Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Reagimi i qeverisë komuniste të Shqipërisë
Qeveria komuniste e Shqipërisë, që ishte treguar në shikim të parë si e paanshme për ndjekjet e vazhdueshme që u ishin bërë shqiptarëve në Jugosllavi, qëndroi pezull edhe këtë herë deri më 8 prill: aq sa mori edhe një kompliment nga ana e Stane Dollancit, në deklaratën që ky e bëri me 6 prill.
Por, duke e parë se me qëndrimin e heshtur ndaj ngjarjeve të Kosovës nuk po kontribuonte në qetësin e situatës, qeveria komuniste e Tiranës, u zgjua më 8 prill me një artikull të gjatë të botuar në gazetën zyrtare të partisë “Zëri i Popullit”. Ky artikull ishte një dokumentim mbi gjendjen e Kosovës dhe mbi qëndrimin tiranik të qarqeve të Beogradit kundrejt shqiptarëve në Jugosllavi.
Përdhunimet e policisë dhe të ushtrisë jugosllave, që përdorën tanket për të shtypur manifestimet e studentëve dhe të punëtorëve, kritikohen siç duhet. Po ashtu, artikulli i tregon qartë arsyet e këtyre lëvizjeve studentore dhe punëtore, shfrytëzimin ekonomik, mungesën e lirive dhe të drejtave politike që e kanë zhytur popullsinë shqiptare në Jugosllavi në mizërie e në dëshpërim.
Mbasi tregon keqbërjen e regjimit të Beogradit kundrejt popullsisë shqiptare, artikulli i “Zërit të Popullit” sugjeron një shikim objektiv dhe realist të problemit shqiptar në Jugosllavi, duke ia kujtuar qeverisë së Beogradit se duhet t’i njohë popullsisë shqiptare liritë demokratike dhe të drejtën politike për një “republikë autonome”. Përndryshe, shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi do të mbeten të nënshtruar e të shtypur, në mëshirën e serbëve, të maqedonasve dhe të malazezve.
Artikullit të “Zërit të Popullit” nuk i mungon forca as objektiviteti. Por, regjimi komunist i Tiranës duhej të ishte përpjekur me kohë për çështjen e Kosovës. Më 1945, kur ishte koha e “muajit të mjaltit” ndërmjet partive komuniste shqiptare e jugosllave, dhe kur komunistët shqiptarë talleshin me kombësinë – brigadat e Enver Hoxhës, gjoja në ndjekje të gjermanëve, patën shkuar në Jugosllavi për t’i nënshtruar Titos shqiptarët e Kosovës dhe, në bashkëpunim me UDB-në jugosllave, patën vrarë me mijëra shqiptarë kosovarë. Qeveria e Enver Hoxhës e lejoi UDB-në jugosllave të hynte edhe në Shqipëri dhe të vriste nja një mijë kosovarë që ishin strehuar aty.
Më vonë, Shqipëria komuniste, që është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte bërë qesharake duke mbrojtur të drejtat e Kinës dhe të popujve të Afrikës, por nuk e ngriti zërin kurrë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi dhe për të kërkuar ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara kundër politikës së urryer të Beogradit që po i shfaroste shqiptarët. Në këto ngjarjet e fundit, kur ushtria jugosllave lëshoi tanket kundër popullsisë shqiptare, qeveria e Tiranës duhej t’i drejtohej Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe jo të kënaqej me botimin e një artikulli (ose të disa artikujve) në “Zërin e Popullit.”[1]
Ndryshimet e papritura në udhëheqjen e Partisë Komuniste në Kosovë
Menjëherë pas demonstratave studentore, më 1981, në Kosovë kishte filluar një fushatë e madhe ndaj udhëheqësve shqiptarë të Kosovës. Ata fyheshin e njolloseshin nga shtypi jugosllav me fjalët më të ndyra, por edhe kishin filluar ndërrimet e shumta të tyre nga vendet udhëheqëse.
Shtypi i mërgatës shkruan se në Kosovë, është ndërruar nga vendi udhëheqës Veli Deva dhe arsyetimi ka qenë se ai ishte njeri i paditur dhe jo i zoti për të qenë në atë vend të punës me përgjegjësi. Në vendin e tij është emëruar Sinan Hasani. Kryetarin e Lidhjes Socialiste të Kosovës Ali Shukrin e kanë larguar dhe në vend të tij e kanë vënë Kolë Shirokën. Dhe në vendin e Riza Sapunxhiut, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, e kanë vënë Ymer Pulën[2].
