“ULIKSI” – XHEJMZ XHOJS

0
Uliksi - James Joyce

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

I.

“Uliksi” (Ulysses, 1922) është një prej romaneve më të rëndësishme të shekullit XX. Autori flet për njeriun e rëndomtë dhe për përpjekjen e tij për ta kapërcyer dhe për ta ndryshuar banalitetin e jetës. Mënyra tradicionale e rrëfimit apo e narracionit shndërrohet në fishekzjarr virtuoz të stilit që imiton teknika të ndryshme të rrëfimit apo të narracionit, prej atyre realiste deri te përroi i ndërgjegjes. Ky roman shënon hapat më të mëdhenj në teknikën romaneske dhe është sintezë e tendencave moderniste.

*   *   *

Romanin “Uliksi” (Ulysses) Xhojsi e shkroi për dhjetë vjet: prej vitit 1914 deri në vitin 1924. Në një letër të vitit 1921 thotë se vetëm deri atëherë, për ta shkruar ”Uliksin” ka harxhuar rreth njëzet mijë orë. Romani ka rreth 800 faqe. Ka mbi dyqind e gjashtëdhjetë mijë fjalë si dhe një vokabular (fjalor) prej rreth tridhjetë mijë fjalësh të ndryshme. I tërë veprimi zhvillohet në Dublin, prej orës tetë të mëngjesit të datës 16 qershor 1904 (ditë e enjte) deri në orën tre pas mesnate të ditës së nesërme, 17 qershor 1904. Me fjalë të tjera, veprimi në roman zgjat 19 orë.

Veprimi përqendrohet mbi tre personazhe kryesore: mbi çiftin e moshës së mesme – Leopold dhe Merion (Moli) Blum, mbi poetin e ri Stiven Dedalus, i cili është heroi kryesor i romanit paraprak të Xhojsit “Portreti i artistit në rini”.

Personazhe kryesore janë bashkëshortët Leopold Blumi e Moli Blumi si dhe Stiven Dedalusi, mësues në një shkollë private. Autori e rrëfen ngjarjen brenda një dite, pikërisht më 16 qershor të vitit 1904. Mu atë ditë Stiven Dedalusi largohet nga puna. Në roman autori paraqet çdo gjë që kishte përjetuar, që kishte menduar dhe që kishte ndjerë nëpërmjet personazheve, brenda një dite në Dublin. Ai ia fillon me përjetimet banale dhe të përditshme për të pasqyruar edhe botëkuptime politike, religjioze, sociale, letrare…

“Uliks” janë të pranishëm edhe disa personazhe episodike të “Portretit…” si dhe të romanit “Dublinasit”.
Romani “Uliksi” është një freskë tejet e vërtetë dhe realiste e Dublinit të para më se një shekulli.

Përse ky roman mban një titull homerik? Xhojsi thotë: “Figura e Odiseut gjithmonë më ka magjepsur, madje qysh si fëmijë”. Shumë kritikë e kanë parë “Uliksin” si një version të ri të “Odisesë”, në të cilin Leopold Blumi gjatë shëtitjeve të tij të përditshme verore nëpër qytet, në mënyrë parodike do të paraqiste Odisenë, gruaja e tij kurorëshkelëse Moli, Penelopën e dëlirë, ndërsa Stiveni – Telemakun.

Kësaj i kundërvihet në mënyrë të prerë prozatori dhe poeti ruso-amerikan Vladimir Vladimiroviç Nabokov i cili thotë se libri ka njëfarë theksi homerik tejet të paqartë dhe të përgjithësuar. Në favor të tij shkon fakti se vetë Xhojsi hoqi dorë prej titujve pseudo-homerikë të kapitujve që ekzistonin në versionin e parë, kur romani dilte në vazhdime nëpër revista. Por, për t’i vërtetuar tezat e veta, shumë kritikë ende i përdorin këta tituj.

Është e pamundur të numërohen të gjitha risitë dhe zbulimet e stilit që i ka paraqitur Xhojsi në këtë vepër. Sot e kësaj dite, shkrimtarë të mbarë botës furnizohen nga burimi i tij. Megjithëkëtë, “Uliksi” nuk u pritë me fanfara, d.m.th. nuk u prit me bujë. Libri dy herë ka qenë në gjykatë. Xhojsi u quajt “pornograf i ndyrë ndaj të cilit Rabële është një shkrimtar tejet i përmbajtur”. Kopjet e botimit të tretë të “Uliksit” u dogjën publikisht. Mirëpo kritikët  me shije artistike subtile (të hollë), e kuptuan sakaq vlerën e vërtetë të veprës. Dhjetë vjet pas botimit, “Uliksi” ishte roman klasik dhe kanonik.

Libraria moderne e shpalli “Uliksin” si romanin më të mirë të shkruar në gjuhën angleze në shekullin XX. Adhuruesit e romanit, sidomos në Irlandë, çdo vit 16 qershorin e festojnë si Ditë të Blumit (Bloomsday).

Shënim:

Fransua Rabële (François Rabelais, 1484-1553) – romancier francez.

Vladimir Vladimiroviç Nabokov ((Shën-Peterburg, 1899– Montreux/Zvicër, 1977) është prozator dhe poet ruso-amerikan. Në vitin 1919 familja e tij e la Rusinë. Shkollimin e vazhdoi në Angli. Shumicën e veprave në gjuhën ruse i shkroi në vitet 1922-1937 derisa jetonte në Berlin. Disa vite në prag të Luftës II Botërore i kaloi në Paris. Në vitin 1940 emigroi në ShBA ku filloi të shkruante në gjuhën angleze. Në vitin 1955 botoi romanin “Lolita”, në fillim të ndaluar për shkak të përmbajtjes “pornografike” , ku flitet për dashurinë e një burri të pjekur ndaj “nimfës” Lolita.

*   *   *

Veprimi i romanit “Uliksi” (Ulysses, 1922) të prozatorit dhe poetit irlandez, Xhejmz Xhojsit (Jmes Jojce, Dublin, 1882 – Cyrih, 1941) zhvillohet në Dublin.

Është një prej romaneve më të rëndësishme të shekullit XX. Theksi vihet mbi njeriun e rëndomtë dhe përpjekjen e tij për të tejkaluar dhe për ta ndryshuar banalitetin jetësor. Mënyra tradicionale e rrëfimit shndërrohet në fishekzjarr virtuoz të stilit që i imiton teknikat e ndryshme të narracionit (të rrëfimit), prej atyre realiste deri te përroi i ndërgjegjes. Ky roman paraqet kërcimin më të madh në teknikën romaneske, por edhe sintezën në synimin modernist.

Në qendër të romanit ndodhen tre personazhe: çifti Leopold dhe Moli Blum dhe poeti e profesori i ri, Stiven Dedalus. Shumë studiues kanë parë lidhjen e “Uliksit” të Xhojsit me “Odisenë” e poetit antik grek, Homerit (shekulli VIII para K.). Në përputhje me këtë, në mënyrë parodike Blumi do të paraqiste Uliksin, gruaja e tij do ishte Penelopa, ndërsa Stiven Dedalusi – Telemakun. Xhojsi ka qenë i entuziazmuar me figurën e Odiseut, por më vonë i ka mohuar të gjitha lidhjet me këtë vepër.

Shënim: Homeri është autor i epëve “Iliada” dhe “Odisea”, dy vepra më të vjetra të ruajtura të letërsisë greke dhe evropiane.

*   *   *

Romani ndahet në kapituj që janë të sistemuar në tri tërësi të mëdha. Veprimi fillon në kullën Martello, me paraqitjen e studentit të mjekësisë Bak Muligan dhe Stiven Dedalusit. Stiveni është i zemëruar ndaj kolegut të tij i cili e fyen nënën e tij që kishte vdekur para do kohe dhe vetë atë, ngase e fajëson për vrasjen e saj. Stefani konsiderohet agnostik dhe kishte refuzuar të lutet për të para vdekjes.

Shënim: Agnostik (gr. agnostos – i panjohur) – doktrinë filozofike idealiste e cila mohon mundësinë e njohjes së botës objektive. Këtë doktrinë e kanë mbrojtur: filozofi anglez Dejvid Hjum (David Hume, 1711-1776), filozofi anglez Xhorxh Berkli (George Berkeley, 1685-1753), filozofi gjerman Emanuel Kant (Emmanuel Kant, 1724-1804), filozofi dhe sociologu francez, pozitivisti Ogist Kont (Auguste Comte, 1798-1857), filozofi dhe psikologu anglez Herbert Spenser (Herbert Spencer, 1820-1903). Në të vërtetë nuk ekziston asgjë që nuk do të mundë të njihej; ekzistojnë vetëm gjëra dhe dukuri të natyrës të cilat në  shkallën historike të caktuar të zhvillimit të shkencës ende nuk janë njohur. Por ka studiues që thonë se përvoja historike, parashikimi shkencor dhe nënshtrimi i forcave të natyrës njeriut, e hedhin poshtë agnosticizmin.

*   *   *

Pastaj pasqyrohet dita e Stefanit në shkollë duke ligjëruar historinë dhe duke biseduar me drejtorin, zotin Dizi i cili i lutet t’i ndihmojë për ta botuar artikullin për sëmundjen e këmbës së bagëtisë. Kapitulli i tretë është shkruar në formën e përroit të ndërgjegjes (stream consciousness). E tregon qëndrimin e Stefanit në breg. Atij i kujtohet Parisi dhe i ngjallen mendimet për filozofinë.

Pjesa e dytë na shpie te Leopold Blumi i cili ia çon ushqimin e mëngjesit në krevat gruas së vet Molit. Shkon në mishtore dhe e lexon letrën që ia ka dërguar e bija Mili. Para do kohësh ajo është punësuar te një fotograf. Pastaj shëtit nëpër Dublin, blen një sapun të cilin tërë ditën do ta mbajë në xhepin e kapotës, lexon letrën e dashurisë që ia ka dërguar Marta dhe shkon në banjë avulli. Pastaj Blumi hipën në koçi dhe shkon në varrimin e Dignamit.

Pas kësaj viziton redaksinë e gazetës “Freeman” ku punon në zyrën e shpalljeve. Ky kapitull është pasqyruar si një varg artikujsh gazetareskë. Gjatë ditës e viziton bibliotekën e qytetit ku Stiveni flet për Shekspirin, shkon në restorant, në pab dhe e viziton Mina Pjurfojin në repartin e lindjeve. Mesnatë. Blumi i dehur ecën nëpër zonën e bordeleve të Dublinit. Aty sheh imazhe. E paramendon veten në role të ndryshme. Në fund takon Stefanin e dehur të cilit i fanitet hija e nënës së vdekur.

Në pjesën e tretë e shohim Blumin duke i ndihmuar Stefanit që të zhdehet. E merr në shtëpi të vet ku bisedojnë deri vonë.

Kapitulli i fundit është shkruar pa i përdorur shenjat e pikësimit dhe paraqet përroin e ndërgjegjes të Moli Blumit. Moli mendohet për Blumin i cili assesi të mbajë punën, për aventurat e tij me shërbëtoret dhe për raportin e tij me Boilanin e Zjarrtë.

*   *   *

Titulli i origjinalit: “Ulysses”;  

Gjuha: angleze;

Lloji i veprës: roman;  

Gjinia (stili, zhanri): roman i përroit të ndërgjegjes, roman psikologjik, roman autobiografik, roman satirik;

Koha e zhvillimit të veprimit: periudha prej 16 qershorit 1904 deri në orën tre pas mesnate të 17 qershorit;

Vendi i zhvillimit të veprimit: Dublin (kryeqytet i Irlandës);

Personazhe kryesore: Leopold Blumi, Stiven Dedalusi, Moli Blumi.    

Viti i botimit: 1922;

Numri i faqeve (varësisht nga botimi): 765;

Tema: Pasqyrimi i bredhjeve të zotit Blum nëpër Dublin. Gjatë ndërveprimit të tij të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me banorët e tjerë të qytetit, e fitojmë pasqyrën e asaj shoqërie. Pasqyrohet edhe raporti i tij me bashkëshorten Moli si dhe marrëdhëniet disi atërore me Stiven Dedalusin;

Ideja: Kritikë e shoqërisë bashkëkohore të zbrazët si dhe raporti ndërmjet prindit dhe fëmijës.

Pjesa I

1.

Bak Maligan zbriti prej shkallëve duke mbajtur me vete legenin për t’u rruar në të cilin kishte vënë pasqyrën dhe briskun. Kishte të veshur një fustan të verdhë shtëpiak. U ngjit në bazamentin e rrumbullakët të topit dhe e përshëndeti Stiven Dedalusin i cili e shikonte me mërzi. Vazhdoi të ecë, ndërsa Stiven Dedalusi e përcillte. E pyeti në mënyrë të qetë se sa do të qëndronte në kullë Hajnesi. Dedalusi i tha se po qe se Hajnesi do të mbetej, ai do të ikte ngase ai njeri tërë kohën llomotit për vrasjen e një pantere të zezë.

Baku përsëri u ngjit në murin mbrojtës dhe e hodhi shikimin kah Gjiri i Dublinit. Krenohej me detin dhe i kërkonte Stefanit për t’ia mësuar leximin e grekëve në origjinal. Pastaj e shikoi Stivenin drejt në sy dhe i tregoi se tezja e tij mendonte se ai e kishte vrarë të ëmën dhe për këtë arsye nuk dëshironte të ketë punë me të. Vazhdoi të flasë dhe t’i thotë se të paktën do të duhej të përulej dhe të lutej për të, meqë e ëma i ishte lutur në prag të vdekjes. Stiveni ia nguli sytë skajit të grisur të mëngës së tij dhe nuk tha asgjë. Bak, duke u rruar, i tha Stivenit se do t’ia siguronte një palë pantallona dhe një këmishë.

