Ibish Neziri
Njëzet e shtatë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka ardhur koha që të rihapet një debat i shmangur për një kohë të gjatë: a vazhdon kjo rezolutë të ketë funksion real në jetën politike dhe juridike të Kosovës, apo i përket tashmë historisë së një periudhe të përfunduar?
Kur u miratua më 10 qershor 1999, Rezoluta 1244 ishte produkt i një realiteti konkret politik dhe juridik. Lufta sapo kishte përfunduar, Federata Jugosllave (qoftë edhe mes dy shteteve Serbisë dhe Malit të Zi) ekzistonte ende dhe bashkësia ndërkombëtare kishte vendosur që në Kosovë të krijohej një administrim i përkohshëm ndërkombëtar. Në ato rrethana, rezoluta kishte një objekt të qartë, një qëllim të përcaktuar dhe funksione konkrete që duhej të realizoheshin.
Megjithatë, normat juridike nuk jetojnë në vakum. Ato krijohen për të rregulluar situata të caktuara historike dhe politike dhe e marrin kuptimin e tyre nga lidhja me realitetin për të cilin janë hartuar. Kur ndryshojnë rrënjësisht rrethanat, kur zhduken subjektet mbi të cilat është ndërtuar një regjim juridik dhe kur funksionet për të cilat ai është krijuar humbin arsyen e ekzistencës, lind natyrshëm pyetja nëse kemi të bëjmë ende me një instrument aktiv juridik apo me një dokument që mbijeton vetëm formalisht.
Pikërisht kjo është dilema që shtron sot Rezoluta 1244.
Federata Jugosllave, së cilës rezoluta i referohej drejtpërdrejt, nuk ekziston më. Edhe bashkësia shtetërore Serbi-Mali i Zi, e krijuar më pas, i përket tashmë historisë. Po aq rrënjësisht ka ndryshuar edhe Kosova. Ajo nuk është më Kosova e vitit 1999. Sot ajo ka kushtetutën e vet, institucionet e veta, parlamentin e vet, qeverinë e vet, policinë e vet, gjyqësorin e vet dhe mekanizmat e vet të përfaqësimit politik.
Në këto rrethana është e vështirë të argumentohet se Rezoluta 1244 vazhdon të ushtrojë funksionet për të cilat u krijua. Ajo nuk përcakton rendin juridik të Kosovës, nuk krijon institucionet e saj dhe nuk rregullon jetën e saj politike. Zhvillimet institucionale të vendit nuk burojnë nga kjo rezolutë dhe as nuk varen prej saj.
Argumenti që dëgjohet më shpesh në mbrojtje të vazhdimësisë së saj është se Rezoluta 1244 vazhdon të jetë në fuqi sepse nuk është shfuqizuar nga Këshilli i Sigurimit. Formalisht, kjo është e vërtetë. Mirëpo ekzistenca formale e një dokumenti nuk është e njëjta gjë me nevojën reale për zbatimin e tij.
Historia e së drejtës njeh shumë dokumente që nuk janë shfuqizuar kurrë në mënyrë formale, por që prej kohësh kanë pushuar së qeni pjesë e jetës juridike. Ligji i Hamurabit nuk është shfuqizuar nga askush. As Ligjet e Dymbëdhjetë Tabelave të Romës nuk janë pezulluar nga ndonjë autoritet bashkëkohor. Megjithatë askush nuk thirret sot në to për të rregulluar marrëdhëniet juridike të kohës sonë. Jo sepse janë ndaluar, por sepse ato i përkasin një realiteti historik të përfunduar.
E drejta nuk jeton vetëm nga ekzistenca formale e tekstit. Ajo jeton nga lidhja me realitetin. Kur kjo lidhje këputet, norma mbetet pjesë e historisë juridike, por pushon së qeni instrument i jetës juridike.
Kjo logjikë vlen edhe për Rezolutën 1244. Debati nuk është nëse ajo ekziston ende në dokumentet e OKB-së. Debati është nëse ajo vazhdon të ketë funksion real në realitetin e sotëm të Kosovës.
Edhe ekzistenca e UNMIK-ut duhet parë në këtë kontekst. Ky mision u krijua si administratë e përkohshme ndërkombëtare për Kosovën. Në vitet e para pas luftës ai ushtronte kompetenca të gjera në administratë, drejtësi, polici dhe qeverisje. Sot ai nuk ushtron më këto funksione. Nuk administron institucionet e Kosovës, nuk kontrollon policinë, nuk kontrollon gjyqësorin, nuk menaxhon financat publike dhe nuk ushtron pushtet real mbi jetën politike të vendit.
