10.5 C
Tirana
E martë, 31 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ATË DITË BASHKOVA LOTIN TIM, ME LOTIN E VJOSË OSMANIT

ATË DITË BASHKOVA LOTIN TIM, ME LOTIN E VJOSË OSMANIT

0
Vjosa Osmani - me flamuj

IDRIZ ZEQIRAJ

Kuvendi i 8-të zgjedhor i LDK-së. Delegatët e Degëve të LDK-së, Gjermani dhe Zvicër, u bllokuan në hyrjen kryesore të Hotelit “Emerald”. “Arsyetimi”: Njëra nga Nëndegët e LDK-së, sikur nuk paska bërë zgjedhje të rregullta!” Ndërkohë, është dëshmuar se janë pikërisht këdo dy Degë që kanë bërë zgjedhje me vota të fshehta, në të gjitha nivelet.

Kryetarja e Degës të LDK-së, për Gjermani, Donikë Gërvalla ishte nisur me makinë për në Kosovë, ndërsa ne, delegatët tjerë, udhëtuam të nesërmen me fluturake. Ajo kishte komunikuar me sekretarin e LDK-së, për t`u konsultuar lidhur me dokumentacionin e nevojshëm. Me porositi për një dokument shtesë. Komunikonim me – E-mail -. Ia përcolla. Gjthçka ishte në rregull.

Rojet ishin dubluar në hyrjen kryesore të hotelit ku mbahej Kuvendi. Reaguam për pritjen e dyshimtë. “Prisni, ende nuk posedojmë kartat e hyrjes për ju”, – u gjegjën rojet! Nuk dinim kujt t`i ankohem, sepse anëtarët e Kryesisë të LDK-së, hynin nga një deriçkë e pasme.

Dera për ne u mbyll! Nga 9 delegatë të Degës të LDK-së, në Gjermani, 6 (gjashtë) syresh i kishim të ekzekutuar, nga Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale, (NPK), babën, vëllanë, xhaxhanë, nipërit.

Kuvendi maskaradë i votimit aklamativ, me ngritje dore, fillon. Edhe kriteri i pranimit të kandidaturës për kryetar të LDK-së, me 50+1, bëhej me votim të hapur! Vjosë Osmani shpalli kandidaturën për kryetare të LDK-së. Por, kërkesa e saj për votim të fshehtë nuk u pranua, edhe pse statuti dhe rregullorja e përmbante. Në shenjë proteste, e përlotur lëshoi sallën e Kuvendit.

Atë ditë, të 25 majit 2015, bashkova lotin tim, me lotin e Vjosë Osmanit. Ishin lotë të zemratës, si reagim kundër çmontimit të rugovizmit, i cili filloi me mbylljen e aktivave të LDK-së. “Do të krijojmë një “Lidhje të re”, – deklaroi Isa Mustafa, kur e katapultoi Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij, në krye të LDK-së.

Një jetë për lirinë dhe ndërtimin e shtetit ligjor:

– kisha provuar burgje dhe vuajtje;
– isha bashkëthemelues të krijimit të partisë-Lëvizje, LDK-së, në Gjermani;
– veprimtar për Fondet dhe Bashkësitë e Mërgatës, për ta ndihmuar mbijetesën politike dhe ekonomike të popullit të Kosovës;
– isha i angazhuar personalisht dhe familjarisht në Emergjencën e Luftës të Kosovës, që nga pritja dhe akomodimi i ikanakëve, refugjatëve nga Kosova;
– furnizimin me bazën materiale të refugjatëve në Veriun e Shqipërisë;
– liçensimin personal dhe të nipërve të mi, Hasan Rexhaj dhe Ismet Rexhaj, me Firmën tonë “Etniku”, me punëtorë, për bartjen dhe furnizimin me armatim normal dhe të rëndë;
– furnizimi me bazën materiale për Ushtrinë, tashmë, të themeluar, përmes Malësisë të Gjakovës dhe të Prizrenit.

Dhe, megjithatë, klani uzurpator brenda Lidershipit të LDK-së, cinikisht dhe poshtërsisht, abuzoi rrugaçërisht, duke na mbyllur derën e Kuvendit!

Dega e LDK-në Gjermani e mbante Kuvendin e 9-të Zgjedhor. Për monitorimin e këtij Kuvendit kishte ardhur njëri nga Nënkryetarët e LDK-së dhe një anëtar i Kryesisë të saj. Kuvendi filloi me plotësimin e kriterit, për të drejtën e kandidatit për kryetar, 50+1, me votim të hapur, pasi kështu kërkonin monitoruesit. Kandidati i parë nuk fitoi.

