Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Sot, teksa lexoja një tjetër deklaratë publike, vëmendjen ma tërhoqi mënyra se si Ivica Daçiqi (zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), doli në mbrojtje të koleges së tij, Snezhana Paunoviqit (Ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Republikës së Serbisë dhe funksionare e lartë e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS). Deklarata e Daqiçit ishte një përpjekje për të arsyetuar dhe relativizuar një qëndrim që kishte ngjallur reagime të shumta, duke e mbështjellë me petkun e solidaritetit politik. Mirëpo, ndërsa lexoja ato rreshta, në mendjen time nuk u shfaqën analiza juridike apo argumente politike. Përkundrazi, më erdhi ndër mend një prrallë e vjetër shqiptare, një nga ato tregime që dikur, në mbrëmjet e gjata pranë oxhakut, ma rrëfente gjyshja ime kreshnike.
Gjyshja ime ishte një grua e urtë, që e kishte përjetuar jetën mes sakrificave, vuajtjeve dhe mençurisë popullore. Rrëfimet e saj, ndonëse në dukje të thjeshta, bartnin mësime të thella për jetën, karakterin e njerëzve dhe për mënyrën se si duhet kuptuar e vërteta. Në to, e mira dhe e keqja nuk fshiheshin pas fjalëve të bukura, por shfaqeshin përmes veprave. Ajo më mësonte se e vërteta nuk ndryshon nga mënyra se si përpiqet ta rrëfejë dikush dhe se padrejtësia nuk shndërrohet në drejtësi vetëm pse mbrohet nga zëra më të fuqishëm. Mbi të gjitha, më përsëriste se ka raste kur njerëzit nuk mbrojnë të vërtetën, por mbrojnë njëri-tjetrin, edhe atëherë kur e dinë se e kanë humbur betejën me ndërgjegjen.
Pikërisht këtë ndjesi ma ngjalli edhe deklarata e Daçiqit. Shpeshherë politika krijon një solidaritet artificial, ku mbrojtja nuk buron nga forca e argumentit, por nga nevoja për të ruajtur një narrativë të përbashkët, pavarësisht së vërtetës. Mirëpo, historia na ka mësuar se asnjë deklaratë politike, sado e zhurmshme apo e përsëritur të jetë, nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike. Mund të përpiqet ta relativizojë, ta mjegullojë apo ta vonojë pranimin e saj, por kurrë nuk mund ta zhbëjë.
Teksa lexoja ato fjalë, më dukej sikur dëgjoja sërish zërin e gjyshes sime, e cila pa e ditur ndoshta, kishte përmbledhur në pak fjalë një filozofi të tërë mbi jetën dhe drejtësinë. Ajo thoshte se e vërteta nuk ka nevojë për mburoja politike, sepse ajo mbështetet mbi faktet, mbi kujtesën dhe mbi ndërgjegjen njerëzore. Historia nuk gjykohet nga deklaratat e ditës, por nga veprat, dokumentet dhe kujtesa kolektive e popujve. Për këtë arsye, çdo përpjekje për ta zbukuruar të kaluarën ose për ta relativizuar përgjegjësinë mbetet vetëm një episod i përkohshëm përballë peshës të së vërtetës.
Njërën nga përrallat e saj nuk e kam harruar kurrë. Thoshte se një ditë, një fshatar kishte mbushur një thes plot me gjarpërinj dhe kishte dalë në treg për t’i shitur. Rastësisht, aty kaloi një tjetër fshatar, i cili nuk kishte ardhur për të blerë gjarpërinj, por, i shtyrë nga kureshtja, u ndal dhe e pyeti:
— O mik, çfarë po shet në atë thes?
Fshatari iu përgjigj qetësisht:
— Po shes gjarpërinj.
Tjetri buzëqeshi dhe tha:
— Atëherë më jep një.
Shitësi uli thesin në tokë, e hapi dhe zgjati dorën për të nxjerrë gjarprin e parë. Por blerësi e ndaloi menjëherë.
— Jo, jo… mos ma jep këtë. Zgjidhma një tjetër!
Shitësi e shikoi me qetësi, buzëqeshi lehtë dhe i tha fjalët që gjyshja ime i përsëriste gjithmonë si një mësim të madh për jetën:
— O miku im, këta janë gjarpërinj. Cilindo që të zgjedhësh, njësoj e ke. Qoftë ai që ndodhet në krye të thesit apo ai që është në fund, natyra e tyre nuk ndryshon.
