Xhelal Zejneli
INVADIMI RUS NË UKRAINË PËRSËRI E KA HAPUR ÇËSHTJEN E PËRKATËSISË SË SHKRIMTARIT TË MADH
‘Të gjithë ne kemi dalë nga guna e Gogolit’ – Dostojevski
Gogoli është një prej shkrimtarëve të rrallë fama e të cilit me kalimin e kohës fare nuk është zbehur. Përkundrazi, fama e tij është bërë planetare. Gogoli sot, njësoj si shkrimtari italian Xhovani Bokaçio (Giovanni Boccaccio, 1313-1375), shkrimtari spanjoll Miguel de Servantes Saavedra (Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616) apo romancieri dhe novelisti rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1821) – konsiderohet si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj në përgjithësi.
Invadimi i përtashëm i Rusisë në Ukrainë e vuri këtë vend në qendër të vëmendjes. U rrit interesimi edhe për gjuhën dhe kulturën ukrainase. Kohët e fundit disa mediumeve të huaja iu kujtua tregimtari dhe komediografi ukrainas-rus Nikollaj Vasileviç Gogol (1809-1852). Por ky nuk është preteksti kryesor. Si një prej shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë ruse me rrënjë ukrainase, përsëri u shtrua pyetja – i kujt është Gogoli? Edhe Gogoli është bërë objekt kontesti midis Rusisë dhe Ukrainës. Një shkrimtar klasik është bërë objekt i kontestit politik. Ka studiues që thonë se në të ardhmen ky kontest me siguri do të përfundojë me fitoren e dyfishtë të shkrimtarit, duke u bërë krenari kombëtare e dyfishtë – ukrainase dhe ruse.
Emri i tij deri më sot ka qenë Nikollaj Vasileviç Gogol dhe konsiderohej shkrimtar i madh rus, ndërsa tani mund të haset edhe me emrin Mikolla Vasiloviç Hohol (Mykola Vasiloviç Hohol), me epitetin e shkrimtarit të madh ukrainas. Te Gogoli çdo gjë ka qenë e re, që nga tema, mënyra e përpunimit, deri te gjuha dhe stili, ndërsa rusishtja e tij është e pazakonshme për arsye se përmban në vete edhe fjalë ukrainase të cilat nëpërmjet Gogolit kanë hyrë në gjuhën letrare ruse.
Ka studiues që thonë se për krijuesit e tillë parashenja kombëtare nuk është thelbësore për arsye se ata i përkasin tërë botës. Nëpër enciklopedi figuron si shkrimtar rus me prejardhje ukrainase. Nëpër enciklopedi dhe leksikone shkrimtarësh shkruan: Nikollaj Vasileviç Gogoli (në gjuhën ukrainase Mykola Vasiloviç Hohol) ka lindur në Soroçinc të Ukrainës, më 31 mars 1809, ndërsa ka vdekur në Moskë më 4 mars 1952. Në vijim thuhet se është shkrimtar ukrainas dhe rus, themelues i realizmit modern rus.
Sipas traditës familjare, vjen nga një familje fisnike të kozakëve të vjetër ukrainas. Është pasardhës i Ostap Hohol-it, hetmanit* të Bregut të Djathtë të Ukrainës. Gjyshi Panas Demjanoviç Hohol-Janovski (1738-1805) shkruante në dokumentet zyrtare se paraardhësit e tij me mbiemër Hohol kanë qenë polakë. Megjithëkëtë, shumica e biografëve e konsiderojnë “rus të vogël” (ukrainas). Stërgjyshi i shkrimtarit Jan Jakoviç ka qenë nxënës i Akademisë Shpirtërore të Kievit. Edhe babai i shkrimtarit, pronari i tokave Vasil Hohol-Janovski e ka dashur artin. Ka shkruar tregime dhe drama duke ndikuar kësisoj mbi të birin – Gogolin. Veprat i ka shkruar në gjuhën ukrainase, pastaj edhe në gjuhën ruse për arsye se në atë kohë Ukraina ka qenë pjesë përbërëse e Rusisë cariste, nën restriksione (kufizime) kulturore dhe shoqërore të ndryshme. Ukrainën e kanë quajtur Rusi e Vogël.
Shënim: Hetman, nga gjermanishtja Hauptmann – kapiten; prej shekullit XVI deri në shekullin XVIII kryekomandant i forcave të armatosura të Polonisë-Lituanisë; ataman.
* * *
Gogoli u shkollua në Polatavë, në Njezhin dhe në Pjetërburg (Petrograd). Një kohë ka qenë mësues i fëmijëve të fisnikëve në Pjtërburg. Ëndrrat rinore të Gogolit për të punuar në të mirë të shtetit u shuan kur e njohu jetën e nëpunësve të vegjël të Pjetërburgut. Një kohë të shkurtër edhe vetë ai ishte pjesë e tyre.
