Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
Dënimi i tij i rëndë, që e dërgoi drejt një jete të tërë në burg, dëshmon se sistemi nuk ndëshkonte për krime reale, por për lidhje shoqërore, për mikpritje, për afërsi me atdhetarët. Në këtë kuptim, Azem Kadria nuk u bë viktimë e ndonjë “vepre penale”, por e frikës dhe pasigurisë së një pushteti që donte të shtrinte kontrollin e tij mbi çdo familje dhe çdo individ shqiptar.
Në aktakuzën e ngritur ndaj tij thuhej se kishte ndihmuar grupin e Hasan Remnikut dhe se me Agush Hetemin kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme. Për më tepër, sipas organeve të sigurimit, ai u kishte dhënë atyre informata të gabuara për lëvizjet e ilegalëve, duke u bërë kështu pengesë në ndjekjen e tyre. Në këtë mënyrë, gjykata e përshkruante si bashkëpunëtor të drejtpërdrejtë dhe si njeri që me vetëdije kishte zgjedhur të ishte në anën e rezistencës.
Por ndëshkimi që iu shqiptua ishte i paprecedentë, saqë kalonte kufijtë e çdo logjike juridike. Më 29 dhjetor 1951, Gjykata e Qarkut në Gjilan i shpalli dënimin marramendës prej 101 vjetësh burg. Ky vendim, që në vetvete tingëllon absurd, nuk kishte më karakter ligjor, por simbolik: pushteti donte të jepte një mesazh të prerë se çdo lidhje me lëvizjen ilegale do të paguhej me çmimin më të rëndë të mundshëm, deri edhe me një dënim që asnjë jetë njerëzore nuk mund ta përmbushte.
Në këtë rast, ky dënim nuk mund të shihet thjesht si një shifër, por si një manifestim i dhunës së pushtetit. Një shembull i qartë se si gjykatat, në vend që të ishin zëri i drejtësisë, shndërroheshin në skenë ku shpallej frika, ku ligji bëhej mjet shtypjeje dhe ku absurdi merrte formë të ligjshme. Në këtë rast, nuk ishte më individi që ndëshkohej, por vetë ideja e rezistencës, solidaritetit dhe besës shqiptare.
Ky dënim grotesk prej 101 vjetësh burg mbetet një dëshmi e hidhur e një kohe kur drejtësia kishte humbur kuptimin e saj, ndërsa frika dhe dhuna ishin bërë normë. Ai e shndërroi të akuzuarin nga një fshatar i thjeshtë në një simbol të asaj se si pushteti ishte i gatshëm të sakrifikonte çdo logjikë për të imponuar nënshtrim total.
Personi i fundit që u përfshi në procesin gjyqësor të Gjilanit ishte Arif Syla, një i afërt i Hasan Remnikut. Ai kishte lindur më 1924 në fshatin Remnik, nga babai Qerim dhe nëna Bahtije, e lindur Halimi. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me punën në bujqësi. Ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Edhe pse i rritur në kushte të varfërisë, kishte arritur vetë të mësonte shkrim-leximin, një arritje që dëshmonte vullnetin dhe përkushtimin e tij. Deri më 17 tetor 1951 nuk kishte pasur kurrfarë historie penale, por pikërisht atë ditë organet e policisë e arrestuan, duke e akuzuar se për shumë vite kishte qenë bashkëpunëtor i Hasan Remnikut.
Akuza më e rëndë ndaj tij lidhej me faktin se, sipas hetuesisë, ai kishte qepur disa herë rroba për Hasan Remnikun në Gjilan. Madje, atij iu faturua edhe akti se kishte qepur rrobat e fundit që Hasan Remniku dhe grupi i tij kishin veshur para nisjes, të cilat Arifi i kishte porositur tek një rrobaqepës në qytet, duke thënë se ishin për një “vëlla të demobilizuar nga ushtria jugosllave”. Ky detaj, i paraqitur si “provë”, u kthye në bazën e një akuze të rëndë, që në fakt mbulonte një akt krejtësisht të zakonshëm të jetës së përditshme.
Megjithatë, vetë Arif Syla, gjatë hetuesisë, pranoi se kishte marrë pjesë rregullisht në mbledhjet që organizonte Hasan Remniku dhe se i kishte furnizuar ata me ushqime: bukë për rrugë, rrush, madje edhe një litar për nevoja praktike. Sipas dëshmisë së tij, më 6 tetor ai u kishte sjellë nga Gjilani rrobat e qepura dhe dy palë pantallona për dy gratë që do të niseshin me grupin e Hasan Remnikut.
Rasti i Arif Sylës dëshmon se pushteti i kohës nuk ndëshkonte vetëm armët, fjalën apo aktin e hapur politik, por edhe gjestin më të thjeshtë të mikpritjes, ndihmës apo shërbimit njerëzor. Një rrobë e qepur, një bukë e blerë, një pjesëmarrje në një mbledhje, shndërroheshin në “krime” që mjaftonin për të rrënuar jetën e një njeriu.
Figura e Arif Sylës mishëron tragjedinë e njerëzve të thjeshtë të kohës, që pa qenë prijës, pa qenë ushtarë, u bënë viktima të represionit thjesht pse kishin zgjedhur të mos e mbyllnin derën dhe të mos e kthenin shpinën. Në thelb, dënimi i tij nuk ishte për rroba të qepura, por për atë që simbolizonte, një akt besnikërie dhe solidariteti me ata që luftonin për liri.
Më 29 dhjetor, në sallën e Gjykatës së Qarkut në Gjilan, u mbajt seanca përfundimtare e procesit famëkeq, ku gjykatësi shpalli vendimet përfundimtare ndaj të akuzuarve. Për Arif Sylën, vendimi ishte i rëndë: 20 vite burg të rëndë, një dënim që i preu në mes jetën dhe i ktheu vitet e tij më të vlefshme në një vuajtje të pashpjegueshme.
Duke u kthyer pas dhe duke lexuar aktgjykimin e para më shumë se gjysmë shekulli, ndjenja e parë që lind është hutia. Shpesh e gjej veten duke menduar mos vallë këto dosje janë produkt i një fantazie të sëmurë, i një mendjeje që kishte shpikur akuza dhe fakte, vetëm për t’i shërbyer një pushteti represiv. Por më pas realiteti kthehet me një peshë të rëndë, këto nuk janë rrëfime imagjinare. Këtu kemi emra e mbiemra konkretë, njerëz që kanë jetuar e vuajtur, dokumente të gjalla të një kohe të errët, aktgjykime të shkruara me gjak e dhimbje, hetime të mbushura me dhunë e tortura, dhe mbi të gjitha, vite të tëra burgimi që rrënojnë fatet njerëzore.
E vërteta mbetet e vërtetë, sado që pushteti i kohës u mundua ta fshihte pas gënjeshtrave dhe narrativave të tij. Ajo që mbetet sot është dëshmia e qartë se sistemi i atëhershëm nuk kërkonte drejtësi, por nënshtrim, nuk kërkonte të gjente fajin, por të krijonte frikë. Dhe pikërisht këto dokumente, këto gjurmë të shkruara, janë ato që e tronditin kujtesën, duke na zgjuar nga amullia e zakonshme e jetës dhe duke na bërë të reflektojmë për çmimin e lirisë.
Çudia bëhet edhe më e madhe kur, duke shfletuar deri në fund dokumentin, has në arsyetimin zyrtar mbi të cilin ishin mbështetur këto dënime të paimagjinueshme. Aty shpjegohej pse ishin shqiptuar vite të gjata burgimi dhe pse ishin dhënë dënimet me vdekje – pushkatim. Dhe krejt absurdi shfaqet aty, si arsye përfundimtare përmendej fakti se të akuzuarit kishin qenë shokë, miq ose të afërm të Hasan Remnikut. Pra, lidhja e gjakut, miqësia dhe solidariteti njerëzor u shndërruan në prova për t’i dënuar me vdekje.
Në thelb, ajo që në kulturën shqiptare ishte një detyrim moral dhe një përgjegjësi familjare – kujdesi për mikun, strehimi i të afërmit, mbrojtja e një vëllai nga arrestimi i mundshëm – u kriminalizua dhe u shpall si faj i rëndë politik. Çfarë në realitet ishte shprehje e besës dhe e ndjenjës njerëzore, gjykata e interpretoi si akt armiqësor kundër shtetit.
