U linda më 19 dhjetor 1959 në Tiranë. Arsimin tetëvjeçar e përfundova në vitet 1966–1974, ndërsa në periudhën 1974–1978 mbarova shkollën e mesme në specialitetin Agronomi në Kamëz, me rezultate shumë të mira. Në vitin 1978 u emërova përgjegjës i sektorit të pemtarisë në ish-Kooperativën Bujqësore “Partizani”, Shkallë, Tiranë. Ky ishte viti i stazhit të detyrueshëm për kohën. Në këtë detyrë mësova si menaxhohej puna në pemëtari, veçanërisht kultivimi i mollës, që përbënte prodhimin kryesor. Gjithashtu, u njoha nga afër me gështenjat shekullore dhe me pasuritë e inventarizuara, të trashëguara nga ekonomitë private para viteve 1959–1966.
Nga viti 1979 deri në vitin 1983 vazhdova studimet në Institutin e Lartë Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës, ku u diplomova si zooteknik i lartë. Pas diplomimit përfundova kursin tremujor të kuadrove në ushtri dhe, me vendim të Ministrit të Mbrojtjes, fitova titullin Oficer Rezervist. Pas kursit ushtarak u emërova, jashtë profilit tim, në detyrën e përgjegjësit të investimeve në kooperativën bujqësore. Në vitin 1983, në moshën 24-vjeçare, mora këtë detyrë me rekomandimin e veçantë të zv.kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Luan Shahu.
Në vitin 1985 u emërova specialist sektori, periudhë që e konsideroj ndër më të lumturat e jetës sime profesionale. Punova në specialitetin tim dhe u lidha ngushtë me botën e blegtorisë: me delet, qingjat, dhitë, kecat, lopët, viçat dhe kuajt. Përjetova nga afër proceset e ushqimit, mjeljes, qethjes, seleksionimit dhe përmirësimit gjenetik të kafshëve. Më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë kullotat dhe arat me jonxhë në Kurtinat e Selbës, peizazhet e bukura të pranverës, zërat e qingjave, kecave, kuajve dhe gjelave në mëngjes. Po aq të paharrueshme mbeten udhëtimet me kalë, puna në baltë dhe sakrificat e përditshme që shoqëronin jetën në fermë. Në vitin 1984 u zgjodha këshilltar në Këshillin e Bashkuar. Dy vjet më vonë, kur u hap shkolla e mesme bujqësore në Darshen, fillova të jap mësim në lëndën e Zooteknisë. Kjo ishte një përvojë e veçantë dhe shumë e këndshme në jetën time profesionale. Më 3 janar 1987 u zgjodha nga Asambleja e Sektorit si Përgjegjës i Sektorit të Parë, që përfshinte zonat Shkallë, Qafë-Mollë, Derje, Domje dhe Malin e Tiranës.
Për pesë vjet me radhë administrava këtë territor, duke u rizgjedhur tre herë me mandate dyvjeçare. Në të njëjtin vit u emërova edhe Zëvendëskomandant Grupi për zonat Shëngjergj dhe Shkallë. Kjo detyrë më dha mundësinë të mësoja nga afër administrimin dhe menaxhimin e fermave bujqësore, blegtorale dhe pemëtore. Mjeti im i përditshëm i lëvizjes ishte një kalë Haflinger, i shoqëruar nga punonjësit Skënder dhe Gëzim Çullhaj. Pas shpërbërjes së kooperativave, si shumë specialistë të tjerë, u gjenda përballë sfidave të tranzicionit. Megjithatë, u emërova në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Ushqimit pranë Ministrisë së Bujqësisë, ku fitova përvojë në administratën shtetërore. Në korrik të vitit 1992 u zgjodha këshilltar dhe nënkryetar i Komunës Dajt me qendër në Linzë, ndërsa njëkohësisht vazhdova profesionin e mësuesit në shkollën e mesme të bashkuar në Darshen, duke dhënë lëndët Kimi dhe Biologji. Në nëntor të vitit 1997, në moshën 37-vjeçare, u emërova nga Kryeministri Fatos Nano Sekretar i Përgjithshëm i Komunës Paskuqan me qendër në Babrru, detyrë që e mbajta deri në vitin 2002. Në vitin 1998, gjatë referendumit për Kushtetutën, shërbeva për dy muaj edhe si Bashkëkryetar i Komunës Paskuqan.
