tregim
nga Gjon Marku
Ishte një ditë e nxehtë vere. Në krye të arës së madhe, aty ku burrat e katundeve mblidheshin prej brezash për të kuvenduar, ishte ngritur një tribunë e thjeshtë prej dërrasash. Përballë saj rrinin ulur dhjetëra burra. Disa mbanin duart mbi gjunjë, të tjerë shikonin herë tokën e herë malet përreth. Askush nuk fliste.
Sekretari i partisë kishte ardhur nga qendra e rrethit për t’u shpjeguar njerëzve rendin e ri. Fliste me zë të lartë e me sigurinë e atij që beson se ka të drejtë për gjithçka.
– Tash e tutje, do të jemi të gjithë njësoj. Nuk do të ketë më të pasur e të varfër. Nuk do të ketë më shtëpi të mëdha e shtëpi të vogla. Të gjithë do të jenë të barabartë.
Fjalët e tij përplaseshin në fytyrat e burrave si era në shkëmb. Askush nuk duartrokiti. Askush nuk e kundërshtoi. Heshtja ishte më e rëndë se çdo përgjigje.
Mes burrave rrinte Gjergj Bardhi.
Ishte plakur, por shtati ende i qëndronte drejt. Fytyra e rrudhur i ngjante një harte ku koha kishte lënë gjurmët e veta. Në çdo kuvend fjala e tij dëgjohej me vëmendje, sepse kurrë nuk fliste pa menduar.
Kur sekretari u ul, Gjergji u ngrit ngadalë në këmbë.
Një lëvizje e vogël, por mjaftoi që sytë e të gjithëve të ktheheshin nga ai.
– Po mirë, mor shoku sekretar, – tha qetë, – një gjë nuk e mora vesh. Do ta bëni të varfrin si kulakun, apo kulakun si të varfrin?
Për një çast mbretëroi heshtja.
Sekretari u zbeh.
Pyetja kishte rënë si gur në ujë të qetë.
Disa burra ulën kokën për të fshehur buzëqeshjen. Të tjerët pritën me ankth përgjigjen.
Por Gjergji nuk e kishte mbaruar ende…
Ai hodhi vështrimin rreth e rrotull kuvendit, sikur donte të merrte leje nga burrat që rrinin të heshtur përreth.
– Ju thatë se nuk ka shtëpi të mira e shtëpi të këqija. Po unë po ju them se ka. E kanë thënë të parët tanë dhe e ka provuar koha.
Sekretari lëvizi në vend. Nuk i pëlqente drejtimi që po merrte biseda.
– Si mund të ketë shtëpi të mira e të këqija kur të gjithë njerëzit janë të barabartë? – ndërhyri ai.
Gjergji buzëqeshi lehtë.
– Të barabartë para Zotit e para ligjit mund të jenë, por para nderit e para veprës nuk janë njësoj. Ka shtëpi që për njëqind vjet nuk e kanë lënë bukën pa ia nda udhëtarit. Ka shtëpi ku dera nuk është mbyllur kurrë për mikun. Ka shtëpi që kanë mbajtë gjallë një krahinë në ditë të vështira.
Disa nga burrat tundën kokën në shenjë miratimi.
– Ka shtëpi, – vazhdoi ai, – që kur ka ardhur halli i vendit, kanë çue djemtë në luftë pa pyetur a do të kthehen. Ka shtëpi që kanë falur gjakun për të shpëtuar paqen. Ka shtëpi që kanë mbrojtur nderin e fisit e të krahinës. E si mund të më thuash se këto janë njësoj me ato që nuk kanë bërë asgjë?
Në kuvend ra një murmurimë e lehtë.
Sekretari e kuptoi se po humbiste terren.
– Këto janë mendësi të vjetra, shoku Gjergj. Tani po ndërtojmë një shoqëri të re.
– Shoqëri të re? – ia ktheu Gjergji. – Shoqëria e re nuk ndërtohet duke harruar të mirën. Nëse nuk dallon burrninë nga ligësia, mikpritjen nga koprracia, trimërinë nga frika, atëherë çfarë po ndërtoni?
Fjalët e tij ranë si çekan mbi heshtjen e kuvendit.
Sekretari ndjeu djersë të ftohta në shpinë. Ai kishte ardhur për të folur, jo për t’u gjykuar nga një plak mali para gjithë burrave të krahinës.
Një vështrim i shpejtë drejt dy milicëve që rrinin pak më larg mjaftoi për të treguar shqetësimin e tij.
