VLERA TË MIRËFILLTA TË SHKRIMEVE ANALITIKE

0
Muhamet D. Rogova dhe Prend N. Buzhala

Prof. Mr. Muhamet D. ROGOVA

(Pasthënie)

  1. Hyrje
Muhamet D. Rogova
Muhamet D. Rogova

Duke e marrur dorëshkrimin e veprës së studimeve të Brahim (Ibish) Avdylit rreth veprave të Prend (Ndue) Buzhalës, “Parametrat e dimensioneve letrare”, më ngjalli menjëherë mendime të mirëfillta, se si dy shkrimtarë të mëdhenj e shohin kaq mirë njëri-tjetrin. Në përgjithësi, ata këmbehen me vepra.

Janë dy autorë që i shpalosin vlerat e tyre letrare. Autori i studimeve letrare Brahim Avdyli, që merret me shtatë vepra të Prend Ndue Buzhalës, i cili jo vetëm se ka një përvojë të gjatë në fushën e letrave shqipe që nga vitet e djalërisë së tij, duke botuar vepra poetike, në prozë, dokumentare, publicistike e shtjelluese, si dhe mjaft vepra me vlerë të kritikave e studimeve letrare, por mbetet si shqiptar i vertetë dhe i denjë; nga ana tjetër, Brahim Avdyli, merret me shkrime që kur ishte nxënës i ri, në shkollën fillore (si 14 vjeçar e ka dorëzuar dorëshkrimin e vet për botim, te Rifat Kukaj, që ishte me vargje për të rinjtë dhe për të moshuarit, gjë që nuk u botua) dhe në periudhën fundit ka botime të veprave në zhanre të ndryshme, si poezi lirike, tregime e novela, dramë, studime, gazetari, shkrime historike (mbi 50 shkrime janë tani të botuara), etj.

Jam mbledhës i shënimeve apo vështrimeve të veprave të tij. Tani është me studimet për veprën e Prend Ndue Buzhalës, një vëpër studimore kjo që i arrinë mbi katërqind faqe të formatit të madh. Ka vite që punon pët këto vepra. Janë shtuar edhe dy vepra të Prendit në këtë shqyrtim: “Pesëdhjetë oratorio për fjalët e hirshme”, SHB “Lena”, Prishtinë, 2024 dhe vepra e parë poetike, “O Amë, O Amë”, Klubi Letrar “Vorea Ujko”, Klinë, 1995, që i përmbyllë në veprën e studimeve të tij prej veprës së parë e deri në veprën e sivjetshme, një krijimtari që është e mirëfilltë e shkrimtarit në fjalë, Prend Buzhala.

Në të vërtëtë, këto vepra që po studiohen po i përfshijmë në këtë pasthënie. Në këtë vit i feston Prend Buzhala shtatëdhjetë e katër vite jetese, të mbushura me veprimtari të larmishme letrare, me 81 vepra kritike e studime letrare, eseitikë dhe monografi; 29 vepra të poezisë; 4 romane; 9 përmbledhje me tregime të shkurtëra; 4 vepra të pumblicistikës historike dhe kulturore, përveç veprave të tjera të përgaditura për shtyp me autor të tjerë, rreth 19 vepra.

Janë edhe 7 vepra që autorët e tjerë i kanë shkruar për te. Kjo është vepra e tetë e këtyre veprave. Veprës së studimeve i prinë punimi “Fillimi i dritës (Për Prend Ndue Buzhalën, në vend të parathënies)”. Në vazhdim vijnë katër punime me karakter studimor që iu kushtohen shtatë veprave të Prend Buzhalës: katër veprave në poezi ( “O Amë, O Amë”, “Ani i ilirishteve”, „Këngëz me errësirë blu“, dhe “Pesëdhjetë oratorio për fjalët e hirshme” ) dhe tri veprave në prozë që janë me tregime të shkurta (“Heroi i rrugës” dhe „Sizifi pa gurin e tij“ dhe “Një re pa atdhe”). Në fund vjen edhe punimi “Parametrat e dimensioneve letrare (Në vend të përmbylljes)”.

Përderisa tek parathënia e tij Brahim Avdyli konstaton se “shkrimtari i ndjen inspirimet e tij ndër mendime e meditime të përgjithshme, të nxjerra nga shpirti krijues dhe përvojat e bëra aty, të përjetuara e të matura me zemër. Përvoja dallon në bazë të sasisë së përgjithshme jetësore dhe të leximeve gjatë kohëve të ndryshme”, te teksti përmbyllës autori përkufizon studimin e tij në kërkimin e shtatë dimensioneve të veprës letrare të Prend (Ndue) Buzhalës: postmodernizimin, ngjarjet simbolike dhe alegorike të tij, të marruara nga realiteti ynë me intertekstualitetin si prirje krijuese, liria e lindur në i-lirishte, si Këngë e Parë, poetika e zhanrit letrar të prozave të shkurta, dimensioni i parafundit: credo-ja e kombit tonë në veçanti dhe e humanizmit, në përgjithësi dhe i fundit shtresat mitologjike.

Punimet e Brahim Avdylit ofrojnë një analizë të thellë dhe nuancuar të poezive dhe tregimeve të tij, duke theksuar veçori si ironia, simbolizmi dhe natyra e identitetit. Ai i qaset veprës duke u fokusuar në ndjesitë e izolimit dhe padukshmërisë që ndjejnë personazhet në një shoqëri që shpesh i ngulfat, apo në pasurinë e motiveve poetike. Leximi i kësaj vepre është një përvojë estetike që sfidon lexuesin të kërkojë e shtjellojë  thellësinë e ndjenjave dhe ideve. Buzhala, si poet dhe studiues, ka krijuar një univers letrar që reflekton përvojat e tij personale dhe historike, duke sjellë një kombinim të lirizmit dhe filozofisë.