Në atë çast, përralla merrte kuptimin e saj të vërtetë. Nuk ishte një histori për gjarpërinj, por për njerëzit dhe për ata që përpiqen të krijojnë dallime aty ku thelbi mbetet i pandryshuar. Gjyshja ime donte të më mësonte se nuk duhet të mashtrohemi nga renditja, emrat, fytyrat apo fjalët e bukura. Kur natyra e diçkaje mbetet e njëjtë, ndryshimi i vendit apo i personit nuk e ndryshon thelbin e saj.
Kjo urtësi popullore, e trashëguar brez pas brezi, shpesh shërben si metaforë për realitete shumë më të mëdha se një treg fshati. Historia ka dëshmuar se, në politikë, nuk mjafton të ndryshojnë emrat, zyrat apo titujt, nëse mendësia mbetet e njëjtë. Sepse kur nuk ndryshojnë vlerat, kur nuk ndryshon mënyra e të menduarit dhe kur nuk ka ballafaqim me të kaluarën, atëherë ndryshimi është vetëm në pamje, ndërsa thelbi mbetet i pandryshuar. Dhe pikërisht këtu qëndron urtësia e asaj përralle të vjetër shqiptare: jo çdo gjë që duket ndryshe është me të vërtetë ndryshe.
Dhe vërtet, ndonjëherë krijohet përshtypja se opinioni publik, madje edhe një pjesë e botës politike, detyrohet të merret me deklarata të papërgjegjshme të disa politikanëve, të cilët, në vend se të ndërtojnë ura mirëkuptimi dhe pajtimi, zgjedhin të ringjallin retorikën e urrejtjes dhe të rikthejnë në skenë fantazmat e së kaluarës. Deklarata që flasin me lehtësi për spastrim etnik nuk janë thjesht fjalë të hedhura në debat, ato prekin plagë ende të pambyllura dhe rikujtojnë një periudhë tragjike që la pasoja të rënda mbi mijëra familje dhe mbi gjithë rajonin.
Por pikërisht në çaste të tilla lind nevoja për t’u kthyer te historia. Jo për ta përdorur atë si armë politike, por për ta lexuar me qetësi, me përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve. Le t’i zbresim, pra, shkallët e historisë dhe t’i hapim faqet e saj, jo ato të shkruara nga propaganda, por ato të mbështetura në dokumente, dëshmi dhe kujtesën e njerëzve që i jetuan ato ngjarje.
Dhe aty, për këdo që është i gatshëm ta shohë të vërtetën pa paragjykime, shfaqet një realitet që nuk mund të anashkalohet. Historia nuk është një tregim që mund të rishkruhet sipas nevojave të ditës apo interesave të momentit. Ajo ruan gjurmët e saj në dokumente, në arkiva, në vendimet e institucioneve ndërkombëtare, në dëshmitë e viktimave dhe në kujtesën kolektive të popujve. Sa më thellë të zbresësh në ato faqe, aq më qartë bëhet dallimi midis atyre që ishin viktima të dhunës dhe atyre që bartën përgjegjësi për politikat që prodhuan vuajtje.
Prandaj, para se të shqiptohen fjalë të rënda që prekin një nga kapitujt më tragjikë të historisë së Ballkanit, është e domosdoshme të ekzistojë përgjegjësi morale dhe historike. Historia nuk mund të ndërtohet mbi harresën, as mbi relativizimin e fakteve. Ajo kërkon ndershmëri, guxim për t’u përballur me të kaluarën dhe respekt për të vërtetën. Vetëm mbi këtë themel mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme mes popujve dhe një e ardhme që nuk mbetet peng i retorikës të së kaluarës.
Dhe pikërisht këtu lind një pyetje që nuk mund të shmanget nga askush që dëshiron ta shohë historinë me ndershmëri dhe pa paragjykime. Kur flitet për tragjeditë që përjetoi Kosova, kur përdoren me lehtësi fjalë të rënda dhe kur tentohet të relativizohet e kaluara, a nuk është e domosdoshme të rikthehemi te faktet historike? A nuk është e drejtë të pyesim se cilat politika shtetërore dhe cilat regjime ishin përgjegjëse për dhunën sistematike që rëndoi mbi shqiptarët për më shumë se një shekull?
