3.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Shkurt 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

EPITETI “HYJNORJA” ose Trokitja e dashurisë na zuri

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Sabit Rrustemi - Portret

HYJI IM I VJETËR E I RI

Hyji im që s’të shoh por të ndjej
n’ata qiej që m’grish prore
s’prish punë në të gjej a nuk të gjej
tek ty zbërthej ëndrrën time
ëndërr lutje e gjakimi
kësaj udhe me përkushtim
atë që nuk e kam ma dhuro
më prano kështu si jam
se kur dua dua pafund
për dashuri një botë e tund
dhe veten e shkund për pikë
veten që dot nuk e mund

Hyji im i vjetër e i ri
me qiejt e kaltër n’shuplakë
pa dashuri s’ka paqe as mirësi

(13 nëntor 2011)
(Libri 1, faqe 292.)

Shefqet DIBRANI

[Fragment…]

Hyjnorja[1] ose hyjnore, janë shprehje që rrjedhin nga Hyji. Besimi në të, është subjektiv, pasi e vërteta nuk ekziston. Edhe në lirikën e Sabit Rrustemit, të cilën e nisë me vargun “Trokitja e dashurisë na zuri”, është nocion për të shprehur botëkuptimin në dashuri, një subjekti figurativ që i rri përballë dhe i përfytyrohet, dhe kjo është e vërtetë e vetme?!… Prandaj “dashuria e vërtetë nuk është as fizike, as romantike. Dashuria e vërtetë është pranimi i gjithçkaje i asaj që ёshtë, ka qenë dhe që do të jetë”[2] por si materije fizike nuk ekziston. Dashuria është botkuptim metafizik[3] mbi materjen, është frymë që pa të nuk bënë, është fuqia mbinatyrore – Zoti, në të cilin të gjithë besojnë, asnjëri nuk e ka parë. Zoti si materie fizike nuk duket, por as nuk ekziston.

Besimi në dashuri sikurse në Zot, ktheht në përftyrim objektiv dhe përfytyrohet dhe përjetohet si realitet i çasshëm, vetëm nëpërmes këtyre lirikave. Dashuria është sikurse Ylberi, të cilin e shohim, por askush gjerë më sot nuk mund ta dëshmojë se e paska prekur. Legjendat kanë bërë udhën e vet dhe për shekuj kanë ndikuar në besimin dhe bestytnitë e shoqërisë. Dashuria, nuk duket por përjetohet. Kjo është e vërteta! Të besosh në atë fenomen metafizik, që si doktrinë filozofike idealizon dhe hyjnizon një fenomen, dhe në anën tjetër kërkon me ngulm ta zbulojë thelbin e kësaj ndjenje dhe të këtij përjetimi.

Sabit Rrustemi - Hyjnorja 3-4

Edhe më thellë, edhe më përjetueshëm duhet gjetur një lidhmëri figurative, për të kuptuar qëllimin që poeti ia ka vënë vetës, për të shenjtëruar një fenomen i cili nuk duket, nuk shihet, por përjetohet madje në aspektin lirik, falë përvojës ai eksploron[4] në mënyrë të qartë (eksplicite)[5], pavarësisht keqkuptimeve dhe interpretimit me gabime të nocionit “dashuri”, brenda këtyre lirikave, në të cilat poeti askund nuk përmend fjalën “Grua”, “Vajzë”, “Hyjnesh”, “Hyjnore” e sinonimet e ngjashme, duke pranuar vetëm nocionin e vënë në titull “HYJNORJA”, sepse nëpër lirika është shumë i rezervuar, prandaj nuk e ngatërron botkuptimin magjik dhe liturgjik të “Hyjnorës”, qoftë ky si botkuptim mitologjik, si interpretim liturgjik, e qoftë si frymë magjike e saj. E gjitha, kjo poezi është një lirikë brilante, mirë e konceptuar, kurse vetëm nga struktura e organizimit teknik, hap mëdyshje?! Pastaj është përkushtim i gjatë dhe kërkon durim.

Ky poet, për 12-Vjet, 12-Muaj dhe 12-Libra “InTime”, ka arritur për të ndërtuar “Simbolikën Magjike të Nr.12”, mbi të cilën, për të cilën dhe në të cilën magji është fokusuar edhe studimi im, për të qitur më në pah disa vlera ekzotike që i ka libri “HYJNORJA IME JE TI”, i botuar në 4-Vëllime që ngjasojnë me 4-Stinët e një viti kalendarik, ashtu sikurse përpjekja e poetit për të futurë poezinë e 3-Viteve, ashtu siç janë stinët me nga tre muaj të vitit kalendarik, brwenda një vëllimi, është sfidë dhe çështe e paramenduar më parë. Ky aspekt magjik, për mua ishte provokimi i parë, i cili më ka nxitur për ta zgjeruar studimin deri në këtë masë.