Stiveni ia ktheu duke i thënë se nuk do të mbante pantallona ngjyre të përhimët. Baku tha me vetvete: “Ky që e ka vrarë të ëmën, nga mirësjellja nuk mund të mbajë asgjë përpos rrobave ngjyre të zezë”. Baku përfundoi të rruarit dhe që të dy vazhduan. U përpoq të kuptonte përse Stiveni i hidhërohej atij. Ai ia mbante për të madhe se te tezja e kishte paraqitur me fjalët: “Ky është Dedalusi të cilit nëna i ka ngordhur si një kafshë”. Për një çast Baku qeshi, por shpejt e mori veten dhe vazhdoi duke thënë se nuk është me rëndësi se për nënën e kujt është fjala. Madje ai çdo ditë sheh njerëz të vdesin, të cilët pastaj i bëjnë secesion në Mater Misericordiae dhe Richmond. Stefani i tha se nuk ia mban për të madhe fyerjen ndaj të ëmës, por ndaj vetë atij. Baku ia ktheu duke i thënë se ai nuk është konsekuent dhe se duhet t’i lërë mënjanë mendimet e zymta.

Derisa e ndiqnin kujtimet për të ëmën, Stiven Dedalusi qetësisht e sodiste detin. Thonjtë e saj të kuq të përgjakshëm, molla e ngjeshur me sheqer ngjyrëgështenje që përgatitej për të, gota e saj me ujë e mbushur në çezmën e kuzhinës. Iu duk sikur sytë e saj të qelqtë, ia shponin shpirtin nga varri. Zëri i Bakut ia ndërpreu mendimet e zymta. E ftonte për të ngrënë mëngjes. Hajnesi qëndronte pranë dyerve të hapura, ndërsa Baku përzhiste vezë. Dedalusi solli bukë, gjalpë dhe mjaltë. Pasi u ul, Baku konstatoi se nuk ka qumësht, gjë që e zemëroi. Por Hajnesi ndërhyri duke thënë se gruaja me qumështin pritet të mbërrijë në çdo çast. Derisa Baku ishte duke e prerë bukën, Hajnesi i mbushi gotat me çaj. Pastaj i bëri vërejtje Maligenit se çajin e bën shumë të rëndë. Baku, duke imituar zërin e ndonjë plake, ia ktheu dhe i tha: “Kur bëj çaj, bëj çaj, e kur bëj ujë, atëherë bëj ujë”.

Pasi gruaja e la qumështin, vazhduan të hanë mëngjesin. Baku i dha dy shilingat e fundit për qumështin dhe i porositi Dadalusit të shkojë deri në shkollë t’i marrë paratë e veta ngase sonte duhet të pinë dhe  të festojnë. Ai e tallte Dedalusin se lahej vetëm një herë në muaj, por ai ia kthente duke i thënë se e gjithë Irlandën e lante rryma e gjirit. Hajnesi e përcillte bisedën e tyre dhe përgatitej të shkonte në bibliotekën kombëtare. Shfaqi interesim për proverbat e Dedalusit duke thënë se ai do të mundë të bënte prej tyre një përmbledhje. Dedalusi pyeti nëse një gjë e tillë do t’i sillte ndonjë farë fitimi. Kjo e zemëroi Bakun i cili e konsideronte atë si të pangopur dhe se do të tallej me të tjerët sikur me ta.

Të gjithë së bashku u lëshuan poshtë kullës. Hajnesit i interesonte mendimi i Dedalusit për Hamletin, por Baku reagoi sakaq. Nuk donte të dëgjojë për këtë derisa s’kishte pirë të paktën nja tri shtamba. Dedalusit kjo s’i pengonte. Edhe ashtu shumë kishte pritur, ndaj do të presë edhe ca. Baku nisi të kërcejë plot hare dhe të këndojë një këngë disi fyese që e quante Jozef Zdrukthëtari. Hajnesi konstatoi se kënga ishte disi blasfemike, ndonëse vetë ai nuk ishte ndonjë farë besimtari. Baku i hoq teshat dhe kërceu në ujë. Hajnesi vazhdoi rrugën ngase nuk donte të lahej menjëherë pas ngrënies së mëngjesit. Para se të shkonte Stefani, Baku kërkoi t’ia lente çelësin dhe dy lekë (feni). Do të takohen në Anije në dymbëdhjetë e gjysmë.

2.

Stiveni ishte mësues në shkollë. I pyeste nxënësit një nga një për njohuritë nga historia. Pastaj tekstin e lexonin me zë. Fëmijët ia përkujtonin se sot është e enjte, që do të thotë se orët janë të shkurtuara se dhe në orën dhjetë kanë hokej. Që të gjithë u shpërndanë kah sytë, këmbët. Mbeti vetëm Sargenti i cili ia solli Dedalusit fletoren për t’ia kontrolluar. Zoti Dizi e urdhëroi që detyrat nga matematika t’i shkruajë edhe një herë. Por djaloshi vetëm i përshkroi nga dërrasa e zezë. Vetë nuk dinte të zgjidhë as edhe një detyrë të vetme. Dedalusi u ul pranë tij dhe e zgjidhi detyrën në fletore kurse ky shikonte. Pas kësaj Sargenti një detyrë e zgjidhi vetë. Tani e lejoi të shkonte në hokej. Fëmijët në fushën e sportit u rreshtuan për të luajtur hokej. Z. Dizi erdhi te zyra e Stivenit për t’ia dhënë paratë. Z. Dizi me krenari ia tregoi disa arkëza ku i ruante paratë.

E sugjeroi që edhe vetë të blejë një arkëz ku do t’i mbante paratë. Po qe se paratë i mban në xhep mund t’i humbë. Dedalusi ia ktheu duke i thënë se arkëza e tij do të kishte qenë kryesisht e zbrazët. Kjo e nxiti Dizi t’i thotë se njeriu duhet të dijë si t’i menaxhojë paratë dhe si të jetojë nga puna e vet. E pyeti Dedalusin në kishte borxhe. Dedalusi i numëroi në mendje njerëzit të cilëve u kishte borxh para, veshmbathje, dreka. I tha se në këtë çast nuk mund ta thotë një gjë të tillë. Z. Dizi iu lut Dedalusit të presë pak sa ta përfundojë dhe ta shtypë tekstin për sëmundjen e këmbëve dhe të nofullës. Pasi e kreu, iu lut t’i ndihmonte për ta botuar në gazetë. Herën tjetër kur të shpërthejë epidemia, do të ndalojë importin e bagëtisë irlandeze.

Kjo është një sëmundje që mund të mjekohet dhe që mjekohet në Austri. Pastaj shtoi se Anglia ndodhet në duart e hebrenjve dhe tha se këto janë shenja të rrënimit kombëtar. Dedalusi ia ktheu duke i thënë se tregtar është ai i cili mallin e blen lirë dhe e shet shtrenjtë, pavarësisht nga fakti se cilës fe i përket. Dedalusi i tha se nuk e njeh mirë kryeredaktorin. Megjithëkëtë, do të tentojë t’ia botojë tekstin. Lidhur me këtë do ta njoftojë nesër. Pastaj doli, kaloi pranë fëmijëve të cilët luanin hokej. Dizi e thirri përsëri. Vrapoi deri tek ai dhe i tha se Irlanda është i vetmi vend i cili kurrë nuk i ka përndjekur hebrenjtë, kështu sepse kurrë nuk ka lejuar që të vijnë. Qeshi me fjalët e veta dhe u kthye në zyrë.

3.

Stiveni e vizitoi xhaxhain e vet Riçin. Derën e çeli Valteri dhe e ftoi brenda. Riçi e thirri me fishkëllimë Valterin që t’i thotë nënës të përgatisë raki malti (elb i përgatitur për birrë) për të dhe Stivenin, por Valteri ia ktheu duke i thënë se ajo është duke e larë Krisin. Valteri babait të vet i drejtohej me “zotëri”, ndërsa Stiveni pyeti se në çfarë dere është martuar xhaxhai. Stiveni dëshironte ta refuzojë pijen por xhaxhai nguli këmbë. Biseduan për të kaluarën e Stivenit, se si kishte tentuar të bëhej i shenjtë, për ditët e egra të tij dhe për synimin e tij për të shkruar libra titujt e të cilëve do të ishin vetëm një shkronjë. Pastaj foli për qëndrimin e tij në Paris.

Për në shtëpi Dedalusi u kthye nëpër bregun jugor. Mendonte për dhomën e ftohtë që e priste në kullë dhe për pjatat që kishin mbetur të palara që nga mëngjesi. Pyeti veten se kush do t’i lante ato? U ul në ulësen prej guri. I doli para një qen. Dedalusi u mendua: A thua vallë do të më sulmojë? Por ai kishte shkop dhe do të mund të mbrohej. Pas qenit ia behën pronarët e tij, një burrë dhe një grua. Qeni sillej rreth e rrotull, pas hijeve të pulëbardhave. Vrapoi deri te kërma e një qeni që ndodhej pranë Dedalusit, iu afrua, i mori erë, por britma e pronarit ia ndërpreu nuhatjen. Burri dhe gruaja mblidhnin guaca, pastaj vazhduan rrugën.

Dedalusi përsëri mbeti vetë. Grisi një copë letër në të cilën z. Dizi e kishte shkruar artikullin dhe kishte shkarravitur disa fjali. Kur mbaroi, u shtri përgjatë shkëmbinjve të mprehtë dhe shikonte diellin që perëndonte. Pastaj shikimi iu ndal te një këpucë e hedhur, i vështronte palët e lëkurës së rrudhur. I hodhi sytë mbi barin të cilin batica e herë e drejtonte, herë e shtrinte. E çoi mendjen mos do të ishte më mirë që me paratë që i mori sot prej z. Dizi të shkonte te dhëmbëtari. Dhëmbët s’i ka mirë, madje njëri prej tyre i lëviz.

Pjesa II

4.

Leopold Blumi përgatiste mëngjesin duke menduar njëherazi për ushqimin e tij të parapëlqyer, përbrendësat e kafshëve dhe të shpendëve. Më së shumti adhuronte veshka delesh. Derisa priste të vlojë uji për çaj, iu afrua macja. Duke u sjellë rreth këmbës së tavolinës, kërkonte t’i kushtohet vëmendje. I dha qumësht në një enë.

Kaloi nëpër korridor dhe e pyeti në donte të hajë diçka, mërmëriti diçka sikur të thoshte se nuk donte. E vërejti se shkonte në krevat. E mori kapelën prej varëses dhe pa bërë zhurmë, doli jashtë. Nuk dëshironte ta shqetësojë. Bënte mot i mirë, ecte nëpër Dublin, kaloi pranë pijetores, pastaj pranë shkollës shtetërore të Shën Jozefit. U ndal para mishtores dhe nëpër vitrinë vështronte kurorat, suxhukun, veshkat prej të cilave ende pikonte gjaku. Në mishtore hyri një vajzë që banonte aty afër, i vështroi duart e thata të saj si pasojë e përdorimit të detergjentit për larje si dhe ijët e forta të saj.

Priti të shohë se ç’do të blinte, e kur mbaroi, vendosi ta përcjellë. Por sakaq hoqi dorë. U kthye në shtëpi, në verandë gjeti dy letra dhe një kartëpostale, lexoi emrin, zonja Merion Blum. I shkoi në dhomë dhe ia dorëzoi letrën dhe kartëpostalen. Ajo i shikoi dhe i vuri ndër jastëk. Iu lut atij t’i bënte çaj. Leopold Blumi i ngriti roletat e dhomës deri në gjysmë, i mori prej dyshemesë kombinezonin dhe mbathjet dhe i vuri pranë krevatit.

Ai qiti gjalpë në tavë dhe në të e vuri veshkën. E përgatiti çajin dhe e hapi letrën. Bukën me gjalpin dhe çajin i vuri në tabaka dhe i çoi në dhomë. Ajo iu lut ta ngrejë librin që kishte rënë ndër krevat, e kishte shënuar një faqe në libër. I interesonte fjala metempsikozë. Ai i tha se  grekët e vjetër ashtu e quanin besimin se njeriu mund të shndërrohet në kafshë ose në trung. Ajo ndjeu sikur diçka digjej. Ishte veshka e cila ende po përzhitej në tavë. Leopold Blumi rendi nëpër shkallë. Nuk ishte djegur gjithaq. Pjesën e djegur ia dha maces, kurse tjetrën e hëngri. E lexoi letrën që ia dërgonte e bija Milli. Dje kishte mbushur pesëmbëdhjetë vjeç dhe i falënderohej për dhuratën. Brengosej disi ngase e dinte se ajo ishte e djallëzuar dhe mendjelehtë.                          

Mori gazetën Kuriozitete dhe doli jashtë për të shkuar në nevojtore. U mendua se si do të mundë të ndërtonin në oborr një plevicë dhe të mbillnin kacavjerrëse të kuqërremta dhe hardhi. Pastaj të mbillnin diçka në oborr, por për këtë duhet pasur pleh ngase pa të toka mbetet jopjellore.

5.

Zoti Blum u nis për në varrim. U ndal përskaj vitrinës së Belfastit dhe të Kompanisë së Çajit Oriental dhe i lexoi mbishkrimet në pakot e çajit. E hoq kapelën dhe i përshkoi flokët me gishtërinj. Ishte një mëngjes disi i nxehtë. E mori letrën që e kishte vënë pas shiritit prej lëkure të kapelës dhe futi në xhepin e jelekut. Përsëri i hodhi sytë kah vitrina dhe e çoi mendjen te Lindja e Largët. Me siguri është vend i mrekullueshëm.

Vajti në postë, e shtyri kartëpostalen nëpër rrjetën e kutisë postare dhe pyeti në kishte ndonjë letër për të. Vështroi pllakatin që i ftonte njerëzit për në ushtri, ndërsa nëpunësja e kontrollonte numrin postar. Në paradë ishin pasqyruar ushtarët e të gjitha llojeve ushtarake. Iu dukën disi si të marrë dhe të hipnotizuar. Kartëpostalen dhe letrën i futi në xhep.

Doli nga posta dhe sakaq takoi Mek’koin. Shpresonte t’i largohet shpejt. I tregoi se ishte nisur në varrimin e Dignamit. Derisa Mek’koi i tregonte se kishte mësuar për vdekjen e Digmanit, Blumi vështronte një vashë elegante, e cila, e shoqëruar nga një mashkull, priste koçinë. A thua ku ishte nisur, në fshat, me siguri në Bredston. Mashkullit që ishte shoqërues i saj, i ra në sy se Blumi e vëzhgonte, ndaj akoma më shumë u përpoq t’i nxirrte paratë e imëta. Mek’koi e pyeti për bashkëshorten.

Blumi ia bëri me dije se do të këndonte në shfaqjen solemne. Në Belfast, kjo është diçka që i ngjan turneut, kanë edhe këshill. Mek’koi iu lut ta nënshkruajë në varrim, për çdo eventualitet nëse nuk do të mundë të mbërrijë, edhe pse  do të tentojë të mbërrijë. U ndanë. Zoti Blum u ndal pas këndit të rrugës. Kaloi pranë gërdallave të koçisë që sapo kishin grenë. Tha me vetveten: Sa mirë e kanë ato, s’dinë asgjë dhe nuk brengosen për asgjë. Mbërriti pas murit të stacionit hekurudhor. S’kishte kush përpos një fëmije, i cili pranë depos luante me pisha (gogla).

E nxori letrën që sapo e mori nga posta. Këtu mund ta lexonte në qetësi. Ishte letër dashurie nga Marta. Ajo e pyeste se kur do të mund të shiheshin dhe çfarë parfumi përdor gruaja e tij. Letrën e lexoi dy herë, e grisi në copa dhe i hodhi.

Mbërriti te Kisha e të Gjithë Shenjtorëve. U ngjit shkallëve dhe hyri nga ana e pasme. Mbahej njëfarë mbledhjeje e vëllazërisë. Vështronte ndarjen e naforës. Marrja e pjesëve të trupit të vdekur iu duk një veprim i çuditshëm. Mendonte se si tani ato gra me siguri ndjehen si një familje. Shikonte klerikun në altar. Dëgjonte predikimin, por e priste muzikën. Mesha u krye dhe ai u nis për në barnatore që para varrimit t’i përgatisnin losion. E kishte harruar recetën, por kjo s’ishte ndonjë problem ngase do ta luste farmacistin që ta verifikojë në regjistrin e recetave. Mori sapun, kurse për të tjerat do të vijë më vonë kur të jenë gati. U nis për te hamami turk.

6.

Zoti Blum zuri vend në koçi bashkë me zotin Dedalus, zotin Pauer dhe me Martin Kaningemin. Blumi mendonte për procesin e përgatitjes për varrim së personit të ndjerë. Ta lajnë trupin dhe flokët, nuk është një punë e parapëlqyer. Shkonin nëpër Irishtoun. Kur kalonte koçia pranë tyre, kalimtarët i hiqnin kapelat. Blumi e pa djalin e Dedalusit. Zoti Dedalus e pyeti plot mërzi nëse kishte qenë me të ai xhagajduri Maligen. Supozonte se ka qenë te tezja Seli. Zoti Dedalus thoshte se Maligeni vërtet ishte një person i keq. Kishte ndërmend t’i shkruante letër tezes së tij që më në fund t’ia çelte asaj sytë që të shihte se ç’njeri ishte nipi i saj. Assesi nuk dëshironte që t’ia prishte djalin.

Blumi mendonte për të birin i cili tani, po të ishte gjallë, do t’i kishte njëmbëdhjetë vjet. Mendonte se si nëpër shtëpi luan me Molin. Do t’i fliste për jetën, do t’i ndihmonte se si të pavarësohej dhe do t’ia mësonte gjermanishten. Mili është e dashur, tashmë është studente dhe së shpejti do të bëhet edhe grua.

Koçia u ndal, mbërritën te kanali i madh. Vazhduan udhëtimin. Blumi e çeli gazetën dhe shpejt e shpejt ia hodhi një sy faqes ku lajmëroheshin vdekjet. E çoi mendjen te letra, iu kujtua se e kishte bërë copë e grimë, kurse atë që e kishte lexuar në vaskë, e kishte në xhep. Kaluan pranë Teatrit të Mbretëreshës, ndërsa Blumi pyeti veten në do të shkonte për të parë diçka sonte.

Zoti Pauer e pyeti për përparimin e turneut të koncertit. Blumi u ndërlidh duke i thënë se kjo është një ide mjaft e mirë, se do të shkohet vetëm në qytetet kryesore, por ai nuk do të shkojë me ata. Ia kishin dalë t’i tubojnë të gjithë yjet e muzikës.

Pasi rrëfyen një anekdotë për një person që e njihnin, i ndalën fjalët për të treguar respekt për të ndjerin. Zoti Pauer i tha se e kishte parë javën e kaluar dhe nuk shpresonte se sot do të udhëtonin bashkë në koçi. Pranë tyre kaloi një arkivol i vogël, kishte vdekur një fëmijë. Komentonin se kjo është diçka e dhimbshme, ka vdekur pa e shijuar jetën. Zoti Pauer shtoi se sidomos është rëndë kur njeriu ia merr jetën vetes, ky është një turp i madh për familjen, por Kaningem ndërhyri duke thënë se edhe në raste të tilla duhet të shfaqim dhembshuri ngase aty kemi të bëjmë me errësimin momental të mendjes.

Koçia përsëri u ndal, këtë herë për shkak të gjedhëve. Nesër është ditë e therjes. Blumi tha se më së miri do të kishte qenë sikur administrata e qytetit t’i vazhdonte binarët e tramvajit prej parkut deri në breg. Kësisoj të gjitha kafshët do të transportoheshin me anije. Tha po ashtu se do të kishte qenë një punë e mirë sikur të kishim tramvaje urbane varrimi.

Dolën nga koçia dhe iu bashkuan përcjellësve të pikëlluar. Zoti Blum vërejti se ishte një funeral varfanjakësh, karroca që mbartte arkivolin dhe tri koçi. Kaningemi i tha me zë të ulët zotit Pauer se ishte një situatë e pakëndshme kur fliste për vetëvrasjen para Blumit, ngase babai i tij e ka helmuar veten.

Ndërkohë zoti Blum kishte mësuar se i ndjeri kishte lënë pas vetes pesë fëmijë. I kishte shprehur ngushëllime vejushës. Pastaj të gjithë hynë kishë, mbërriti ministranti (djalosh apo person i cili shërben në shërbesën apo në liturgjinë katolike). Mbërriti edhe prifti. Pasi prifti e kreu detyrën e vet, varrmihësit e nxorën arkivolin. pas mbarimit të varrimit, të gjithë u shpërndanë.

7.

Pranë shtyllës së Nelsonit tramvajet e ngadalësonin lëvizjen dhe kalonin në binarë të tjerë. Mbikëqyrësi i kompanisë së tramvajeve të Dublinit lajmëronte nisjen e tyre. Para postës kryesore punonin pastruesit e këpucëve. Në Rrugën e Princeshave të Veriut qëndronin karrocat postare që i merrnin thasët me letra, me kartëpostale, pakot e destinuara për krahinën, për Anglinë dhe për vendet përtej detit.

Ngasësit i vendosnin fuçitë e zbrazëta në karroca. Zoti Blum iu lut Red Mërit t’ia presë shpalljen nga gazeta. E mori copën e prerë dhe i tha se do të ndalej shtypshkronjë, ndërsa Mëri   e pyeti nëse dëshironte t’i jepnin edhe një shënim.

Red Mëri i foli Blumit për një person të njohur i cili sapo kalonte pranë tabelave të shpalljeve gazetareske. Simon Dedalusi ia ktheu duke i thënë se trurin e ka në zverk ngase qafën e kishte të trashë dhe me rrudha. Në atë çast ia behu një djalosh i cili e hodhi një zarf mbi tavolinë. Ishte shpërndarësi i telegrameve.

Zoti Blum i tregoi këshilltarit Naneti se Aleksandër Kijsi dëshironte që dy çelësat e kryqëzuar të jenë në krye të faqes dhe të përshkuar me rreth, e pastaj të pasojë emri Aleksandër Kijs, tregtar çaji, vere dhe pijesh alkoolike dhe në pjesën e sipërme shtëpia e çelësave. Shefi u pajtua duke thënë se një gjë e tillë është e realizueshme.

Në të dalë, Blumi vështroi radhitësin se si e rendiste rreshtin me kujdes. E lëvdoi për shpejtësinë në punë. U kthye në biro për t’i telefonuar redaktorit që t’i thoshte të mos shkonte me makinë tek ai në shtëpi, pa e ditur në është aty. Në dalje u përplas me Linihenin dhe u tha të tjerëve se do të dalë pak.

Në biro erdhi Stiven Dedalusi. E kishte sjellë tekstin e Diјsit. Me ta parë tekstin, profesori nguroi. Redaktori dëshironte që Stiveni të shkruante diçka. Artikullin për sëmundjen e këmbëve dhe të nofullës e konsideronte mashtrim të njerëzve. Ata kishin nevojë për diçka më konkrete. Për disa çaste biseduan për oratorët e mëdhenj. Profesori e veçoi fjalimin e Xhon F. Tejlorit. Pasi mbaroi, Stiveni propozoi të shkojnë në ndonjë bar. Që të dy u pajtuan. Rrugës redaktori i tha Stivenit se teksti për sëmundjen e këmbëve dhe të nofullës, megjithëkëtë do të mjaftojë, do të gjejë vend në gazetë.

Duke dalë nga biroja, i takoi Blumi. Donte të bisedonte me Milli Kraufordin lidhur me shpalljet, por ai nuk ishte i interesuar. E mori me mend se shkonin të pinë, por donte të dijë nëse kjo bëhej me nismën e Dedalusit të ri.

8.

Zoti Blumi ecte nëpër Urën  O’Konel. Në shëtitje e sipër e pa vajzën e Dedalusit. Ishte e leckosur dhe dukej e paushqyer. Nëna u kishte vdekur duke lënë pas vetes pesëmbëdhjetë fëmijë. E hodhi shikimin kah pulëbardhat. E hodhi midis tyre një top letrash të rrudhura, por ato nuk lëvizën fare, ishin mësuar tanimë. Kaloi pranë vajzës që shiste molla, bleu dy kuleç, i thërrmoi dhe hodhi në lumë. Sakaq, pulëbardhat rendën pas tyre.

Duke ecur nëpër rrugë, kaloi pranë shitores së biçikletave të Reverit. Iu kujtua pikniku kur Moli kishte të veshur një fustan të bukur ngjyre të përhimët e që i rinte tejet mirë. Por ajo s’e donte më atë fustan ngase atë ditë atij i doli nga vendi kyçi i dorës. Mili ende ishte e vogël. Iu kujtua se si e lanin në mbrëmje. Tani është e madhe dhe merret me fotografi. Atëherë ishin të lumtur.

Takoi zonjën Brin. Ajo e pyeti për Molin. I tha se Moli është shumë mirë. Milli është punësuar te një fotograf, puna i shkon mjaft mirë. Të gjithë fëmijët e zonjës Brin janë parapaguar te bukëpjekësi. Ankohet për bashkëshortin i cili në shtëpi i studion ligjet kundër shpifjeve. Zonja Brin e shikoi burrin e vet dhe u nis pas tij. Blumi i vështroi disa çaste duke menduar se sa vështirë e ka ajo me atë burrë.

U ndal në udhëkryqin e Rrugës së Flotës. U mendua se ku do të drekonte. I duhej të gjente shpalljen në Bibliotekën Kombëtare. Rrugës do të kthehet te Bartoni. Duke ecur takoi skuadrën e policëve. Mbaroi së ngrëni drekën. Secili kthehej atje nga kishte ardhur.

Mendonte se si dikur kishte qenë më i lumtur, por a kishte qenë ai apo ai tani është ai, s’ishte i sigurt. Ai ishte njëzet e tetë vjeç, Moli njëzet e tre, por pas vdekjes së Radit çdo gjë ndryshoi. Kohën s’mund ta kthesh pas. Nuk ishte i sigurt në do ta kishte filluar çdo gjë nga e para.

E çeli derën e restorantit të Bartonit, e pushtoi era e rëndë e mishit të freskët dhe e të larave të perimeve. Brenda kishte vetëm meshkuj që hanin dhe pinin. Pyeti veten nëse ishte edhe ai si ata. Ndjeu erën e birrës së derdhur dhe të shurrës. Nuk mund qëndronte në një restorant të tillë, i urrente ngrënësit e pistë. Vendosi të hante diçka të lehtë te Devi Birni. Sanduiçin nuk e pëlqeu, djathi ishte pa shije, por vera ishte për mrekulli.

Pasi hëngri u nis për në bibliotekë. Takoi një të ri të verbër i cili tentonte ta kalojë rrugën. E pyeti në i duhej ndihmë. I riu u pajtua. U përpoq ta merrte me mend se si do të ishte të jetosh tërë kohën në errësirë. E tërë jeta në njëfarë mënyre u është ëndërr. Ata i kanë të zhvilluara shqisat e tjera. E ndjejnë erën e çdo rruge, të pranverës, të verës. Ishte e tmerrshme, djalë i ri, kjo vërtet nuk është e drejtë.

9.

Stiveni fliste me Xhon Iglentonin dhe Rasëllin për Hamletin. Rasëlli thoshte se arti duhet të na i zbulojë idetë. Pyetje më e rëndësishme është se sa një vepër buron thellë nga jeta. Fjalët e Shellit dhe të Hamletit na çojnë në botën e ideve të Platonit. Hyri në zyrë zoti Best për t’u treguar se Hajnesi kishte shkuar. Ishte i entuziazmuar me poezitë e dashurisë nga Konahti të Hajdit. Sakaq u nis për te Xhilli për t’i blerë.

Stiveni pyeti veten ç’fantazmë është ajo që shfaqet te Hamleti, kush është mbreti Hamlet. Pastaj ai fillon të rrëfejë historinë e Shekspirit, i cili gjatë gjithë jetës së tij e mësoi Hamletin që të mundë ta luante rolin e shfaqjes së fantazmës të mbretit. Ai i drejtohet në të njëjtën kohë edhe djalit të vet Hamletit edhe trupit të të birit Hamnet Shekspirit.

Rasëlli i kundërvihej interpretimit të tillë të veprës. Atij nuk i nevojitej një analizë e tillë e jetës së autorit. Vazhdoi duke thënë se e kemi Mbretin Lir që është i pavdekshëm. Xhon Iglentoni tha se bota beson se Shekspiri ka gabuar, ndërsa Stiveni reagoi ashpër duke thënë se një gjeni i tillë nuk gabon. Po ashtu tha se lajthitjet e tij janë të planifikuara dhe mund të shërbejnë si hapësirë për njohuri të reja.