A nuk ishte pikërisht periudha që fillon pas vitit 1878 ajo që shënoi fillimin e valëve të shumta të dëbimeve të shqiptarëve nga trojet e tyre, si pasojë e politikave shtetërore të kohës? A nuk dëshmojnë dokumentet historike se mijëra familje shqiptare u detyruan të linin shtëpitë e tyre, duke marrë rrugët e mërgimit, ndërsa pronat, kujtimet dhe varret e të parëve mbetën pas?
Dhe, duke ecur nëpër faqet e historisë së shekullit XX, a nuk përballemi me një varg të gjatë episodesh represioni, përndjekjeje dhe dhune politike ndaj shqiptarëve të Kosovës? A nuk mbeten ende të gjalla në kujtesën kolektive vitet e burgimeve politike, proceset gjyqësore të montuara dhe dënimet e rënda që iu shqiptuan mijëra shqiptarëve vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike, veprimtarisë kombëtare apo kërkesës për të drejta dhe barazi?
Po kështu, a nuk është një fakt historik se gjatë konfliktit të viteve 1998–1999 u kryen krime të rënda kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë, të dokumentuara nga organizata ndërkombëtare, gjykata dhe misione të shumta hetimore? Këto ngjarje mbeten pjesë e kujtesës historike të Kosovës dhe e debatit ndërkombëtar mbi përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë asaj periudhe.
Dhe nëse flasim për burgjet, për qelitë e errëta dhe për jetët e humbura pas grilave, ato nuk janë thjesht numra të ftohtë statistikash. Pas çdo viti burgimi fshihet një histori familjare, një nënë që priste të birin, një fëmijë që u rrit pa babanë, një intelektual që humbi vitet më të bukura të jetës, një veprimtar që sakrifikoi lirinë personale për idealin e lirisë kolektive. Çdo muaj dhe çdo ditë burgimi përfaqëson një kapitull dhimbjeje, por edhe qëndrese, në historinë e shqiptarëve të Kosovës.
Prandaj, historia nuk mund të trajtohet me kujtesë selektive. Ajo kërkon që faktet të pranohen ashtu siç kanë ndodhur dhe që përgjegjësitë historike të analizohen mbi bazën e dokumenteve, dëshmive dhe të vërtetës, e jo të harresës apo interesave të çastit. Vetëm një përballje e ndershme me të kaluarën mund të krijojë themele të qëndrueshme për paqen, respektin dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet popujve.
Dhe, nëse synimi ynë është të kërkojmë të vërtetën historike e jo ta deformojmë atë, atëherë pyetjet shtrohen vetvetiu. Kush mbart përgjegjësinë për tragjeditë që përfshinë hapësirën e ish-Jugosllavisë? Kush ndërtoi politika që e shndërruan urrejtjen në instrument shtetëror dhe luftën në mjet për arritjen e objektivave politike? Kush lejoi që nacionalizmi ekstrem të mbizotëronte mbi arsyen, dialogun dhe bashkëjetesën?
Kush ishte përgjegjës për mizoritë e kryera në Bosnje dhe Hercegovinë, ku mijëra civilë humbën jetën, qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe qytete të tëra u shndërruan në simbole të vuajtjes njerëzore? Kush mban përgjegjësi për rrethimet e gjata, për kampet e ndalimit, për shkatërrimin e vendbanimeve dhe për krimet që u dokumentuan nga institucionet ndërkombëtare dhe që u trajtuan më vonë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë?
Kush është përgjegjës për vuajtjet në Kroaci? Kush për tragjeditë në Kosovë? Kush për mijëra familje që mbetën pa më të dashurit e tyre, për kolonat e refugjatëve që morën rrugët e mërgimit, për qytetet e fshatrat e shkatërruara dhe për plagët që vazhdojnë të rëndojnë mbi ndërgjegjen e rajonit?
Këto nuk janë pyetje të ngritura për të nxitur urrejtje apo për të mbajtur gjallë konfliktet. Përkundrazi, ato janë pyetje që çdo shoqëri demokratike duhet t’ia bëjë vetes, sepse pa një përballje të sinqertë me të kaluarën nuk mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme. Historia nuk mund të shkruhet mbi harresën, as mbi mohimin e fakteve. Ajo kërkon guxim për ta pranuar të vërtetën, sado e rëndë të jetë ajo.
Përgjegjësia historike nuk është barrë që u takon popujve si tërësi, por regjimeve, politikave dhe individëve që planifikuan, urdhëruan ose kryen krime. Vetëm duke bërë këtë dallim mund të nderohen viktimat, të vendoset drejtësia dhe të ndërtohen marrëdhënie të bazuara në respekt, paqe dhe besim të ndërsjellë.