Hyjnizimi i dashurisë, gjer ku ka shkuar poeti, është diçka e madhërishme e rrallë dhe e papërseritshme në letërsinë shqipe. “Të dashurosh do të thotë të besosh te dashuria/…/ Të dashurosh do të thotë të përkujdesesh për (frymën) që dashuron[6], ashtu siç beson dhe përkujdeset për lirikat e veta, vet Sabit Rrustemi. Në anën tjetër teoria epistemologjisë, shqyrton marrëdhëniet e njeriut me Zotin, duke krijuar “një qetësi shpirtërore” që imponon “ndjenjë heshtjeje, e ngjashme me atë në një lutësore kishe[7].

Në rastin konkret, tek poezia e Sabit Rrustemit, kemi marrëdhënien e poetit me besimin, si botëkuptim metafizik[8], që ka fituar edhe nocionin “Hyjnorja”, ndërsa etimologjia e këtij botëkuptimi është derivat i besimit pa kushte në Zot. Njëjtë, sikurse nga këndvështrimi i kësaj lirike, supozohet se poeti Sabit Rrustemi, më shumë beson në Hyjnoren e këtyre lirikave se sa në Zot, dhe ky konstatim duhet të merret përbazë duke krahasuar raportin, e besimit, ndijimit dhe të përjetimit, në mes Hyjnores dhe Zotit, gjithnjë sipas katërvëllimshit lirik tek kolona “HYJNORJA IME JE TI”, pastaj gjithsecili lexues do të kuptoj baraspeshën e kësaj paraleleje që e tërhoqa.

Katërvëllimshi “HYJNORJA IME JE TI”, nis me poezinë “Lulja e dashurisë”, një bashdyzim fizik dhe tjetri magjik. Lulja, është materje fizike, ndërsa “dashuria”, është nicion filozofik, interpretim i takon liturgjisë. Por, për mua më shumë duket si shprehje magjike, për ndryshe, nëse kjo lirikë nuk është e prekur nga e magjishmja, nuk do të ishte zhvulluar gjerë në këto përmasa.

LULJA E DASHURISË

Trokitja e dashurisë na zuri
në kohë të pakohë

Të ndrydhur e të paçliruar
momenteve që ikën
pa i shijuar

Sado e vonë mbeti Trokitje
që i dha aromën e munguar
jetës sime

Nuk arrita të të ruaj nga Vetja
as Veten Time nga Ti

Aq sa munda u përpoqa
herë ia dola falë Teje
herë rashë në provim i nxitur nga Ti

Portat e zemrave u hapën vetvetiu
me Luledashuri
në këtë jetë të mbetur
pa të trazuar më shumë
pa të dashur më pak

Secilën herë
të kam ndjerë
ashtu si më ke dëshiruar

Dhe mbete Lulja e Dashurisë
për shpirtin tim

(27 kallnor 2009)
(Libri 1, faqe 7.)

Natyrisht duke u “ndërprerë shpesh si një frymarje nga ankthi, një kalim i fletëve me heshtjen e bërjes së kryqit, një përulje e lehtë e kokës mbi tekstin e poezisë thua se përulesha mbi ndonjë ikonë dhe në fund një dritë që vinte prej tekstit, sikur brenda tij të ishte ndezur ndonjë qiri si në të dielën e Pashkës së Madhe[9]. E, sipas përkushtimit lirik Lutja[10], gjegjësisht Urata[11], nëse supozojmë se drejtohet nga “Lteri”, vend i “lartësuar që të shihet më mirë kur i kushtohen Hyjit – flitë”[12], dhe ka një anologji me poetin, i cili sikur pretenduaka se me bekimet e tij lirike, është më afër Hyjnorës, përkatësisht Hijes së Zotit.

Andaj “Hyjnorja”, si protagonistja kryesore dhe e vetme i katërvëllimishit lirik, është Figurë e Shenjtë dhe ka fuqi hyjnore, ose është vet ajo Fryma Magjike, muzë poetike krejtësisht e pashterrshme për këtë motiv të frymëzuar dhe inspirim magjik. Andaj edhe poeti ka të drejtë kur beson në bekimin që i paska dhuruar dashurisë, kushtuar hyjnores, për t’i ngjallur muzat dhe për tu inspiruar për këto lirika me ndikim, me të cilat ka sajuar këtë vepër monumentale, si arti më i mrekullueshëm i Lirikës së Sotme Shqipe. Dhe pa dyshim, ky predikim lirik vjen në saje të besimit dhe të bekimit hyjnorë, për ta lartësuar në piedestal Figurën e Shenjtë të Femrës Shqiptare!…

E DIELA E DASHURISË

Java jonë e jetës
përmbyllet përherë
me një ditë të diel

Le të jetë kjo ditë e faljeve
për mëkatet që nuk i themi

Ditë e lutjeve
për atë që e duam
e nuk e kemi

Ditë e bekimeve
për atë që e shijojmë thellë
shtresave të paqta
të zemrave
deri në amshim

E dielë e dashurisë
qoftë çdo ditë

(7 shkurt 2010)
(Libri 1, faqe 113.)