Jeta e tij pas vajtjes nga Ukraina e ndryshoi perceptimin dashamirës të tij për shoqërinë ruse. Më vonë, në Universitetin e Pjetërburgut ligjëroi historinë. Vazhdimisht ka qenë në kontakt me ngjarjet në Ukrainën e tij të dashur. Shpesh ka udhëtuar dhe ka qëndruar në shumë vende të Evropës. Nga fundi i jetës u kthye në Moskë ku jetoi në kushte materiale të vështira.
Kur është fjala për letërsinë, Gogoli u afirmua me tregimet nga jeta ukrainase në të cilat vjen në shprehje folklori dhe disponimi i hareshëm dhe romantik.
Me përmbledhjen “Arabeska” i fillon “tregimet e Pjetërburgut” në të cilat me rrëfimin tipik për të, përqesh zbrazësinë e jetës të nëpunësit të ulët. Kjo temë trajtohet në novelat ”Kapota” (Shinel, 1841) dhe “Hunda”. Po atë temë e përmban edhe komedia e suksesshme “Revizori” (1836). Të gjitha këto janë shkruar me stilin tipik të tij “qeshje me lot” në të cilin ai sheh jetën tragjikomike të nëpunësit të ulët, po edhe jetën tragjikomike të vet.
* * *
Në saje të Gogolit proza në letërsinë ruse kaloi në epërsi absolute ndaj poezisë. Për këtë arsye Gogolin e quajnë “baba të prozës në letërsinë ruse”. Për të ka rëndësi tejet të madhe edhe prejardhja ukrainase e tij. Për këtë arsye ukrainasit e konsiderojnë shkrimtar ukrainas.
Gogoli vështirë e pranonte mjedisin e ri rus ku kishte ardhur nga një Ukrainë që paksa dallohej, e që kishte një klimë pak më të ngrohtë. Kjo u manifestua edhe në përshkrimin specifik që ia bëri shoqërisë ruse. Gjatë shekujve XVIII dhe XIX, në kuadër të Perandorisë Ruse, ukrainasit kanë qenë nën trysni të vazhdueshme. Sipas pseudoshkencës ruse, nuk ka gjuhë ukrainase. Ajo nuk është veçse një dialekt “i gjuhës së madhe ruse”. Tezat e tilla nuk kishin mbështetje shkencore.
Disa prej gjenive ukrainas në letërsinë ruse, të edukuar në frymën kulturore ukrainase, deri në njëfarë mase nisën të pajtohet me politikën e tillë imperiale apo cariste. Midis tyre shquhen në veçanti Gogoli dhe simpatizuesi i tij Fjodor Mihajlloviç Dostojevski, të cilët me prejardhje kanë qenë nga Ukraina. Njëri ka lindur në Ukrainë, kurse tjetri është ukrainas nga babai. Gogoli e ka bërë “luftën e vet” të posaçme ngase mjedisin rus vështirë mund ta pranonte. Ai mjedis ka qenë në kundërshti me kulturën e të menduarit që mbizotëronte në Ukrainë. Por, pikërisht në saje të mënyrës ukrainase të të menduarit, Gogoli u bë përfaqësuesi më mbresëlënës dhe më origjinal i prozës ruse të qindvjeçarit XIX. Ai pati një ndikim të jashtëzakonshëm në letërsinë ruse, mbi bashkëkombësin e tij, Dostojevskin, si dhe mbi disa autorë të tjerë rusë.
Një praktike të tillë të rusifikimit në të cilën gjuha ruse ka qenë parakusht për çfarëdo lloj pune dhe suksesi eventual, iu kundërvunë fuqishëm dy shkrimtarët e mëdhenj ukrainas, poeti Taras Shefçenko (1814-1861) si dhe shkrimtari, poeti, kritiku dhe folkloristi Panteleimon Kulish (Voronizh, sot rajoni Sumsk, 1819 – Ferma Motronivka, sot pjesë e fshatit Olenivka, 1897). Puna e tyre jo vetëm që e ka përsosur letërsinë ukrainase, por ka qenë edhe mbështetje kryesore në formimin e identitetit kombëtar ukrainas të pavarur.
Ukrainishtja është gjuhë sllave lindore të cilën e flasin mbi 45 milion folës. Është gjuhë zyrtare në Ukrainë. Flitet edhe në Rusi, në Bjellorusi, në Kazakistan, në Moldavi, në Poloni, në Sllovaki, në Rumani, në ShBA, në Kanada, në Australi etj. Grafia bashkëkohore ukrainase është variant i cirilikes me 33 germa dhe me shenjën shtesë – apostrofin.
Sipas ekspertëve ukrainas, prejardhje ukrainase e Gogolit është një përcaktues i rëndësishme që është reflektuar në një sërë shprehjesh të tij si njeri dhe si shkrimtar. Për ta kuptuar sadopak Gogolin, faktori ukrainas është vendimtar, i cili në shumicën e rasteve është lënë jashtë, madje edhe atëherë kur është dashur të theksohej prejardhja e shkrimtarit rus. Formimi i vetëdijes së tij, suksesi fillestar si dhe kriza shpirtërore ndërlidhen me problemet e Ukrainës, shumë më tepër sesa është parandier deri tani në qarqet letrare botërore.