2.

Shkrimi i studimeve të mirëfillta vlerësuese, siç thotë kjo vepër e studiusit Brahim Avdyli për të gjitha dimensionet letrare të këtij krijuesi të madh kombëtar, madje edhe në të tërë diametrin ndërkombëtar, Prend Ndue Buzhala, të cilin e kanë lënë të pastudiuar aq sa duhet dhe aq sa e meriton ky krijues multidimensional, me të gjitha veprat e tija letrare, eseistike, kritike, monografike, etj., shumë vepra të ndryshme, vetëm pa dramë, me të gjithë krijimtarinë e tij, qoftë si poet postmodern, tregimtar i rrëfimeve të shkurta, që i studion këtu ish nxënësi im i jashtëzakonshëm dhe miku im i vazhdueshëm, shkrimtari dhe studiusi i mirëfilltë, Brahim Avdyli; romansier; vështrime kritike, recensione, studime të të gjitha llojeve të veprave posmoderne, etj., dhe i mjaft shkrimeve të tjera; me vlerat e tija të veçanta nëpër disa shkrime mjaft të posaçme, sikurse ato krijime të cilat janë mjaft mirë të qëlluara; nëpër manifestimet kombëtare dhe gjithëkombëtare për Plisin tonë, etj., duke filluar prej veprës së parë poetiko-eseistike, “O Amë, O Amë”, “Vorea Ujko”, Klinë, 1995, vijnë të pashkëputura parametrat e dimensioneve letrare, të cilat fillojnë të shtohem gradualisht prej veprë së parë e deri më tani.

Po e them se me të vërtetë shkrimtari i dalluar shqiptar dhe i tërë mërgatës së madhe e më të gjërë nëpër botë dhe shqiptar i mirëfilltë, Brahim Avdyli, që ishte dikur një nxënës shumë i dalluar i Gjimnazit, politikisht mjaft i përfilltë gjithëshqiptar, na i shqyrton jo vetëm veprat e zgjedhura të polidimenzioneve ideore, por edhe të sferës ideologjiko-poetike, si p.sh. këngëzat e tij të mikropoezisë dhe oratorinë e fjalëve më të hirshme të tij. Ai i zgjodhi vetëm këto vepra të tij, të veçanta e të papritura, që janë gjithsejt shtatë vepra, po t’a njohësh dhe t’a studiosh këtë njeri, pendë, shkrimtar e mendimtar gjithëshqiptar, aty i gjënë edhe përkufizimet e mendimet e tija të metafizikës, mu aty ku nuk duket imateria, apo ku përfundon të duket materia e fillon imateria. E njohë mirëfilli këtë njeri të veçantë.

Pse na i zgjodhi pikërisht shtatë vepra? Sepse numri shtatë është numri bazë i Zotave, sikurse numri pesë, sikurse numri tre, e veçanërisht numri NJË, i cili simbolizohet me Zotin e Madh, është “matematikë e imateries”, pra metafizikë.

Në radhë të parë studiusi ynë Brahim Avdyli na i sheh këto vepra të jashtëzakonshme të shkrimtarit Prend Ndue Buzhala nëpër vetë shfaqjen e pazëvendësueshme të tij me vullnetin e gjërë e të pazëvendësuar shpirtëror e gjithëkombëtar, pikërisht nëpër këto vepra të zgjedhura të tij. Të mos e njihnim profilin e studiusit metafiziko-filozofik të tij, të mikut tonë jetësor e të përhershëm, Brahim Avdylit, nuk do të kishim as të qartë e të mirëkuptuar domethënien e këtyre shtatë veprave të Prend Ndue Buzhalës, por edhe dimensionin e vërtetë eseistik, etik, e artistik të poemës recitative të veprës së tij të parë.

Edhe një profil të autorit Prend Buzhala na shtrohet ndër këto studime: profili i mësimdhënësit dijetar estetiko-etik, kur i qe ndaluar rreptësisht misioni i mësimdhënësit me nxënës. Vepra e tij e parë, e shkruar sikur një poemë recitative artistike na i përmbledhte të tërën ate që i dretohej Hyjit, si ankesë e absolutisht e pa pranuar të kësaj jete nën dhunë të hapur të pushtuesit të pa shpirtë, të grumbulluara e të thëna për amën hyjnore, nënën tonë të madhe të kësaj jete, që do t’i mblidhte të gjitha nënat e popullit tonë, të vuajtura multidimensionalisht, për të shfryer mllefin e autorit, poashtu të vuajtur nëpër burgje për LIRI, e të mbledhura së bashku të një jete të padrejtë.