Po ashtu, edhe disa udhëheqës lokalë i kishin pushuar nga puna dhe i kishin burgosur, siç janë: Muhamet Fejzullahu, Adem Hyseni, Shefki Qorolli, Ibrahim Qorolli, Mahmut Jashari dhe Izet Aliu.[3] Ndërsa shumë nxënës i kanë përjashtuar nga shkolla dhe prindërit e tyre i kanë dënuar me shumë vjet burg të rëndë.
Akademi Përkujtimore për dëshmorët e vitit 1981
Lidhja Kosovare në mërgim kishte organizuar një mbledhje përkujtimore kushtuar dëshmorëve të Kosovës. Përveç shqiptarëve të Çikagos, në këtë mbledhje përkujtimore merrnin pjesë edhe shqiptarët nga Detroiti dhe Nju-Jorku me miqtë e tyre.
Në akademi ishin mbajtur shumë fjalime nga të pranishmit dhe ishin kryer shumë rite fetare për shpirtin e kosovarëve, që kishin dhënë jetën nën plumbat e ushtrisë dhe milicisë jugosllave.
Fjalimin kryesor e kishte mbajtur Profesor Luan Gashi, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Kosovare. Nga ana e Lidhjes Kosovare kishin folur edhe Hafez Jusuf Azemi dhe imami Hysni Hoxha.
Po ashtu, një fjalë rasti shumë të fuqishme antijugosllave e antikomuniste e kishte mbajtur edhe zotëri Sulejman Meçua, anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.
Me një fjalë, shumë domethënëse për mërgatën ishte paraqitur edhe Dom Prenk Camaj, famullitar i kishës Shën Pali në Detroit; Selfo Hoxha, kryetar i Lidhjes Çame në mërgim; Vesel Ujkaj nga ana e Heroizmës Shqiptare. Po ashtu, në foltore ishin paraqitur edhe Prenk Gruda, Eqrem Bardha, Abdyl Henci, ndërsa zotëri Nimet Malo kishte lexuar një telegram dërguar mbledhjes nga ana e Profesor Abas Ermenjit[4].
Demonstrata u organizuan edhe në Detroit
Më datë 30 gusht 1981, ditën e diel, në qytetin e Detroitit ishte organizuar një demonstratë e madhe nga mërgata shqiptare që jetonte në këtë qytet dhe në rrethinën e tij. Veç këtyre, në këtë tubim të madh antijugosllav e antikomunist, kishin marrë pjesë edhe shumë shqiptarë nga shtete të tjera të Amerikës dhe kishte të tillë që kishin ardhur enkas edhe nga Kanadaja e vende të tjera. Qëllimi i demonstratës ishte që të denoncoheshin në mënyrë të hapur aktet çnjerëzore të komunistëve serbomëdhenj kundër popullit shqiptar në Kosovë.
Mbas demonstratave që ishin organizuar anekënd Amerikës, si: në Uashington, në Nju-Jork, Çikago, Kaliforni dhe në Toronto të Kanadasë, po ashtu u organizuan edhe në Australi dhe në të gjitha qytetet kryesore të Evropës Perëndimore, edhe shqiptarët në Detroit e kishin parë të nevojshme që të organizonin një demonstratë dhe t’u tregonin vëllezërve nga Kosova se nuk janë të vetëm.
Nga Komisioni i cili e kishte marrë përsipër organizimin e demonstratës, ata kishin përgatitur dhe kishin shpërndarë një thirrje ku thuhej: “I bëjmë thirrje mbarë emigracionit nacionalist, antikomunist shqiptar që të marrë pjesë pa rezervë. Po të marrin parasysh që studentët dhe mbarë populli i Kosovës u ngritën dhe u përleshën me ushtrinë serbe ditë e natë, javë e muaj me radhë, dhe mijëra prej tyre dhanë jetën për idealet e shenjta shqiptare (sipas shtypit botëror, po sjellim shembull gazetën austriake “The Evening Standard”, e cila njofton për më shumë se 10.000 të vrarë), atëherë si të mos mundemi ne të dalim në një manifestim paqësor, në një ditë pushimi, në këtë vend të lirë, që na i jep të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore?
Arsyeja që demonstrata bëhej në ditën e diel, ishte se po këtë ditë ishte dita kryesore e një festivali jugosllav të organizuar dhe të drejtuar prej qeverisë komuniste të Beogradit.