Prandaj, historia nuk duhet të jetë arenë e relativizimit të krimeve dhe as mjet për përfitime politike afatshkurtra. Ajo duhet të mbetet mësuesja më e mirë e kombeve, duke na kujtuar se pa drejtësi nuk ka pajtim të qëndrueshëm dhe pa të vërtetën nuk mund të ketë paqe të vërtetë.
Nganjëherë krijohet përshtypja se disa politikanë vuajnë nga një harresë e qëllimshme historike. Ata flasin sikur e kaluara të mos ketë ekzistuar kurrë, sikur dokumentet, dëshmitë dhe kujtesa e viktimave të mund të fshihen me një deklaratë politike. Është e vështirë të kuptohet nëse kjo vjen nga mungesa e njohjes së historisë apo nga një përpjekje e vetëdijshme për ta relativizuar atë. Në të dyja rastet, rezultati është i njëjtë: mohim i fakteve dhe shmangie e përgjegjësisë historike.
Edhe më paradoksale bëhet situata kur, në vend që të ketë reflektim dhe distancim nga deklaratat që nxisin polemika, dalin zëra të tjerë politikë për t’i mbrojtur ato pa asnjë rezervë. Në vend të argumenteve mbizotëron solidariteti politik, ndërsa në vend të ballafaqimit me të vërtetën shfaqet përpjekja për të mbrojtur të pambrojtshmen. Kështu krijohet përshtypja se një deklaratë e papërgjegjshme pasohet nga një tjetër, duke e thelluar edhe më shumë hendekun mes realitetit historik dhe retorikës politike.
Në vend që politika të shërbejë si urë për pajtim, dialog dhe respekt të ndërsjellë, ajo shndërrohet në një skenë ku riprodhohen narrativat e së kaluarës dhe ku mbrohen qëndrime që nuk i shërbejnë as së vërtetës, as paqes dhe as marrëdhënieve të mira mes popujve. Historia, megjithatë, nuk ndryshon sipas nevojës së politikës së ditës. Ajo mbetet e shkruar në dokumente, në arkiva dhe në kujtesën e atyre që i përjetuan ngjarjet. Prandaj, çdo përpjekje për ta relativizuar ose për ta mohuar atë është e destinuar të përballet me peshën e fakteve dhe me gjykimin e historisë.
Shpesh ndalem dhe pyes veten se si është e mundur që, edhe pas gjithë asaj që ka ndodhur, ende të ketë zëra që flasin me kaq lehtësi në mbrojtje të politikave që historia i ka gjykuar dhe që bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar. Si mund të mbrohet një mendësi që solli vuajtje, ndarje dhe tragjedi për mijëra njerëz? Si mund të kërkohet justifikim për ideologji dhe politika që nuk prodhuan paqe, por konflikt; nuk ndërtuan bashkëjetesë, por mbollën urrejtje e mosbesim?
Këto janë pyetje që nuk lindin nga dëshira për polemikë, por nga nevoja për të kuptuar se si, edhe në kohën kur faktet historike janë të dokumentuara dhe të njohura gjerësisht, vazhdojnë të gjenden individë që përpiqen t’u japin legjitimitet narrativave të së kaluarës. Historia nuk është më çështje perceptimi subjektiv. Ajo është e shkruar në dokumente, në dëshmi, në vendime gjyqësore dhe në kujtesën e popujve që i përjetuan ato ngjarje.
Mbrojtja e politikave që kanë lënë pas plagë të thella nuk është vetëm një gabim politik; ajo është edhe një dështim moral. Një shoqëri ecën përpara vetëm kur ka guximin të përballet me të kaluarën, ta pranojë atë me ndershmëri dhe të nxjerrë mësime prej saj. Mohimi, relativizimi apo romantizimi i saj nuk e ndryshojnë historinë; përkundrazi, e largojnë shoqërinë nga mundësia për pajtim të sinqertë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë.
Prandaj, kushdo që edhe sot zgjedh të mbrojë politika të diskredituara nga historia dhe të dënuara në planin politik e ndërkombëtar, do të duhej më parë të bënte një reflektim të thellë me ndërgjegjen e vet. Do të duhej të pyeste veten jo vetëm se çfarë po thotë, por edhe çfarë mesazhi po u përcjell brezave që vijnë. Ballafaqimi me të kaluarën nuk është shenjë dobësie; është shenjë pjekurie politike dhe morale. Vetëm ai që ka guximin ta pranojë të vërtetën mund të ndërtojë një të ardhme të bazuar në respekt, paqe dhe përgjegjësi.
Në fund, historia i gjykon jo vetëm ata që kryejnë padrejtësi, por edhe ata që zgjedhin t’i justifikojnë ato. Për këtë arsye, përgjegjësia e një politikani nuk matet vetëm me fjalët që shqipton, por edhe me vlerat që vendos të mbrojë dhe me trashëgiminë që dëshiron t’u lërë brezave të ardhshëm.
Pas publikimit të këtyre deklaratave, pata rastin të lexoj shumë reagime dhe komente, në të cilat kërkohej që atyre t’u kushtohej vëmendje e madhe dhe të jepeshin kundërpërgjigje të vazhdueshme. E kuptoj këtë shqetësim, sepse fjalët që prekin plagët e historisë nuk mund të kalojnë pa u vënë re. Megjithatë, sa më shumë reflektoja mbi to, aq më tepër bindesha se ekziston një kufi mes nevojës për t’iu përgjigjur së pavërtetës dhe rrezikut për t’i dhënë asaj një rëndësi që nuk e meriton.
Historia na mëson se jo çdo ide e dalë nga e kaluara ka fuqinë të rikthehet në jetë. Ka mendësi, politika dhe doktrina që janë rrëzuar jo vetëm nga zhvillimet politike, por edhe nga vetë gjykimi i historisë. Ato kanë humbur legjitimitetin moral dhe politik, sepse u provua se prodhuan dhunë, vuajtje dhe tragjedi. Për këtë arsye, sado që herë pas here dëgjohen jehonat e tyre në deklarata të veçanta, ato nuk mund të ndryshojnë rrjedhën e historisë.
Unë besoj se një ideologji që është diskredituar nga faktet, e refuzuar nga vlerat demokratike dhe e dënuar në ndërgjegjen e njerëzimit nuk mund të ringjallet vetëm sepse dikush përpiqet ta rikthejë në diskursin publik. Mund të ketë zëra që e kujtojnë, mund të ketë individë që nostalgjikisht përpiqen ta justifikojnë, por kjo nuk do të thotë se ajo ka të ardhme. Historia ecën përpara dhe nuk pranon të kthehet në epoka që njerëzimi i ka lënë pas.
Prandaj, përgjigjja më e fuqishme ndaj këtyre deklaratave nuk është zemërimi i pafund, por besimi te e vërteta, te faktet dhe te forca e institucioneve demokratike. Ato janë garancia se mendësitë që dikur prodhuan konflikte nuk do të kenë më mundësinë të përcaktojnë të ardhmen e rajonit.
Sepse ka një të vërtetë që historia e ka dëshmuar vazhdimisht: ajo që është rrëzuar nga pesha e padrejtësisë dhe është dënuar nga ndërgjegjja historike nuk mund të ringjallet si model për të ardhmen. E kaluara mund të studiohet, mund të kujtohet dhe duhet të shërbejë si mësim, por nuk duhet lejuar të bëhet pengesë për ndërtimin e paqes, demokracisë dhe bashkëjetesës mes popujve.
Ne i njohim mirë këto qëndrime, sepse nuk lindën sot dhe nuk janë të panjohura për kujtesën tonë historike. I kemi parë në faqet e historisë, i kemi lexuar në dokumente, i kemi dëgjuar në deklarata dhe, mbi të gjitha, i kemi përjetuar përmes pasojave që lanë mbi njerëzit dhe mbi fatin e Kosovës. Për këtë arsye, askush nuk mund të pretendojë se këto narrativa janë të reja apo se mund të paraqiten si diçka e panjohur.
Ne e njohim historinë e politikave që prodhuan përçarje, konflikt dhe vuajtje. E dimë se çfarë pasojash sollën kur u shndërruan në veprim politik dhe se çfarë çmimi paguan mijëra njerëz të pafajshëm. Historia është mësuesja më e mirë dhe ajo na ka mësuar të dallojmë midis retorikës që synon pajtimin dhe asaj që përpiqet të ringjallë ndasi e antagonizma të së kaluarës.
Po aq mirë e kuptojmë edhe se çfarë synojnë deklarata të tilla në kohën e sotme. Edhe kur ato nuk kanë fuqinë të ndikojnë në zhvillimet politike apo të ndryshojnë realitetin e krijuar, ato përpiqen të mbajnë gjallë narrativa të tejkaluara, të relativizojnë përgjegjësitë historike ose të krijojnë mjegull mbi fakte që tashmë janë të dokumentuara. Mirëpo, përpjekje të tilla nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën dhe as ta zhbëjnë rrugëtimin historik të Kosovës.