Besti edhe më tej mbronte qëndrimin se Hamleti është shprehje e ndonjë gjëje personale, diçka si një ditar intim. Bisedën e ndërpreu për një çast ardhja e Bak Maligenit i cili hiqej sikur nuk dinte gjë për Shekspirin. Më herët Stiveni i kishte dërguar telegram Bakut ngase ishte i frymëzuar. Aty i sqaronte se sentimentalist është ai person që do të dëshironte të kënaqet, e që për një gjë të tillë nuk merrte falënderim.

Në bibliotekë mbërriti Blumi për të parë “Njerëzit e Killkenit” të vitit të kaluar. Vazhdoi biseda për Hamletin. Stiveni flet për gruan e Shekspirit, En e cila sipas tij ka qenë një grua e pabindur, por ndonëse e shfrenuar, nuk e ka shkelur betimin martesor. Sipas Stivenit, në dramat e Shekspirit janë përfshirë anëtarët e familjes. Vdekja e së ëmës e frymëzoi atë për skenën me Volumnian në Koriolanus. Vdekja e djalit të tij është vdekja e  Arturit te Mbreti Xhon, princi i zi është Hamnet Shekspiri. Po ashtu ka pasur tre vëllezër, Xhilbertin, Riçërdin dhe Edmondin, emra që shfaqen në dramat e tij. Emrin e vet e ka përfshirë në tingëllima (sonete).

Sipas Stivenit, Shekspirin nuk e entuziazmojnë as meshkujt as femrat. Para fundit të jetës është kthyer aty ku kishte lindur, aty ku kishte qenë gjithmonë, si fëmijë dhe tani si njeri i rritur. Pasi Stiveni i paraqiti tezat e veta për Shekspirin, Baku i ngrit. Pas tij iku edhe Dedalusi.

10.

Prifti Xhon Kamnej u nis për shëtitje deri në Arten. Takoi gruan e zotit Dejvid Shihi i cili është deputet në parlament. Këmbyen disa fjalë të mira. Pastaj edhe njëri edhe tjetra vazhduan në rrugën e vet. Buzë Sheshit Mountxhoj takoi tre fëmijë të shkollës fillore. I pyeti se si quheshin. Njërin prej tyre e angazhoi t’ia hidhte në kutinë postare letrën që ia dërgonte atit provincial (titull i kreut të ndonjë urdhri të kishës katolike, pushteti i të cilit përfshin disa manastire).

Te kthesa u kthye dhe vazhdoi nëpër Rrugën Qarkore të Veriut. Një mori nxënësish të shkollës Vëllezërit Krishterë e kaluan rrugën. Pastaj kaloi pranë Kishës së Shën Jozefit ku u ndje era e fortë e temjanit. Vazhdoi nëpër Hyrje të Rrugës së Veriut ku takoi zotin Gelleger i cili qëndronte para dyqanit të vet nga ku vinte erë proshute dhe gjalpi.

Tek ura Njukomin hipi në tramvajin që e çonte jashtë qytetit, ngase nuk i donte ta përdorë rrugën e papastër të Ishullit të Baltës. Zbriti në stacionin e rrugës Hout. Kaloi pranë fushës së dikujt të mbushur me kosha lakrash. At Kanmi ishte duke lexuar breviarin e tij dhe duke shikuar retë. Një djalosh kaloi nëpër gardh. Pas tij edhe një vajzë. At Kanmi që të dy i bekoi dhe vazhdoi të lexojë breviarin.

*  *  *

Kërni Kilihir e mbylli librin afarist dhe shikoi nga afër kapakun e arkivolit të vendosur në qoshe. Ia vështroi formën dhe dekorimet prej bronzi. E ktheu kapakun në vend dhe u ndal pranë derës. Për ta kaluar kohën më shpejtë, Oficeri 57 u ndal pranë Kilihirit.  I tha me zë të ulët se atë person e kishte parë mbrëmë. At Xhon Kanmi hipi në tramvaj në Njukomin dhe u nis për në Dollimunt.

*  *  *

Një marinar me një këmbë çalonte në paterica. Ecte nëpër rrugën Ikllis. Një zonjë u ndal dhe i dha një enë bakri. Ai ndalej para çdo dritareje dhe murmuriste: Për Anglinë…shtëpinë dhe bukuroshet. Në një dritare lëvizi perdja dhe një vajzë i hodhi para përtej rrethojës. Paratë ranë në trotuar. Dy djem që e shikonin marinarin dhe cungun e këmbës, vrapuam drejt tij dhe ia hodhën paratë në kapelën e shtrirë.

*  *  *

Kejti dhe Budi Dedalus hyrën në kuzhinën plot avull. Megi me lugë kuzhine shtynte diçka në tenxheren me shkumë të nxehtë. Budi e pyeti nëse i kishte depozituar librat. Kejti ia kishte dërguar MekGinisit, por ajo asgjë s’kishte dashur t’i jepte për ta. Budi u zemërua dhe ishte e unët. E pyeti Megin nëse kishte diçka për të ngrënë, por në tenxhere kishte këmisha që zienin. Ajo kishte  supë me bizele. Mori një tas dhe mbushi me supë të trashë nga tenxherja.

*  *  *

Në dyqanin e Tortonit ndodhet Bojlani i Zjarrtë. Një vajzë e re bionde, një shishe të mbështjellë me letër rozë dhe frutat i vendoste në një shportë të thurur. Bojlani i Zjarrtë shëtiste nëpër qyqan duke i shikuar frutat dhe duke e thithur aromën e tyre. E luti vajzën që shportën ta dërgojë me tramvaj, kurse ajo ia dha notesin dhe lapsin për ta shkruar adresën e saktë. Derisa ajo i numëronte frutat për ta bërë arkëtimin, Bojlani i Zjarrtë e vështronte bluzën e saj.    

*  *  *

Ned Lamberti i tregonte Xhekut se ndodheshin në sallën historike të abacisë së Shën Mërisë, në të njëjtin abaci në të cilën Toma i Mëndafshtë në vitin 1534 u shpall rebel. Ky është një prej vendeve më historike të Dublinit. Deri në ditën e bashkimit, aty ka qenë banka e vjetër e Irlandës. Derisa nuk e ndërtuan sinagogën në rrugën Adelaida, aty ka qenë edhe tempulli i çifutëve. Pastaj e përcolli mysafirin deri te dalja dhe i tha që lirisht të vinte edhe ndonjëherë tjetër. Pas pak iu kujtua se kishte harruar t’i tregonte për ngjarjen kur konti nga Kildare ia kishte vënë zjarrin katedrales në Keshil. Pasi e kishte djegur katedralen kishte thënë se i vinte keq që e kishte bërë një gjë të tillë. Kishte menduar se brenda ndodhej kryepeshkopi.

*  *  *

Zoti Blum shfletonte librin “Zbulimet e tmerrshme të Maria Monkut”. Pastaj e shikoi kryeveprën e Aristotelit. Ishin shtypur keq. I la librat dhe e mori të tretin, “Përralla nga getoja” të shkrimtarit dhe zhurnalistit austriak Leopold fon Saçer-Masok. Atë tashmë e kishte lexuar. Gjeti një titull të ri, “Bukuroshet e serta”. Por pasi e shfletoi, iu kujtua se këtë libër dikur ia kishte sjellë asaj për ta parë nëse do t’i pëlqente. Lexoi një titull tjetër, “Kënaqësitë e mëkatit”. Vendosi për këtë të fundit.  

Leopold fon Saçer-Masok (Leopold von Sacher-Masoch; Lviv, Ukrainë, 1836 – Mannheim, Gjermani, 1895). Nga emri i tij rrjedh termi mazohizëm, i shpikur nga bashkëkohësi i tij, psikiatri austriak, autor i veprës themelore “Psychopathia Sexualis” (1886), Rihard fon Kraft-Ebing (Richard von Krafft-Ebing, 1840-1902). Masoku nuk pajtohej që termi mazohizëm të ndërlidhet me emri i tij.

*  *  *

Dili Dedalusi endej nëpër trotuar. Nga ndërtesa dëgjoi thirrjet e ankandësit që shiste perde. Zoti Dedalus dha krye nga Rreshti Uilliam dhe menjëherë i bëri vërejtje së bijës që të përmirësohej ngase nuk dëshironte që të përfundonte si xhaxhai i saj me kokën midis shpatullave. Fillimisht nuk dëshironte të pranojë de kishte huazuar katër shilinga, por ajo sakaq e shpërfilli, ndaj ai hoqi dorë dhe i dha asaj një shilingë. Kur ajo i kërkoi ende, ky u zemërua dhe i tha se prej të gjithëve do të heqë dorë.

*  *  *

Para antikuariatit ndodheshin Redi dhe të bijat. Zoti Dedalus takoi At Koullin. Ai i tregoi se është barrikaduar për arsye se nja dy vetë sillen rreth shtëpisë së tij dhe tentojnë të hyjnë brenda. E pret Ben Dollardin i cili i kishte premtuar ndihmë. Do të kërkonte nga Xhoni i Gjatë që ta bindë të lirohet prej atyre dyve, të paktën për një kohë. Në atë moment mbërriti Beni, ndërsa Dedalusi e shikoi me përbuzje kostumin e tij të madh. Beni u ndal pranë tyre duke u buzëqeshur atyre dhe duke qeshur me rrobat e veta.

*  *  *

Hajnesi dhe Bak Maligeni kishin zënë vend në bar, ishin ulur mu përballë një burri fytyrëgjatë i cili po e shikonte me vëmendje tabelën e shahut. Që të dy kishin porositur melanzh,  pak pogaçe elbi dhe gjalpë. Baku komentoi se si Hajnesi nuk ishte i pranishëm në ligjëratën e Dedalusit për Hamletin. Hajnesi ishte i sigurt se Dedalusi kishte ndonjë teori të veçantë. Njerëzit e tillë gjithmonë kanë teori të veçanta. Pyetjes së Hajnesit, Baku iu përgjigj se Dedalusi do të shkruante diçka për lëvizjen e tyre, mbase brenda dhjetë vjetëve. Ata e kishin vëmendjen edhe te pogaçja nga e cila ende dilte avull.

11.

Zonjusha Dus dhe zonjusha Kenedi ishin ulur në kafene dhe pritnin çaj. Nëpër dritare vëzhgonin njerëzit dhe koçitë. Filluan të flisnin për zotin Blum dhe syrin e tij të zgurdulluar. Që të dyja shpërthyen në gaz. Çdoherë ndonjëra prej tyre thoshte diçka për zotin Blum dhe kjo shkaktonte valë të re të qeshurash.

Në kafene mbërriti zoti Dedalus. E pyeti zonjushën Dus se si e kaloi pushimin, kurse ajo e hodhi fjalën te ngjyra e trupit që kishte marrë gjatë ditëve që i kishte kaluar në plazh. Ndërkohë, zoti Blum e kaloi urën Eseks. Mendjen e kishte te letrat që duhej t’ia shkruante Martës. Erdhi Liniheni. Tentoi t’u vardiset zonjushave, por ato e injoruan. Iu drejtua zotit Dedalus dhe i tregoi se sot kishte pirë me djalin e tij, Stivnin. Në bar hyri Bojlani i Zjarrtë.  Zonjushën Kenedi e përshëndeti duke e prekur me skajin e kapelës prej kashte, ndërsa ajo ia ktheu me një buzëqeshje. Bojlani i Zjarrtë e piu pijen e vet, pagoi dhe doli përjashta.

Pas tij, doli edhe Liniheni. Në hyrje të barit takuan Ben Dollardin i cili përpiqej ta bindë At Koullin që të mos brengoset. Alf Birgeni dëshiron të flasë me gjatamanin. U ulën te zoti Dedalus. Komentonin Blumin dhe gruan e tij, e cila të shtunën e kaluar kishte luajtur në piano në kafene, por dikush u kishte thënë se ishte marrë edhe me atë punën tjetër. Zoti Dedalus konfirmoi se zonja Merion Blum i kishte hequr të gjitha teshat.

Koulli u ul para pianos dhe ia dha këngës. Ia dolën ta bindin Dedalusin të ulet dhe të luajë në piano. Pas pak në skenë përsëri u ngjit at Koulli i cili i tha se do ta ndiqte. Kur i dha fund, të gjithë të pranishmit i duartrokitën. At Koulli vazhdoi të luajë në piano. Blumi po e dëgjonte Riçi Guldingun i cili fliste për mbrëmjen kur e kishte dëgjuar Dedalusin duke kënduar. Për shkak të autoritetit dhe famës, Ben Dollardi fliste me Simon Dedalusin i cili vetëm pohonte me kokë dhe pinte cigare.

Blumi i shkroi letër Martës. Posta është afër, i duhet edhe fletëpagesë dhe pullë. Përpiqej ta thërriste kamerierin, por Peti është pak si shurdh. Derisa priste, e shikonte zonjushën Dus e cila ishte përkulur mbi banak për t’ia treguar avokatit Xhorxh Liduel guacën që ia kishte sjellë prej pushimeve, me qëllim që ai ta dëgjonte.

Pasi iu vunë pak, Ben Dollardi u ul para pianos. Blumi ia doli ta thërriste Petin dhe ta paguante llogarinë. Në të dalë, dëgjoi britma dhe lëvdata për Binin dhe i erdhi mirë që iu shmang kësaj.


 

“ULIKSI” – XHEJMZ XHOJS

Vazhdimi II

12.

Tregimtari në vetën e parë e pasqyron bisedën me Xho Hajnesin. Ndodhej në cep të kodrës Arbur. Ia behu oxhakfshirësi i cili sa nuk ia nxori syrin me netullën e tij. Ktheu kokën dhe e pa Xhoin. I tregoi Xhoit se Troi i policisë së Dublinit i kishte dhënë të dhëna për një vjedhës mjaft të shkathët që banonte në cepin Çikën Lejn. Ka ditë që orvatet ta gjejë për ta detyruar t’ia kthente borxhin. Xhoi propozoi ta vizitonin mikun Barni Kiernan. U pritën nga lehjet e qenit të Barnit. Pas pak doli edhe Barni. Porositën verë shtëpie, ndërsa Xhoi pagoi me një monedhë ari, gjë që disi e habiti tregimtarin. Ai e pyeti mos vallë e kishte grabitur arkëzën e bamirësisë.

