VEPËR E PËRSHKUAR NGA NJË NOSTALGJI E DHIMBSHME

0
Ferhan Jakupit – Mertol - Tetova

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Libri “Tetova në rrjedhën e historisë” është hartuar dhe është përpunuar nga Ferhan Jakupi – Mertol. Autori jep një pasqyrë reale të qytetit të lindjes. Kemi të bëjmë me një person i cili në vitet e dyndjes së madhe të shqiptarëve është shpërngulur për në Turqi bashkë me prindërit. Kemi të bëjmë me një rrëfim emocional dhe tronditës. Autori është plot mall dhe nostalgji për vendin e të parëve të tij. Ndonëse i larguar nga qyteti i lindjes para disa dekadave, ai nuk e ka harruar atë. Vizitën që ia bën qytetit rrëzë Sharrit e pasqyron si në një vepër artistike. E përshkruan çdo zonë, rrugë e rrugicë, monumentet historike, ndërtesat me rëndësi sociale, lagjet, dyqanet, dhe çdo shtëpi.

Autori e paraqet Tetovën në mënyrë shumëdimensionale. Flet për historinë e qytetit, për gjeografinë e tij, për bukuritë natyrore, për demografinë dhe popullsinë, për arsimin, për qeverisjen e tij në periudha të caktuara, për tregtinë. Në raste të caktuara jepen të dhëna edhe për strukturën etnike të popullsisë. Të dhëna të caktuara për qytetin ndërlidhen me periudhën antike. Kur flet për aspektin historik të qytetit, autori ndalet kryesisht në pesë shekujt e fundit. E shohim qytetin gjatë periudhës së sundimit dhe të administrimit osman. Autori na jep të dhëna për qytetin edhe pas rënies së tij nën pushtimin serb apo bullgar pas luftërave ballkanike, Luftës së Parë Botërore.

Autori na tregon se shqiptarët dhe popullata myslimane janë shpërngulur për në Turqi në kohë dhe periudha të ndryshme, si për shembull pas luftës ruso-turke të vitit 1877-1878. Kemi të dhëna për shpërnguljen edhe pas luftërave ballkanike, pas Luftës I Botërore, pas Luftës së Dytë Botërore. Në libër hasim të dhëna edhe për projektin e Serbisë së madhe – “Naçertanie” të Ilija Garashaninit. Autori nuk e lë pa e përmendur edhe elaboratin apo memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve” të Vasa Çubrilloviqit i cili shpërnguljen e shqiptarëve e kishte përpunuar dhe e kishte planifikuar në detaje.

Autori flet për ndarjen e dhimbshme të familjeve nëpër stacionet hekurudhore, për humbjen e pronave dhe të pasurive, për zaptimin e tyre nga organet e pushtetit, për shitjen e tyre me çmime të ulëta, për propagandën sllave që thoshte: “Shpërnguluni sa më parë, se së shpejti do të mbyllen kufijtë dhe ju do të mbeteni nën shtypjen dhe sundimin sllav”. Shpërnguljen e popullatës, autori e përshkruan në mënyrë dramatike.

Përshkrimi i ndarjes së familjeve është i dhimbshëm, i trishtueshëm, rrëqethës, prekës. Autori tregon se si janë braktisur shtëpitë, konakët, vatrat, pronat, dyqanet, bizneset, pasuritë, arat, fushat, pyjet, zabelet, bagëtia, prodhimet, drithërat, hambarët. Nxënësit u ndanë prej shkollave, prej shokëve të klasës, prej mësuesve të dashur. Kishte edhe mësues që u shpërngulën. Autori flet për Turqinë – “atdheun e ri” të të shpërngulurve, për jetën e re të tyre në mjedisin e ri, për organizimin e jetës, për përshtatjen në mjedisin e ri, për fillimin e ri.

Autori Ferhan Jakupi – Mertol Tetovën e përshkruan me tërë bazën dhe superstrukturën e saj. E paraqet qytetin, si në kohën e Abdyrrahman Pashës, ashtu edhe në periudhën para tij dhe pas tij. Flet për ndërtimet në qytet në periudhën osmane, për kalatë, për rrugët, për urat, për kalldërmat, për çezmat publike, për hamamet, për sahatkullat, për objektet e kultit, për xhamitë, për teqetë, për kishat, për mektepet, për medresetë, për zanatet, për organizimin e jetës sociale, për familjet, për konakët. Në libër do t’i gjejmë edhe furrat e bukës të të gjitha lagjeve të qytetit. Autori nuk lë pa e përmendur Xhaminë e Pashës, teqenë Arabati Baba dhe urën e Zhelinës.