Fjala “Hyjnore”, është emër i gjinisë femërore, edhe pse me automatizëm mendja në shkon se ka kuptim liturgjik, për poetin duket se është bërë Liman ku i ka ankaruar të gjitha ndjenjat me këtë përkushtim të shenjtë, sepse të krijosh diçka të bukur lidhet me atë ndjenjën e Hyjit, dhe si krijim artistk edhe vet poeti e përjeton “Vepër të Shenjtë”, ngase “në qenësi, kjo poezi është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut[13]. Pra, është fryma me energji pozitive dhe me kuptim të figurshëm, veçmas kur poeti “i dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë për femrën[14], bëhet predikues i rregullt i lirikave. Ky mendim sforcohet edhe më tej, sidomos kur marrim parasysh skemën e ndërtimit të “Simbolikës Magjike të Nr.12“.

Nga ky prizëm s’kemi si të mos besojmë se në këtë konstalacion dymbëdhjetëvjeçar, i përpjestuar në 48-Stinë të vitit dhe me nëndarje në 144 muaj kalendarik, e përbëjnë të kompletuar, të begat dhe po aq magjik për Nr.12, rreth të cilit sillet edhe qasja ime e këtij studimi për poezinë lirike të Sabit Rrustemit. Natyrisht, në këto 12-Vjet, siç veproi “Krijuesi”, i cili është vet “Hyji që krijoi gjithësinë[15], edhe poeti si “Krijues i Lirikave”, me sistemin e rrotaciot biblik i paska përjetuar 12x, Pranverën, Verën, Vjeshtën dhe Dimrin, andaj ndikimi i Hyjit dhe të Yjeve/Zodiakut[16], në këtë ndjenjë, në këtë pasion dhe në këtë energji, askush nuk mund ta mohoj!…

* Fragment nga një studim më i gjatë!

St. Gallen, 22 shkurt 2025.


[1] Enciklopedia e Lirë “WIKIPEDIA” – Hyjnorja; https://sq.wikipedia.org/wiki/Hyjnorja

[2] Fatmir Minguli, “JEHONA DASHURIE MBI ÇEPUR”, Portali KRYELAJMI, 11.05.2020; https://kryelajmi.com/jehona-dashurie-mbi-cepur/

[3] Metafizik, shih. “Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe“, botoi Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1980, faqe 1119.

[4] Eksplorim, Po aty, “Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe“, botoi AShSh, Tiranë 1980, faqe 420.

[5] Eksplicit, shih Fjalori dixhital “FJALË / Fjalor Shqip”; https://fjale.al/eksplicit

[6] Timo Mërkuri, “QASJE POEZISË SË SABIT RRUSTEMI”, studim letrar, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2024. “FEMRA NË ALTARIN E SHENJTËRIMIT POETIK”, faqe 103-116.

[7] Po aty, Timo Mërkuri, “FEMRA NË ALTARIN E SHENJTËRIMIT POETIK”, faqe 103-116.

[8] Botëkuptim metafizik, (metodë studimi që kërkon të zbulojë thelbin më të thellë të një botëkuptimi, materje, a ndijimi). Shih. “Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe“, botoi AShSh, Tiranë 1980, faqe 1119.

[9] Timo Mërkuri, “KËSHTU I KËNDOHET DASHURISË”, Atunispoetry, 28.01.2020; https://atunispoetry.com/2020/01/28/keshtu-i-kendohet-dashurise-persiatje

[10] Imzot Nikë Prela, “FJALORI BIBLIK”, botoi “DRITA”, Ferizaj 1994, faqe 151.

[11] Po aty, Imzot Nikë Prela, faqe 151.

[12] Po aty, Imzot Nikë Prela, faqe 141.

[13] Anton Nikë Berisha, “ZËRI MË I FUQISHËM POETIK I SABIT RRUSTEMIT PO DHE I POEZISË SONË TË DASHURISË”, Gazeta BOTA SOT, 22 nëntor 2019; https://www.botasot.info/libra-sporti/1191132/zeri-me-i-fuqishem-poetik-i-sabit-rrustemit-po-dhe-i-poezise-sone-te-dashurise/

[14] Po aty, Anton Nikë Berisha;

[15] Imzot Nikë Prela, “FJALORI BIBLIK”, botoi “DRITA”, Ferizaj 1994, faqe 125.

[16] „FJALOR i Shqipes së Sotme“, botoi Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 1984, faqe 1399.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit