Shkruan: Florim Zeqa, 01.02.2023
Protesta e fundit e mbajtur në qëndër të Prishtinës, e shpërfaqi edhe një herë mosinteresimin e qytetarëve për protesta, papjekurinë politike dhe ndarjet tona partiake. Pankartat kundër simboleve të shtetit të Kosovës janë pak më tepër se papjekuri politike në kohën kur Serbia fuqishëm po lobon për ç’njohjen e Kosovës.
Kundërshtimet e vonuara sikurse “shiu pas të vjelave”
Protesta prej vetëm disa qindra qytetarëve e mbajtur pikërisht në ditën dhe orën kur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë u organizua një takim pune për të diskutuar për modalitetet e Asociacionit, ku të ftuar ishin zyrtarë nga presidenca, zyrtarë qeveritarë, liderë partiakë, diplomatë, personalitete të shquara dhe anëtarë të shoqërisë civile, është shpërfaqje e seriozitetit të situatës në të cilën ndodhemi.
Po e përserisë edhe një herë, pavarësisht faktit se neve nuk na pelqen, marrëveshja ndërkombëtare për Asociacionin, e nënshkruar nga dy ish kryeministrat e Kosovës (më 2013 dhe më 2015), me ratifikimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës është kthyer në akt juridik i cili mund të zhbëhet vetëm në vendin ku është ratifikuar e jo në rrugë, sikurse që shtrirja e sovranitetit të plotë në veri të vendit mund të bëhet vetëm me dërgimin e trupave të FSK-së në veri e jo me protesta në sheshet e Prishtinës.
Të mos përdoret oratoria si akt i mashtrimit dhe nxitjes së qytetarëve për protesta që nuk e sjellin asnjë rezultat, pasi protestat dhe kundërshktimet e qytetarëve është dashur të ndodhin 10 vjet më parë para Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë kur deputetët shqiptarë e miratuan marrëveshjen e 13 prillit 2013-të, në të cilën është nënshkruar edhe “Zajednica”.
A mund të pengohet formimi i Asociacionit njëetnik seb!?
Nga fillimi kam qenë dhe jam kundër dialogut Kosovë-Serbi në Brukseli pa njohje reciproke dhe kundër “Zajednicës” serbe në veri, mirëpo gjendja në veri nuk guxon të vazhdojë tutje si e tillë çfarë është, pasi ajo është kthyer në kancer për shtetin e Kosovës.
Kush i thotë vetës trim dhe atdhetarë, “mejdani” është i hapur tek sheshi i Car Llazarit në veri të vendit. Ata që po kërkojnë ta heqin “flamurin lara-lara”, pse nuk po shkojnë me ja vendosë në qafë “Car Llazarit” atë flamur, e mbase edhe t’i heqin të gjithë flamujt e Serbisë në veri dhe t’i zëvëndësojnë ata me flamuj të kombit shqiptarë!
Shtrohet pyetja, “A mund të pengohet formimi i Asociaciont njëetnik serb!?” Unë e themë, PO, por vetëm në dy raste; në Kuvendin e Republikës së Kosovës përmes akteve ligjore dhe ndërhyrjes ushtarake!
Mundësia ligjore, me rikthimin e marrëveshjes së 13 prillit 2013 nga ana e ‘Qeverisë Kurti’ në Kuvend, për anulimin e ratifikimit nga ana e deputetëve të kësaj legjislature, gjë e cila do t’ia hiqte përgjegjësinë juridike qeverisë aktuale dhe obligimet ndërkombëtare.
Ndërsa mundësia ushtarake për dërgimin e FSK-së në veri, është tejët sfiduese në këto rrethana, kur KFOR-in e kemi në mes, si forcë mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë dhe jo vetëm kaq, pasi duhet matur mirë forcën dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së për përballje eventuale ushtarake me Serbinë.
Unë nuk shohë mundësi të tretë në parandalimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri. Nëse ka të atillë që mendojnë ndryshe, le ta thonë dhe le ta provojnë! Por në asnjë rrethanë të mos luajnë me fatin dhe jetën e qytetarëve të vendit me frazeologji boshe dhe oratori mashtruese.
Presionit ndërkombëtar duhet t’i përgjegjemi me kërkesa për garanci ligjore që Asociacioni njëetnik serb të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe as elemente shtetërore si dhe të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. Asociacioni është produkt i gabimeve tona politike nga e kaluara, filluar nga decentralizimi etnik (ndarja e Mitrovicës në dy pjesë) e deri tek ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend!