LIBËR QË SHPALOS VLERAT LETRARE DHE STUDIMORE TË VEPRËS SË SHKRIMTARIT LLESH NDOJT NGA LEZHA

0
Llesh Ndoj
Mikel Gojani
Mikel Gojani

Mikel Gojani

(Rreth librit “Poet i natyrshëm dhe i mëvetësishëm. Takim letrar me shkrimtarin Llesh Ndoj nga Lezha”, Zgjedhjen dhe redaktuarën Dr. Labinot Berisha. Përgatiti për shtyp Llesh Ndoj. Botoi SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2025)

Forumi i intelektualëve “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Drejtorinë për kulturë, rini e sport në Klinë, kanë zhvilluar një aktivitet të dendur të përbashkëta me shkrimtarë dhe asociacione letrare dhe kulturore të shtetit amë – Shqipërisë, ku kanë mundësuar njohjen e veprimtarisë letrare dhe shkencore të disa shkrimtarëve, çka është shumëfish e rëndësishme, jo vetëm në rrafshin kulturor e letrar.

Po i veçoj sidomos tri takime me shkrimtarët Nasi Lerën, Agim Gjakovën dhe Llesh Ndojn.

Këto aktivitete letrare dhe kulturore ngjasin në bazë të realiteteve të krijuar të këtij komunikimi real kulturor e shpirtëror. Neve na nevojitet që edhe në të ardhmen të përgatisim programe të përbashkëta në zhvillimin e kulturës dhe të letërsisë sonë nga se këto janë dëshmia më e lartë dhe më e plotë e përcaktimit dhe e pasurisë shpirtërore të një kombi.

Sot kultura në Shqipëri dhe në Kosovë janë dy pjesë të një të tërë, pra të asaj që e quajmë: Kulturë kombëtare. “Nja asht gjuha, kombi asht nja”, pati thënë poeti ynë i madh, Ndre Mjeda.

Në vazhdën e aktivitetit të Forumit, në Klinë, më 17 maj 2025, para një auditoriumi të gjerë artdashësish, në sallën e Kuvendit të komunës, u organizua Takimi letrar me shkrimtarin e mirënjohur lezhjan, Llesh Ndojn, që paraqet një ngjarje të rëndësishme letrare dhe kulturore, pasi që vepra e këtij shkrimtari dhe studiuesi për herë të parë u trajtua në Kosovë me përkushtimin dhe seriozitetin meritor.

Me këtë rast me kumtesat e tyre për veprimtarinë e shkrimtarit Llesh Ndojt u paraqitën studiues nga Kosova dhe Shqipëria: Prend Buzhala, dr. Nikollë Loka, Mikel Gojani, Hajdin Morina, Alket Bushpepa, Nexhat Rexha, Vlash Prendi, Mr. Sc. Arsim Halili, Lekë Mrijaj dhe prof. dr. Anton Nikë Berisha.

Pas takimit kumtesat e paraqitura në takimin e përmendur u botuan në librin me titullin “Poet i natyrshëm dhe i mëvetësishëm. Takim letrar me shkrimtarin Llesh Ndoj nga Lezha”.

Në fjalën paraprake të librit, prof. dr. Labinot Berisha, duke folur për veprat poetike dhe studimore të Llesh Ndojit theksoi se ato janë një dëshmi e qartë e pasionit krijues, e mendimit të thellë dhe e përkushtimit përballë traditës, gjuhës dhe realitetit tonë shqiptar; përmes kumtesave të paraqitura u vështruan dukuri të ndryshme, u hodh dritë në aspekte të shumta të krijimtarisë së autorit, duke e paraqitur si një zë të veçantë dhe të nevojshëm të letërsisë së sotme shqiptare.

Në fjalën paraprake theksohet edhe rëndësia e veprës letrare studimore e Llesh Ndoj: “Në këtë rrafsh, krijimtaria e tij letrare, përmes shprehjes poetike, arrin të transponojë dhe të ndërgjegjësojë dimensione të ndryshme të botës e të përvojës sonë përgjithësisht. Fakti se autori ka krijuar një veprimtari të gjerë e të larmishme në disa lloje, ka nxitur gjithashtu interes të madh te studiuesit”.

Kryetari i Forumit të intelektualëve “Luigj Gurakuqi”, Pal Canaj, në fjalën e vet paraqiti disa të dhëna rreth veprimtarisë së këtij institucioni, i cili vepron qysh nga vitet e ’90-ta. Po ashtu ai e falënderoi shkrimtarin, Llesh Ndojn për punën e bërë dhe për praninë e tij në takim.

Në fjalën e vet drejtori i DKRS-ës, Driton Bardheci, ndër të tjera u shpreh: “shkrimtarët dhe poetët janë kujtesa e kombit”.

Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, prof. Prend Buzhala, i vlerësoi lart vlerat artistike të poezisë së Llesh Ndoj: “Poezitë reflektojnë përvojat dhe ndjenjat e një momenti të caktuar në jetën e autorit ose të shoqërisë, duke përshkruar momente të lumturisë, trishtimit, dashurisë ose ndonjë emocion tjetër që ndodh në një kohë të veçantë. Poezia dhe reagimi poetik ndaj kohës aktuale, janë ngush të lidhura. Kjo e bënë poezinë një medium të veçantë për t’i shprehur përvojat e njeriut në lidhje me kohën dhe për të reflektuar mbi kuptimin e jetës në kontekstin e saj të pafund”.

Ndërkaq studiuesi i shquar, dr. Nikollë Loka, në kumtesën e tij “Ndërmjet kujtesës dhe historisë”, shpalosi vlerat e studimeve të rëndësishme monografike të Llesh Ndojt “Domgjoni në dokumente, gojëdhëna e histori” si dhe “Fani dhe fanasit”.

Prof. dr. Anton Nikë Berisha, në kumtesën e tij ndriçoi disa nga vlerat e veprës poetike dhe shkencore të Llesh Ndojit. Sipas tij Llesh Ndoj është një poet i natyrshëm dhe i mëvetësishëm nga se poezitë janë hartuar me lehtësi dhe me natyrshmëri, që vërehen dhe kur përdoret mënyra tradicionale e përfitimit të poezisë (përdorimi i strofave vargut metrik dhe i rimës) dhe kur përfitohen tekste të mirëfillta moderne. Sipas prof. Berishës poeti Ndoj në poezinë e tij përligj mprehtësinë  e mendjes dhe aftësinë e shtjellimit të tekstit poetik, ashtu siç thoshte  shkencëtari  i njohur, Ryder.

Me kumtesat e tyre në këtë takim letrar u prezantuan edhe shkrimtarët dhe studiuesit e tjetër Nezhat Rexha, Hajdin Morina, Alket Bushpepa, mr. sc Arsim Halili, Lekë Mrija dhe Mikel Gojani.

Në fjalën përshëndetëse protagonisti kryesor i këtij takimi letrar, shkrimtari Llesh Ndoj, në fjalën e tij falënderoj përfaqësuesit e Komunës së Klinës si dhe të gjithë pjesëmarrësit për këtë organizim të bukur, “për kohën e vlefshme që më kushtuat e për fjalët që shprehet në adresën time e të prodhimit tim letrar. Në vijim të fjalës së vet Ndoj tha se letërsia është shpirt, është dashuri, është zhgënjim, frymëzim, ëndërr që lind brenda qenies dhe udhëton jashtë saj duke prekur edhe qenie të tjera me të cilat bie në kontakt dhe, nëse është në lartësinë e duhur, ndikon edhe tek ato për të krijuar gjendje të ndryshme shpirtërore, pse jo edhe frymëzime e orientime për veprim.

Ai  përmendi dhe mendimin e poetit të ndjerë, Ndoc Gjetjes, i cili gjatë  promovimit të librit të parë të Ndojt me poezi “Vargje loti”, në vitin 2005, pati thënë: “Dashuria dhe dhimbja bëjnë mrekulli! Ato e ngrenë peshë shpirtin e njeriut dhe e bëjnë atë të shpërthejë në poezi edhe pa qenë poet”.

Fjalën e vet Ndoj e mbylli duke thënë: ”Mirënjohje të pafund për secilin prej Jush. Në ngjarje të tilla të bukura e përshkuese u takofshim sa më shpesh, “andej” e “këndej” kufirit absurd që na ndanë e që askush më shpejt se arti dhe letërsia nuk mund ta bëjnë, në mos të pa qenë, të paktën të pandjeshëm!”

Në fund të këtij Takimi letrar shkrimtarit Llesh Ndojt Drejtoria për kulturë, rini e sport në Klinë, i ndau një “Mirënjohje” për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në letërsi dhe kulturë. Po ashtu shkrimtari dhe pronari i shtëpisë botuese “Faik Konica”, në Prishtinë, Nazmi Rrahmani, i dhuroi shkrimtarit Llesh Ndojt kompletin e veprës së Azem Shkrelit. Gjithashtu shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, prof. dr. Anton Nikë Berisha, i dhuroi Llesh Ndoji kompletin e Studime letrare të zgjedhuar që kohë më parë e nxori në dritë shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës.

Libri “Poet i natyrshëm dhe i mëvetësishëm. Takim letrar me shkrimtarin Llesh Ndoj nga Lezha” me punimet që përfshihen në të, ndriçon dukuri e vlera të rëndësishme të veprës së Llesh Ndojit.

Klinë, gusht 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.