Sipas mendimit të sllavistit të njohur italian Sante Gracioti (Sante Graciòtti, 1923-2021), Gogoli është përpjekur për pajtimin e Kishës Lindore dhe të Kishës Perëndimore si të barabarta para Zotit, si në rrëfimin për motrat Maria dhe Martë nga Ungjilli i Llukës. Ky ishte ekumenizëm ukrainas tashmë i njohur mirë, por edhe disidencë. Disidenca është parë më parë edhe te arsyetimi i heroit kombëtar ukrainas, hetmanit Ivan Mazepa (Ivan Stepanoviç Mazepa; Mazepynci, Bila Cerkva, 1639 – Vanita, Moldavi, 1709), njëherazi i propaganduar si “tradhtar rus”. Ivan Mazepa ka qenë prijës ushtarak dhe politikan ukrainas. Ka qenë me kombësi polake dhe lituane.
Një Gogol i tillë nuk i duhej carizmit rus në kohën e ngritjes së tij. Sipas fjalëve të Gogolit, Rusia ka qenë plot me “shpirtra të vdekur” dhe me të tillë që krijuan kapital prej tyre. Më shumë të dhëna për këtë temë përmban teksti “Beteja për ta rrëmbyer gjigantin e fjalës – Gogoli apo ukrainasi në Rusi” të filologut, historianit, diplomatit dhe promovuesit të kulturës ukrainase Jevgjeni Pashçenko (Yevgeny Nikolayevich Pashchenko).
Për Gogolin ka shkruar edhe magazina franceze Philosophie e cila e quajti atë “shkrimtar mes dy botëve”, përkatësisht shkrimtar binacional, dykombësh. I lindur në zemër të Ukrainës, ka shkuar në Rusi dhe ka shkruar në gjuhën ruse, duke lundruar midis dy vendeve.
“Veprën e tij e ndajnë dielli ukrainas i fëmijërisë së tij dhe dëbora ruse, fshatarët meshkuj të fshatit Poltava dhe nëpunësit e vegjël të zellshëm të Shën-Pjetërburgut. Gogoli jep një pasqyrë delikate, qesharake, ndonjëherë të vrazhdët – dhe tejet subjektive – të këtyre dy botëve. Po qe se Ukraina dhe Rusia dëshirojnë ta bëjnë Gogolin hero të tyren, kjo ndodh për arsye se ai vërtet u takon dy botëve…” përfundon artikulli për Gogolin.
* * *
Pasi Gogoli ia lexoi Pushkinit dorëshkrimin e romanit “Shpirtra të vdekur”, ai paska bërtitur: “O Zot, sa e katandisur është Rusia jonë”. Të njëjtën e thonë edhe për leximin e dorëshkrimit të komedisë “Revizori”. Kjo e vërtetë tragjike do të bëhet lajtmotiv (mendim kryesor) i shumë veprave të Gogolit, si i veprave lirike, ashtu edhe i veprave komike e satirike. Realizmi i tij shpesh është fantazmagorik, humori i tij është i shkrirë në lot, ndërsa tragjikja e tij është e ngjyrosur me tallje të lehtë dhe hidhërim ngazëllues.
Ndonëse shoqërohej me Pushkinin i cili kënaqej në jetën e natës dhe në ballot e shpeshta dhe kishte lidhje me femra, derisa nuk e gjeti atë të vërtetën, Gogoli ishte e kundërta e plotë e tij. Nuk u martua dhe si duket s’ka pasur as lidhje sentimentale me ndonjë femër. Në këtë pikëpamje ka qenë paksa i çuditshëm. Ka të tillë që e konsiderojnë si një rast të trishtueshëm të vetëpërmbajtjes seksuale në historinë e letërsie botërore, por ka edhe të tillë që mendojnë se ka qenë aseksual. Qëndrimi i tij ndaj femrave vërehet në veprat e tij në të cilat ato shpesh janë paraqitur si bukuroshe fatale, nga një distancë pothuajse mistike, si ato, bukuria e të cilave ndonjëherë sjell tragjedi.
Shkrimtari nga guna apo nga kapota e të cilit kanë dalë të gjithë realistët rusë, është i veçantë, jo vetëm për krijimtarinë e jashtëzakonshme por edhe për dy gjëra të tjera – qëndrimin ndaj femrave dhe qëndrimin ndaj religjionit. Sipas disa studiuesve, qëndrimi ndaj femrave ia bëri jetën të vetmuar dhe të pikëlluar, ndërkaq qëndrimi ndaj religjionit e çoi në vdekje. Me fjalë të tjera, Gogolin e kanë çuar në vdekje aseksualiteti dhe religjioziteti mistik.
