URAT E MIRËSISË NJERZORE TË AMBASADORIT VILI MINAROLLI

0
Vili Minarolli - Kur urat ndërtohen me fjalë

Për çdo njeri mesatarisht i angazhuar e i vemendshëm për zhvillimet në vend, në dekadat e pluralizmit politik shqiptar, profesor Vili Minarolli është një përsonalitet i pashmangshëm i jetës politike e diplomatike i dekadave postkomuniste në Shqipëri.

Pa hyrë në detaje e imtësi që nuk janë qëllim për ne, Vili Minarolli i njohur në politikë e diplomaci si zyrtar i lartë, deputet, politikan i rangjeve të larta e ambasador, erdhi nga fusha e shkencave si aristokrat, gjithë finesë, me klas e sharm të veçantë pa aktrime e britma dhe krijoi një profil të admirueshëm, një model politikani e diplomati që i duhet gjithmonë vendit e shoqërisë, por që për realitetet e pahijshme aktuale shqiptare ku dominon grykësia e kamja para çdo ideali e çdo kodi moral, është e do të jetë jashtë mode, nuk di edhe për sa kohë.

Vili Minarolli vjen në politikë e diplomaci nga katedra universitare, vjen nga matematika, do të thotë që zhurmës së fjalëve duhet t’u vejë në fund shenjën e barazimit me nxjerrë një përfundim si në matematikë që kërkohet një përfundim. Kjo si duket i ka shërbyer që të ketë gjithmonë synime e objektiva të qarta në detyrat e tij.

Zë ultë, zë butë, me timbër të ngrohtë, me artikulim të kthjelltë, të qartë, pa ngrënë kurrë germë a shenjë pikësimi në gjithë komunikimet, bashkëbisedimet, tryezat a foltoret, ky është një përshkrim që do ta bëja për aftësinë e mjeshtrinë e komunikimit të ambasadorit Vili Minarolli i cili si pak kush në vendin tonë pati fat të shërbente si diplomat i lartë i ngarkuar me punë në Beograd kur Jugosllavia e atëhershme ishte përfshirë nga flakët e luftës, flakë që synonin të përcëllonin edhe Kosovën; të shërbente ambasador i Shqipërisë në Greqinë mike që nacionalizmat banale barketruthata donin ta bënin armike.

Ndërkohë që në atë shtet fqinj kishin gjetë strehë e bukë për vete e fëmijët e tyre rreth një milionë shqiptarë që i dolën tepër atdheut tonë komunist që e mbanim për fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut ndërsa ai kishte qenë për shqiptarët ferr e skëterrë; shërbeu si ambasador në Vjenë të Austrisë mike mbi mike për kombin shqiptar, të Austrisë që ka kontribute themeli për kombin shqiptar, ministri i jashtëm i të cilës, konti Bertold, pasi ia kishte përcjellë gjithë porositë perandorake Ismail Qemalit për ta ngritë flamurin e pavarësisë së Shqipërisë e ky e pyeti, që ku ta vendoste flamurin, ministri Bertold i ishte përgjigjë, ku ta gjesh një pushkë austriake në bajonetën e saj ngule flamurin shqiptar…

Vili Minarolli që për shumë vite shërbeu si diplomat e ambasador ne tre shtete të rëndësishme për jetën e historinë shqiptare u bë konstruktor ekselent i ngritjes së urave mes popujve, i ngritjes e vendosjes së një komunikimi të dinjitetshëm mes shteteve e popujve.

Me dashurinë për vendin, duke u kthye në misionar e jo thjeshtë diplomat rrogëtar, ambasador Vili Minarolli shërbeu me përkushtim e devocion dhe arriti nivele të tilla komunikimi mes shteteve që nuk mund të fshihen, por do të merren reference nga diplomatët e ardhshëm.

Disa nga përvojat e tij ambasadoriale gjenden në kërë libër, që veç të mirave të tjera që ka, veç përkëdheljes së sedres me kujtime, veç krenarisë që le për pasardhësit e historinë që nuk është në dosje tenderash për gërmime e asfalt, por në libra të shkruara, ky libër u shërben diplomatëve të rinj që duan të jenë e të bëhen mirëfilli diplomatë për Shqipërinë.