Por Gjergji vazhdoi:
– Po ju them edhe një gjë tjetër. Këto male kanë qëndruar në këmbë jo prej urdhrave, por prej besës. Kur burrat e kanë dhënë fjalën, e kanë mbajtur. Kur vendi ka pasur nevojë, kanë dalë përpara. E kur është dashur paqja, kanë falur edhe gjakun e djalit.
Tani askush nuk lëvizte.
Madje edhe era dukej sikur ishte ndalur mbi arën ku mbahej kuvendi.
– E dijeni mirë, shoku sekretar, se nderi nuk merret me dekret. Burrnia nuk shkruhet në letër. Ato fitohen me vepra.
Për një çast u duk sikur askush nuk guxonte të merrte frymë.
Sekretari u ngrit vrullshëm në këmbë.
– Mjaft! – bërtiti. – Këto janë fjalë kundër pushtetit popullor!
Gjergji nuk lëvizi.
– Jo, shoku sekretar. Këto janë fjalë për të vërtetën.
Sytë e tyre u ndeshën.
Njëri përfaqësonte pushtetin që kishte ardhur me urdhra e frikë.
Tjetri përfaqësonte një botë të vjetër që jetonte ende në ndërgjegjen e burrave të atyre maleve.
Dhe për një çast të shkurtër, mbi atë krye are, dukej sikur po përballeshin dy kohë.
Për disa çaste askush nuk foli.
Vetëm cicërimat e largëta të zogjve dhe një fllad i lehtë që zbriste nga mali thyenin heshtjen e rëndë.
Gjergj Bardhi qëndronte në këmbë, i qetë. Nuk kishte ngritur zërin, nuk kishte sharë askënd, nuk kishte kërcënuar. Kishte thënë vetëm atë që mendonte. Por në kohë të tilla, edhe e vërteta mund të bëhej faj.
Sekretari hodhi vështrimin përreth.
Burrat e kuvendit nuk po e shikonin më atë. Sytë e tyre ishin drejtuar nga Gjergji.
Kjo e trembi më shumë se vetë fjalët e plakut.
Ai bëri një shenjë të lehtë me dorë.
Menjëherë, nga skajet e arës, u dukën disa burra të armatosur. Deri atëherë kishin qëndruar larg, sikur nuk kishin lidhje me mbledhjen. Tani po afroheshin ngadalë.
Një murmurimë kaloi mes të pranishmëve.
Gjergji i pa dhe buzëqeshi hidhur.
– Ja pra, shoku sekretar, – tha ai. – Kur mbarojnë fjalët, fillojnë pushkët.
Askush nuk guxoi të qeshte, por shumëkush uli kokën.
Sekretari nuk iu përgjigj.
Ai shpalli fundin e mbledhjes dhe urdhëroi njerëzit të shpërndaheshin.
Burrat u ngritën ngadalë. Askush nuk fliste. Vetëm kur kalonin pranë Gjergjit, e përshëndesnin me sy ose me një lëvizje të lehtë të kokës.
Ishte një përshëndetje që thoshte më shumë se fjalët.
* * *
Kur dielli po fshihej pas maleve, Gjergji mori rrugën për në shtëpi.
Ecte ngadalë, me duart pas shpine.
Nuk kishte frikë.
Në të vërtetë, e kishte kuptuar prej kohësh se ajo që kishte thënë në kuvend do të kishte pasoja.
Kur mbërriti në oborr, e gjeti të shoqen duke ndezur zjarrin për darkë.
– U vonove sot, – i tha ajo.
– Kishte kuvend.
Gruaja e pa në sy.
Pas kaq vitesh bashkëjetese, e kuptoi menjëherë se diçka kishte ndodhur.
– Fole shumë? – e pyeti me zë të ulët.
Një buzëqeshje e lodhur iu shfaq në fytyrë.
– Sa duhej.
Ajo nuk pyeti më.
Në ato vite ishte më mirë të mos dije gjithçka.
Mbrëmja zbriti qetësisht mbi shtëpinë e tyre.
Djemtë u kthyen nga puna. Darkuan bashkë. Folën pak. Pastaj një nga një u shtrinë për të fjetur.
Vetëm Gjergji rrinte ende zgjuar.
Herë pas here dilte në derë dhe shikonte errësirën që kishte mbuluar luginën.
Mali dukej i heshtur.
Por ai e dinte se jo çdo heshtje sillte paqe.
* * *
Ishte afër mesnatës kur lehën qentë.
Një lehje e ashpër, e pazakontë.
Pastaj u dëgjuan hapa.
Shumë hapa.
Dikush trokiti fort në derë.
Jo si mik.