Si bashkëthemelues i Degës së LDK-së në Gjermani, tani, në cilësinë e kryetarit të Nëndegës të LDK-së në Republikën e Bavarisë dhe anëtar i Kryesisë të Degës të LDK-së në Gjermani, reagova:

– Megjithë respektin për Ju, përfaqësues të nderuar të Qendrës të LDK-së, ne nuk e pranojmë kriterin 50+1, sepse ky kriter është i shpikur qëllimshëm, për t`u ricikluar në postin e kryetarit nga kryetari juaj Isa Mustafa. Dhe, në rastin konkret, për ta eliminuar Vjosë Omanin nga konkurrenca zgjedhore, për kreun e LDK-së. Ne zbatojmë statutin e LDK-së të Ibrahim Rugovës dhe zgjedhjet e të gjitha niveleve kalojnë përmes votës së fshehtë demokratike -, sqarova unë, autor i këtij rrëfimi dhe shkrimi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Nënkryetarit të LDK-së: “Dakord. Mos e praktikoni kriterin 50+1, sepse edhe ne po e diskutojmë për ta hequr”.

Vërtet, 50+1 nuk u hoq asnjëherë, sepse ai kriter plus votimi i hapur, u sigurojnë vazhdimësinë kryetarëve me radhë të LDK-së!

Përfaqësuesit monitorues nga Qendra u treguan të s inqertë, nuk realizuan preferencën e shefit në Prishtinë, për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së të Degës në Gjermani dhe të delegatëve të Kuvendit. Bilëz, kur e kishin përmendur emrin tim, në cilësinë e delegatit, kryetari Isë, ishte shprehur jashtë standardit të titullarit, duke thënë “m… e paskit ba!”

Kam dëgjuar në dy debate të ndara, njërin nga nënkryetarët e LDK-së, dhe tjetri një ish-sekretar i LDK-së, duke thënë se “ishte një provokim nga ana e delegatëve të Mërgatës!”

Shpifje e turpshme!

Mërgimtarët janë të drejtpërdrejtë. Nuk merren me pisllëqe konspirative. Nuk janë të mençur, më saktë, hileqarë sa ju, politikanët e Kosovës, por, më të sinqertë, gjithsesi po.

Për 16 vjet radhazi isha delegat në Kuvendet zgjedhore, të LDK-së, maskaradë- aklamative, me votim të hapur, ngritje dore, në tufëzim blegtoral. Kujtoni Kuvendin e 7-të, Zgjedhor të LDK-së, kur heshtnin 359 delegatë në sallën kuvendore! Edhe pse i gjithë procesi “zgjedhor” ishte aklamativ, i rrejshëm, me votim të hapur!

Dhe, unë, autori këtij shkrimi, i tmerruar nga përdhunimi i demokracisë, në përmasën sipërore, e mora fjalën, dhunshëm, dhe bëra thirrjen dëshpëruese:

“Pse heshtni, si peshqit, para kësaj maskarade të quajtur falsifikueshëm -zgjedhje-?! Zgjohuni, o skllevër të shekullit 21! Çfarë fytyre keni të dilni nesër para anëtarësisë të LDK-së, për ta kërkuar votën e tyre, kur, zyrtarisht dhe trupërisht, po e çmontoni rugovizmin, si teori dhe ideologji vizionare të Presidenti Rugova!”

Pas amshimit të kryezotit Rugovë, edhe pse kishte dhënë një porosi të artë, “të mos lejohet ngritja e Hashimit në pozita të larta, se është i dëmshëm për Kosovën”, pasuesit, të joshur nga interesa personale dhe grupore, “harruan” porosinë-amanet dhe e bënë të kundërtën.

Pakënaqësitë e rugovistëve, individuale dhe në grupe të pa strukturuara, shefi i partisë, Isa Mustafa, me grupin vicioz të tij, të kthyer në klan të konsoliduar, arriti t`i godasë, fillimisht, individualisht, pastaj edhe në grup, duke larguar, në heshtje nga strukturat vendimmarrëse të LDK-së. Kështu u bë spastrimi i vrazhdë i partisë së Rugovës nga kuadro të devotshëm, besnik të sprovuar të Presidentit Rugova.

Zërat reagues, madje të përsëritur, për të ruajtur frymën rugoviane djathtiste të LDK-së, duke mos bërë pazare të pista me subjektet politike të kriminalizuara: PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-in kriminal dhe thellësisht armiqësor ndaj kryetarit Rugova dhe partisë së tij, u refuzuan me mospërfillje, prepotencë, mujshi, deri në rrugaçëri.

Veprimet e Lidershipit të LDK-së, degjeneruan skajshëm. PAN-i e “mori Kalanë nga brenda”. LDK-ja u bë bisht e patericë e PDK-së. Koalicioni me PDK-në ishte i dhunshëm. Krerët e klanit, tashmë, shpërfillnin neveritshëm: elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e Deputetëve, madje edhe vetë Kryesinë e LDK-së!”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.