Sipas revistës “Krahu i Shqiponjës”, kësaj thirrjeje iu përgjigjën më shumë se 600 veta. Numri më i madh i demonstruesve kishte ardhur nga Çikagoja. Demonstrata e Detroitit kishte pasur një jehonë të madhe, si te mërgata shqiptare ashtu edhe te vetë qytetarët e Detroitit. Por ajo që edhe ishte qëllimi i këtij manifestimi, demonstruesit kishin arritur që të paralizonin plotësisht të ashtuquajturin “Festivalin Jugosllav”, që zhvillohej atë ditë në Detroit. Stacionet kryesore të televizionit, gazetat e qytetit dhe stacionet e radiove i kushtuan demonstratës një vëmendje të posaçme gjatë dy-tri ditëve[5] në vazhdim, duke e lënë nën hije krejt manifestimin e qeverisë jugosllave.
Një kolazh i pasur fotografish nga demonstratat
Në dy faqe të revistës “Krahu i Shqiponjës”, në vazhdim prezantohen një mori fotografish nga manifestimi i demonstratave që ishin të organizuara më 30 gusht në Detroit. Në fotografi po ashtu paraqiten edhe demonstruesit shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Amerikës. Pastaj janë prezantuar kryetari i Komisionit për organizimin e demonstratës, z. Gjon Lulgjuraj, Dom Prenk Camaj, zotëri Zef Kolë Mëhilli, po ashtu duhet cekur se në këtë demonstratë marrin pjesë edhe kroatët dhe në një fotografi dukej edhe flamuri kroat duke valëvitur pranë atij shqiptar.
Mërgimtarët tanë festonin ditën e pavarësisë
Në një shkrim të revistës me titull “Më të fortë se kurdoherë”, bëhej fjalë për përgatitjet dhe festimin e shqiptarëve tanë që ndodheshin në mërgim jashtë vendit shqiptar. Edhe pse jetonin të shpërndarë në të katër cepat e botës, për festa dhe kur u paraqitej nevoja, ata ishin të bashkuar falë vetëm organizimit të mirëfilltë të lëvizjeve çlirimtare shqiptare. Në shkrim gati në dy faqe tekst jepet historiku i luftërave shqiptare për liri dhe pavarësi.
Autori fillon me fjalën e diskutuesit të parë, i cili niste me këto fjalë: Vëllezër të dashur!
Gjithçka te ky dhé, është e huaj për ne. Kjo sallë, sendet përreth, njerëzit, rrugët këtu na shikojnë ftohtë. Në qoftë se ndonjëherë edhe ndodh të na hetojnë praninë, atëherë praninë tonë e ndiejnë si praninë e një lecke të hedhur në rrugën e madhe.[6] Dhe, vërtet, a ka më trishtuese dhe më të dhembshme sesa këto fjalë që i shkruan autori. Sado i mençur dhe i fuqishëm të jesh, mendon autori, vendi i huaj dhe njerëzit e saj mërgimtarin nuk e hetojnë. Jo vetëm që nuk e hetojnë, por nuk e llogarisin as si ndonjë gjë të rëndësishme që mund të ndikojë në rrjedhat e atij vendi. Kështu mendonte autori i kësaj fjale përshëndetëse në manifestimin e Ditës së Pavarësisë.
Pastaj, autori u dëfton të pranishmëve se si historia na la me gishta në gojë dhe në bisht popujsh të tjerë, që erdhën shumë më vonë në trojet e stërgjyshërve tanë. E kush i ka shërbyer më mirë se ky popull historisë? Kush ia lau asaj më me rregull tatimin e gjakut e të sakrificës? Dhe kush kërkoi më pak prej saj: vetëm tërësinë e tokave tona deshëm dhe jetën në shtetin e përbashkët kombëtar; atë që të gjithë të tjerët në Evropë e kishin prej motesh.
Por, në vend që të sendërtohej kjo aspiratë e drejtë, jeta na katandisi në robëri, në skamje e mjerim. Jeta na shpërndau rrugëve të kurbetit.[7] Me të drejtë thotë autori i shkrimit se ky shekull vetëm një gjë nuk e arriti: të na i presë rrembat e gjakut stërgjyshor, të përtërirë brez pas brezi nga fatosat, që për vatan e troje të veta, “e kanë ba dekën si me le.”[8]
Autori flet shtruar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, për shqiptarët e Çamërisë, të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, flet për Luftën e Dytë Botërore dhe padrejtësitë e mëdha që iu bënë popullit shqiptar më 1945, duke përfunduar me angazhimin e madh të ilegales shqiptare, si në mërgatë po ashtu edhe në Kosovë.
