Zymer Mehani
(Përsiatje rreth vëllimit poetik “Guri i kripës” të poetit Qazim H. Berisha, Prishtinë, 2022)
Poeti, prozatori e publicisti Qazim H. Berisha, tashmë njihet shumë mirë nga lexuesit shqiptarë me librat:
– Lot gjaku (poezi), Prishtinë, 1995;
– Në zemrën time banon dhembja (poezi), Prishtinë, 2005;
– Nënëlokja (monografi}),Prishtinë, 2011;
– Kronikë pas lufte (publicistikë), Prishtinë, 2013;
– Aglirie (poezi), Prishtinë, 2014;
– Fanar drite (poezi), Prishtinë, 2017;
– 555 aforizma ndritin rrugën (aforizma aktuale), Prishtinë, 2018;
– Oksigjeni i gjyshit (përmbledhje tregimesh për fëmijë), Prishtinë, 2018;
– Kur vitet ikin (poezi),( me rastin e pensionimit), Prishtinë, 2018;
– Nuk ta fal dhembjen (poezi), Prishtinë, 2018;
– Rrugës së përjetësisë (roman), Prishtinë, 2020;
– Ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave 1951-1993, (monografi), Prishtinë, 2021; dhe
– Gjerdan lirie (poezi), Prishtinë, 2021
Ky autor, tani (më 2022( lexuesve po ua dhuron edhe vëllimin poetik të radhës: “Guri i kripës” (tre libra në një vëllim).
E theksojmë qartë se poezia e poetit Qazim H. Berisha është e përshkuar dhe e vulosur me motivin e atdhedashurisë. Ajo është rrëfim i zakonshëm, shpeshherë edhe i ndërlikuar, serioz, i qetësuar dhe i kthjellët, por ndonjëherë edhe “rebele” dhe e dallgëzuar, poezi e rrjedhshme dhe ritmike. Ajo është poezi, të cilën poeti e kultivon me ëndje dhe asnjëherë nuk e lë pas dore.
Në vëllimin në fjalë, poeti Berisha do t’u këngëtojë dëshmorëve të Kosovës, si Jasharëve (poezia “NË PREKAZIN HEROIK”, vëllait dëshmor, prof. Selim Berishës (poezia “LAJMËTARI I LIRISË”), Bacë Adem Demaçit, simbolit të rezistencës sonë kombëtare, (poezia “TI BACË JETON NË ZEMRAT TONA”), “FENIKSËT E TROPOJËS” (dedikuar 28 çlirimtarëve, të rënë në Luftën Çlirimtare të Kosovës) etj. etj.
Në vëllimin poetik “Guri i kripës” Qazim H. Berisha trajton probleme qenësore të shoqërisë sonë shqiptare: atdheu me fatet e tij dhe jeta aktuale me andralla e krajata që jeta i shkakton. Këto probleme shtrijnë krahët në tërë gjeografinë tonë kombëtare (shqiptare), por edhe jashtë kufijve, në diasporën tonë shqiptare, duke u vënë në kontekstin historik dhe shoqëror.
Pikënisje e tekstit poetik të autorit Berisha është atdheu i tij, Shqipëria, me viset natyrale të saj: Kosovën, Çamërinë, Iliridën, Luginën e Preshevës etj., aty ku jeta shpaloset, degëzohet e artikulohet (poezitë “ÇAMËRI-DHEMBJA JONË E MADHE”, “NXIRRE HARTËN ME PIKA GJAKU”, “PËRTEJ MOLLËS SË KUQE”, etj.
Duke hecur gjurmëve të poetit, nga poezia në poezi, nga vargu në varg, por edhe në tërë përmbledhjen poetike “Guri i kripës”, do të mësojmë se atdheu i tij (edhe yni) është një vend i bukur, me gurra të dëlira, me bjeshkë e lisa, me fusha dhe male, i kredhur në hallet e veta, por gjithmonë krenar. Kështu fjala poetike e poetit Berisha me magjinë e saj na bëhet gjithnjë më domedhënëse, më dinamike, duke mbyllur në vete peizazhe, erëra, furtunë e stuhi gjatë historisë kombëtare. Kësisoj, atdheu i poetit, vërtet është vend me kulla të gurta dhe qëndrestare gjatë rrebesheve të kohëve të turbullta, me ura gati të rrënuara, por ajo që e bën jetën e vështirë, gati tragjike është edhe kurbeti, kjo plagë në shtat të kombit, që prore lëngon dhe e trandë gjithë qenien tonë kombëtare.
Në atdheun e poetit Qazim H. Berisha gjendja e rëndë sociale është rrjedhë e shumë brengave dhe e dramave, megjithatë, ka diçka në truallin tonë arbëror, që e inkurajon poetin si krijues dhe si njeri, që poezisë së tij i jep freski, duke e gjallëruar me optimizëm dhe shpresë për një jetë më të denjë në trevat tona, që është karakteri shqiptar i fortë, që kurrë s’u dha para së keqes dhe presioneve, çfarëdo qofshin ato dhe ngado që të vijnë. Kjo forcë jete dhe besimi vërehet në tërë vëllimin poetik “Guri i kripës” të poetit Qazim H. Berisha. Ai porosit se forca për jetë qëndron vetëm në unitet.
Ka dhe disa poezi të autorit Qazim Berisha që u dedikohen të afërmve të poetit, siç janë poezitë “NËNA MËRZITEJ NETËVE TË MËDHA”(dedikuar nënës), “MË MUNGON” (dedikim për vëlla Rrahimin), “MIRË SE ERDHE, TRIM” (dedikuar nipit), “NUK VDES POETI” (dedikuar djalit të xhaxhait, Sefedin Xhafollit- poet), “MALL DHEMBJEJE” *dedikim për vëllezërit e ndjerë të poetit), “PËR TË VETMEN MOTËR” (dedikuar motrës), “DHEMBJE PËR SHOKUN TIM” (dedikuar shokut ISMET BYTYÇI) etj.