Vepra e tij eseistike, e shkruar si një poezi me pjesë të caktuara, duke i përmbledhë nëpër njëqind e pesëdhjetë e shtatë (157) emra simbolike të amës shenjtërore, nënës sonë multidimensionale, të thëna letrarisht e eseistikisht prej tij, me thëniet ultimative të tij, drejtë Hyjniut, për të gjithë shqiptarët e Kosovës, të cilët i përmbledhë edhe artistikisht në vepër, dhe i lutej Atit të Madh të shihte këtë përpjekje të paskrupullt të pushtetit më të rrebtë e më fashizode serbo-jugosllave, e cila na e kishte dënuar edhe këtë edukator e student pas diplomës së fakultetit, të mos punonte në arsim, në mes viteve 1982-1995, sikurse e pat dënuar mikun tim, Brahim Avdylin me burg shtëpiak në prag të vrasjes së vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe veprimtarit tjetër Kadri Zeka, paralelisht me dënimin tim prapa grilave, në të njëjten kohë, në të cilën i premtova Brahimit, se edhe po të ma presin kokën, kurrë nuk do ta dëshmoja veprimtarinë e tij politike së bashku me ne, me të gjithë grupin tonë politik. I kam mbajtur 9 vite burg të rëndë politik dhe ma pamundësoj kështu pushteti okupues edhe mua punën edukative.

Brahim Avdyli do ta analizojë në të gjitha anët këtë vepër të parë etike e estetike nëpër thirrjet artistike të AMËS sonë, të cilat të gjithëve na përfinin me të gjitha format e vuajtjeve tona, pranë spirales së vuajtjeve të autorit Prend Buzhala, deri në Gjithësi. Është një thirrje e dyfishtë estetike ndaj Hyjniut, duke mos harruar kohën, shkencat dhe filozofinë.

Është e pamundur të mos e vërejmë formën analitike të kësaj vepre letrare, e cila, duke e ngritur këtë vepër të autorit, e ngritë edhe veten lart si studius të mirëfilltë, pa dashur të thotë ndonjë gjë për veten e tij. Së bashku ngritet etika, eseistika dhe filozofia e veprës, edhe pikëpamjet filolozike-etike dhe eseistike të studiusit analitik të këtyre veprave artistike.

3.

Te punimi tjetër i vërejmë këndin e qasjeve të veçanta të poezisë. Poezia e Prend Buzhalës, sidomos në veprën e tij “Ani i ilirishteve”, ofron një pamje të pasur dhe komplekse të identitetit dhe kulturës shqiptare. Veprat e Buzhalës janë të organizuara në tri cikle: “Ani i ilirishteve”, “Ilirishtet e mia”, dhe “Oratorio në korin e ilirishterve”. Kjo strukturë sugjeron një evoluim në mendimin poetik, duke e ndarë krijimtarinë në etapa që trajtojnë identitetin, kulturën dhe shpirtin e ilirishtes. Cikli i dytë, me theksin në “i-lirishte”, nënkupton një lidhje të thellë me trashëgiminë kulturore dhe historike. Titulli “Ani i ilirishteve” ka një ngarkesë simbolike të thellë. “Ani” referon jo vetëm aspektin biologjik të jetës, por gjithashtu thekson rëndësinë e krijimit dhe ripërtëritjes.

Poezia e Buzhalës shpesh eksploron marrëdhëniet ndërmjet individëve dhe trashëgimisë së tyre kulturore, duke e vënë në pah domosdoshmërinë e njohjes dhe ruajtjes së identitetit. Ciklet e librit paraqesin një udhëtim nga hyrja, në përjetime lirike, deri në një përfundim që përmbledh të gjitha temat e trajtuara. Interpretimi i fjalës “ani” si një tipar themelor i krijimit artistik dhe identitetit është shumë i rëndësishëm. Buzhala përdor gjuhën dhe figurat artistike për të sjellë në jetë temat e lashta ilire dhe për të reflektuar mbi identitetin dhe historinë shqiptare. Kjo lirikë është jo vetëm një shprehje artistike, por edhe një refleksion filozofik mbi ekzistencën dhe trashëgiminë. Kjo vepër na sjell një kuptim të thellë të historisë dhe identitetit shqiptar, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke krijuar një dialog mes brezave. Këto pika nxjerrin në pah kompleksitetin dhe thellësinë e veprës, duke e bërë atë një kontribuese të rëndësishme në letërsinë shqiptare moderne.

Poezinë e Buzhalës trajton edhe te punimi i dytë me titull Vlera e përjetshme e mikropoezisë shqipe (Studim për veprën poetike të Prend N. Buzhalës, „Këngëz me errësirë blu“, LENA Grafik, Prishtinë 2022)”. Mikropoezia e këtij vëllimi poetik është e ndarë në katër pjesë, secila me tituj sinjifikativë që pasqyrojnë përjetime të thella: „E parrëfyer kjo lumturi“, „Para derës së rruzullimit“, „E shqipërishme“ dhe „Shpirti i qetësisë së një peme“. Duke i kaluar nëpërmjet strukturave të tilla, autori arrin të shprehë ndjenja të shumta dhe të krijojë një atmosferë të pasur me simbolikë. Prend Ndue Buzhala e shfrytëzon minimalizmin në poezinë e tij, duke e bërë këtë vepër një shembull të bukur të mikropoezisë.

Koncepti i minimalizmit në letërsi është një tendencë e fortë në artin bashkëkohor, e cila kërkon që autorët të ndihmojnë lexuesit të gjejnë thelbin në shprehjet më të thjeshta. Një nga aspektet më të rëndësishme të „Këngëz me errësirë blu“ është elipsa poetike që ndihmon në thellimin e përvojës jetësore të autorit. Ai e transformon çdo varg në një mundësi për meditimin mbi natyrën e jetës, dashurisë dhe ekzistencës. Poezia e tij shpreh një vetëdijesim të përgjithshëm për shkurtesat dhe koncizitetin, duke theksuar rëndësinë e thënies së gjërave në mënyrë mjaft të thjeshtë, por të thellë.