Jo si fqinj a udhwtar qw e kishte zan nata.
Por si pushtet.
Djali më i madh u ngrit menjëherë.
– Kush është?
– Hapni derën!
Zëri vinte i ftohtë dhe pa asnjë ndjenjë.
Në odë ra heshtja.
Të gjithë e kuptuan.
Gjergji u ngrit ngadalë në këmbë.
Nuk pyeti pse kishin ardhur.
E dinte.
Hapi derën vetë.
Përballë qëndronin disa policë dhe një funksionar i partisë.
– Gjergj Bardhi?
– Unë jam.
– Nw emwr tw popullit je i arrestuar.
Për një çast askush nuk foli.
Pastaj djali i vogël bëri një hap përpara.
– Çfarë ka bërë baba im?
Njëri prej policëve e shtyu prapa.
– Mos ndërhy!
Gjergji ngriti dorën.
– Lëre, bir.
Pastaj u kthye nga familja.
Sytë iu ndalën te gruaja, te djemtë, te nipërit që ishin zgjuar nga zhurma dhe rrinin të trembur pranë murit.
– Mos ulni kokën, – tha qetë. – Njeriu humbet gjithçka kur humbet nderin.
Ishin fjalët e fundit që tha në atë shtëpi.
Pastaj ia lidhën duart.
Dhe e nxorën në terr.
Nata ishte e errët.
As hëna nuk dukej mbi kreshtat e maleve.
Dy policët ecnin para, dy të tjerë pas. Në mes tyre ishte Gjergj Bardhi, me duart e lidhura dhe kokën lart.
Rruga që zbriste nga fshati ishte e njëjta rrugë ku kishte kaluar gjithë jetën. Nëpër të kishte përcjellë krushq, miq e udhëtarë. Kishte shkuar në gëzime e në mort. Kishte zbritur në kuvende e ishte kthyer në shtëpi me nder.
Atë natë po largohej si armik.
Por jo në sytë e atyre që e njihnin.
Kur kaluan pranë një qafe mali, Gjergji ndaloi për një çast dhe hodhi sytë nga fshati.
Në errësirë dalloheshin vetëm pak drita.
Diku atje ishte shtëpia e tij.
Diku atje ishin njerëzit e tij.
Një polic e shtyu përpara.
– Ec!
Gjergji nuk tha asgjë.
Vetëm vazhdoi rrugën.
* * *
Të nesërmen në mëngjes lajmi ishte përhapur në gjithë krahinën.
Gjergj Bardhi ishte arrestuar.
Pak ditë më vonë erdhi edhe vendimi.
Familja e tij u shpall armike.
Emri i saj u hoq nga mbledhjet, nga listat dhe nga nderimet.
Djemtë filluan të shikoheshin me dyshim.
Njerëzit shmangeshin jo sepse nuk i donin, por sepse kishin frikë.
Ishin kohë kur frika të bënte të heshtje edhe para së vërtetës.
Megjithatë, kishte gjëra që nuk mund t’i fshinte as pushteti.
Plakat vazhdonin të tregonin për mikpritjen e asaj dere.
Burrat kujtonin fjalët e Gjergjit në kuvende.
Udhëtarët ndaleshin ende para oborrit të tij dhe thoshin:
– Kjo ka qenë një derë e mire, me bes e me traditw.
Dhe kjo mjaftonte.
* * *
Vitet kaluan.
Sekretarë e pushtetarë erdhën e ikën.
Disa u harruan sapo humbën postet.
Disa të tjerë mbetën vetëm në fotografi të zverdhura.
Por emri i Gjergj Bardhit nuk u harrua.
Ai vazhdoi të jetonte në kujtesën e njerëzve, në bisedat pranë oxhakut, në rrëfimet e pleqve dhe në kujtimet e atyre që kishin qenë atë ditë në kuvend.
Sepse kishte një të vërtetë që koha e vërtetonte gjithmonë:
Pushteti mund ta lidhë njeriun me pranga, mund ta çojë në burg dhe mund ta shpallë armik.
Por nuk mund ta bëjë të keqe një derë që brezat e kanë njohur për të mirë.
Dhe nuk mund ta shuajë një fjalë të drejtë që është thënë në emër të së vërtetës.
Prandaj, shumë vite më vonë, kur njerëzit kujtonin atë kuvend në krye të arës, nuk kujtonin emrin e sekretarit.
Kujtonin vetëm burrin që ishte ngritur në këmbë dhe kishte guxuar të thoshte atë që të gjithë e mendonin.
Kujtonin Gjergj Bardhin.