Në këtë libër gjejmë një diplomat jo hijerëndë mjekërmadh, që shtiret se ka në dorë butonat e raketave bërthamore, gjejmë një diplomat që imponon respekt e admirim me sjellje njerzore, me xhentilesë, përunjësi, çiltërsi që përkundër asaj rrace diplomatësh që flasin me kode e etiketa se ua mundëson fuqia e madhësia e vendit që përfaqësojnë, gjejmë një diplomat që beson se mirësia e miqësia njerzore ekziston tek çdo njeri dhe lum ai që di ta gjejë e t’i flasë mirësisë njerzore, lum ai që di të flasë me tjetrin me zemër në dorë.

Vili Minarolli me këtë libër na tregon se miqësia, mirësia e dashuria janë më të fuqishme se çdo urrejtje, na mëson se nuk ka koka bërthamore që mund të shkatërrojë miqësinë e dashurinë mes njerzve e popujve, na mëson se mirënjohja është një lule që gëzon çdo fytyrë njeriu dhe bën që cdo dorë që do ta marrë këtë lule ta flakë tej e larg thikën a armën nëse i ka në dorë.

Në misionin e tij diplomatik, nga faqet e librit të ambasadorit Minarolli mëson se do të kesh sukses nëse gjen dhe fton në bashkëbisedim njeriun te gjithkush, sepse çdo zyrtar, çdo individ kudo, së pari është njeri, ka brenda vetes njeriun. Gjetja e njeriut te secili dhe komunikimi njerzor ka qenë cilësi e ambasadorit Minarolli.

Në libër ka dhjetra ngjarje, rrëfime e histori që të përfshijnë emocionalisht. Po bashkëbisedimi me shoqatat e shqiptarëve në Greqi të mbetet në mendje si një veçanti. Askush nuk ka supe për të mbajtë shpërfilljen e nënvlerësimin e tjetërkujt, këtë nuk e harroi asnjëherë në komunikimet e tij ambasadori Minarolli i cili kudo u soll si përaqësues i drejtë e dinjitoz i shtetit shqiptar, përfaqësues që nuk mund të sillet me disa shqiptarë që jetojnë në vend të huaj si nënë e me disa shqiptarë të tjerë si njerkë.

Nuk mund të mos krijosh admirim e simpati për ndërhyrjet e ndihmat e spitaleve greke apo austriake për shtetasit shqiptarë e Shqipërinë, ndihma që as grekët as austriakët nuk i bënë për qytetarë shqiptarë për dekorata e fletëlavdësimi por i bënë nga fuqia e dinjitetit të tyre njerzor, nga mirësia e humanizmi.

Me të drejtë nuk e fsheh krenarinë shqiptare ambasadori Vili Minarolli që në 100 vjetorin e shtetit shqiptar arriti të sillte për herë të parë në Shqipëri nga Vjena shpatën e përkrenaren e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot -Skënderbeu, ngjarje që u dha hijeshi si qershia mbi tortë festimeve të 100 vjetorit të pavarësissë së Shqipërisë.

Lexuesi shqiptar do të ndjehet mirë kur gjen Kosovën në faqet e këtij libri, kur gjen zhvillimet në Prishtinë e Kosovë, gjen bashkëbisedime me udhëheqësin e shqiptarëve Ibrahim Rugovën, me përsonalitete të tjera shqiptare me ndikim në ato vite kur flakët e luftës përflaknin Kroacinë, Slloveninë, Bosnjën dhe erërat i drejtonin nga Kosova. Këtu diplomati shqiptar Vili Minarolli i ngarkuar me punë i Shqipërisë në Beograd, nuk e shmang dot veten nga misioni i atdhetarit, nuk e shkul dot nga vetja Kosovën edhe e shfaq vetiu veten pjesë të saj.

Kur diplomati nuk vishet me kostumin e inferiorit, megallomanit, kur diolomati është dinjitoz nga formimi e kultura, kur është patriot, i përkushtuar e i vemendshëm për misionin e tij, kur i do dhe i bën gjërat seriozisht e jo sa për një raport e informacion rutinë radhe, ka pse shkruan historinë e tij që mbetet patjetër e ngulitur në analet e diplomacisë, siç mendoj se ka mbetur edhe ky libër i ambasadorit Vili Minarolli, libër që është është një fragment i ndritshëm e dinjitoz në historinë e diplomacisë shqiptare, histori që në fund të fundit e bëjnë diplomatë njerëz konkretë që nuk janë makina.

Rexhep Shahu, redaktor i librit

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.