Në këtë kontrast të dhimbshëm shihet qartë përmbysja e logjikës, aty ku populli shihte besë, nder dhe përgjegjësi morale, pushteti shihte “krim” dhe arsye për pushkatim. Dhe kjo është arsyeja pse dokumente të tilla tronditin edhe sot, sepse dëshmojnë jo vetëm mizorinë e sistemit, por edhe përpjekjen e tij për të thyer vetë strukturën morale të shoqërisë shqiptare, duke e kthyer dashurinë për mikun dhe për të afërmin në krim të dënueshëm me vdekje.
Ja, si e justifikonte vetë gjykata shqiptimin e dënimeve të rënda për këtë grup. Në arsyetimin e aktgjykimit thuhej se, gjatë vlerësimit dhe shpalljes së vendimit, ishte marrë parasysh “pesha e veprave penale, shkalla e përgjegjësisë, rrezikshmëria shoqërore e proceseve dhe pasojat që ato sillnin për shtetin”. Kjo gjuhë, e ftohtë dhe burokratike, synonte të krijonte përshtypjen se dënimet ishin produkt i një analize të matur dhe të paanshme, kur në të vërtetë ishin vetëm një fasadë që mbulonte represionin politik.
Gjykata theksonte se këto “vepra penale” ishin kryer për një periudhë të gjatë kohore, në kushte të caktuara dhe në bashkëpunim me “bandat”, duke i paraqitur kështu të pandehurit si pjesë e një organizimi të rrezikshëm. Në këtë mënyrë, aktet e thjeshta të mikpritjes dhe të ndihmës për të arratisurit u shndërruan në prova për “krime kundër shtetit”. Në arsyetim thuhej madje se ndihma e tyre kishte shërbyer për t’i mbajtur të arratisurit jashtë duarve të organeve shtetërore, duke e paraqitur këtë si një shërbim të madh ndaj “armikut”.
Në një lexim më të kujdesshëm duket qartë, se ky arsyetim është shembulli më i qartë i përmbysjes së logjikës së drejtësisë. Gjykata nuk po gjykonte mbi fakte konkrete, por po ndërtonte një narrativë politike, ku çdo gjest njerëzor – një strehë, një kafshatë buke, një ndihmë për t’u shpëtuar arrestimeve – interpretohej si akt armiqësor i rëndë. Kështu, ligji humbte funksionin e tij thelbësor dhe kthehej në instrument të pushtetit, ndërsa ndihma njerëzore shpallej krim, solidariteti bëhej tradhti, dhe besa shqiptare kriminalizohej si “shërbim ndaj bandave”.
Ky arsyetim, i shkruar me gjuhën e ashpër të kohës, dëshmon se dënimet e mëdha nuk ishin rezultat i drejtësisë, por i frikës së një sistemi që donte ta shtrinte pushtetin mbi çdo fshat, mbi çdo individ, dhe mbi vetë kulturën e rezistencës.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjykata theksonte me një gjuhë të rëndë se “shkalla e rrezikshmërisë së veprimeve të jatakëve ishte shumë e madhe” dhe se të gjitha veprat e kryera prej tyre ishin të rënda dhe penale, aq sa “rrezikonin sistemin shoqëror të vendit” dhe sillnin pasoja të mëdha “si në sigurinë e shtetit, ashtu edhe të qytetarëve”. Në këtë mënyrë, ndihma e thjeshtë e një bujarie, streha e ofruar me besë, apo buka e ndarë me të arratisurit, shndërroheshin në akte të rrezikshme, të përshkruara nga pushteti si kërcënim për tërë rendin shoqëror.
Më tej, gjykata arrinte në përfundimin drastik se për hir të këtyre “veprave penale” të akuzuarit Veli Ibrahim Imeri, Qazim Ismaili dhe Ajdin Ali Shabani duheshin eliminuar njëherë e përgjithmonë nga shoqëria. Në arsyetim thuhej se veprimet e tyre ishin të natyrës së tillë që dëshmonin “për rrezikshmëri të vazhdueshme” ndaj sistemit, se ata ishin të papërmirësueshëm, dhe se për këtë arsye duhej t’u shqiptohej dënimi më i lartë dhe më i rëndë: vdekja me pushkatim.