Mikropoezia, si një formë e veçantë e shprehjes artistike, ka origjinën e saj në traditat e lashta, si tanka dhe haiku japoneze. Prend Ndue Buzhala, me veprën e tij „Këngëz me errësirë blu“, i përshtat këto tradita në një mënyrë origjinale, duke krijuar mikropoezi që është e lirë nga rregullat strikte të metrikës, por e ngjeshur me kuptim. Titulli „Këngëz me errësirë blu“ vetë përmban një kontradiktë interesante. Errësira blu sugjeron një botë ku ndjenjat e melankolisë dhe brengës janë të lidhura me bukurinë dhe paqen. Buzhala na bën të mendojmë për kalimin nga jeta në një jetë paralele, përmes një grimi të ngjyrave dhe emocioneve. Errësira blu është një hapësirë ku poeti, përmes vargjeve të tij, eksploron natyrën e jetës, për të kaluarën dhe të ardhmen, dhe e gjithë kjo ndihmon në thellimin e kuptimit të mikropoezisë.

4.

Dy punimet në vazhdim flasin për dy vëllime në prozë me tregime të shkurta, apo si i quan ato Prend Ndue Buzhala “tregime me pak fjalë”.

Kështu, te punimi studimor “Rrugët e ndërdijes, përplasja e ralitetit dhe kontradiktat e të vërtetës – Studim për librin me tregime të shkurtra, “Heroi i rrugës”, të botuar nga SHB «ROZAFA», Prishtinë 2017, autori vë në pah se krijuesi shfaq një mënyrë të veçantë të të shkruarit që e pozicionon midis prozës poetike dhe prozës moderne. Ky veprim ndihmon në krijimin e një realiteti të ri, që përballë vështirësive të jetës dhe kontradiktave shoqërore, e ndihmon lexuesin të eksplorojë temat e thella të natyrës njerëzore.

Brahim Avdyli vë në theks intertekstualitetin për t’i ripërcaktuar konceptet tradicionale të origjinalitetit. Tregimet e Buzhalës karakterizohen nga një ekonomi gjuhësore e fortë, duke përdorur pak fjalë për të transmetuar mendime të thella. Kjo e bën prozën e tij të ngjashme me poezinë, duke e shndërruar leximin në një përvojë reflektive. Këtu, autori shpesh lë të nënkuptohen detaje, duke kërkuar nga lexuesi që të angazhohet aktivisht në interpretimin e tekstit. Buzhala zgjidh temat e tij me kujdes, duke reflektuar mbi jetën e përditshme dhe realitetin shoqëror. Rrethi i gjerë i temave të tij, që ndonjëherë përfshin çështje të ndjeshme shoqërore, e bën veprën të rëndësishme dhe relevante për publikun.

Tregimet e Buzhalës janë të zhveshura nga rrëfimi i zgjatur, duke ofruar një formë të shkurtër, të thukët dhe të qartë. Ky format i lejon lexuesit të përjetojë prozën në mënyrë të menjëhershme, duke e bërë të lehtë për t’u lexuar në çdo situatë. Librin “Heroi i rrugës” e hap titulli simbolik që përfshin dy figura: “Heroi i rrugës” dhe “vajza me fjongo të zezë”. Ky titull përmbledh një dualitet të thellë që shfaqet gjatë gjithë veprës dhe sugjeron një trajtim të vetëdijes njerëzore. Titulli “Heroi i rrugës” nënkupton një individ që, përmes sakrificave të tij, aspiron të lë një gjurmë në realitetin e tij. Në anën tjetër, “vajza me fjongo të zezë” simbolizon humbjen, nostalgjinë dhe dashurinë e pamundshme.

Kjo antitezë krijon një tension emocional që e shoqëron lexuesin gjatë gjithë tregimeve. Çdo tregim, si “Mrekullia e shikimit” dhe “E bukura ra për tokë e u lëndua”, është ndërtuar me kujdes, duke përdorur pak fjalë për të shkaktuar emocione të thella dhe refleksione mbi jetën. Në tregimin “Ndodhitë e çuditshme të një Këshilltari shpirtëror”, Buzhala fut idenë se dashuria është forca që mund të shpëtojë njerëzimin nga shkatërrimi. Ky koncept i lidhë ngushtë fjalët e shenjëtores Nëna Terezë me përvojat e personazheve, duke i inkurajuar ata të kërkojnë kuptim dhe shpresë në një botë që shpesh duket e errët.

Punimi i fundit analitik e studimor me titull “E vërteta simbolike dhe trefishi ideor i një vepre (Studim për veprën me tregime të shkurta „Sizifi pa gurin e tij“, SHB „Lena“, Prishtinë, 2020)”, Brahim Avdyli nënvizon se ky vëllim na sjell një univers letrar të ndërlikuar, ku figura e Sizifit shërben si metaforë për jetën dhe sfidat e saj. Kjo vepër e pasur me tregime të shkurtra është e mbushur me figura artistike, metafora ironike dhe sarkazëm, që krijojnë një atmosferë të veçantë letrare. Buzhala e përdor metaforën e Sizifit për të reflektuar mbi realitetin e hidhur që e përjetojmë. Ai e shndërron Sizifin në një simbol të përpjekjeve të përditshme, duke e vendosur atë në një kontekst që flet për ankesat dhe frustrimet e shoqërisë moderne.