Në kafene hyri Denis Brini. Ishte me papuçe për larje, ndërsa në duar mbante dy libra të mëdhenj. Gruaja i vinte pas. Xhoi sqaroi se si nëpër tërë Dublinin ecën me kartëpostalen që ia kishte dërguar dikush. tani ai shkruan ngre padi për cenimin e nderit dhe si zhdëmtim kërkon dhjetë mijë funta. Iu bashkua Alf Birgeni i vogël. Porositi një kupë birre të zezë. Pastaj nxori nga xhepi një tufë letrash dhe zarfe. Bob Dorani i pyeti se përse qeshin, ndërsa tregimtari, që të mos i përgjigjej ngase e dinte se Bobi pas pijes bëhej i çuditshëm, e pyeti Alfin se si ishte Uilli Mërej.

Alfi sapo e kishte parë Uillin me Pedi Dignemin, në rrugën Kepëll. Menjëherë ndërhyri Xhoi dhe u tha se Pedi Dignem kishte vdekur. Ishte varrosur në mëngjes. Barni Kiernam vëzhgoi nëpër dritare dhe e pa Blumin i cili kishte dhjetë minuta që qëndronte aty. Bobi u shqetësua nga lajmi për vdekjen e Dignemit. Nisi të lotojë sinqerisht duke thënë se ka qenë shpirtdëlirë. Blumi hyri në tavernë dhe e pyeti Terin në ka qenë aty Martin Kaningemi. Xhoi e pyeti se ç’do të pinte. U fjalosë paksa. Blumi refuzonte me arsyetimin se s’kishte kohë. Megjithëkëtë, ata ngulmonin që të merrte diçka. Në fund u pajtua të ndezte vetëm një cigare. Filluan të flasin për dënimin me vdekje. Alfi tha se pas varjes, organi gjenital i mashkullit është në gjendje ereksioni.

Blumi tentoi që këtë çështje ta shpjegonte shkencërisht. Një dijetar kishte provuar me fakte se fraktura e menjëhershme e unazës së qafës, e bashkë me të edhe e shtyllës kurrizor, shkaktonte ngacmimin e fuqishëm të qendrave nervore të aparatit gjenital. Pas kësaj Barni vazhdoi të fliste për gjuhën irlandeze dhe për kuvendin e këshillit të qytetit si dhe për personat të cilët sa çel e mbyll sytë janë ngritur në pozita shoqërore, e që fare nuk kanë njohuri për gjuhën e tyre. Blumi iu bashkua bisedës dhe foli për Lidhjen kelte si dhe për Lidhjen Kundër Bankave dhe Pijes. Porositën edhe nga një pije. Blumi përsëri refuzoi. Sqaroi se donte të takohej me Martin Kaningemin për sigurimin e Dignemit. Dignemi nuk e ka njoftuar kompaninë për hipotekën dhe sipas ligjit debitori nën hipotekë nuk mund të marrë policë.

Vazhduan bisedën për sportet dhe lojërat irlandeze që i konsiderojnë si sporte të personave të cilët përnjëherë janë ngjitur në pozita, siç është tenisi në lëndinë, për frymën kombëtare dhe rilindjen e kombit. Blumi përsëri mbajti një ligjëratë duke thënë se orvatjet fizike të mëdha janë të rënda po qe se njeriu është me zemër të dobët. Secilën temë ai e shpjegonte gjatë, kështu që për tregimtarin kjo ishte paksa e padurueshme. Pastaj kaluan në çështjet e turneut në të cilin merr pjesë edhe gruaja e Blumit.

Në bar hyjnë J. J. dhe Nedi të cilët ulen në tavolinë e tyre. Alfi i pyeti mos ndoshta e kishin takuar Brinin. Po, kërkon detektiv privat. Kërnei Killihir e kishte sugjeruar që të mos i drejtohej drejtpërsëdrejti gjykatës dhe e kishte bindur të pranonte që së pari të bëhej analiza e dorëshkrimit. Blumi shtoi se, megjithëkëtë është për të ardhur keq, të paktën për shkak të gruas së shkretë.

Blumi e shfrytëzoi rastin për të biseduar me Xhoin për shpalljen. I tha se me rëndësi është ajo për Kijsin, ndërsa Xhoi i premtoi se do të publikohej. Për një çast Blumi sikur u zhduk diku, ndërsa të tjerët vazhduan të pinë.

13.

Afër bregut Sendmont ishin ulur tri shoqe. Kënaqeshin pranë shkëmbinjve të një nate vere. Shpesh vinin pikërisht aty për të gudulisur me kënaqësi. Ishin Kijs Kefri, Edi Bordmen dhe dy binjakë katërvjeçarë, Tomi dhe Xhek Kefri. Ndodhte që binjakët të ishin tepër të zhurmshëm dhe paksa të lazdruar, por marrë në përgjithësi kishin sjellje të mirë. Luanin me lopatëza dhe gërmonin në zall, por në një rast u hidhëruan. Çështja kishte të bënte me kështjellën prej rëre që e kishte ndërtua Xheku, ndërsa Tomi me çdo kusht dëshironte të shtonte një derë hyrjeje si të kullës Martello. Që të sy ishin kokëfortë dhe krejt kjo rezultoi me rrënimin e kështjellës dhe me lot. Motra e tyre e thirri Tomin, kurse Xhekun e qortoi ngase e shtyu vëllain në zallin e papastër. Binjakët iu bindën menjëherë për arsye se fjala e motrës kishte qenë ligj.

Pranë tyre rinte ulur shoqja e tretë Gerta MekDouel. Duke shikuar diku larg, ishte zhytur në mendime. Të gjithë e konsideronin bukuroshe dhe kishte edhe njëfarë qëndrimi mbretëror të lindur. Mendonte për Rigi Uejllin i cili ditë e natë ia kishte pushtuar mendimet. Ishte veshur me një kujdes të veçantë mos ndoshta e takonte rastësisht. Tanimë nuk kalonte me biçikletë para dritares së saj për arsye se babai e kishte shtrënguar të mësonte për të fituar bursë, për t’u regjistruar në kolegjin Triniti dhe për t’u bërë mjek. Ajo ëndërronte për dashurinë dhe martesën, por e dinte se një gjë e tillë nuk do të ndodhte lehtë. Ajo do të ishte për të një grua ideale. Mendonte se si do të kujdesej që ai të ndjehej si mos më mirë në shtëpinë e tyre.

Sisi ishte e kundërta e shoqes së saj Gerta. Nuk nguronte të përdorë fjalor të pahijshëm dhe sa herë që përdorte fjalë të tilla, Gerta skuqej ngase konsideronte se një fjalor i tillë nuk i kishte hije një zonje. Sisi po ashtu ishte një person e cila gjithmonë të bën të qeshësh, i praktikonte djallëzitë, por në shpirtin e saj ishte mishëruar edhe sinqeriteti. Fëmijët një kohë luajtën mirë me top, por aty për aty, Xhekut iu zgjuan tekat dhe qëllimisht i dha  topit me sa fuqi që kishte. Topi i shkoi një burri që dukej se mbante zi. Sisi iu lut që t’ia kthente sa më parë për arsye se binjakët e zemëruar bërtisnin. Zotëria e hodhi topin mu te këmbët e Gertës gjë që e zemëroi atë. U përpoq ta largonte por nuk ia doli. Sisi dhe Edi ia krisën të qeshurës.

Binjakët përsëri filluan të fjalosen dhe Xheku e shutoi topin kah deti. Që të dy u nisën për ta marrë. Sisi dhe Edi brofën dhe u bërtitën nga frika se mos mbyten. Sisi rendi pas tyre dhe i tha vetes se kjo është hera e fundit që i merrte në shëtitje. Edi ua krehu flokët çunave. Pas kësaj u nisën për në shtëpi ngase ishte bërë vonë. Para se ta nxirrnin karrocën në shteg, kishin mjaft për të ecur nëpër plazh. Me t’u përgatitur për nisje, andej kah panairi panë fishekzjarrë.

Tani Gerta kishte mbetur vetë. E hodhi shikimin kah zotëria në të zeza. Shikonte fishekzjarrët dhe e ngriti fundin që ai të mundë t’ia shihte çorapet e tejdukshme, gjalmat dhe brekët. Ajo e dinte se ai po e shikonte dhe po kënaqej. Ishte Leopold Blumi. Fishekzjarrët mbaruan dhe ajo dëgjoi Sisin që e thërriste. Nxori një shami të bardhë që kishte me vete dhe e tundi në shenjë përshëndetjeje.

Blumi e vështronte se si largohej. Iu duk sikur çalonte. I erdhi mirë që s’e pa një gjë të tillë kur ajo i shfaqej, edhe pse kjo nuk do t’i pengonte gjithaq. Vazhdoi të mendonte për vajzën edhe një kohë të gjatë pas shkuarjes së saj. Nisi t’i pëlqente disi vajzat e reja. Donte t’ia lërë njëfarë porosie që të mundë të vinte edhe nesër. Mbase edhe e kishte pritur. Kishte dëshirë ta shihte sërish, por më në fund hoqi dorë. E mori me mend se ora tashmë mund të jetë rreth nëntë, ndaj u nis për në shtëpi.

14.

Horni mbante një shtëpi ku lindnin gratë. Kishte shtatëdhjetë shtretër dhe nëpër atë hapësirë kishin kaluar deri treqind gra. Infermierja që rinte zgjuar e që ishte kujdestare, në hollin e spitalit e priti burrin në të zeza. Ai e pyeti për doktor O’Herin. E pikëlluar, ajo i tregoi se doktori kishte ndërruar jetë. Me të dëgjuar lajmin, u pikëllua sa s’ka. Murgesha i tregoi se si doktori kishte vdekur para tre vjetëve në ishullin Mona, në vigjilje të Krishtlindjeve, nga kanceri në stomak. Pastaj iu drejtua infermieres për ta pyetur për një grua e cili tash tri ditë i përjetonte mundimet e lindjes. Ajo i tha se gruaja së shpejti pritet të lindë dhe se lindja do të jetë e pasigurt. Kurrë deri më sot s’kishte parë një lindje kaq të vështirë.

Ndërsa udhëtari Leopold po fliste me infermieren, u çelën dyert e kështjellës. U dëgjua zhurma e njerëzve që ishin ulur rreth tryezës. Iu afrua dijetari-kalorës Dikson dhe e thirri në kështjellë që t’u bashkohet dhe të argëtohet me ta. Në fillim udhëtari Leopold nuk deshi t’u bashkohej, por Diksoni nuk donte të dëgjonte për refuzimin e tij, kështu që Leopoldi vendosi të pushojë pak në kështjellë. Infermierja i luti në emër të Jezuit që të mos pinë ngase një grua  në dhomën sipër përballej me mundimet e lindjes. Në fund të tryezës, sër Leopoldi pa një pronar tokash i cili quhej Linihen. Derisa të tjerët pinin, sër Leopoldi e kishte mendjen te gruaja që po lindte. Që të gjithë të cilët qenë ulur në tryezë ishin dijetarë. Diksoni me shokët e vet Linkomin dhe Medinin, pronari i tokave Linihen, Stiveni i ri dhe më i dehuri prej tyre, Kostello, si dhe pranë tij sër Leopoldi. E pritnin Mellekin e ri ngase kishte premtuar se do të vinte, por si duket e kishte shkelur fjalën.

Zoti Leopold dëgjonte bisedat dhe refleksionet e tyre për lindjen dhe drejtësinë. Disa prej tyre talleshin dhe qeshnin, por zoti Leopold vazhdoi të ishte serioz ngase iu kujtua Merioni i tij e cila e lindi djalin e tyre që vdiq në ditën e njëmbëdhjetë. Ishte i pikëlluar ngase nuk kishte djalë i cili do të ishte trashëgimtar i tij dhe ishte i brengosur për Stivenin e ri i cili shoqërohej me këta horra dhe bën një jetë të shfrenuar.

Stivni të gjithëve u qiste pije kështu që secili prej tyre gotën e kishte plot. Kostello ndërkaq, ia krisi këngës Stabo Stebella. Ndërkohë u shfaq motra e cila i qortoi dhe u kërkoi të jenë më të qetë. Kujdesej që çdo gjë të ishte në rregull, para se të vinte lordi Endrju. Nuk donte të prishej rendi derisa ishte përgjegjëse gjatë shërbimit të natës. Franku ia nisi bisedës për lopët e Kirit të cilat duhej therur ngase ishin të prekura nga murtaja. Blumi u ndërlidh dhe tha se i kishte parë në mëngjes duke i dërguar për t’i hipur në anije. Nuk kishte mundur të besonte se situata lidhur me këtë kishte qenë kaq e rëndë. Ai kishte përvojë me bagëti të tilla ngase një kohë kishte qenë nëpunës i zotit Xhozef Kafi i cili ka qenë tregtar i bagëtisë së gjallë. Sa e mbaruan bisedën, u shfaq te dera Melleki Malligen me Allis Benonin i cili para do kohe kishte ardhur në qytet ngase donte të siguronte pozitën e flamurtarit në polici dhe të paraqitej në ushtri. Që të dy iu bashkuan të tjerëve në tryezë.

Malligeni u dha nga një kartëvizitë që i kishte bërë para disa ditëve. Ka ndërmend t’ua ofrojë trupin e vet grave që kanë ngecur në martesë dhe po humbasin vitalitetin e tyre për një burrë të papërgjegjshëm. Kishte ndërmend të merrte me qira një pronë në ishullin Llembej dhe të ndërtonte një fermë kombëtare për mbarsje të cilën do ta quante Omfellos. Nuk do të kërkonte para. Janë të mirëseardhura femrat e çdo shtrese, me kusht që ndërtimi trupor dhe temperamenti i tyre të jenë të pranueshme. Diksoni ndërkaq e pyeti në kishte ndërmend të hidhte rërë në shkretëtirë.

Frensisi dhe Stivni evokuan kohën kur shkonin bashkërisht në shkollë. E pyeti Stivenin për shokë të tyre, ku ndodheshin tani. Asnjëri nuk dinte gjë për ta. Pastaj vendosën të shkojnë te Barki. Stiveni u ngrit i pari, e pas tij të tjerët. Ndërkohë, kirurgu zbriste shkallëve për t’ua kumtuar lajmin se lindja ishte kryer. I dhanë fund ndejës në pijetoren e Barkit dhe vazhduan zbavitjen me pije dhe qejfe.