Nga viti 2003 deri në vitin 2007 isha këshilltar në Bashkinë e Tiranës, Njësia nr. 11. Në vitet 2004–2005 drejtova Uzinën e Traktorëve në varësi të Bashkisë së Tiranës. Kam qenë gjithashtu anëtar i PSD-së dhe kandidat për deputet në Njësinë nr. 11. Në total, kam shërbyer për 24 vjet në strukturat e qeverisjes vendore. Në vitin 2005 vendosa të ndryshoj drejtim dhe t’i përkushtohem biznesit privat. Hapa shtëpinë botuese “Fabler” dhe më pas librarinë-kancelari në Institut, ndërsa në vitin 2011 një tjetër në qendër të Kamzës. Me punë të palodhur, përkushtim dhe vizion, biznesi u zgjerua në fushën e librave, botimeve, artikujve shkollorë, lodrave, printimit, fotokopjimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore. Sot numëroj rreth 20 vite aktivitet në biznes dhe e konsideroj këtë periudhë si një nga sukseset më të mëdha të jetës sime. Kam mësuar se lumturia nuk matet me pasurinë, por me kënaqësinë që të jep puna dhe realizimi personal.
Një pasion i veçantë për mua mbetet turizmi. Gjatë më shumë se 23 viteve kam vizituar dhjetëra vende në Europë, Azi, Afrikë dhe Amerikën e Veriut. Ndër qytetet dhe vendet që më kanë lënë mbresa të veçanta janë Parisi, Monte Karlo, Shën Petersburgu, Oslo, Malta, Dubai, Manhatani, Uashingtoni dhe Kina, të cilën e vlerësoj si një vend me njerëz punëtorë, mikpritës dhe të mençur. Paralelisht me biznesin kam zhvilluar edhe krijimtarinë letrare. Kam botuar librat me poezi “Nëpër Vite”, “Kthjelltësi” dhe “Ngrohtësi”, librin me fabula me aparat pedagogjik, librin publicistik “Udhës”, “Historia e UBT-së” si dhe gjashtë revista me vjersha dhe fabula. Sot vazhdoj të jem aktiv në biznes, në letërsi dhe në jetën shoqërore. Besoj se suksesi ndërtohet me punë, përkushtim, ndershmëri dhe aftësinë për t’u përshtatur me ndryshimet. Siç thoshte David J. Schwartz: “Njerëzit nuk maten me centimetra, kilogramë, diploma apo prejardhje familjare; ata maten nga madhësia e mendimit të tyre.”
Poezi lirikë nga Rexhep Çullhaj
— Kujtim që s’Fiket
Nën hijen e arrës netët rrinin zgjuar,
dy zemra rrihnin ëndrrën e bekuar.
Një puthje e ëmbël, një premtim i lehtë,
na dukej se dashuria s’do të kishte vdekje.
Dritat u fikën, por jo shpresa ime,
ti mbete ylli i zemrës sime.
Koha kaloi si lumë në pranverë,
por kujtimi yt më ndiqte përherë.
Rrugët na ndanë në fate të ndryshme,
ditët u bënë të ftohta e të trishta.
Kur të kërkova pas shumë stinësh të gjata,
koha kish shkruar një tjetër baladë.
Sytë të njoha, por jo buzëqeshjen,
koha kish vjedhur dikur bukurinë e djeshme.
Në heshtje ika, pa kthyer asnjë fjalë,
se zemra kuptoi atë që s’e thoshte goja dot.
Jeta më mësoi me plagë e durim,
se dashuria s’jeton veç në kujtim.
Njeriu rrëzohet, por ngrihet përsëri,
dhe ecën përpara me shpresë në gji.
Sepse kujtimet mbeten si dritë në shpirt,
edhe kur rrugët ndahen pa mëshirë e pa mëshirë.
Dashuria e parë s’harrohet kurrë,
por jeta vazhdon… si agim mbi gur.