Kjo logjikë, e mbështjellë me fjalorin juridik të kohës, nuk ishte tjetër veçse një arsyetim i dhunës shtetërore, një përpjekje për të justifikuar shfarosjen e individëve përmes gjuhës së “sigurisë publike”. Madje, gjykata e shtrinte edhe më tej arsyetimin, duke theksuar se ky dënim kapital do të kishte ndikim “pozitiv” tek të gjithë banorët e Gjilanit, të Anamoravës e më gjerë, pra se do të shërbente si mësim frike e nënshtrimi për popullatën shqiptare.
Ky arsyetim zbulon mekanizmin e gjykatave të kohës, ato nuk ishin institucione drejtësie, por skena ku dhuna shtetërore legjitimohej me gjuhën e ligjit. Në vend që të mbronin qytetarët, ato u shndërruan në mjete për të terrorizuar shoqërinë. Pushteti e përdori gjykatën si arenë të frikës, duke kriminalizuar aktin e solidaritetit dhe duke e paraqitur si rrezik për shtetin. Në këtë mënyrë, pushkatimi nuk ishte vetëm ndëshkim i tre individëve, por një akt shembullor, një paralajmërim i prerë për të gjithë popullsinë se çdo hap kundër sistemit do të paguhej me jetën.
Ndryshe nga tre të dënuarit me pushkatim, dy të tjerë – Selim Alia dhe Azem Kadria – u përballën me një farsë tjetër të ashtuquajtur “drejtësi”. Gjykata, duke marrë parasysh disa momente të quajtura “lehtësuese”, tregoi, siç e quante vetë, “zemërgjerësinë” e okupuesit dhe iu shqiptoi atyre dënime marramendëse prej 101 vjetësh burg. Në logjikën e asaj kohe, edhe një shekull burg nuk ishte ndëshkim, por një formë “faljeje”, sepse, sipas gjykatësve, shqiptarët përbënin rrezik për rendin shoqëror si brenda mureve të burgut, ashtu edhe jashtë tyre.
Ky arsyetim absurd e shndërroi dënimin në një farsë tragjike, një jetë e tërë pas hekurave për shkak të mikpritjes, solidaritetit dhe besës së treguar ndaj atdhetarëve. Ndërkohë, për të tjerët që morën dënime prej 20 apo 15 vitesh burg, gjykatësit pohonin me arrogancë se këto vite do të ndikonin “pozitivisht” te të dënuarit dhe se do të arrinin “efekte përmirësuese” në jetën e tyre shoqërore.
Ky arsyetim nuk ishte gjë tjetër veçse maskë e dhunës. Në vend që të shfaqej drejtësi, gjykata fliste me gjuhën e nënshtrimit, vite të pafundme burgimi interpretoheshin si dhuratë, ndërsa dënimet e gjata shiheshin si “shkollë jete” për të mësuar bindjen ndaj pushtetit. Në realitet, asgjë nuk ishte përmirësuese, ishte një strategji për të thyer trupin dhe shpirtin e njeriut, për të shuar rezistencën dhe për të mbjellë frikë në tërë shoqërinë shqiptare.
Kështu, dënimet nuk ishin as gjykime ligjore e as ndëshkime të arsyeshme, por një teatër represioni ku gjykatësit luanin rolin e “bamirësit” që falnin me shekuj burg. Dhe ky absurditet, i shndërruar në normë, është dëshmi e hidhur e kohës kur nën emrin e drejtësisë, ushtrohej forma më brutale e shtypjes.