Një nga karakteristikat dalluese të kësaj vepre është përdorimi i ironisë dhe sarkazmës. Buzhala e zhvillon ironinë përmes krahasimeve dhe figurave që sjellin një dritë të re mbi situatat e zakonshme. Buzhala e përdor këtë për të na treguar se shpesh, përpjekjet tona për t’i përmirësuar situatat përballen me absurditet dhe, në shumë raste, me dështim. Me një stil të pasur dhe një qasje kritike, Buzhala na fton të mendojmë mbi realitetet tona, duke na bërë të reflektojmë mbi natyrën e vërtetë të përpjekjeve tona dhe kuptimin që ato mund të sjellin. Autori B. Avdyli analizon edhe ciklin „Fleta Sizifiane e Jetës“.

Buzhala niset nga ideja se çdo njeri, pavarësisht kombësisë ose etnisë, ka potencialin për të krijuar. Cikli „Solilok për fluturimin e zogut“ thekson një dimension të thellë dhe introspektiv. Soliloku, si një formë e shprehjes artistike, shërben si një mjet për të shprehur tensionet dhe konflikte të brendshme, ashtu siç e bën Hamleti në monologun e tij. Buzhala, duke përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe figura artistike, arrin të komunikojë mesazhe të thella në një formë të përmbledhur, duke u fokusuar te përvoja njerëzore në një kontekst të veçantë shqiptar.

Subjekti i tregimeve është shpesh i thjeshtë dhe i ndërthurur me përvoja jetësore dhe filozofike, duke inkurajuar lexuesin të mendojë mbi identitetin dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore. Autori i librit Brahim Avdyli, përsiat mbi ironinë dhe natyrën njerëzore në tregimet e Prend Ndue Buzhalës, tregime që ofrojnë një pamje të ngjeshur mbi gjendjen e individëve në një shoqëri që e ndien veten të marginalizuar. Kritiku e studiuesi Brahim Avdyli ofron një analizë të thellë dhe të nuancuar të tregimeve të tij, duke theksuar elemente si ironia, simbolizmi dhe natyra e identitetit.

5.

Dua të cekë se në të gjitha analizat e studimeve të Brahim Avdylit, që janë tërësisht të thella, bazën e këtyre analizave i bëjnë edhe vepra të mira të teorisë botërore dhe moderne, por edhe të teorisë së letërsisë e të kritikës shqiptare. Po e zë në gojë disa nga këto vepra të zgjedhura, të cilat janë të dhëna nëpër fusnota, si p.sh., Mario Andreotti, “Sruktura e letersisë moderne”; Linda Huetschon, “Poetika e postmodernizmit/ Historia; Teoria; Fiksioni”; Nathalie Piégay-Gros, „Poetika e intertekstualitetit“; Aristoteli, “Poetika”; Rene Uellek, Ostin Uoren, „Teoria e letërsisë“; por edhe shqiptarë, si p.sh., Agim Vinca, “Kurs i teorive letrare”, Zejnullah Rrahmani, “Kurs i letërsisë”, “Arti i poezisë” dhe “Teoritë moderne të letërsisë”, etj.; vepra të tjera historike, si p.sh., Niko Stylo, “Etruskishte-toskërishte”; Qazim Namani, etj.; të vetat, si ilustrime të këtyre studimeve, të cilat, me një lexim mjaft të kujdeshëm të këtyre studimeve analitike, e këtu po i drejtohemi pikërisht studimit në radhë të veprës së Prend Buzhalës, “Pesëdhjetë oratorio për fjalët e hirshme”, i cili vazhdon të na bëjë për vete, me të gjitha vlerësimet analitike të studiusit Brahim Avdyli.

Shpesh herë i referohet internetit dhe jep shpjegime të tyre, edhe sa i përket oratorisë sonë (oratorio e oratorium), epikleza, epifania, këngëz blu, mikropoezia, poezinë minimaliste (Haiku), apo paradigma etj. Sa i përket poezisë apo prozës së Prend Ndue Buzhalës, duhet të them se studiusi Brahim Avdyli bazohet në ilustrimet shkencore, të përgjithshme apo historike, sikurse në analizat që na janë si nisje e përgjithsimeve kritike të tërë krijimtarisë së Buzhalës, që bazohej edhe në veprat teorike dhe shkencore, si p.sh. të mitologjisë, C. Scott Lttlenton, “Das grosse Buch der Mythologie” (Libri i madh i mitologjisë); Wilhelm Vollmer, „Wörterbuch der Mythologie“ (Libri i fjalëve të mitologjisë); Gerold Dommermuth-Gudrich, „Mitet më të famshme të lashtësisë“; e shumë vepra të tjera, p.sh., të historisë e të letërsisë, të cilat nuk po i përmendim me këtë rast, na tregojnë një listë të tërë të veprave që studiusi na i ka lexuar. Sa herë kemi menduar se Brahim Avdyli humbi në tërësinë e mendimeve të tij dikund në botën e gjërë, ai na rikthehet në secilën formë më i madh, si shkencor e letrar.