Në periudhën e pushtimit dhe të sundimit serb apo jugosllav, qyteti i fushës së Pollogut pëson ndryshime të caktuara. Autori e përshkruan çarshinë e qytetit, sheshin e tij, objektet me rëndësi publike, hidrocentralin. Nuk i lë pa i përmendur ngjarjet dhe zhvillimet në Tetovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, flet për parinë e qytetit, për shoqërinë “Besa”. Pas luftës na jep pasqyrën e sistemit të arsimit, shkollat në gjuhën amtare, të ndaluar në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, në kohën e Pashiqit, të Karagjorgjeviqëve. Shumë objekte të qytetit të periudhave të ndryshme, autori i ilustron me fotografi autentike të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme për historiografinë e këtyre anëve.

Autori i librit “Tetova në rrjedhat e historisë” nuk lë pa i përmendur figurat historike të këtyre anëve, si Dervish Cara dhe Mehmet Pashë Deralla. Autori jep të dhëna edhe për pjesëmarrësit tetovarë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kemi të dhëna edhe për politikën diskriminuese dhe restriktive të pushtetarëve ndaj popullatës shqiptare edhe në kohën pas Luftës së Dytë Botërore. Flet për represaliet ndaj popullatës shqiptare, për arrestimin e tyre, për montimin e proceseve gjyqësore, për dënimet drakonike të shqiptarëve. Autori nuk lë pa i përmendur demonstratat e ‘68-ës, ato të ‘81-shit dhe luftën e 2001-shit.

Kemi të dhëna edhe për arrestimin dhe dënimin me vdekje të një grupi intelektualësh turq që e drejtonin në Shkup gazetën “Birlik”.

Në shumë fotografi me vlerë të çmueshme i shohim shkollat, sidomos shkollën “Liria”, shkollën “Istikball”, gjimnazin e Tetovës. I shohim mësuesit e parë, mësueset e para, pishtarët e arsimit në gjuhën amtare në qytetin të shtrirë nën këmbët e Sharrit, i shohim nxënësit, nxënësit me plisa të bardhë. Autori s’e lë dot pa e përmendur Universitetin e Tetovës dhe themeluesin e tij, Universitetin e Evropës Juglindore. Në libër kemi të dhëna edhe për fillimet e jetës kulturore artistike të qytetit, për jetën sportive, për organizimin e piknikëve gjatë ditëve të festave, në ditët e fundjavës.

Autori na e jep pasqyrën e dokeve, zakoneve, adeteve, traditave. Flet për organizimin e dasmave në qytet në kohën e tij. Dasmat i përshkruan në hollësi, në detaje. Çdo ditë e dasmës e ka pasur rolin e vet. Flet për ushqimet, llojet e ushqimeve, për veshjet, për këngët, për vallet, për instrumentet muzikore, për lojërat zbavitëse. Flet për tregun e qytetit, për ditën e tregut në qytet, për produktet bujqësore dhe blegtorale të fshatarëve. Shohim fotografitë e fshatarëve me plisa të bardhë, për fillimet e arsimimit, të shkollimit dhe të emancipimit të fshatarëve, për shkollimin, arsimimin dhe emancipimin e femrës shqiptare.

Shumë tradita, zakone, adete sot janë në shuarje e sipër. Prandaj libri “Tetova në rrjedhën e kohës” i autorit Ferhan Jakupi – Mertol ka një rëndësi të veçantë për popullatën, për t’i parë dhe për t’i kujtuar traditat e së kaluarës në qytetin tonë. Ky libër duhet të lexohet sidomos prej të rinjve të cilët për traditat popullore dhe për folklorin e para një shekulli nuk kanë njohuri të duhura. Jeta urbane, jeta dinamike, zhvillimi i teknikës dhe i teknologjisë, emigrimi drejt vendeve të Perëndimit ndikojnë që traditat e së kaluarës të mos i bëjnë ballë dhëmbit të kohës.

Në këtë libër mësojmë për vitalitetin e popullit shqiptar të këtyre viseve ilire, forcën e tij prej shkëmbi dhe qëndresën përballë stuhive të historisë.
Libri i Ferhan Jakupit – Mertol ka vlera universale dhe përçon mesazhe humane. Autori afirmon paqen dhe ngre zërin kundër konfliktit, është për drejtësi dhe barazi midis popujve.

Autori nuk e lë pa e përmendur Kushtetutën e viti 1974, flet po ashtu edhe për fillimin e shpërbërjes së RSFJ-së dhe për fundin e saj, për luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë të viteve 1992-1995, për kalimin në sistemin shumëpartiak dhe për zgjedhjet e lira në Jugosllavi, për jetën pluraliste dhe zgjedhjet e para të lira në Maqedoni në vitin 1991, për luftën e 2001-shit dhe Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, për statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në Maqedoni, për Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018 që ia hapi rrugën Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në NATO. Autori i librit nuk lë pa folur edhe për luftën e Kosovës të viteve 1998-1999 dhe për çlirimin e saj nga pushtimi serb.

Shumë ide dhe mendime autori i kësaj vepre i ka argumentuar në bazë të literaturës së shfrytëzuar që e përmend në fund të librit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.