Atdhetaria e profesorëve trajtuar nga shtypi ilegal
Akademikët Ali Hadri, Rexhep Qosja, Fehmi Agani e Mark Krasniqi, që të katër personalitete të shquara shkencorë, arsimorë e shoqërorë, profesorë universiteti, për shumë vite udhëheqës në vende të rëndësishme në institucione shkencore e arsimore të Kosovës, akademik, autorë të shumë librave e punimeve shkencore, gëzonin respekt te njerëzit e penës dhe të pushkës. Por, ajo që vlen të ceket është se pas viteve 80-të shtypi ilegal vlerësonte lart kontributin e tyre për çështjen kombëtare dhe për statusin e pazgjidhur të Kosovës në kuadrin e ish Jugosllavisë[9].
E shoh të arsyeshme që të ndalem vetëm sa për të informuar opinionin e gjerë, se profesor Ali Hadri dhe shumë intelektualë të tjerë, qysh ditët e para të shkollimit në Beograd, ndoshta edhe më herët, UDB-ja kishte filluar t’i përcillte studentët e rinj nga Kosova. Në dokumente për deformimet e Shërbimit Sekret Shtetëror, thuhet se menjëherë pas Plenumit të Brioneve, u morën në pyetje krerët e këtyre deformimeve.
Në deklaratën e Shaban Kajtazit thuhej se Miça Mijushkoviçi bënte çfarë të donte. Bile në një rast Shaban Kajtazi i kishte thënë: “Se kurdoherë kjo ka me na u hakmarrë. Miça u pajtua me të, duke thënë se Rajku është i butë dhe shumë iu beson njerëzve, pastaj ata e keqpërdorin. Të njëjtën gjë i kam thënë edhe për Ibro Haskaj, për të cilin më janë ankuar shumë qytetarë, në mesin e të cilëve ka qenë edhe Ali Hadri nga Gjakova dhe të tjerë”[10].
Më 1949-50, Drejtorati Krahinor për Arsim e Kulturë i Kosovës kishte shpallur se do të dërgonte një grup nxënësish që kishin kryer shkollën e mesme në shkolla të larta e fakultete në Beograd. Në kujtime të një bashkëkohësi të profesorit, ish student i Beogradit, Mehmet Dushku, avokat i njohur nga komuna e Vitisë, thuhej se: “Në këtë shkollë gjeta studentë të regjistruar nga Kosova, ndër ta ishin: Ramiz Hoxha, Ali Hadri, Vahide Hoxha, Abedin Kupa, Salih Kika, Ahmet Kelmendi, Enver Dukagjini[11] etj.”. Në vitin 1951, Ali Hadri mbaron shkollën e lartë dhe po në të njëjtin vit regjistrohet në Fakultetin Filozofik- dega e Historisë ku dhe diplomoi me sukses të shkëlqyeshëm.
Nga të dhënat që kemi dhe që i kemi hasur në dosjet e ndryshme të të burgosurve politik dhe njëherë të shtypit ilegal të kohës, vijmë në përfundim se organet e Sigurimit, qysh herët e përcillnin profesorin. Lirshëm mund të zbresim shkallëve të historisë, dhe qysh më 1948-49, kur u arrestua grupi i studentëve të Prizrenit që studionin në Beograd, ndër pyetjet e para që iu bënë të akuzuarve ishte edhe ajo, “Ali Hadri a mori pjesë në festën e flamurit që organizuat në Beograd“ (fjala është për manifestimin që organizuan studentët shqiptarë për ditën e flamurit më 28 nëntor 1950.
Ata këtë ditë të shënuar e festuan ilegalisht dhe më vonë ndoshta ky manifestim ishte njëra ndër arsyet kryesore që u arrestuan). Të burgosurit pjesërisht e mohuan pjesëmarrjen e profesorit, por e vërteta ishte se studenti i ri nga Kosova së bashku me Enver Dukagjinin, Refik Nushin, Masar Shportën, Talat Goranin dhe Rexhep Hoxhën organizuan një manifestim për ditën e flamurit në konviktin e studentëve “Ivo Lola Ribar” në Beograd, në dhomën e Talat Goranit. Me këtë rast, u këndua Himni Kombëtar shqiptar dhe disa këngë të tjera me përmbajtje kombëtare, ndërsa Rexhep Hoxha si poet i ri që ishte kishte recituar disa poezi[12] shkruar enkas për këtë rast.