15.

Në rrugën Mebot ishte një gondolë akulloreje. Aty mblidheshin njerëz të cilët merrnin akullore dhe i lëpinin. Shfaqet një idiot shurdhmemec, qyrash me gojë të shtrembët, i lidhur me një zinxhirë duarsh fëmije. Menjëherë pas kësaj e lirojnë dhe ai vazhdon rrugën.

Dëgjohej zëri i Kijsi Kefrit se si këndonte në ndonjë rrugicë. Mbërrijnë Stiven Dedalusi dhe Linçi. Stiveni e këndon me plot kënaqësi lutjen e Krishtlindjes, kurse Linçi e përcjell me fytyrë të mrrolur. Se nga u shfaq një rrufjane e cila u përpoq t’i joshë me fjalët se ka në duar vetëm virgjëresha, por Stiveni vazhdoi rrugën duke kënduar, gjë që e zemëroi gruan. Stiveni u përpoq t’i shpjegonte Linçit se gjuhë universale është lëvizja dhe jo muzika apo aroma. Ia zgjati  shkopin e frashrit që ta mbajë për ta demonstruar bukën dhe poçin e verës. Stiveni dhe Linçi vazhdojnë rrugën, ndërsa Tomi Kefri ngjitet për llambe të gazit. Lojës së tij i bashkohet edhe Xheku.

Ja te është Blumi nën urën hekurudhore. Është duke shkuar në mishtoren e Olhausenit. Del që andej me pakot nën krahë. Mu afër tij kaluan fluturimthi dy çiklistë. Për pak ta marrin përpara. Ai ra në tokë me copa balte në fytyrë. Ia behu babai i tij Rudolfi i cili e qortoi ngase atë ditë e kishte shpenzuar tashmë gjysmën e kurorës. Kurrë s’ka për ta ruajtur paranë po qe se shoqërohet me pijanecët.

I del para Merioni e cila i kërkon që prej sot ta thërrasë zonja Merion dhe jo Moli. Blumi mori frymë thellë. Është i shqetësuar. Ka shumë gjëra për t’i thënë, t’i kërkojë falje. I premton asaj se nesër në mëngjes menjëherë do të shkonte në barnatore për ta marrë losionin dhe lëngun prej luleve të portokallit. Të enjten dyqanet mbyllen më herët.

Gerta e fajëson Blumin dhe i thotë se çdo gjë që ka në botë është e tij dhe e Molit. Për këtë e urrente. Blumi hiqej sikur kurrë s’e kishte parë. Derisa fliste me rrufjanen, e takon Zonja Brin. Ajo e qorton se endet nëpër një lagje të tillë dhe i kanoset se të gjitha do t’ia thoshte Molit. Blumi ia përkujtoi ditët kur shoqëroheshin si fëmijë, iu afrua dhe e rroku për dore, ndërsa ajo dalëngadalë nisi t’i dorëzohej. Nuk mund t’ia falte kur u martua ngase ajo për të ishte çdo gjë.

Blumi vazhdon më tej por e ndalin aktorët e skenës. Marta e akuzon për shkelje të premtimit për martesë dhe dëshiron ta lajë njollën nga emri i vet. Blumi e fajëson se është tepër e dehur dhe nuk di se ç’flet. Aktorët e skenës ftojnë dëshmitarin vijues, Meri Driskolin. Ajo thotë se është e sinqertë, ka pasur një punë të mirë që iu desh ta linte për shkak të sjelljes së tij. Para gjykatës ajo e akuzon Blumin se njëherë e kishte pritur në oborr dhe e kishte mbërthyer.  Nga veprimi i dhunshëm i kishin mbetur në trup shenja të mavijosura, ndërsa dy herë ia kishte futur dorën ndër fund.

Para gjykatës Blumi pohon se nuk është fajtor. Edhe pse është shpallur dele e zezë, ka ndërmend të përmirësohet, ta harrojë të kaluarën dhe të fillojë një jetë të re dhe të qetë familjare, përplot dashuri. Rastin e Blumit e përfaqëson J. J. O’Molloj dhe përpiqet ta mbrojë.

Zonja Jelverton Beri kërkon nga gjykata që ta burgosin për arsye se i ka dërguar asaj letër anonime kur s’e ka pasur burrin në shtëpi. Letrën e kishte nënshkruar me emrin Xhejmz Llovbërç. Në letër i kishte propozuar që të enjten e ardhshme të kryente me të tradhti bashkëshortore. Paraqitet edhe zonja Belingem e cila po ashtu e akuzon për letra të pahijshme. E nderuara z-nja Mërvin Tallbojs tha se asaj i kishte dërguar një njëfarë fotografie të turpshme dhe kërkoi prej saj që ta dënonte dhe ta fshikullonte.

Thirrësi i gjykatës e akuzon Blumin si një falsifikues, bigamist, kodosh. Kryetari i gjykatës penale thotë se dëshiron ta çlirojë Dublinin nga tregtia me femra, kështu që urdhëron burgosjen e Blumit dhe varjen e tij. Shfaqet fantazma e Pedi Dignemit dhe pas kësaj çdo gjë merr fund. Blumi arrin të dalë nëpër kanalin kullues.

Shkon te prostituta Zoi Higins të cilën e pyet për zonjën Smek. Këtu banon zonja Kohin, kurse zonja Mek banon te numri tetëdhjetë e një. Flirton disa çaste me Zonë. Më pas e vesh uniformën e këshilltarit të qytetit. Zgjedhësve ua paraqet programin e vet. Të gjithë brohorisin dhe duan t’i ngrenë përmendore.

Tani Blumi është kryetar i Gjykatës së ndërgjegjes dhe jep falas këshilla juridike dhe mjekësore, i zgjidh enigmat dhe problemet e tjera. Deklaron se angazhohet për reformën e moralit qytetar dhe të dhjetë urdhrave të ri, të pastër. Po ashtu dëshiron bashkimin e të gjithë myslimanëve, të hebrenjve dhe të jobesimtarëve. Po ashtu dëshiron makinë mortore luksoze dhe punë fizike të detyrueshme për të gjithë.

Paraqitet Bojlani i Zjarrtë dhe i drejtohet Blumit. Dëshiron të dijë nëse zonja Blum tanimë është veshur. Blumi është i veshur me një jelek të kadifenjtë dhe pantallona të shkurtra, çorape ngjyrë kafeje të çelët dhe mban në kokë një parukë të pudrosur. Bojlani i hedh Blumit nja gjashtë lekë që të pijë një xhin me sodë, ngase i duhet t’ia bëjë gruas së vet punën. Merioni e pret lakuriqe, ndërsa Bojlani i thotë Blumit zëshëm se atij s’i mbetet tjetër pos të shikojë nëpër vrimën e bravës dhe të kënaqë veten. Blumi i falënderohet me ironi dhe e pyet nëse mund të ftonte edhe nja dy shokë të tjerë.

Nëna e Stivenit mbiu nga dyshemeja, me trup të dobësuar, fytyrë të thatë dhe të zbehtë. Zgavrat e syve i kishte akoma më të zbrazëta. Bak Maligeni e vështron nga maja e kullës. Stiveni është i tmerruar. I drejtohet nënës duke u ngulfatur nga frika dhe të dridhurat. I tregon se si të tjerët thonë se ai e ka vrarë, por jo, s’e ka vrarë ai, këtë e bëri kanceri. Nëna i lutet që të pendohet. Ia afron gjithnjë më tepër fytyrën e saj dhe e sugjeron që të ruhet nga dora e Zotit. Stiveni u trenua dhe me shkopin e frashrit e theu shandanin.

Blumi e gjeti Stivenin duke fjetur i dehur në rrugë. Iu lut policëve që të mos e shoqërojnë ngase babai i tij është një qytetar tejet i respektuar. Madje shkopin e tij, paratë dhe kapelën i ka ai, kështu që për të gjitha do të kujdeset vetë ai. Blumi u përkul mbi të dhe e trandi mos ndoshta do të zgjohej. Për t’ia lehtësuar frymëmarrjen, ia shkopsiti kopsat e jelekut. Mirë që s’është i lënduar. Vazhdoi të mbajë roje pranë Stivenit të dehur. I vinte keq.

 

Pjesa III

16.

Pasi e mori pak veten, zoti Blum e shkundi një pjesë të madhe të ashklave nga rrobat e Stivenit. Ia dha kapelën dhe shkopin e frashrit. Kërkoi diçka për të pirë, por ishte vonë dhe askund në afërsi nuk kishte ndonjë pompë për t’i larë duart dhe fytyrën dhe për të pirë ujë. Blumit iu kujtua se aty afër, pranë urës Bat ndodhet bujtina e karrocierëve. Aty do të mundë të gjenin ndonjë pije. Asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje të ecë, por nuk kishin zgjedhje ndaj u nisën në këmbë. Blumi ishte plotësisht i përkorë. Ai i foli shokut të vet jo aq të përkorë për rreziqet që i kanosen njeriut gjatë natës në lagje. Më së shumti u zemërohej atyre të cilët bashkë me Stivenin kishin pirë dhe kishin bërë qejfe dhe në fund atë, ashtu të dehur, e kishin lënë në rrugë.

Kaluan pranë Doganës dhe nën urën Lup Lejn. Stiveni e pa rojtarin i cili qëndronte në shtëpizën e errët të rojës, por kur pa se ai ishte Gamli, miku i babait të tij, menjëherë iu afrua shtyllave të urës hekurudhore. Nën harqe u shfaq një figurë për t’i përshëndetur. Blumi rinte në distancë, por nuk kishte frikë, edhe pse ishte shumë e mundshme që në rrethana të tilla dikush t’ju sulmojë me revole. Ishte Xhon Korli. E tërhoqi Stivenin mënjanë dhe iu ankua se kishte mbetur pa para, madje s’kishte as për të paguar strehimin.

Iu lut Stivenit që t’i tregonte se ku mund të gjente punë, çfarëdo pune. Edhe pse e dinte se rrëfimit të Korlit askush nuk do t’i besonte, Stivenit i erdhi keq. Ishte gjashtëmbëdhjeti i muajit, kështu që ankesa e tij drejtuar Stivenit përputhej me ditën kur ai e merrte rrogën. Mendoi t’i jepte ndonjë lekë për të blerë ushqim, por kur e futi dorën në xhep, vërejti se s’kishte para. Nuk i kujtohej nëse i kishte harxhuar paratë, apo i kishte humbur diku. Në xhepin tjetër gjeti do gjysmë monedha. Njërën ia dha Korlit.

Sakaq, Stiveni iu afrua Blumit i cili, me të dëgjuar se Korlit i kishte dhënë një gjysmë monedhe, u shokua. E pyeti se ku do të flinte sonte dhe përse e kishte braktisur shtëpinë e babait. Stiveni ia ktheu duke i thënë se kishte shkuar për të gjetur belanë. E sugjeroi që të ruhet prej mikut të tij, Dr. Maligenit, i cili mendonte vetëm për vete dhe kurrë s’e kishte përjetuar të jetonte pa vakte të rregullta.

Mbërritën te bujtina e karrocierëve dhe u vendosën diku në skaj. Ua tërhoqën vëmendjen e njerëzve të pastrehë dhe të pijanecëve që ndodheshin aty. Pronari i bujtinës u solli  një lloj lëngu që duhej të shërbente si kafe, si dhe një lloj paste. Detari me mjekërkuq shfaqi një interesim të veçantë për të ardhurit, ndaj e pyeti Stivenin se si quhej. Simon Dedalusin ai e njihte. Pastaj u foli për gruan e vet e cila tash shtatë vjet e pret me besnikëri, derisa ai lundron nëpër ete. Ku s’kishte lundruar dhe çka s’kishte parë gjatë lundrimeve. Blumi paksa dyshonte dhe nuk i besoi plotësisht rrëfimit të tij.

Biseda vazhdoi. Ra fjala për fatkeqësitë në det, për anijet që kishin humbur në mjegull. Detari rrëfeu se disa herë kishte mbërritur deri te Kepi i Shpresës së Mirë dhe kishte përjetuar monsunet. Pastaj të gjithë ishin plot mllef dhe ankoheshin për ngecjen e transportit detar në Irlandë, si bregdetar ashtu edhe tej detar.

Blumi preku çështjen e hebrenjve dhe u përpoq t’ia sqaronte Stivenit se si çdokush i fajëson ata për shkatërrimin e tokës, kurse një gjë e tillë assesi nuk është e vërtetë. Tregoi se si Spanja kishte rënë pas dëbimit të hebrenjve gjatë inkuizicionit, Anglia kishte lulëzuar pasi që Kromueli i kishte sjellë aty. E vazhduan bisedën për atdheun, por Stiveni përnjëherë e ndërpreu dhe kërkoi ta ndërronin temën.

Blumi kënaqej në shoqërinë e të riut i cili shihej se ishte inteligjent. Admironte të shoqërohej me njerëz të cilët do ta shtynin të mendonte. Ishte bërë vonë ndaj që të dy u pajtuan se është koha për pushim, por nuk ishte i sigurt nëse do të mundë ta merrte Stivenin në shtëpi. Pasi u mendua pak, e ftoi. Nuk ishte gjithaq i sigurt nëse do t’i pëlqente Stivenit një ide e tillë. Sidoqoftë, për të ishte krejt njësoj.

Dolën jashtë dhe u nisën për te Blumi. Stivenin ende nuk e mbanin këmbët sa duhet, por Blumi e trimëronte duke i thënë se tani që janë në ajër të pastër, do të ndjehet më mirë. Edhe ecja do t’i bëjë mirë. Gjatë rrugës folën për artin dhe muzikën.

17.

Në rrugë e sipër, Stiveni dhe Blumi flisnin për Irlandën, Dublini, Parisin, për miqësitë, për femrat dhe për muzikën. Blumi e nuhati se që të dy më tepër e parapëlqenin muzikën se artin figurativ. Po ashtu më tepër e parapëlqenin jetën tokësore sesa jetën në ishull. Që të dy i shihnin me mosbesim shumë doktrina religjioze, sociale, etike dhe kombëtare.

