Idriz Morina
Komunikatat propagandë?!!! Po, listat për ekzekutim me qindra emra, po vrasjet, atentatet, kërcënimet që kurrë s’u ndalën!
Komunikatat, përkatësisht vlerësimin për ato, që i citon i pandehuri Jakup Krasniqi, se kishin qëllim propagande, në procesin Haradinaj dhe Limaj, sa e dimë ne, ato kryesisht, nëse jo tërësisht, kanë qenë të orientuara për vrasjet apo viktimat serbe, jo shqiptare dhe kolaboracioniste.
Madje në njërin prej vendimeve, në arsyetim thuhet qartësisht se për disa krime të pretenduara, nuk mund të merrej Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë, dhe se ato duhet të jenë objekt gjykimi në Kosovë.
Ne nuk mund ta paragjykojmë se si do të vendosë kjo gjykatë – Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, por është e qartë dhe shprehimisht është duke e thënë kjo gjykatë, përkatësisht Prokuroria se është duke i gjykuar edhe vrasjet politike apo si i cilëson ajo të kundërshtarëve politik.
Ne në vazhdimësi, edhe para fillimit të këtij procesi edhe në të kaluarën jemi munduar që të zgjidhet çështja e vrasjeve politike, pra ku viktimat janë shënjestruar pikërisht për të ‘spastruar rrugën’ për pushtetin që do të krijohej pas çlirimit të Kosovës, apo siç thoshte dikur Bujar Bukoshi, për “Nju Jork Times”, se dikush se ka problem të ecë mbi gjak në rrugën për pushtet!
Por, a ishte thjesht propagandë për rritjen apo zgjerimin e UÇK-së, shkrimi i komunikatave me porosi kërcënuese, me paralajmërim ekzekutimin, trajtimin si tradhtar, të disave apo të një grupi për shkak të bindjeve politike, të bindjes së tyre për të vepruar nën institucionet e Republikës së Kosovës?
Qysh është z.Jakup, propagandë me lëshu komunikata, me i shpallë patriotët më të mëdhenj tradhtarë!?
Me shpallë presidentin e shtetit, Ibrahim Rugoven tradhtar?!
Me shpallë udbash me komunikatën 59 familjen Geci?!
Të gjitha këto ndoshta do të mund të kishin pasur kuptim, dhe do të kishin kuptim sikur të mos kishin ndodhur vrasjet politike!
Me ba atentat fillimisht të dështuara ndaj Ahmet Krasniqit, pastaj ndaj Enver Malokut… me rrah intelektualë për vdekje thuaja dhe më pas me fillu me vrasje, me plagosje për vdekje Sabri Hamitin, pastaj mu kthyen me e vra ministrin Ahmet Krasniqi, Enver Malokun, dhe disa vrasje tashmë kishin ndodhur si ajo e gazetarit Ali Ukës (1997), e Ilir Konusheci, e Beadin Hallaqit, Sadri Ramqës (ende këta dy të zhdukur), dhe vrasjet e pas luftës pa komunikata, por që ishin në vazhdimësi shënjestra apo i takonin familjeve të shënjestruara, dhe rrëmbimi si i majorit Afrim Shurreci, Blerim Kuqit etj, vrasjet dhe zhdukjet në shesh, që nga pas lufta… si vrasja makabre e katër ushtarëve të FARK-ut, Sinan Musajt, Bashkim Balajt, Rexhë Osajt dhe Ramë Pejës (Idrizaj) vrasja e Ukë Bytyçit me dy truprojat e tij, e Besim Dajakut me Bekim Kastratin, vrasja e kolonelit Zemaj, i përmendur edhe në Hagë sërish, e dy policëve Tolaj e Haklaj, e
Hedhja e qindra trakteve nëpër fshatra, se do të vriteshn ata që nuk e braktisnin Rugovën… hedhja e bombave dhe tritoleve nëpër shtëpi të aktivistëve dhe gazetarëve, që i konsideronit kundër jush… Nuk janë komunikata dhe thjesht propagandë!
Vrasjet nuk u ndalën, nga nëntori mbase rifilluan me vrasjen e Haki Imerit, intelektual nga Drenica, dhe zyrtar i LDK-së, vrasja e Xhemail Mustafës, dhe lëmshi shkonte duke u rritur sa më shumë që humbiste në zgjedhje ‘fronti i luftës’!
A e dini se janë me mijëra, e jo me qindra aktivistë! Dhe shumica e tyre nuk po ua rëndojnë gjendjen. A e dini pse? Sepse shumicën me frikë, trysni, terror dhe në fund me privilegje dhe para i keni kthyer në anën tuaj!
Ju ende po mendoni se keni kryer patriotizëm me komunikata, lista dhe ekzekutime?!
Shqiptarët që besojnë në këtë duhet të shërohen nga ky iluzion! Ky është një prej mashtrimeve dhe lajthitjeve më të mëdha në histori, ‘patriotizmi’ më hileqar, i cili po na lajthit edhe sot, pasi mashtrimi politik është kthyer në standard, si tani kur pas qindra protestave, arrestimeve, Kosova shkoi drejt një marrëveshje që i hap rrugë autonomisë për serbët, në kundërshtim me të gjitha parimet dhe ambiciet, por më e rëndësishmja kundër qëllimeve politike të shqiptarëve!
Të gjitha këto përpjekje për argumentim, nuk kanë aq kuptim, nëse ti Jakup apo dikush nga ju nëse vërtetë ndiheni keq, ju bren ndërgjegjja për ato qindra viktima atdhetare, për ata qindra jetim, të veja, nëna dhe baballarë, shumë prej të cilëve tashmë kanë ikur në botën tjetër, si babai i Xhemës, babai i Hakisë, nëna e Bardhylit etj, etj.
Adem Salihaj, tha mbrëmë në tv7 se sërish ishte kërcënuar, që të heshtte sepse mund të pësonte, sipas tij me vrasje ai apo dikush në familje. Sipas tij, kërcënuesi u dënua fare pak me 40 ditë burg vetëm!
Por, kërcënuesi me vdekje i familjes sime, nuk u arrestua fare, dhe prokuroria e hodhi në kosh atë! Se sa i rrezikshëm ishte ky kërcënues u vërtetua pak javë më parë, kur u arrestua pasi që bashku me një tjetër person, ishin pajtuar ta vrisnin dikë për 10 mijë euro! Janë me thuaja me dhjetëra kërcënime që policia ose prokuroria i ka hedhur në kosh të plehrave, përveç në një rast!
Ndërsa, një thirrje tjetër e vazhdueshme për ekzekutim, me cilësime të ngjashme me komunikatat, qëndroi për disa muaj në internet, dhe pavarësisht denoncimeve, prokuroria arriti vetëm ta dërgonte me një kërkesë në gjykatë! Asgjë më shumë!
Ndërsa, tani e mësuam që disa komunikata ia nënshkruante UÇK-së (në emër të Shtabit), siç tha ai vet, i dyshuari për kolaboracionist edhe nga vetë një strukturë e ushtrisë, për shkak të informacioneve me gjasë se takohej me Stanishiçin, por që është akuzuar edhe në mënyrë eksplicite nga vetë Millosheviçi në Hagë!
Pra, helmi i të kaluarës po vazhdon edhe sot…, në fillim akuzat, pastaj ‘komunikatat’, pastaj listat e zeza, dhe fillon përndjekja… pa ndalë kurrë për më se 20 vjet!