Shumë shkrimtarë janë krenuar me të. Ka shumë që e kanë respektuar dhe janë miqësuar me të. E kujtojnë për veprat unike dhe të papërsëritshme, për veprat që ia siguruan epitetin e njërit prej më të mëdhenjve në historinë e letërsisë ruse dhe të letërsisë botërore.
“Sekretet dhe misteret që i la pas vdekjes, kurrë s’do të zbardhen deri në fund. Madje edhe Lermontovin mund ta përfytyrosh më lehtë ”, thotë poetja dhe eseistja ruse Ana Ahmatova (Ana Andreevna Ahmatova, mbiemri i vërtetë – Gorenko; Bolshoj Fontan/Odesë, 1889 – Domodjedovo / Moskë, 1966).
* * *
Për Gogolin flet edhe prozatori dhe poeti rus dhe amerikan Vladimir Vladimiroviç Nobakov (Shën-Pjetërburgm 1899 – Montreux/Zvicër, 1977) në artikullin e tij “Ese për Gogolin dhe Dostojevskin”. Midis tjerash Nabokov thotë: “Gogoli ishte një krijesë e çuditshme, por gjenitë gjithmonë janë të çuditshëm; vetëm një shkrimtar i shëndetshëm i dorës së dytë ndikon mbi lexuesin falënderues si një mik i vjetër i mençur, i cili me simpati i zhvillon idetë e lexuesit për jetën. Letërsia e madhe gjithmonë është në kufirin e irracionales. Hamleti është ëndërr e çmendur e një të dituri neurastenik. ‘Kapota’ e Gogolit është një makth grotesk dhe i tmerrshëm që lë vrima të zeza në indin e turbullt të jetës”.
Shënim: Mihail Jurjeviç Lermontov (1814-1841) poet, romancier dhe dramaturg rus. Si vazhdues i drejtpërdrejtë i Aleksandër Sergejeviç Pushkinit (1799-1837), Lermontovi është hallkë e historisë së letërsisë ruse nëpërmjet të cilit romantizmi ia hapi dyert poetikës së “shkollës natyrale” dhe realizmit në përgjithësi. Veprat e tij ushtruan ndikim thelbësor mbi tregimtarin dhe komediografin rus me prejardhje ukrainase Nikollaj Vasileviç Gogol (1809-1852), romancierin dhe novelistin rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881) dhe prozatorin, dramaturgun dhe publicistin rus Leon Nikolajeviç Tolstoj (Lev Nikolaeviç Tolstoj, 1828-1910).
* * *
Në fillim Gogoli u konsiderua një satirik i mirë, ndërsa më vonë u shpall baba i realizmit rus dhe i drejtimit social-moral në letërsi. Realizmi i tij shpesh është fantazmagorik, humori i tij është i shkrirë në lot, ndërsa tragjikja e tij është e ngjyrosur me tallje të lehtë dhe hidhërim ngazëllues. Është e pakontestueshme se ai është një prej shkrimtarëve rusë më të mëdhenj dhe qëndron krah për krah shkrimtarëve të mëdhenj, siç janë Pushkini, Tolstoi, Dostojevski, tregimtari dhe dramaturgu rus Ivan Sergejeviç Turgenjev (Orel, 1818- Bougival/Paris, 1883) dhe novelisti e dramaturgu rus Anton Pavloviç Çehovi (Taganrog,1860- Badenweiler/ Gjermani, 1904).
Gjatë gjysmës së dytë të jetës, Gogoli kaloi një kohë të gjatë në vende të Evropës perëndimore. Më së shumti qëndroi në Romë. Përgatitej për ta shkruar pjesën e dytë dhe të tretë të “Shpirtrave të vdekur” për arsye se sipas shembullit të Dantes, shpirtrat e vdekur të Rusisë së pikëlluar, nëpër ferr dhe purgator, dëshironte t’i sjellë në një jetë të re, të rilindur. Por nuk ia doli ngase gjendja fizike dhe shpirtërore iu përkeqësua. Kësaj i kontribuoi me të madhe edhe vdekja e Pushkinit. Autori i “Kapotës” thotë: “Rusia pa Pushkinin! Do të kthehem në Pjetërburg – Pushkini s’është!” Si duket, pa Pushkinin nuk kishte guxim të mjaftueshëm për t’u marrë me tema të rënda mbi jetën në letërsi.
Gjatë gjithë jetës, Gogoli synonte të flasë me imazhe të gjalla dhe jo me argumente; të pasqyronte jetën e vërtetë dhe jo të debatonte për jetën. Gjatë gjithë jetës së tij qeshi me një qeshje të hidhur për veten dhe për fatin “e Rusisë së mjerë”.