Në dosjen e UDB-ës, thuhej: “Ali Hadri ishte arsimtar i gjimnazit shqiptar në Pejë. Ishte 23 (njëzetetre vjeç), me prejardhje nga Gjakova. Ishte mbështetës i IB-ës, ishte nacionalist i përbetuar edhe sa ishte student në Beograd. Zakonisht donë një këngë që shpesh e këndon me zë para studentëve të tjerë. Kënga titullohej “Kosova është zemra e Shqipërisë” Ndërsa përmbajtja e këngës është “Sa nëna mërzitën për bijtë e tyre, sa vajza mërzitën për të dashurit e tyre që ndodhën nëpër burgje, si luftëtar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“. Këngën Aliu e ruante si gjë konspirative[13]. Kjo e dhënë dëshmon se profesor Ali Hadri edhe më herët survejohej nga organet e UDB-ës.
Në veprimtarinë patriotike-atdhetare si student ishte shumë aktiv, dhe merrte pjesë në çdo aktivitet që për qëllim kishte sensibilizimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Pas përfundimit të procesit gjyqësor të grupit të studentëve të Beogradit i përbërë nga Enver Dukagjini, Refik Nushi, Masar Shporta, u akuzuan sipas nenit 117 të LPJ, se kanë kryer vepër penale politike duke u organizuar kundër popullit dhe shtetit, duke pasur për qëllim shkatërrimin e bashkim-vëllazërimit të popujve të Jugosllavisë dhe shkëputjen e një pjese të shtetit me një shtet tjetër. Më 24 qershor 1954, në Prizren, për “fajet” që iu ngarkuan u dhanë dënime të larta.
Enver Dugagjini u dënua me 7, Refik Nushi me 4 dhe Masar Shporta me 6 vjet burg[14]. Ali Hadri edhe pse kishte marrë pjesë aktive në tërë aktivitetin e grupit, falë qëndrueshmërisë dhe konspiracionit të thellë të shokëve nuk u zbulua dhe nuk mundën ta arrestonin. Dhe çfarë absurdi, pas sa e sa viteve profesori dënohet se në një kohë dhe në një konvikt studentor, kur ishte fare i ri paska kënduar një këngë nacionaliste.
Organet e LKJ-së, Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së të Jugosllavisë si dhe organet e tjera shtetërore kërkuan që profesori i nderuar të largohej nga pozita e drejtorit dhe të merreshin masa ndëshkuese duke përfshirë këtu edhe burgosjen e tij. Pas një varg sulmesh nga instancat e ndryshme të hierarkisë politike jugosllave, Akademik Ali Hadri u detyrua të jap dorëheqje nga posti i drejtorit dhe u përjashtua nga Instituti.
Por nuk mori fund me kaq odisejada e profesorit, që prapa vetes kishte gjenerata e gjenerata studentësh që me besnikërinë më të madhe po vazhdonin të ecnin në rrugën e shkencës së mirëfilltë që e kishte shtruar vetë profesori. Frika qëndronte edhe këtu, se rrugën e profesorit e vazhdonin kandidatët e tij, dhe në vazhdimësinë e hulumtimeve shkencore nuk ndryshonte gjë. Andaj, pushtetarët nuk u kënaqën me aq, por në mbledhjet e stërzgjatura vazhduan me diferencime ndaj ish- studentëve të tij.
Në vazhdim do t’u referohemi shënimeve statistikore që publikon në janar 1983 “Informata për aktivitetin ideopolitik të LK-së në Universitetin e Kosovës”. Nga viti 1981-1983 nga procesi arsimoro-shkencor në Universitetin e Kosovës u larguan 25 mësimdhënës me grada të ndryshme shkencore, prej të cilëve tre ishin akademikë: Akademik Ali Hadri, Akademik Fehmi Agani, Akademik Gazmend Zajmi.[15]
Në fakultete nuk mundën të regjistroheshin 157 kandidatë (studentë), për shkak të papërshtatshmërisë ideopolitike[16]. Gjatë vitit 1982-1983, 113 studentë nuk fituan të drejtën të vendoseshin në konvikte, 64 studentë u përjashtuan nga Qendra Studentore, 58 studentë u përjashtuan nga universiteti, pa të drejtë regjistrimi për një vit, 107 studentë morën vërejtje me shkrim dhe 54 studentë morën vërejtje me gojë[17].