Brahim Avdyli nuk i harron thëniet e tij shkencore e letrare apo të filosofisë, shkencore e historike për t’i ilustruar edhe me ndonjë thënie të arkeologjisë së re, që na i zhvendos thëniet e deritashme me thënie të vërtetuara të lashtësisë historike. Në këtë kuptim na lidhë edhe me gjetjet e reja të arkeologjisë të Kryqit të Drenicës Vuçake, i cili i takon periudhës historike të parahistorisë, para lindjes së katolicizmit romak e Vatikanit, i cili ende nuk është vlerësuar nga arkeologët e vërtetë botërore e ndërkombëtare. Ata ende nuk i njohin thëniet e historianëve e arkeologëve të vërtetë të Kosovës, si p.sh., Qazim Namani, me të cilin kemi qenë së bashku edhe në Kuvendin Ndërkombëtar, “Rrënjet tona”, të vazhdimësisë historiko-gjuhësore dhe etnokulturore të të gjithë shqiptarëve, ku bukës i thonë “bukë” e ujit “ujë”, përmes mijëvjeçarëve, në Tiranë, 9-12 maj 2019[1], i cili i vërteton thëniet e vjetra me vërtetësinë shkencore e historike për Qytetin e vjetër “Kasova” dhe “Kalanë e Kasovës”, sipas dëshmive latino-turke, kundër dëshmive të rrejshme serbo-ruso-sllave.

Studiusi Brahim Avdyli jo vetëm se bazohet njëherë në të vërtetat, por i analizon poezitë e vërteta të kësaj përmbledhje të Prend Buzhalës, në veprën e tij “Pesëdhjetë oratorio për fjalët e hirshme”, dhe po e përmendim poezinë e tij në tri pjesë “Oratorio për Dritën që kosovon”, të cilën e kishin lënë pa e zënë pa e vështruar mirë këtë poezi të këtij libri. Artikullimi i mirëfilltë si folje shqipe “që kosovon” na del një folje e re, duke mos i njohur dëshmitë e reja historike dhe duke i bazuar interpretimet e historisë së Shqipërisë, të cilat më shumë bazoheshin në konsideratat pellazge se sa në iliro-pellazge, e jo në shkencën e historisë së re, të cilat na i rizgjon poetikisht e artistikisht edhe autori i kësaj përmbledhje, Prend Buzhala. Brahimi, në analisat e veprës “Pesëdhjetë oratorio për fjalët e hirshme” të Prendit, na e merr edhe këtë fjalë si folje të re.

Në këtë vepër e gjëjmë plotësisht atdheun, që autori i këtyre studimeve e quan “AT-DHEU”, prej Atit tonë të dheut shqiptar, të mbetur gjysmë e të shpërndarë gjatë dhunës romano-turko-sllave rreth një grushti malesh, siç thotë vetë ai, me një poezi të hershme, të mbetur gjallë pas dhjetra mija vitesh (qe 25’000 vite p.e.s. kanë qënë të parët arbanët/arbërit me gjuhë!), por kanë nxjerrë pipa të rij, nga të prerat e shumëfishta të tij. Prej yllirëve[2], para ilirëve e albanëve e kemi udhëhequr dikur mbarë botën, por shqiptarët sot na kanë mbetur në një gjendje të ligë dhe janë shkapërderdhur nëpër tërë botën, edhe të shpërfillur si komb. Studiusi Brahim Avdyli na thotë se atëherë nuk quheshim kështu dhe nuk dëshironin të flisnim për veten, por për punë të përgjithshme tonën, sepse ishim për përmirësimin e jetës së përgjithshme, pranë nesh. Ne, quheshim “ar-ban” (arë=ari, ban=bëjmë), ata të cilët e bëjnë me punë jetën më të vlershme, pra jeta është më e vlershme se sa ari.

Janë të shumta analizat të veprave të shkrimtarit Pren Ndue Buzhala. Kur t’i lexosh disa herë veprat e tija dhe analizat e studiusit tonë Avdyli, do të mbetesh i pa fjalë, pse nuk i ke vlerësuar me kohë këto vepra të rralla të Prendit. Si ka mundur ky analizues t’u sillet në të gjitha anët e vlerësimeve e t’i studiojë kaq thellë e gjithëpërfshirës, e kaq bukur t’i nxjerrë në shesh këto vepra të rralla dhe t’i zgjedhë pikërisht këto vepra.

Kjo është vepër e mrekullueshme e studimeve të Brahim Avdylit dhe jam mëse i impresionuar.

6.

Patjetër duhet të ndalemi në analizën e veprës “Një re pa atdhe”, e cila i ka retë e dendura të së pavërtetës, siç thotë autori, apo retë e dendura të fatit të përgjithshëm. Kur thotë se janë vragnuar retë e dendura të së pavërtetës, e kemi jo vetëm qeverisjen sipërfaqësore, jo vetëm se të padenjë, sipas ndarjeve administrative, por edhe ndarjen përfundimtare sipas etjes së madhe të ujqërve të polikës antishqiptare. Njeriu i ynë shkon me tru të shpërlarë kundër vetvetes. Ai nuk e di se ka mbetur një kukëll në duar e poli (a)tikës.

Ky është fati i shqiptarëve të nëpërkëmbur. Kur zemra e kombit është e ndarë në disa pjesë, që thonë se e kanë gëzuar “lirinë” në kuptimin social, ai nuk e ka gëzuar lirinë kombëtare, sepse është i ndarë në njësi të padrejta.