Kishte edhe çështje për të cilat nuk pajtoheshin ndër vete. Mendimi i Stivenit nuk përputhej me atë të Blumit lidhur me mënyrën e të ushqyerit dhe të mbështetjes së qytetarëve në forcat e veta. Blumi nuk pajtohej me mendimin e Stivenit se shpirti i njeriut vërtetohet në mënyrë të përhershme vetëm në kuadër të letërsisë.

Kur mbërritën në shtëpi, Blumi e kërkoi çelësin në xhep, por çelësi ishte në xhepin e pantallonave që i kishte mbajtur para një dite. Blumi u zemërua për arsye se dy herë i ishte kujtuar që të mos e harronte çelësin dhe përsëri e paska harruar. Ishte në dilemë, t’i binte derës ose jo. Ia doli të futej në kuzhinë përmes sqollit (vendit ku lahen petkat), që ndodhej në përdhese. Pastaj e futi edhe Stivenin. E ndezi zjarrin në vatër dhe solli dy karrige që ndodheshin aty pranë. Kazanin gjysmë të mbushur e vuri mbi qymyrin që u ndez. Pastaj shkoi te çezma për të larë fytyrën dhe duart me sapunin gjysmë të shkrirë, Barington, me aromë limoni, që e kishte blerë më parë e që ende s’e kishte paguar. Uji vloi dhe Blumi e përdori atë për t’u rruar dhe për të bërë çaj për vete dhe për Stivenin.

Që të dy ishin të shkolluar, por temperamentet e tyre dalloheshin. Blumi kishte temperament shkence, ndërsa Stiveni – artistik. Blumi thoshte se më tepër anon nga shkenca aplikative sesa shkenca e pastër.

Mendonte për një prej problemeve kryesore që e preokuponte shpesh: ç’të bënte me gruan e vet? Do zgjidhje të mundshme kanë mundur të jenë: lojërat shoqërore, qëndisja, arnimi ose thurja për t’i veshur të varfrit. Pastaj duetet muzikore, vajtja në zbavitje të ndryshme ose kurse arsimore të natës. Ai anonte posaçërisht për mundësinë fundit për arsye se gruaja e tij nuk i kuptonte sa duhet djallëzitë politike, ndërsa kur i mblidhte shumat e faturave, shërbehej me gishtërinjtë.

Në mënyra të caktuara, ia linte asaj librat te faqja e caktuar ose i mbante mësim drejtpërsëdrejti, por ajo e përcillte vetëm një pjesë të tërësisë. Dëgjonte me interesim, por asgjë nuk mbante në mend dhe shpejt harronte. Ai e kuptoi se motivimi i tërthortë më i suksesshëm do të ishte ai që do ta përfshinte interesimin personal. I propozoi Stivenit që të enjten dhe të premten t’i kalojë duke pushuar në krevatin që ndodhej në dhomë, pikërisht mbi kuzhinë. Stiveni kësisoj, të paktën nja dy ditë, do të kishte strehim të sigurt, ndërsa Blumi, duke biseduar me të riun, do ta ripërtërinte shpirtin. Ofertën e tij, Stiveni e refuzoi me urti.

Pastaj Blumi e vuri shandanin në dysheme, ndërsa Stiveni e vuri kapelën në kokë. Kur e hapën derën, macja e shfrytëzoi rastin dhe u përvodh brenda. Kur dolën jashtë vështruan qiellin plot yje dhe Blumi i tregoi mikut disa yjësi.

Kur në fund u përshëndetën, u dëgjua zhurma i kambanës së kishës së Shën Gjergjit. Blumi kaloi nëpër oborr dhe hyri në korridor. Mori qiririn dhe iu ngjit shkallëve. E vuri qiririn në kaminë dhe nisi t’i këqyrte librat që ndodheshin aty. Më voluminoz ishte “Historia e luftës ruso-turke” e Hozierit. Teksa rinte ulur, e ndjeu shqetësimin që ia shkaktonte shtrëngimi i jakës dhe i jelekut. Për këtë arsye e hoq jakën me kollaren e zezë dhe e vuri mbi tryezë. Pastaj i shkopsiti jelekun, pantallonat dhe këmishën. E nxori edhe kanotierën. I zgjidhi lidhëset dhe i nxori këpucët.

Dikur ëndërronte se si trashëgon vilë, se si do ta kishte rregulluar dhe ç’do të mundë të bëhej aty. Konsideronte se mendime dhe rrëfime të ngjashme që ia thoshte vetes para se të shkonte në gjumë, mund ta zvogëlojnë lodhjen dhe si rezultat, mund të ketë gjumë të shëndetshëm dhe vitalitet të ripërtërirë. Si biolog, e dinte se njeriu njëzet vjet të jetës i kalonte në gjumë. Si filozof, e dinte se një numër i vogël i dëshirave të njeriut vërtet mund të realizohen deri në fund të jetës. Si filozof, besonte në zbutjen artificiale të ndikimeve të dëmshme ndaj gjumit.

Do rroba që s’i kishte nxjerrë, i nxori dhe i la mbi karrige. E tërhoq këmishën e gjatë të natës që ndodhej nën jastëk dhe u fut në krevat.

18.

Këtë kapitull e rrëfen në vetën e parë Moli Blum. Po të sëmurej seriozisht ai, mendonte Moli, mbase do t’i duheshin asaj një muaj, për ta bindur atë të shkonte në spital. Kur t’i dilte para ndonjë infermiere apo murgeshë si në fotografinë që e ruan, do të kishte ndenjur atje derisa ta dëbonin jashtë. Njëherë e kishte prerë pëlqyerin dhe kishte menduar se mund të merrte helmim gjaku. Por, sikur të sëmurej ajo, asaj nuk do t’i kushtohej kurrfarë kujdesi. Gruaja e fsheh problemin që ka dhe për sëmurjen e vet nuk u krijon telashe të tjerëve. Iu kujtua se si një natë hyri ajo në kuzhinë për ta njoftuar për vdekjen e Dignemit, kurse Blumi e fshehu letrën nën do letra të punës dhe nisi të aktronte sesi mendonte për punën. Të gjithë meshkujt në të dyzetat bëhen të tillë. Gjejnë ndonjë vajzë të re e cila do t’ua mjelë të gjitha paratë që i kanë. Molit nuk i pengonte se me kë flirtonte Leopoldi. Vetëm të mos e bënte këtë para syve të saj, siç ishte rasti me Merin nga Ontario Tërejs.

Natyrisht, një grua s’i mjafton dot, i nevojite disa sosh. I rrokte shërbëtoret. Njëherë i tha shërbëtores që për Krishtlindjet ajo të darkonte bashkë me ta. Moli assesi nuk e lejoi një gjë të tillë. Përveç kësaj, shërbëtorja ishte prej atyre që vidhte, ndaj edhe e largoi nga puna. Iu kujtua nata me bubullima aq tmerruese saqë ajo kishte menduar se është fundi i botës. Menjëherë u pendua për mëkatet e veta dhe u lut. Atij kjo do t’i dukej tejet qesharake ngase ai kurrë nuk shkel në kishë, as për meshë dhe as për bekimin e shpirtit.

E dinte se ai dyshonte për një lidhje të saj me Bojlenin. Por ajo nuk çante kokën për këtë. E dinte se si e kishte zemëruar atë takimi me Josi Pauelin, funerali dhe mendimi për të dhe Bojlanin. Ai tha se kishte vallëzuar me të, vetëm ngase i kishte ardhur keq për të, sepse askush atë s’e kishte pyetur në dëshironte të vallëzonte. Por, kur e kishin festuar ardhjen dhe strehimin e Xhorxhina Simpsonit, e kishte hetuar se gjatë gjithë natës sytë i kishin te njëri-tjetri.

Sa herë që Josi ishte në shoqëri me ta, ajo e përqafonte Molin, por në fakt mendjen e kishte tek ai. Një kohë ka qenë edhe i pashëm, edhe pse ka qenë tepër i bukur për një burrë, ai përpiqej të ishte si lord Bajroni. Të gjithë meshkujt janë kaq të ndryshëm. Formën e këmbës së saj Bojlani e vuri re për herë të parë kur ajo ishte me Poldin në DBC. Ajo vuri re se si ai po e shikonte kur ajo u ngrit në këmbë. Pas kësaj, ajo dy ditë rresht shkoi atje për të pirë çaj, por atë s’e kishte parë më. Megjithëkëtë, pas koncertit të Guduinit, ajo e bindi atë të kalonte një mbrëmje me të. Iu kujtua edhe burri flokëkaçurrel nga qumështorja e Lakenit, pastaj Bertil D’Erki duke e puthur atë në shkallët e korit të kishës.

Blumi ishte i fiksuar pas brekëve. Iu lut asaj t’i priste një copë nga të sajat që të mundë ta mbante me vete. Gjithmonë i shikon vajzat që ngasin biçikletë, fundet e të cilave ngrihen deri në kërthizë. Kur u njoftuan, ajo ishte e para që e vuri re atë duke qëndruar në shi. Ia puthi dorën dhe iu lut ta hiqte dorëzën. Donte që ajo ta ngrinte fundin dhe t’ia tregonte brekët. Në fund ajo pranoi, edhe pse ishin në publik. Ajo duhej ta gënjente të atin duke i thënë se e kishte harruar portofolin, ndaj i duhej të shkonte përsëri te mishshitësi. Krejt këtë e kishte trilluar Blumi.

Të nesërmen e pyeti mos ndoshta e kishte fyer. Ajo e kishte ulur shikimin. Por e dinte se ai e kishte parë se ajo nuk ishte fyer. Çdo mëngjes i shkruante letër. Ndonjëherë i dërgonte nga dy letra. Kur e humbi punën te Helli, ajo shiste tesha dhe luante në piano në kafene. I tha asaj se kur i lëshon flokët, duket si një pikturë e nimfës kur lahet. Ajo e pyeti nëse nimfat silleshin rreth e rrotull pikërisht ashtu. E pyeti diçka edhe për mishërimin, por ai asgjë nuk di të shpjegojë si duhet. Njeriu kurrë s’mund ta kuptojë. E dogji gjysmën e kopjeve të tij të vjetra të revistës “Freeman” dhe të Foto-revysë. Çdo gjë filloi t’i linte rreth e rrotull. Vërtet po bëhet  i parregullt. Gjysmën tjetër të kopjeve i kishte hedhur mbi tualet, ndërsa nesër do ta detyronte t’i griste në vend që të rinin aty.

Ishte vonë. Ajo u ngrit nga shtrati dhe pa se kishte shoqëri. Shpresonte t’i jepte fund shoqërimit me ata mjekë. Sillet sikur të ishte i ri si dikur dhe vjen në shtëpi në orën katër të mëngjesit. Të paktën kishte kujdes të mos e zgjonte. Ajo dëshironte të dinte për se flisnin gjatë gjithë natës. Përveç kësaj, shumë para harxhonin për pije.

Njëherë iu duk sikur i kishin hyrë në kuzhinë hajdutë. I frikësuar tej mase, Leopoldi zbriti me këmishën e natës dhe me një mashë në dorë. Për t’i trembur grabitqarët eventualë, nisi të bërtasë. Në të vërtetë, aty s’ke edhe ç’të vjedhësh. Sidoqoftë, është një ndjenjë e pakëndshme, sidomos kur Mili nuk është më me ta. Nuk mund të besonte se e dërgoi vajzën të mësonte fotografimin në vend që ta dërgonte në Akademinë e Skerit.

Iu kujtua dita kur e shtyri ta propozonte. Ai kishte veshur një kostum gri dhe kapelë kashte. Rinin shtrirë në Houdh Hed. Ajo i dha nga goja e vet pak tortë dhe pas  puthjes së dytë ndihej sikur kishte mbetur pa frymë. Kjo kishte ndodhur para gjashtëmbëdhjetë vjetëve. Atëherë i kishte thënë asaj se është si një lule mali, se çdo femër është lule, kishte menduar se kjo ishte e vërteta e vetme që kishte thënë ai gjatë jetës së tij. Pasi ia kishte bërë pyetjen, ajo ishte menduar një kohë. Qoftë ai apo dikush tjetër, më në fund ajo i kërkoi ta përsëriste pyetjen dhe ajo tha po.

*   *   *

Personazhet kryesore

Leopold Blumi (Leopold Bloom) – Është një prej personazheve kryesore të fundit të viteve ’30 të shekullit XX. Jeton në Dublin me bashkëshorten Moli (Molly) me të cilën e ka vajzën Milli (Milly), e cila është shpërngulur ngase ka gjetur punë te një fotograf. Pas Millit (Milly) u lindi djali Radi (Rudy) i cili vdiq njëmbëdhjetë ditë pas lindjes. Punon si reklamues në revistën “Freeman” të Dublinit. Blumi është paraqitur si bashkëshort i mirë, i butë dhe zemërmirë. Pikërisht për vetitë e tilla, të tjerët shpesh e përqeshin. Në roman vërehet karakteri tjetër i tij, joshja nga trupi i femrës. Shpesh ka aventura me shërbëtoret dhe i viziton prostitutat. Gjatë letërkëmbimit me Martën përdor pseudonim. Konsiderohet si dijetar dhe kënaqet kur bisedon me të riun Stiven (Stephen) ngase kjo e nxit të mendojë për çështje të ndryshme dhe të ndjehet i ri. Ka një rreth të ngushtë miqsh. Babai i ka bërë vetëvrasje, gjë që bashkë me vdekjen e të birit, tek ai ka lënë gjurmë të thellë. Shpesh mendon për filozofi dhe vazhdimisht e ka parasysh të mos e teprojë me pijen.

Moli Blum (Molly Bloom) – Është bashkëshorte e Leopold Blumit. Nuk është shumë e arsimuar, gjë që midis tyre krijon njëfarë hendeku. Leopoldi përpiqet disi ta arsimojë, por pothuajse gjithmonë pa sukses ngase ajo shumë shpejt harron. Përpos kësaj, atë e irriton edhe fakti se burri i saj gjithmonë flet në mënyrë të ndërlikuar dhe ajo kurrë nuk mund ta kuptojë plotësisht. Është më e re se i shoqi dhe mjaft tërheqëse, gjë për të cilën plotësisht është e vetëdijshme. E tradhton të shoqin me Bojlanin e Zjarrtë ngase konsideron se ai nuk mund ta kënaqë. Këndon dhe shpesh shkon në koncerte, duke krijuar në këtë mënyrë të ardhura. Për shumë arsye nuk është e kënaqur me burrin e vet, por është e vetëdijshme se ka mundur të kalojë edhe më keq, ndaj përkundër të gjithave, është e kënaqur.