Roli i tij është reduktuar kryesisht në funksione raportuese dhe përfaqësuese. Por edhe këtu lind një dilemë e arsyeshme. Kosova ka institucionet e veta shtetërore, ka përfaqësuesit e vet politikë dhe ka mundësinë të paraqesë vetë qëndrimet e saj para bashkësisë ndërkombëtare. Në këto rrethana bëhet gjithnjë e më e vështirë të shpjegohet se përse një administratë e përkohshme duhet të vazhdojë të mbijetojë pas më shumë se një çerek shekulli.
Për këtë arsye, pyetja për Rezolutën 1244 nuk është thjesht juridike. Ajo është edhe logjike. Një regjim juridik krijohet për një qëllim të caktuar. Ai duhet të ketë subjektin mbi të cilin vepron, objektin që rregullon dhe efektet që prodhon. Kur këta elementë zhduken ose transformohen rrënjësisht, lind nevoja për të rivlerësuar vetë kuptimin e ekzistencës së tij.
Populli shqiptar e shpreh këtë logjikë me një thënie të thjeshtë: “Kur vdes burri ose gruaja, vdes edhe kunora.” Përtej kuptimit popullor, kjo thënie pasqyron një parim të thjeshtë: marrëdhëniet nuk mund të mbijetojnë pafundësisht pasi kanë pushuar së ekzistuari subjektet mbi të cilat janë ndërtuar.
Natyrisht, askush nuk po kërkon fshirjen e historisë. Rezoluta 1244 ka luajtur një rol të rëndësishëm në rrethanat e vitit 1999 dhe askush nuk mund ta mohojë këtë. Por respektimi i rolit historik të një dokumenti nuk nënkupton domosdoshmërisht pranimin e tij si kornizë për një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai për të cilin është krijuar.
Pas 27 vjetësh, është e vështirë të identifikohet një funksion thelbësor që Rezoluta 1244 vazhdon të ushtrojë në Kosovë. Shteti për të cilin u miratua nuk ekziston më. Rrethanat që e prodhuan nuk ekzistojnë më. Administrimi ndërkombëtar që u krijua mbi bazën e saj ka humbur prej kohësh funksionet për të cilat ishte themeluar. Ndërkohë, Kosova ka ndërtuar institucionet e veta dhe ka marrë përgjegjësitë që dikur ushtronin strukturat ndërkombëtare.
Për këtë arsye, Rezoluta 1244 nuk mund të shihet më si një kornizë aktuale për Kosovën. Roli i saj historik është konsumuar nga koha dhe nga zhvillimet politike që kanë ndodhur gjatë gati tri dekadave. Sot ajo mbijeton kryesisht si referencë formale në dokumentet e OKB-së dhe si instrument politik në duart e atyre që vazhdojnë t’i referohen një realiteti që nuk ekziston më.
Në thelb, Rezoluta 1244 tashmë i përket historisë së Kosovës dhe jo realitetit të saj të sotëm. Vendi i saj natyror është arkivi: arkivi i OKB-së, arkivi i diplomacisë ndërkombëtare dhe arkivi i periudhës së administrimit ndërkombëtar të Kosovës. Ajo mund të ruhet, të studiohet dhe të vlerësohet për rolin që ka luajtur në kohën e vet, por nuk mund të vazhdojë pafundësisht të paraqitet si kornizë për një realitet që e ka tejkaluar prej kohësh.
Prandaj ka ardhur koha që institucionet e Kosovës ta shtrojnë hapur këtë çështje para bashkësisë ndërkombëtare dhe të kërkojnë përfundimin e rolit që Rezoluta 1244 dhe UNMIK-u pretendojnë ende ta kenë në Kosovë. Jo për të ndryshuar historinë dhe as për të mohuar rrethanat e vitit 1999, por për të pranuar një të vërtetë të thjeshtë: dokumentet historike kanë vendin e tyre në arkiv, ndërsa e tashmja duhet të ndërtohet mbi realitetin që ekziston dhe jo mbi realitete që kanë pushuar së ekzistuari.