Kosova e sotme nuk ndërton të ardhmen mbi frikën nga retorika e së kaluarës, por mbi besimin në institucionet e saj demokratike, në partneritetet ndërkombëtare dhe në vullnetin e qytetarëve të saj për të jetuar në paqe dhe me dinjitet. Pikërisht për këtë arsye, deklarata të tilla mund të prodhojnë zhurmë të përkohshme në hapësirën publike, por nuk kanë fuqinë të ndryshojnë drejtimin e historisë.
Në fund, historia ka dëshmuar se idetë që mbështeten në mohimin e fakteve dhe në nostalgjinë për politika të dështuara nuk kanë aftësi të ndërtojnë të ardhmen. Ato mbeten të izoluara në hijen e së kaluarës, ndërsa popujt që zgjedhin demokracinë, lirinë dhe bashkëpunimin vazhdojnë të ecin përpara.
Prandaj, deklarata të tilla nuk duhet të na befasojnë. Ato janë jehona të një mendësie që ende nuk ka gjetur forcën për t’u pajtuar me realitetin historik dhe politik të krijuar në Ballkan. Historia ka njohur shpesh zëra që kanë refuzuar të pranojnë ndryshimet e kohës, por asnjëherë këto zëra nuk kanë arritur ta ndalin rrjedhën e historisë. Ata mund të prodhojnë polemika të përkohshme, por nuk kanë fuqinë të ndryshojnë të vërtetën dhe as të zhbëjnë realitetin.
Realiteti është i qartë dhe i pakthyeshëm: Kosova është një republikë sovrane, e lirë, e pavarur dhe demokratike. Ajo ndërton institucionet e saj, zhvillon marrëdhënie me partnerët ndërkombëtarë dhe ecën çdo ditë në rrugën e konsolidimit të shtetit dhe të forcimit të demokracisë. Ky është një realitet që nuk përcaktohet nga deklaratat e politikanëve të Serbisë, por nga vullneti i qytetarëve të saj dhe nga zhvillimet historike e politike që kanë ndodhur ndër vite.
Pikërisht për këtë arsye, energjia jonë nuk duhet të harxhohet duke mbetur peng i retorikës provokuese apo i nostalgjive për një të kaluar që nuk kthehet më. Ne kemi detyrime shumë më të mëdha ndaj vetes, ndaj brezave që sakrifikuan për lirinë dhe ndaj brezave që do ta ndërtojnë të ardhmen e këtij vendi. Sfida jonë nuk është të jetojmë në hijen e deklaratave të tilla, por të forcojmë shtetin ligjor, të zhvillojmë ekonominë, arsimin, shkencën, kulturën dhe të krijojmë mundësi që qytetarët e Kosovës ta ndërtojnë jetën e tyre me dinjitet në vendin e vet.
Kosova duhet të vazhdojë të ecë përpara me vetëbesim, me maturi dhe me kokën lart. Ajo nuk ka nevojë të dëshmojë çdo ditë të drejtën e ekzistencës së saj, sepse kjo e drejtë është ndërtuar mbi sakrificën e popullit të saj, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve dhe mbi rrugëtimin e saj si shtet. Forca e një republike nuk qëndron në përgjigjet emocionale ndaj çdo provokimi, por në aftësinë për të ndërtuar institucione të forta, për të respektuar vlerat demokratike dhe për të qenë faktor stabiliteti në rajon.
Vendi ynë është në mesin e demokracive që besojnë te liria, te sundimi i ligjit, te dinjiteti njerëzor dhe te bashkëpunimi ndërkombëtar. Pikërisht aty është vendi që i takon Kosovës dhe popullit të saj. Prandaj, le të vazhdojmë të ecim me besim drejt së ardhmes, duke mos u kthyer pas nga hijet e së kaluarës, por duke u udhëhequr nga vizioni i një shteti modern, demokratik dhe evropian. Kjo është përgjigjja më e mirë ndaj çdo retorike që kërkon të na mbajë të lidhur me plagët e historisë: të ndërtojmë një Kosovë gjithnjë e më të fortë, më të zhvilluar dhe më të respektuar në familjen e kombeve demokratike.
17 Korrik 2026
Prishtinë