Stiven Dedalusi (Stephen Dedalus) – Është poet dhe filozof i ri. Jep histori në shkollë fillore. Ka besim në vete dhe kryesisht është i tërhequr në shoqëri. Synon të dëshmohet si artist por assesi nuk ia del ta arrijë këtë plotësisht. Një kohë ka qëndruar në Paris. U largua nga shtëpia e babait. Në një moment deklaroi se e bëri këtë për të kërkuar telashe. Shoqërohet kryesisht me Bak Maligenin (Buck Mulligan) të cilin të gjithë e konsiderojnë hajdut i cili vetëm e shfrytëzon dhe e prish. Jeton në kullën Martello me Bakun (Buck) dhe Hajnesin (Haines), dy studentë dhe që të dy i urren. Nuk ka raporte të mira me familjen, nuk komunikon me babanë pijanec, Simon Dedalusin. E përndjek vdekja e së ëmës për të cilën refuzoi të lutej në çastin e vdekjes së saj. Në fund të romanit, Stiveni dhe Blumi një kohë kalojnë bashkë dhe ndaj djaloshit të ri, Leopoldi mban një qëndrim pothuajse atëror.

*   *   *

Emrat e personazheve të romanit dhe të vendeve, të shkruar në shqip dhe në origjinal

Leopold Blum; (Leopold Bloom); Merion (Moli) Blum (Marion (Molly) Bloom); Stiven Dedalus (Stephen Dedalus); Bak Maligen (Buck Mulligan); Dizi (Deasy); Milli (Milly); Marta (Martha); Mina Pjurfoj (Mina Purefoy); Hajnes (Haines); Sisi Kefrij (Cissy Caffrey); Riçi (Richi), Valter (Walter); Krisi (Crisse); Mek’koi (M’Coy); Marth (Marthe); Pauer (Power); Martin Kaningem (Martin Cunningham) Selli (Sally); Red Mëri (Red Murray); Naneti (Nannetti); Aleksandër Kijs (Alexander Keyes); Linihen (Lenehan); Xhon F. Tejlor (John F. Taylor); Majëlls Krauford (Myles Crawford); Brin (Breen); Barton (Burton); Rudi (Rudy); Xhon Igllinton (John Eglinton); Rasëll (Russel); Shelli (Shelley); Best (Best); Hejnis (Haines);  Konaht (Connacht); Hajdi (Hyde); Xhill (Gill); Artur (Arthur); Mbreti Xhon (King John); Xhillbert (Gilbert); Riçërd (Richard); Edmond (Edmund); En (Ann); Dejvid Shihi (David Sheehy); Kiri (Kerry); At Xhon Konmi (John Conmee); Korni Kelleher (Corny Kelleher); Dollimount Dollymount; Kejti (Katey); Budi Dedalus (Boody Dedalus); Megi (Maggy); MekGinis (M’Guinness); Tortoni (Thorton); Bojlani i Zjarrtë (Fiery Boylan); Xheku (Jack); Dili Dedalusi (Dilly Dedalus); At Koulli (Cowley); Ben Dollard (Ben Dollard); Ben (Ben); zonjusha Dus (Douce); zonjusha Kenedi (Kennedy); Linihen (Lenehan); Riçi Gulding (Richie Goulding); Alf Birgen (Alf Bergan); Xhorxh Liduel (George Lidwell); Xho Hajnes (Joe Hynes); Xho (Joe); Troi (Troy); Barni Kiernen (Barney Kiernan); Barni (Barney); Pet (Pat); Denis Brin (Denis Breen); Bob Doren (Bob Doran); Uilli Mërej (Willy Murrey); Pedi Dignem (Paddy Dignam); Teri (Terry); Martin Kaningem (Martin Cunningham); Ned (Ned); Edi Bordmen (Edy Boardman); Tomi Kefri (Tommy Caffrey); Xhek (Jacky Caffrey); Gerta MekDouel (Gerty MacDowell); Rigi Uejll (Reggyju Wylieju); Horn (Horne); O’Heri (O’Hare); Dikson (Dixon); Linkom (Lynchom); Medin (Madden); Meleki (Malachi); lordi Endrju (lord Andrew); Frank (Frank); Xhozef Kafi (Joseph Cuffe); Alis Benon (Alece Bannon); Frensis (Francis); Linç (Lynch); Olhausen (Olhausen); Rudolfi (Rudolph); zonja Brin (Breen); Meri Driskol (Mary Driscoll); J. J. O’Moloj (J. J. O’Molloy); zonja Jilvirton Beri (Yelverton Barry); Xhejms Llovbërç (James Lovebirch); zonja Belingem (Bellingham); z-nja Mërvin Tallbojs (Mervyn Talboys); Zoi Higins (Zoe Higgins); zonja Smek (Smack); zonja Kohin (Cohen); zonja Mek (Mack); Gamli (Gumley); Xhon Korli (John Corley); Kromueli (Cromwell); Meri nga Ontario Tërejs; Josi Pauel (Josie Powell); Xhorxhina Simpson (Georgine Simpson); Poldi (Poldy); Guduin (Goodwin); Laken (Lucan); Bertil D’Erki (Bartell D’Arcy); Helli (Hely); historiani Hozier (Hozier); Houdh Hed (Howth Head).

Emra vendesh apo institucionesh që përmenden në roman

Sheshi Mountxhoj (Mountjoy Square); Rruga Qarkore e Veriut (North Circular Road); Irishtoun (Irishtown); Rruga e Princeshave të Veriut (North Princes’s Street); Hyrja e Rrugës së Veriut (North Strand Road); ura O’Konel (O’Connel Bridge); Rruga e Flotës (Fleet Street); “Njerëzit e Killkenit” (Kilkenny People); kolegji Triniti (Trinity); Gelleger (Gallagher); ura Njukomën (Newcomen); Ishulli i Baltës (Mud Island); Rruga Houdh (Howth Road); Rruga Ikllis (Eccles); ura Eseks (Essex); pijetorja e Barkit (Burke); Rreshti Uilliam (Williams’s Row); antikuariati Ridi (Reddy); ura Eseks (Essex); kodra Arbur (Arbour Hill); cepi Çikën Lejn (Chicken Lane); rruga Kepëll (Capel Street); ura Bat (Butt); ura Lup Lejn (Loop Line); Ontario Tërejs (Ontario Tirese); Lidhja Kelte (Celtic League); Lidhja Kundër Bankave dhe Pijes (Anti-Banking and Drinking League); kulla Martello (Martello); Kostello (Costello); ishulli Lembej (Lambay); ferma Omfelos (Omphalos); sapun Barington (Barrington); Akademia e Skerit (Skerry Academy); Bredston (Broadstone); Devi Birni (Davy Byrne); Arten (Artane); Sheshi Mountxhoj (Mountjoy); katedralja në Keshil (Cashel); bregu Sendmont (Sandymount).

*   *   *

Shënime për autorin

Xhejmz Xhojsi (James Augustine Aloysuis Joyce, Dublin, 2 shkurt 1882 – Cyrih, 13 janar 1941) është prozator dhe poet irlandez. Konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm i periudhës së modernizmit evropian. Lindi më 2 shkurt të vitit 1882, si fëmija i parë i një familjeje të shtresës së mesme me pikëpamje katolike. Pas lindjes së tij, e tërë familja u vendos në qendër të qytetit. Prindërit e tij, Meri dhe Xhon Xhojs (Mary & John Joyce) kanë pasur katërmbëdhjetë fëmijë. Xhejmzi ka pasur arsimim më të mirë ngase ashtu kishin vendosur prindërit. Në vitin 1888 u regjistrua në kolegjin jezuit Clongowes Wood. Pas regjistrimit familja u ballafaqua me probleme financiare, kështu që në qershor të viti 1891 Xhejmzi u detyrua të çregjistrohet. Në vitin 1898 ia doli të kryente kolegjin Belvedere dhe të fillonte studimet në kolegjin universitar. Më së shumti i interesonte letërsia.

Jetën dhe veprën letrare ia determinojnë: lidhja obsesive me Irlandën, e cila ka qenë temë e përhershme e veprave të tij; protesta kundër provincializmit dhe ngushtësisë shpirtërore të mjedisit të vet. Jetën e tij e determinon edhe protesta kundër rezistencës për ta legalizuar lidhjen me Nora Berneklin, me të cilën u njoh në vitin 1904. Që atëherë jeton në emigrim vullnetar. Lidhja e tyre u legalizua në vitin 1931.

Më 1 prill të vitit 1900, në revistën “The Fortnightly Review” botoi esenë “Kur zgjohemi ne të vdekurit” (When We Dead Awakan) kushtuar dramaturgu norvegjez Henrik Ipsen (Henrik Ibsen, 1828-1906). Është një program poetik që predikon “sjelljen e ajrit të pastër” në konventat letrare të vjetruara. Pas viti 1902 dhe studimeve të kryera vajti në Paris për të regjistruar mjekësinë, por për shkak të sëmurjes së nënës, nuk qëndroi gjatë. Ajo vdiq në vitin 1903.

Në vitin vijues u njoftua me Nora Bernekli (Nora Barnacle; Galway, Irlandë, 21 mars 1884 – Cyrih, Zvicër, 10 prill 1951), me të cilën krijoi lidhje dashurie. Për Xhejmzin kjo datë kishte rëndësi ngase e përfshiu si ditë të zhvillimit të veprimit në romanin “Uliksi”. Lidhjen e legjitimuan në vitin 1931, një vit para se t’u lindte nipi Stivën Xhojs (Stephen Joyce). Xhejmz Xhojsi dhe Nora Bernekli kishin dy fëmijë: Lucia Xhojs (Lucia Anna Joyce; Trieste, Itali, 26 korrik 1907 – 12 dhjetor 1982) dhe Xhorxhio Xhojs (Giorgio Joyce, Trieste, Itali, 27 korrik 1905 – 12 qershor 1976). Xhorxhio Xhojsi kishte vetëm një djalë, Stivën Xhojsin (Stephen Joyce, 15 shkurt 1932 – 23 janar 2020). Ky ishte nip i Xhejmz Xhojsit dhe Nora Berneklit.

Prej Dublini vajtën në Pullë (Pula) ku Xhejmzi u punësua si profesor i gjuhës angleze në shkollën Berlitz. Këtu punoi prej viti 1904 deri në mars të vitit 1905. Në shënimet që ka lënë thotë se Istria është një vend i mërzitshëm i banuar me popullsi sllave të paarsimuar. Pas Pullës, të njëjtën punë vazhdoi ta punonte në Trieste. Këtu do t’i lindin djali Xhorxhio (Giorgio) dhe vajza Lucia. Një kohë qëndroi në Romë duke mbajtur orë nga gjuha angleze dhe duke punuar në bankë.   Qëndrimi në Trieste gjatë Luftës së Parë Botërore, për të si një shtetas britanik, iu duk si një punë e pasigurt, ndaj vendosi që në vitin 1915 të shpërngulet për në Cyrih.

Biografët thonë se koha që e ka kaluar në Trieste për Xhojsin ka qenë më e frytshme dhe se pikërisht atëherë janë krijuar shumë vepra të tij. Në vitin 1907 botoi përmbledhjen me poezi “Muzikë dhome” (Chamber Music); në vitin 1914 botoi përmbledhjen me pesëmbëdhjetë novela “Dublinasit” (Dubliners); në vitin 1918 dramën “Të mërguarit” (Exiles) që flet për trekëndëshin e dashurisë; e filloi punën për “Uliksin” (Ulysses, 1922), ndërsa dorëshkrimin me titull “Heroi Stivën” (Stephen Hero, 1944), më vonë e shndërroi në roman me titullin “Portreti i artistit në rini” (A Portrait of the Artist as a Young Man, 1916), i cili në fillim doli në vazhdime në revistën “Egoist”, para se të botohej në vitin 1916 si libër.

Në vitin 1918 revista avangarde e Amerikës “The Little Review” e filloi botimin e vazhdimeve të para të romanit të sipërthënë, por për shkak të ndalesës gjyqësore të shkaktuar nga teksti i turpshëm, revista e ndërpreu botimin.

*   *   *

Në vitin 1920 Xhojsi u shpërngul në Paris ku qëndroi njëzet vjet. Atje u shoqërua me surrealistët, Semjuel Beketin (Samuel Beckett) e kishte sekretar jozyrtar. U njoh me Silvia Bek (Sylvi Beach) e cila ishte pronare e një librarie. Ajo e miratoi botimin e “Uliksit”. Shpejt pas kësaj filloi publikimi i vazhdimeve të caktuara të veprës “Puna në progres” (Work in Progress) e cila në vitin 1939 do të botohet me titullin “Zgjimi i Fineganit” (Finnegans Wake).

Në vitin 1934 doli shembulli amerikan i “Uliksit”.

Xhojsi është prozatori më intrigues i zonës angleze të të folurit të shekullit XX. Me teknikën narrative, Xhojsi ushtroi ndikim mbi modernistët, sidomos mbi autorët e përroit të ndërgjegjes siç janë: prozatorja dhe eseistja angleze Virxhinia Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941) si dhe prozatori amerikan, laureat i çmimit “Nobel” (1949), Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962). Duke pasqyruar ritmin e mjedisit urban, frymëzoi shkrimtarët, si: tregimtarin gjerman me prejardhje hebraike, Alfred  Dëblin (Alfred Döblin, 1878-1957) dhe shkrimtarin amerikan Xhon Dos Pasoso (John Dos Passos, 1896-1970). Me temën e egzilit apo të internimit dhe të subversitetit ndaj idiomës së gjuhës angleze, ushtroi ndikim mbi shkrimtarët irlandez, siç është laureati i çmimit “Nobel” (1969), Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989) etj. Lufta II Botërore po afrohej. Xhojsi u vendos në Cyrih, ku vdiq më 13 janar të viti 1941.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.