Në këtë pjesë, në Republikën e Kosovës, të themi “pjesa e zemrës”, e ka gëzuar lirës sociale dhe të jetë i barabartë me të tjerët, por nuk realizohet bashkimi kombëtar sipas nevojës sonë dhe dëshirës së mirëfilltë të popullit, edhe pse nuk di si t’a thotë ai, por realizohet “bashkimi” i përqafuar me armiqtë e tij në Bashkimin Europian. Armiqtë janë të shumtë. Duket sikur mbetet pa atdheun e tij, pa atdheun që do t’a shfrytëzojë ajo pjesë e kombit që jeton këtu, jo politikanët që shtyhen e etiketohen me njëri tjetrin për të plaçkitur “arkën kombëtare”, e jo për t’a qeverisur ashtu siç do të duhej të qeverisej, dhe këte na i shpjegon mirëfilli studiusi, në sjelljen e tij rrotull të të gjitha veprave të Pendit, të vrojtuara në këtë vepër të studimeve, ndërsa pasuritë nëntokësore të kësaj pjese të tokës i kanë futur në duar të veta bilionerët e mëdhenj të Europës së Bashkuar dhe Botës. Kur të vjen ky “bashkim”, ajka e vendit po shkon! Bashkimi i lirë i të gjitha tokave tona në një shtet, që e flasin gjuhën shqipe, e që e qeverisin vetë për nevojat e popullatës shqiptare, anë e përtej, e si duket, vështirë mund të vjen.

Kam shkruar gjatë dhe sipas njohurisë së denjtë e të vërtetë të mikut tim të jashtëzakonshën, Brahimit. Mendimet e tij janë të përcjellura tek unë. E deshi shumë ATDHEUN e KOMBIN e tij! Çuditërisht, si duket, e kanë lënë si „të parëndësi“. Ecin përtej të vërtetës dhe nuk e dinë sa dhembje të mëdha i kanë shkaktuar këtij burri të Malësisë së Gjakovës, që e deshi vërtetë e mjaft mirë bashkimin gjithëkombëtar. Të gjithë flasin për bashkimin kombëtar, por nuk e ndjejnë si ai, me zemrën e mbetur jetim. Brahim Ibish Avdyli u kthehet disa veprave të Prend Ndue Buzhalës dhe kësaj radhe veprës „Një re pa atdhe“.

Të gjitha tregimet e përfshira në këtë vepër, në pjeset e saj, “Gjethja që nuk po binte”, “Rrugë e vështirë e kthimit në shtëpi”, “Gjarpëri nën diskun e Diellit” dhe “Duke pritur në bregun e jetës”, janë vërtetë rrëfime postmoderne, të shkruara mirëfilli, në forma të zgjedhura artistike. Jo vetëm se na sqarohet “Letra e Bardhë” në disa faqe të kësaj krijimtarie të mirëfilltë, por edhe në analizat e përkryera të studiusit Brahim Avdyli.

Ndonëse ai i ka venë para vetes së tij disa vepra të tilla të letërsisë zvicrane e botërore, edhe të faqes së këtillë elektronike të Orell Fyeslit, me fjalën latine “Tabulla Rasa”, shqip “Tabela Zero”, pra FAQJA E BARDHË, analizuesi e shpjegon këtë fjalë në disa faqe deri në fund të kësaj vepre, si letra e pashkruar e një fëmije, e shpirtit të bardhë të tij, e në të cilën shkruajnë e shkarravitin të gjithë, nga familja, nga rrethi, nga shkolla, nga njerëzit e këtij gjysmë apo çerek-kombi. Mbi zemrën e fëmiut ngritet apo nuk ngritet vlera e tij aq sa është edhe niveli i përgjithshëm i kësaj pjese të kombit.

“Pika zero është pika e bardhë e shpirtit”, thotë analizuesi, që do të kishte shkuar Hyji apo Zoti i Madh, por ai e provon njeriun në vendin në të cilin është i lindur, prej njerëzve të një gjuhë, prej atdheut të mbuluar me dhunë.

Pastaj, që në fillim të veprës analizohet “botologjia”. Prendi, në një fjalë ironike e nxjerrë “botologjinë”, që duhet të jetë “shkenca” e saj. Me “botologjinë” shkruan ironikisht Prend Ndue Buzhala bazën e jetës ireale mbi botën reale. Siç thotë studiusi, e kishim prej sundimit të Perandorisë Osmane kalkën “batall”, e kjo “shkencë” do të rezultonte “batologjinë”, cila e fshikullon “veprimtarinë” e bashkëvendasve të Prendit, popullit shqiptar dhe pjesës së kombit shqiptar të Kosovës. Pjesa dërmuese e këtyre qyetatëve janë të hendikepuar prej mosveprimit; e kalojnë kohën kot; janë pipa të ligj të dalur me përdhunë në trungun dikur të shëndoshë të kombit yllor, yllir, iliro-arbanë, arbëresh e shqiptar.

Këtë tregim ironik e analizon autori mirë në disa rrjeshta, e “botologjia” na i përfshinë neve të gjitha “rragatat” e Prendit (rrugëtimet e vështira). Ato kalojnë në të “Përtejmen”, në “Andejbotë”, në “Këndejbotë”, në “Mbibotë”, në “Nënbotë” dhe në “Anashbotë”.

Më tutje, na shpjegohet detalisht edhe “Koha digitale”, “Fleta digitale”, “Letra digitale”, të cilat i kopjojnë pavetëdijshëm qytetarët tanë dhe u bëhet i pandarë nga jeta telefoni celular sa një kuti në xhep, p.sh., shkruajnë me te. Kjo është lojë e pashpirtësisë e të mëdhenjëve dhe serbëve, apo siç thotë edhe studiusi Brahim Avdyli, “është një lojë me të gjitha të vërtetat njerëzore”, në të cilën shihet përtej skene ajo forcë e madhe që po luante me masën, përmes një të padituri në skenë dhe vajzave sherrake. Rrëfimi quhet “Loja e dikujt tjetër” dhe është shumë i thellë! Lexoni veprat e Prend Ndue Buzhalës dhe lexoni veprën studimore të Brahim Avdylit. Lexoni edhe këto analiza të mia!