Mirëpo, nuk mori fund me kaq procesi i diferencimit në Kosovë. Në atë dokument thuhej: “Në kuadër të diferencimit ideopolitik u arritën rezultate të dukshme në mesin e të rinjve, megjithëse ky proces edhe më tutje vazhdon”. Në vitet e mëvonshme kuadrot shqiptare u ballafaquan me probleme edhe më të mëdha. Cikle – cikle u përsëritën fushatat e spastrimeve të intelektualëve, tregtarëve, klerikëve, pastaj natyrshëm vinin viktimat “e divorceve politike”, ish luftëtarët, komunistët e me radhë pak e nga pak që të gjithë.
Por s’duhet harruar se kishte viktima të diktaturës që kishin rënë jo për disidencë, por për motive të tjera absurde e deri te më të rëndomtat, qoftë edhe, sepse kishin parë diçka… kishin dëgjuar diçka… dinin diçka… Dhe lirshëm mund të thuhet se ajo periudhë e kaluar nën diktaturën jugosllave, ishte periudha më e vështirë e shqiptarëve.
Në Kosovë dhe në trojet shqiptare në ish Jugosllavi, organizoheshin procese të shumta gjyqësore politike kundër studentëve dhe intelektualëve por pa u kursyer as të tjerët. Teza “Bisogna spegnere questo cervello” (duhet shuar ky tru), ishte futur në sistem dhe ishte legalizuar. Gjykatësit e pushtetarët serbë e shqiptonin hapur këtë. Zemërimi, egoizmi, urrejtja e mllefi, instinkte këto, që i gjen rrallë tek njerëzit në ato përmasa.
Për çdo ditë e muaj numri i të diferencuarve siç ishin studentët e profesorët shtohej gjithnjë e më shumë. Kësaj i ndihmoi më tepër dokumenti që miratoi Komiteti Krahinor i LKK-së në vitin 1985, me titull “Kriteret për vërtetimin e përshtatshmërisë moralo-politike të studentëve”, që në vetvete përfshinte marrjen e masave ndaj studentëve dhe nxënësve që kryenin shkollat e mesme dhe donin të regjistroheshin në fakultete e shkolla të larta[18]. Dokumenti në fjalë, sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare, shkelte të drejtat elementare të njeriut. Në vazhdim do të japim vetëm disa nga kriteret që caktonte ky dokument:
(vijon)
[1] Po aty.
[2] Ndryshime në udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kosovës, Qindersa Shqiptare, nr. 116, 8, Paris.
[3] Po aty.
[4] Mbledhje përkujtimore, Krahu i Shqiponjës, shtator 1981, 5, Çikago.
[5] Demonstratë në Detroit, Krahu i Shqiponjës, shtator, 1981, 7, Çikago.
[6] Më të fortë se kurdoherë, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr 1, Janar-Shkurt 1981, f. 2.
[7] Po aty.
[8] Po aty.
[9] Sabile Keçmezi-Basha, “Akademik Ali Hadri në mbrojtje të simboleve kombëtare” , përmbledhje punimesh, Ali Hadri, jeta dhe vepra, Prishtinë, KGT, 2009, 184-185.
[10] ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor, d. Plotësimi i deklaratës se Shaban Kajtazit dhënë më 19 korrik 1966.
[11]Mehmet Dushku, Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare 1943-1965, Prishtinë, Rilindja, 2001, 13l; Arkivi i Gjykatës së Qarkut, Pejë, d. Procesi gjyqësor i Enver Dukagjinit, Aktgjykimi P.nr. 48/54, 24 qershor 1954.
[12] Arkivi i Gjykatës së Qarkut, Pejë, d. Procesi gjyqësor i Enver Dukagjinit, 24 qershor 1954.
[13] Po aty.
[14] Po aty.
[15]ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor i LKK, 1981, d. Informata për aktivitetin ideopolitik të LK-së në Universitetin e Kosovës”, në janar 1983; Esat Stavileci, Vepra 1, Kosova në ish- Jugosllavi-La decomposition de l’ex-Zougoslavie et la question du Kosovë-, Prishtinë, Institucioni i Arsimit të Lart, Dardania, 2013, 190-193.
[16] ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor i LKK-s, d. Informacija o idejno-politiçkoj aktivnosti SK na Univerzitetu Kosova, januar 1983.
[17] Po aty, Informata… vepër e cituar.
[18] ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor i LKK-s, d. Programi aksional i veprimit të LK të Kosovës në luftë kundër forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare dhe për stabilizimin e gjendjes politike në Krahinë, KK I LKK-së, Prishtinë 23 maj 1981.