Është vërtet për t’u habitur fakti se, duke lexuar proceset gjyqësore të kohës apo deklaratat zyrtare të njerëzve kompetentë, nuk haset askund ndonjë shënim për pasojat e rënda që përjetonin të burgosurit gjatë hetuesisë. Heshtja mbi këtë pjesë është e qëllimshme, sikur vuajtja e tyre fizike e shpirtërore të mos kishte ekzistuar fare. Asnjëherë nuk u mor parasysh gjendja psikike e të akuzuarve, të cilët kalonin javë e muaj në kazamatet serbe, në kushte çnjerëzore, duke u shkatërruar jo vetëm trupi, por edhe mendja.
Dëshmitë e të mbijetuarve tregojnë se maltretimet ishin të përditshme. Gardianët ushtronin dhunë pa asnjë kufi, shpesh për arsye banale, e herë të tjera vetëm për të shuar sadizmin personal. E megjithatë, të burgosurit ishin të detyruar t’i duronin të gjitha këto pa të drejtë ankese, pa zë dhe pa shpresë. Asnjë procedurë gjyqësore nuk e njihte dhimbjen e tyre si provë, asnjë akt zyrtar nuk e regjistronte poshtërimin e përditshëm.
Kjo heshtje institucionale është edhe më e rëndë se vetë dhuna. Ajo e zhvesh të burgosurin nga çdo dimension njerëzor, duke e bërë atë thjesht një numër, një fajtor të paracaktuar. Proceset gjyqësore, në vend që të kërkonin drejtësi, u bënë skenë të një farse ku asgjë nuk merrej parasysh nga realiteti i vuajtjeve.
Kështu, e gjithë dhuna e ushtruar në hetuesi, plagët trupore dhe ato shpirtërore, mbetën jashtë çdo dokumenti zyrtar, por jo jashtë kujtesës së atyre që e përjetuan. Ajo që mungon në aktgjykime dhe në dosje, gjendet e gdhendur thellë në kujtesën e njerëzve dhe është pjesë e dhimbjes kolektive të një populli që e përjetoi represionin jo vetëm në trup, por edhe në heshtjen e detyruar të drejtësisë.
Me një përkushtim të madh kam studiuar hollësisht këtë proces gjyqësor dhe, në fund, kam ardhur në një përfundim të dhimbshëm: për shqiptarët nuk kishte dallim në shkallën e ndëshkimit. Vriteshin dhe dënoheshin njësoj – qoftë për një pushkë të blerë ilegalisht, për një organizim politik që shpallej “antishtetëror”, apo edhe për një hajni të vogël ushqimesh, për të cilat në botën e qytetëruar jepen dënime simbolike. Në sytë e pushtetit të kohës, çdo arsye ishte e mjaftueshme për të legjitimuar një akt eliminimi.
E keqja më e madhe e gjykatës penale nuk ishte vetëm ashpërsia e vendimeve, por vetë mënyra se si ato ndërtoheshin. Në shumicën e proceseve gjyqësore, nuk thuhej e vërteta për arrestimin e të pandehurve. Dosjet ngarkoheshin me shantazhe, denigrime dhe ndërskamca, të cilat nuk kishin qëllim tjetër përveçse të deformonin realitetin dhe ta paraqisnin të burgosurin si fajtor të padiskutueshëm.
Në të vërtetë, qëllimi i vërtetë i këtyre farsave gjyqësore ishte shumë më i thellë: të krijonin huti në popullatë, të mbillnin dyshim dhe mosbesim ndaj figurave që për vite të tëra kishin qenë të angazhuara në lëvizjen për lirinë e vendit. Duke i kriminalizuar dhe denigruar këta njerëz, pushteti përpiqej të shkatërronte jo vetëm rezistencën e organizuar, por edhe respektin dhe mbështetjen që ata gëzonin në sytë e popullit.
Kjo strategji e gjykatave ishte pjesë e një mekanizmi më të gjerë represiv, ta bënte popullin të mos shihte më heronj në ata që sakrifikonin për liri, por “kriminelë” të zakonshëm. Ishte një mënyrë për të thyer shpirtin e rezistencës duke i dhënë asaj një fytyrë të rreme, të përbaltur. Dhe pikërisht këtu qëndron ironia e madhe, ndërsa gjykatat përpiqeshin të zhduknin kujtimin e tyre, populli i ruajti në këngë e kujtesë si martirë të lirisë.
( Vijon )