* * *
Krijimtari letrare
Vepra më të vlefshme të Gogolit konsiderohen: romani / poema “Shpirtra të vdekur”, pjesa teatrale “Revizori”, përmbledhje me tregime “Mbrëmjet në fshatin e vogël afër Dikanjkës”, me të cilën u shfaq në letërsi pasi që veprën e parë e dogji. Kjo përmbledhje u botua në vitin 1831 dhe i solli autorit famë. Vepra më e rëndësishme e tij, romani “Shpirtra të vdekur” u botua në vitin 1841, d.m.th. dhjetë vjet pas përmbledhjes së sipërthënë me tregime. Vepra të tij të çmuara janë edhe tregimet/novelat “Kapota” (Shinel), “Taras Bulba”, “Shënimet e një të marri”. Veprat letrare më të njohura i krijoi në distancë prej dhjetë vjetëve.
* * *
Romani “Taras Bulba” – Është roman historik i shkurtër nga cikli “Mirgorod”. Është botuar në vitin 1835. Botimi i dytë i përpunuar ka dalë në vitin 1842. Botimi i dytë është bazë e të gjitha botimeve bashkëkohore. Veprimi i romanit ka të bëjë me historinë e kozakëve të Zaporozhit. Veprimi i romanit nuk mund të ndërlidhet me ngjarje historike konkrete. Personazh kryesor është Taras Bulba, një kozak i moshuar i cili për të mbrojtur ortodoksinë niset me djemtë e vet Andreun dhe Ostapin në luftë kundër fisnikëve polakë. Vepra është shkruar në mënyrë klasike. Personazhet nuk janë karikuar siç ka vepruar zakonisht Gogoli në shkrimet e veta. Në aspektin ideor, “Taras Bulba” është vepër në stilin e rilindjes kombëtare romantike. Në të Gogoli ka e dhënë pasqyrën “e shpirtit rus”. Vepra është e pasur me aventura dhe me përshkrimin e betejave si dhe me humorin karakteristik të Gogolit.
* * *
Komedia “Revizori” – Është komedi satirike me pesë akte. U botua në vitin 1836. Versioni i korrigjuar doli në vitin 1842. Veprimi mbështetet në një anekdotë midis Gogolit dhe poetit, tregimtarit dhe dramaturgut rus, Aleksandar Sergejeviç Pushkin (1799-1837). Autori tallet me lakminë e njerëzve, mungesën e shijes si dhe me korrupsionin politik në Rusinë cariste të asaj kohe. Ngjarjen e komedisë ia ka treguar Pushkini. Për këtë arsye ai e ka konsideruar veten kumbar të komedisë. Gogoli e lexon dramën në prani të Pushkinit. Ndërkohë, Pushkini paska bërtitur: “O Zot, kjo Rusia jonë është për t’u ardhur keq”. Rusia është katandisur saqë duhet të të vijë keq për të.
* * *
Përmbajtja e “Revizorit” – Veprimi zhvillohet në shekullin XIX në Rusinë cariste, në një qytet province, pranë Shën-Pjetërburgut. Nyja fillon me lajmin për ardhjen e revizorit nga kryeqyteti. Në qarqet e administratës së qytetit krijohet panik i përgjithshëm. E gjithë kjo është rezultat i punës së tyre shumëvjeçare të parregullt, i korrupsionit dhe i nepotizmit. Disa prej tyre përpiqen t’i fshehin parregullsitë e punës së tyre, të tjerët ndërkaq, nga ardhja e revizorit duan të nxjerrin përfitime. Disa kanë për qëllim t’i ruajnë pozitat, të tjerë ndërkaq synojnë të përparojnë në shërbim nëpërmjet poltronizmit dhe duke u imponuar. Të përfshirë nga paniku, ata i pranojnë fjalët e përhapura për revizorin e rremë. Këtu paraqiten momentet komike. Ata e argëtojnë revizorin e rremë dhe ia bëjnë qejfin mashtruesit, me qëllim që ta bëjnë për vete dhe të përfitojnë diçka. Kryebashkiaku është aq i pangopur saqë është i gatshëm ta martojë të bijën me revizorin e rrejshëm, duke shpresuar se në atë mënyrë do të avancojë në shërbim dhe do të punësohet në Shën-Pjetërburg, ëndërr kjo e çdo personi të provincës.
* * *
Në “Revizor” Gogoli në mënyrë satirike i analizon personazhet dhe ndodhitë, sidomos duke u ndalur te pjesëtarët e burokracisë shtetërore. Në atë kohë, pjesa më e madhe e popullatës ka jetuar në varfëri. Aparati burokratik i madh është bërë akoma më i madh dhe gjithnjë më i korruptuar. Nëpër provinca ka mbretëruar provincializmi dhe poltronizmi. Për “Revizorin” Gogoli flet edhe në artikullin “Rrëfimi i shkrimtarit”.
