishin përqendruar te njeriu që nuk u thoshte as mirëmëngjes, por po luante me dëshirën e tyre të pangopur.
Nexho u bëri shenjë me gisht.
Ata u ngritën dhe iu afruan. Askush nuk foli. Askush nuk e përshëndeti tjetrin.
Ai hoqi tapën, tundi shishen derisa rakia bëri rruaza dhe mbushi gotën e vet. Pastaj priti.
Edhe dy të tjerët nxorën gotat nga xhepat.
Nexho ua mbushi plot.
Të tre, njëherësh, i kthyen gotat.
Ai ia vuri sërish tapën shishes. Ata futën gotat në xhepa dhe, po në heshtje, u larguan secili në drejtimin e vet, drejt lagjeve të tyre.
Shiu vazhdonte të binte. Kishte tre muaj.
Çative u rridhnin ende cirkat e vjeshtës.
– Është kohë krize… – u dëgjua zëri i Nexhos. – Ndryshe… s’kanë pse zihen pijanecët.











