21.7 C
Tirana
E premte, 19 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Homazh për plejadën e mësuesve shqiptarë që shërbyen në Kosovë gjatë viteve...

Homazh për plejadën e mësuesve shqiptarë që shërbyen në Kosovë gjatë viteve 1941–1944

0
Mësuesit shqiptarë në Kosovë

Besnik Fishta Besnik Fishta

Ka raste kur një fotografi arrin të tregojë më shumë se një dokument i tërë arkivor. Ajo ndalon kohën, ruan fytyra, emra dhe kujtime, por mbi të gjitha ruan idealet e një brezi. Një fotografi e realizuar në Prizren më 13 korrik 1941, para shkollës “Bajram Curri” (sot “Lidhja e Prizrenit”), është një prej atyre dëshmive të rralla që i mbijetojnë kohës dhe vazhdojnë të flasin edhe pas më shumë se tetëdhjetë vjetësh.

Në të shihen mësues, drejtues arsimi dhe intelektualë shqiptarë të mbledhur në prag të një misioni historik. Në radhët e saj dallohen emra që do të linin gjurmë në jetën arsimore, kulturore dhe politike të Kosovës: Ali Hashorva, kryetar i Misionit të Jashtëzakonshëm Arsimor; Mehmet Gjevori, Sulejman Drini, Zija Roshi, Talat Paçarizi, Shefqet Veliu, Fadil Hoxha, Shirin Fishta(Shehdula), Xhavit Nimani, Nuri Sherifi, Jonuz Blakçori, Abdurrahim Buza, Flora Pali, Shaban Arra, Zef Pali, Beqir Kastrati, Tajar Hatipi, Abdullah Laçi-Shabanaj, Ilmi Duli dhe shumë të tjerë, emrat e të cilëve nuk kanë mundur të identifikohen plotësisht nga fotografia.

Por kjo fotografi nuk është thjesht një paraqitje njerëzish. Ajo është portreti i një brezi që mori mbi supe një nga misionet më të rëndësishme kombëtare të shekullit XX: ringritjen e arsimit shqip në Kosovë.

Vitet e Luftës së Dytë Botërore mbeten ndër periudhat më të ndërlikuara të historisë sonë. Për këtë periudhë janë shkruar libra, janë zhvilluar debate dhe janë ngritur interpretime të ndryshme politike. Shpesh ngjarjet janë parë përmes syzeve ideologjike, duke i ndarë njerëzit në kampe dhe duke gjykuar veprimet e tyre sipas zhvillimeve që pasuan më vonë.

Megjithatë, përtej këtyre ndarjeve, ekziston një e vërtetë historike që vështirë mund të mohohet. Shumica dërrmuese e mësuesve dhe intelektualëve shqiptarë që shërbyen në Kosovë gjatë viteve 1941–1944 nuk ishin të udhëhequr nga interesat e ndonjë ideologjie. Ata ishin para së gjithash patriotë. Ata i përkisnin atij grupimi të madh shqiptarësh që e kundërshtonin pushtimin e huaj, por njëkohësisht shihnin në arsimin shqip një mundësi historike për të shpëtuar identitetin kombëtar nga harresa dhe asimilimi.

Në Kosovë, për dekada me radhë, gjuha shqipe kishte qenë e përjashtuar nga shkollat. Breza të tërë fëmijësh shqiptarë ishin detyruar të mësonin në gjuhë të huaj. Prandaj hapja e shkollave shqipe pas vitit 1941 u përjetua si një rilindje kombëtare. Për shumë familje kosovare, ardhja e mësuesve nga Shqipëria u prit si ardhja e njerëzve që sillnin dritë pas një kohe të gjatë errësire.

Me kërkesën e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi u krijua Misioni i Jashtëzakonshëm për Arsimin në Kosovë. Qindra mësues, mbi 200 sipas burimeve të ndryshme, u dërguan në qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Ata lanë familjet, vendlindjet dhe jetën e tyre të zakonshme për t’iu përkushtuar një detyre që e konsideronin mision kombëtar.

Krahas hapjes së shkollave, ata organizuan kurse të shumta kundër analfabetizmit, kurse të gjuhës shqipe për të rriturit dhe aktivitete kulturore që synonin forcimin e vetëdijes kombëtare. Në këto kurse mësohej shkrim-leximi, historia kombëtare, këngët patriotike, letërsia shqipe dhe kultura shqiptare.

Një nga figurat më të respektuara të kohës, Ibrahim Fehmiu, në një fjalim të mbajtur në Prizren theksonte: “Kosovës i duhen njerëz të zotë, të ndershëm dhe të pathyeshëm. Përhapja e dritës së arsimit është detyra më e madhe e kohës sonë. Lufta kundër padijes është luftë për të ardhmen e kombit.” Këto nuk mbeten vetëm fjalë, ato u shndërruan në veprim.

Vetëm në Prizren, kurset verore përfshinë rreth 1.200 fëmijë, studentë, zejtarë dhe qytetarë të moshave të ndryshme. Në mbarë Kosovën, mbi 15.000 të rritur dhe mijëra nxënës mësuan të lexonin dhe të shkruanin shqip. Në mesin e mësuesve që punuan në Prizren e rrethinat e tij përmenden Mëhill Shala, Jorgji Huta, Sulejman Aliu, Hajdar Shedulla, Idriz Fishta, Minush Lipoveci, Xhafer Xyrxa, Myrteza Shedulla, Shirin (Shehdula) Fishta, Xhevdet Doda, Mustafa Tepshi, Dhimitër Mino, Qamil Graceni, Veli Çela, Sebë Mateja së bashku me dhjetëra arsimtarë të tjerë që dhanë kontribut të çmuar në përhapjen e arsimit shqip. Puna e tyre shkonte përtej mësimit të shkronjave.

Në klasat e Kosovës mësohej për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për Lidhjen e Pejës, për Ismail Qemalin dhe për historinë e kombit shqiptar. Për fëmijët që deri atëherë kishin njohur vetëm tekstet në gjuhën serbe, kjo ishte një përvojë e re dhe emocionuese. Në kujtimet e kohës përshkruhen shpesh nxënës që dëgjonin për herë të parë historinë e popullit të tyre, fëmijë që shkruanin për herë të parë emrin e tyre në shqip dhe prindër që ndiqnin me lot në sy përparimin e bijve dhe bijave të tyre.

Sigurisht, lufta solli edhe ndarje politike. Një pjesë e intelektualëve iu bashkua lëvizjes komuniste antifashiste, duke e parë bashkëpunimin me forcat e tjera jugosllave si të domosdoshëm për mposhtjen e fashizmit. Një pjesë tjetër, e rreshtuar në kampin nacionalist, kundërshtoi këtë bashkëpunim për shkak të mosbesimit ndaj qarqeve serbe dhe malazeze. Këto përplasje do të thelloheshin me kalimin e viteve dhe do të linin pasoja të rënda në jetën politike shqiptare.

Por fotografia e korrikut 1941 i paraprin këtyre ndarjeve. Ajo paraqet një moment kur qëllimi kryesor ishte arsimi dhe ngritja kombëtare. Ajo ruan kujtimin e një kohe kur njerëz me bindje të ndryshme mund të bashkoheshin rreth një ideali të përbashkët.

Prandaj sot, kur shikohen fytyrat e Ali Hashorvës, Mehmet Gjevorit, Talat Paçarizit, Sulejman Drinit, Flora Palit, Abdurrahim Buzës, Fadil Hoxhës, Xhavit Nimanit dhe dhjetëra kolegëve të tyre, nuk duhet të shihen vetëm individë të një epoke të largët. Duhet të shihet brezi i intelektualëve që e kuptoi se arma më e fuqishme për mbrojtjen e një kombi është dija. Kjo fotografi është më shumë se një dokument. Ajo është një monument i heshtur kushtuar mësuesve shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë. Një monument për ata që hapën shkolla, mësuan fëmijë e të rritur, përhapën gjuhën shqipe dhe mbajtën gjallë frymën kombëtare në një kohë të trazuar.

Le të mbetet ky kujtim një shenjë mirënjohjeje për atë plejadë të ndritur arsimtarësh dhe intelektualësh, të cilët, pavarësisht dallimeve që solli historia, u bashkuan në një nga misionet më fisnike të kombit shqiptar: përhapjen e dijes dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në Kosovë. Trashëgimia e tyre vazhdon të jetojë në çdo shkollë shqipe, në çdo libër dhe në çdo brez që mëson gjuhën e vet të lirë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.