* * *
Premiera e “Revizorit” është mbajtur më 1 maj 1836 (më 19 prill sipas kalendarit të vjetër), në teatrin “Aleksandri” në Pjetërburg. Këshilltarët e car Nikollës I e kanë ndaluar shfaqjen e dramës. Ajo shfaqet vetëm pas ndërhyrjes së Perandorit, i cili merr pjesë në premierë. Publiku është shokuar nga ajo që ka parë. Një pjesë e publikut autorin e kanë sulmuar ashpër, ndërsa një pjesë tjetër, kryesisht të rinjtë, e kanë lëvduar me entuziazëm. Gogoli ka rënë në shënjestër të shtypit reaksionar. Mjekët e kanë këshilluar të largohet nga Rusia dhe të shkojë jashtë. Pas gjysmë viti e trondit rëndë vdekja tragjike e Pushkinit, pa këshillën e të cilit nuk ka shkruar asgjë. Pushkini u vra në dyluftim.
Personazhet e “Revizorit”
Anton Antonoviç Skvoznik-Dmuhanovski, prefekt i qendrës së banuar, nëpunës shtetëror i korruptuar i cili hiqet i ndershëm;
Ana Andreevna – bashkëshorte e prefektit, koketë provinciale dhe damë egoiste, e edukuar prej romaneve dhe albumeve. Ka pushtet mbi bashkëshortin, por vetëm kur bëhet fjalë për cikërrima;
Maria Antonovna – vajzë e prefektit, kanakarja e së ëmës;
Ivan Aleksandroviç Khlestakov – nëpunës 23-vjeçar nga Pjetërburgu, një prej atyre të cilët nëpër zyra i quajnë “kokëboshë”;
Osipi – shërbëtor i Klestakovit; është më i mençur se padroni i vet;
Lluka Llukiç Hllopov – mbikëqyrës shkolle;
Bashkëshortja e tij;
Amos Fjodoroviç Ljapkin-Tjaplin – gjyqtar i zonës i cili gjatë jetës ka lexuar pesë-gjashtë libra, prandaj e ka quajtur veten liberal;
Artemij Filipoviç Zemlanika – drejtuesi i spitalit, perfid dhe dyfytyrësh i madh;
Ivan Kuzmiç Shpekin – drejtues i postës, i cili vazhdimisht i lexon letrat e huaja;
Pjetër (Petar) Ivanoviç Bopçinski dhe Pjetër (Petar) Ivanoviç Dopçinski – spahinj të qytetit të cilët e filluan tërë rrëmujën lidhur me revizorin e rrejshëm;
Kristian Ivanoviç Hibner – mjeku i qytetit i cili nuk ka ditur asnjë fjalë në rusisht;
Fjodor Andreeviç Lulukov, Ivan Llazareviç Rastakovski dhe Stepan Ivanoviç Koropkin – nëpunës autoritativ në pension;
Stepan Iliç Uhovertov – shkrues policie;
Svistunov, Pugovicin dhe Djerzhimorda policë;
Abdulin – tregtar;
Fevrona Petrovna Poçllepkina – bashkëshorte e bravapunuesit të cilën prefekti ka urdhëruar ta kamxhikojnë;
Mishka – shërbëtor i prefektit;
Kohë pas kohe shfaqen edhe gruaja e nënoficerit, djaloshi i kafenesë, klientët në kafene, tregtarët dhe qytetarët si lutës.
* * *
Të gjithë personazhet në dramë janë negativë dhe të korruptuar. Prefekti Skvoznik-Dmuhanovski mitën apo ryshfetin e konsideron si diçka për të cilën ai ka pothuajse të drejtë ligjore. Me fjalë të tjera, ryshfeti është rend i përcaktuar dhe ai që nuk pajtohet me të, është rebel. Të tillët, prefekti i quan “volterianë”. Qytetarët ankohen prej tij. Ryshfet marrin, jo vetëm mbikëqyrësi i policisë, por edhe nëpunësit e tjerë. Aty ka një hierarki ku dihet se kush sa mund të marrë. Për shembull, mbikëqyrësi i qytetit e paralajmëron kompetentin e lagjes me fjalët: “Ki kujdes, nuk marrësh sipas gradës!”
Në dramë janë pasqyruar edhe dukuritë e tjera negative të shoqërisë. Për shembull, gruaja dhe vajza e mbikëqyrësit të policisë mendojnë vetëm për veshjen, mbikëqyrësi i postës Shpekini i çel letrat për shkak të kërshërisë së vet, ndërsa Dopçinski dhe Bopçinski s’kanë punë tjetër përpos të shkaktojnë ngatërresa dhe të përgojojnë nëpër qytet.
Heroi kryesor Khlestakov është pandan i nëpunësve të provincës. Ai është përfaqësues tipik i dembelëve, i mendjelehtëve dhe i nëpunësve të sipërfaqshëm të kryeqytetit. Gogoli thotë: “Të paktën një minutë, të gjithë bëhen Khlestakov”.
Duke qenë se të gjithë personazhet në komedi janë negativë, kritiku i madh rus Visarion Belinski (Vissarion Grigorjeviç Belinsky, 1811-1848) thotë: “Në ‘Revizor’, i vetmi personazh i ndershëm është – e qeshura”. Në dramë nuk ka as edhe një karakter pozitiv, as paralajmërim të ndonjë farë ane më të mirë të natyrës njerëzore. Së këndejmi, budallallëku në dramë nuk është dënuar, ngase të gjithë, pa përjashtim, janë budallenj.