E përmendi këtë rrëfim në të cilën na vihen në lojë ata që luajnë si kukulla në penjtë që nuk duken, por me të gjitha mundësitë janë të “atillët”, që dje luanin tjetër “lojë”, me pandreka apo me kondakun e pushkëve të ushtarëve të tyre, apo edhe me plumba, siç vriteshin ushtarët e UÇK-së dhe fëmijët, apo siç vritet qeni i madh i ujkut në vend të Brahim Avdylit nga Milicia Serbo-Jugosllave. Këtë lojë, e bëjnë sot të tjerët, në vend të të parëve, me të gjithë krijuesit e popullin punues, që është masa, në këtë rrëfim.

Ata nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë këtë lojë të praptë se ç’është digitalizimi, e ky digitalizim kryhet nga të mëdhenjt e të mëdhenjëve deri te Kryedemoni, ndër të cilët njerëzimi është në njëfarë dore një “tepricë teknologjike”, që duhet të zhduket nga skena, që duhet të pakësohet…

Në përmbledhjen e tregimeve të shkurta janë mjaft tregime të ngjeshura me pak falë, siç thotë edhe studiuesi apo edhe vetë autori “rrëfime me pak fjalë”, të cilat e meritojnë që të lexohen dhe të shihet edhe ky studim, që nuk do të jetë i teti për veprat e Prend Buzhalën, por një prej atyre më të spikatura, që na e shplon Prendin një spektër më të gjërë, e t’a njohim e t’a lexojmë edhe njëherë, për të ditur thellësinë e tregimeve apo të poezive të tij.

Unë këtu po ndalem në analizat e tregimit të fundit, sepse ky recension më shkoi gjatë. Tregimi quhet “Rrëfimi i shkruar me pika gjaku”. Vetë kam qenë një prej atyre që ka vuajtur kohë të gjatë i burgosur nga serbo-jugosllavët, por edhe autori ka qenë vetë i burgosur për të njëjten arësye. Edhe miku im dhe ish-nxënësi im, ka vuajtur dhe po vuan kështu me të tjerët për bashkimin kombëtar.

Pjesa dërmuese janë të janë kthyer në anën tjetër e nuk dëshirojnë të pajtohen me një qeveri të vetme e të bashkuar të një kombi, dy etnive, gegë e toskë. Rrëfimet tona, të shkruara apo të pashkruara, të pikëzuara në shkronja të gjalla, shkojnë të shkruara me pika gjaku në fletën e madhe të së ardhmes sonë. Të gjitha këto rrëfime i kemi të pakryera, edhe pse jeta jonë një ditë, do të marrë fund. Siç shprehet autori, ua lëmë amanet brezave tanë që të vazhdojnë rrjeshtat e shkruara më tutje për të ardhmen e tyre…

  1. Në përfundim

Analizat ofrojnë një vështrim të thellë mbi simbolizmin dhe figurat artistike, duke e ndihmuar lexuesin të kuptojë kontekstin më të gjerë dhe mesazhet e fshehura në poezi e në tregime. Vlerat e shkrimeve analitike të autorit Brahim Avdyli janë të mirëfillta dhe përfshijnë disa aspekte të rëndësishme. Analizat e tilla i ndihmojnë lexuesit t’i kuptojnë më thellë tematikat dhe mesazhet që autori dëshiron të na i përcjellë, siç janë identiteti, ekzistenca dhe tensionet shoqërore. Ato ofrojnë një kontekst më të gjerë për veprën, lidhur me traditat letrare dhe tendencat e kohës, duke i vendosur tregimet në një dialog me autorë dhe lëmi të tjera.

Analizat kontribuojnë në krijimin e një tradite kritike që e vlerëson letërsinë shqiptare dhe e pasuron diskutimin mbi të. Duke ofruar perspektiva të ndryshme, këto shkrime inkurajojnë lexuesit të reflektojnë më thellë dhe të zhvillojnë mendimin kritik. Duke vendosur veprën e Buzhalës në një kontekst më të gjerë letrar dhe kulturor, analizat e ndihmojnë lexuesit të kuptojnë vendin e tij brenda traditës letrare shqiptare dhe përtej saj.

Shkrimet analitike nxisin lexuesin të reflektojë mbi çështjet ekzistenciale, identitetin dhe ndjenjat e izolimit, duke e bërë leximin një përvojë më të thellë dhe transformuese. Kështu, shkrimet analitike jo vetëm që i japin kuptim veprave të Buzhalës, por gjithashtu kontribuojnë në zhvillimin e një kulture leximi më kritike dhe më reflektive.


[1] Brahim Avdyli e kishte edhe një punim shkencor, të botuar në Qendrën Kombëtare „Rrënjët Tona“, Libri i parë (I) i Kuvendit Kombëtar, „Dardania e vjetër dhe Kosova“, Tiranë, 2019, 128-132.

[2] Mendoj se autori Brahim Avdyli ka të drejtë që i llogaritë si Yllirët, prej gjenezës së tyre, gigantët/ giga/ gegët, së bashku me toscanët/ toskët, edhe pse historiani i njohur kombëtar, Muzafer Korkuti, në veprën e tij „Parailirët, ilirët, arbërit/Histori e shkurtër“, Botimet TOENA, Tiranë, 2003, i quan parailirë, sepse shkenca ynë nuk i merr parasysh të parët tanë, para alfabeteve të pellazgëve dhe të Kadmit apo ndarjet e popujve të së njëjtës gjuhë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.