Khlestakovi nuk është figurë qendrore e dramës. Ai bëhet i tillë krejt rastësisht për shkak të marrëzisë së paparashikuar të të tjerëve.
Të gjithë personazhet e tjerë sillen ndaj “revizorit” në përputhje me pritshmërinë për të përfituar diçka për vete. Të gjithë personazhet e dramës sillen pa fije turpi duke e treguar natyrën e tyre të thjeshtë pa kurrfarë ideali. Ideal i tyre është përfitimi material. Këta njerëz të gjorë nuk njohin kurrfarë respekti, madje as respektin ndaj vetvetes.
Ndonëse personazhet e veprës i afrohen groteskut, ata nuk janë të privuar nga motivacione dhe arsyetime realiste të caktuara.
* * *
Tregimi “Kapota” (Shinel, 1841)* – Gjinia letrare: epika; Lloji letrar: tregim; Vendi i zhvillimit të veprimit: Pjetërburg; Koha e zhvillimit të veprimit: Mesi i shekullit XIX; Tema: Pasqyrimi i jetës së Akakie Akakieviçit; pasqyrimi i problemeve të tij me kapotën; Ideja: Me strukturën në fuqi dhe me rregullat e saj shoqëria kurrë nuk është në anën e njeriut të rëndomtë, i cili mund të presë drejtësi vetëm pas vdekjes.
Personazhet: Akakie Akakieviçi, rrobaqepësi Petroviç, i cili në të vërtetë quhej Grigorij, personazhe të rëndësishëm – gjenerali, nëpunësit…
Akakie Akakieviçi është një punëtor i rëndomtë i cili merret me përshkrimin e librave. Ai nuk është i pasur, nuk ka shtëpi të madhe, as pagë të madhe. Kur ia vjedhin kapotën e cila për të ishte shumë më e rëndësishme se jeta, Akakie më në fund del nga letargjia e jetës së vet. Por me angazhimin e vet nuk ia del të arrijë qëllimin. Sistemi dhe hierarkia në fuqi nuk janë krijuar për t’i ndihmuar njeriut “të vogël”. Njeriu i rëndomtë mbetet i shkelur para sistemit, të ndërtuar vetëm të kërkojë prej tij, pa i dhënë diçka ndonjëherë. Akacie tërë jetën e kalon si shërbëtor të sistemit dhe kur kërkon prej tij diçka si kundërshpërblim – e dëbojnë.
Me këtë vepër Gogol kritikon shoqërinë, e dënon veprimin jonjerëzor dhe sjelljen e ligë të njerëzve. Por në fund ai i beson ndërgjegjes që i sjell shpëtim njeriut. Për fat të keq, shpëtimi dhe drejtësia, sipas Gogolit, i vijnë njeriut të zakonshëm vetëm pas vdekjes.
Edhe në tregimin “Kapota” hasim në një lloj antiheroi, por roli i tij është krejt ndryshe nga ai i Çuçkovit. Akakie i “Kapotës” është një individ i përjashtuar për të cilin shoqërisë së lartë dhe të nderuar aq i bëhet.
Shënim: Titulli origjinal i tregimit është “Shinel”. Në shqip do të thotë: pallto ushtarake, kapotë, mantel, mushma, gunë, tallagan.
* * *
Romani “Shpirtra të vdekur” – U botua në vitin 1842. Konsiderohet si një prej veprave më të njohura të letërsisë ruse të shekullit XIX. Gogoli e paramendonte veprën si një poemë epike në prozë dhe si pjesë të parë të trilogjisë të cilën nuk e kreu kurrë. Pjesën e dytë të cilën thuhet se e kishte shkruar, e asgjësoi mu në prag të vdekjes. Edhe pse romani përfundon në mes të fjalisë (njësoj si romani “Udhëtim sentimental” i romancierit anglez, Stern*), konsiderohet se vepra është komplete në formën e vet ekzistuese.
Shënim: Lorens Stern (Laurence Sterne, 1713-1768) është romancier anglez. Studioi në Kembrixh (Cambridge). Është autor i romanit të shkurtër, të papërfunduar “Udhëtim sentimental nëpër Francë dhe Itali” (A Sentimetal Journey Through France and Italy, by Mr. Yorick, 1768).
* * *
Në Rusi, para reformës për emancipimin e bujkrobërisë, të vitit 1861, çifçinjve u lejohej të posedojnë fshatarë (robër, argatë apo hyzmeqarë) të cilët do t’ua punonin tokën. Ata konsideroheshin pronë e çifçinjve të cilët kanë mundur t’i blejnë, t’i shesin, t’i lënë peng apo hipotekë si çdo pjesë të pasurisë personale. Si njësi matëse për fshatarët është përdorur fjala “shpirt”. Për shembull, “gjashtë shpirtra fshatarësh”.
Veprimi i romanit bazohet në “shpirtra të vdekur”, d.m.th. në fshatarët e vdekur të cilët në regjistrat shtetërorë ende figurojnë si të gjallë. Në planin tjetër, titulli i veprës ka të bëjë edhe me shpirtrat e vdekur të heronjve të Gogolit.
* * *
Lloji i veprës: roman; Vendi i zhvillimit të veprimit: Qytetet e vogla të Rusisë; Koha e zhvillimit të veprimit: Shekulli XIX; Tema e veprës: Jeta dhe vështirësitë e Pavel Ivanoviç Çiçkovit; Ideja e veprës: Vepra nuk ka ide klasike në kuptim të këshillës, por shihet qartë se shkrimtari ka për qëllim ta pasqyrojë në mënyrë sa më të besueshme shoqërinë dhe jetën e kohës së vet.
Romani i papërfunduar “Shpirtra të vdekur” ishte paramenduar si një poemë në tri pjesë, e shkruar sipas shembullit të “Komedisë hyjnore” (La Divina commedia, 1307-1321) të poetit italian Dante Aligieri (Dante Alighieri, 1265-1321), të ndarë në Ferr, Purgator dhe Parajsë. Pjesën e parë Gogoli e shkroi pothuajse për shtatë vjet në Paris, në Romë dhe në Zvicër. Për shkak të gjendjes psikike të brishtë, romanin nuk arriti ta përfundojë. Në vitin 1852 Gogoli bie në depresion dhe i djeg të gjitha veprat e veta të papërfunduara, përfshi edhe një pjesë të madhe të pjesës së dytë, si dhe tërë pjesën e tretë të “Shpirtrave të vdekur”. Nga pjesa e dytë janë ruajtur vetëm pesë fragmente.
Përkundër faktit se ideja origjinale e romanit ka mbetur e papërfunduar, ndikimi i Gogolit mbi shkrimtarët e shekullit XX dhe mbi realizmin rus, më së miri shihet në fjalinë që e ka thënë Dostojevski: “Të gjithë ne kemi dalë nga guna e Gogolit”. Edhe pse i papërfunduar, ky roman paraqet kulmin e kritikës të shoqërisë ruse në kapërcyell nga shekulli XIX në shekullin XX. Madhështia e tij shkon aq larg saqë kritika e merr si të përfunduar, edhe pse zyrtarisht konsiderohet i papërfunduar.
Tregimtari gjatë tërë kohës komunikon me lexuesin. Teknika kryesore është rrëfimi. Në vend të fabulës, në qendër është të rrëfyerit. Tregimtari gjatë tërë kohës i drejtohet lexuesit duke i sqaruar përse si (anti)hero kryesor e ka zgjedhur Çiçkovin dhe në mënyrë groteske dhe joserioze e përshkruan pamjen e jashtme dhe të brendshme dhe botën e fisnikëve rusë. Lexuesi fiton pasqyrën e jetës dhe të përjetimeve të antiheroit rus Pavel Ivanoviç Çiçkovit i cili duke kombinuar mirësjelljen, lajkat dhe gjuhën mikluese e fiton besimin e të fortëve të qytetit të vogël rus. Gogoli i urren të fortët e pagdhendur apo mendjemëdhenj të cilët nuk shohin asgjë përtej fjalëve të bukura dhe komplimenteve.
Pas një kohe, Çiçkovi kërkon prej “zotërinjve” që me një shpërblim të vogël apo edhe pa shpërblim, t’ia regjistrojnë atij robërit e tyre të vdekur, vdekjet e të cilëve nuk janë shënuar askund. Me regjistrimin e robërve ai do të mundë të fitonte tokë që ofrohej me çmim të ulët. Në fillim të gjithë, përfshi edhe Çiçkovin, mendojnë se plani do të jetë i suksesshëm, por kur në qytetin N. i bien në fije çështjes, atij s’i mbetet tjetër pos t’ia mbathë. Kjo nuk e pengon atë të tentojë sërish me të tjerë në ndonjë qytet tjetër. Ai nuk çanë kokën as për njerëzit as për raportet me ta. Shkathtësitë e jashtëzakonshme për komunikim i shfrytëzon vetëm për manipulim. Duke marrë parasysh faktin se planin e punës e bazon në tregtinë me “shpirtra të vdekur”, shihet qartë se nuk i bëhet vonë as për parimet etike. Duke shfrytëzuar nevojën e të fortëve për t’u krenuar dhe për t’u lëvduar, Çiçkovi edhe pse i shtresës së ulët, vendos njëfarë dominimi mbi ta.
Me këtë roman Gogoli i vendos bazat e realizimit rus dhe e vizaton skicën e shoqërisë ruse të cilën më vonë Dostojevski dhe Tolstoi do ta shndërrojnë në kryevepër superiore. Përpos për romanin “Shpirtrat e vdekur”, Gogoli njihet edhe për tregimet “Kapota” dhe “Hunda”. Që të tri veprat e sipërthëna e përfaqësojnë realizmin e hershëm.