Në poezinë e poetit Qazim Berisha ndeshemi me theksin evokativ, qoftë si evokim i kohës së largët (nga vitet e fëmijërisë, ditët e arta të rinisë shkollore, (poezitë “KUR SHETISJA FËMIJËRINË TIME”, “NË ATË VJESHTË ME SHI” e ndonjë tjetër, apo kohës së pandemisë), (poezitë “IK, VIT PËR NË THEQAFJE”, “RRALLË PO TAKOHEMI etj., që përmbledhjen e pasurojnë në planin referencial të tekstit poetik.
*
Poeti Qazim Berisha tani është një poet që gjerësisht vëzhgon jetën e përditshme nga shumë këndvështrime, duke menduar për problemet që sheh, dëgjon, ndien, për të shkruar pastaj për fenomene që e prekin atë, që e shqetësojnë, e thërrasin të krijojë. Ai shkruan sepse i pëlqen ta bëjë këtë, shkruan për të rrëfyer diçka të përzemërt, sepse një forcë e padukshme (muza) akoma e fton të shkruajë…
Qazim Berisha është nga ata poetë, i cili në horizontet e letërsisë shqipe zë vend të merituar me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin).
Fusha tematike dhe motivore e autorit Qazim Berisha në vëllimin “Guri i kripës” është e larmishme, ngase poeti ka evoluar me tematikat dhe motivet, qoftë nga e kaluara, qoftë nga aktualiteti. Sipas vetë poetit kujtimet e së kaluarës dhe të gjitha poezitë e shkruara rinovohen çdo ditë. Te to është pavdekësia, dashuria, miqësia dhe rinia.
E nisi krijimtarinë letrare-poetike që nga bankat shkollore për ta vazhduar më tutje pastaj me poezi temash e motivesh të ndryshme nga aktualiteti, por edhe nga e kaluara.
Në poezitë e përmbledhjes në fjalë, poeti Qazim Berisha zgjeroi rrethin tematiko-motivor të krijimtarisë së tij poetike, duke u ndalur me theks të posaçëm te ndryshimet shoqërore, ngase tanimë, ai me përvojën e tij jetësore i sheh dhe i kupton më mirë gjërat “me bollëk” në shoqërinë tonë, pjesëtar i së cilës është. Prandaj ai del më i pjekur artistikisht, më perceptues, dhe siç thamë edhe një herë, më me përvojë, pse jo edhe më mendjemprehtë kundruall andrallave që sjell jeta e aktualitetit.
Ndër poezitë e bukura të autorit Berisha janë poezitë, ku trajtohet motivi social, në të cilat ai na e rikujton të kaluarën dhe aktualitetin, ngase, për fat të keq, këto personazhe (skamnorët) përditë po i hasim edhe në qytetet dhe fshatrat tona. Këto karaktere autori i përshkruan pa fjalë të tepërta, me sens mase, me mjete të qëlluara artistike dhe me shumë emocionalitet.
Përgjithësisht në vëllimin “Guri i kripës” do të gjejmë poezi interesante, të shkruara me frymëzim, me ndjenja dhe realizëm, ngase poeti i percepton fenomenet dhe dukuritë që ndodhin tek ai dhe rreth tij, por edhe gjithkund në botë, ku shpesh di të jetë edhe kritik ndaj dukurive negative (ndaj keqbërësve, pseudopushtetarëve etj etj.)
Ai do të vargëzojë për jetën (me ëmbëlsitë dhe të hidhurat e saj); për raportet mes miqsh, për përgjegjësitë dhe obligimet tona kundruall të tjerëve… dhe si i tillë, na del poet i përmasave universale, ngase temat që i trajton ai, vërtet janë universale, sepse i hasim në çdo shoqëri.
Veçoritë teoriko-letrare që e shquajnë këtë vëllim poetik janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh.
Me pak përjashtime poezitë e Qazim Berishës shquhen me joproliksitetin, ngase s’i kalojnë 5-6 strofat, madje mund t’i quajmë edhe poema të mirëfillta. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit.
Të thuash me pak vargje atë që mund ta themi me dhjetëra a qindra vargje, të thuash vetëm të domosdoshmen, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, është një cilësi sa e nevojshme, aq edhe e mundimshme për ta shtjelluar. E këtë dukuri e hasim edhe te vëllimi “Guri i kripës” të poetit Qazim H. Berisha, e kjo flet jo vetëm për talent, por edhe për punë e ndërgjegje artistike të autorit.
Ai do të porosit:
“Ec
vertikalisht
e mos
u ndal
sikur
edhe rrufetë
të vinë pas…
(Poezia “EC”)
dhe:
“Qëndro
vertikalisht
e jo si zvarranik
edhe kur stuhitë
çmenden
qëndro i fortë
në ideale
që armiku
të dobësohet
kështu
përballë armikut
ti do të forcohesh
(Poezia “QËNDRO”).
E për keqbërësit (politikanët e pandërgjegjshëm, pushtetaxhinjtë etj.) do të shprehet:
Babëzinjtë
nuk po ndalen
s’po ngopen
me pak
duan shumë
duan male
edhe fusha
pallate
të mëdha
për familjet
e tyre
të vogla
duan pushtet
dhe famë
se ishin të fortë
në luftë
dhe në paqe
babëzitë
duan
të gllabërojnë
çdo gjë
që kanë përpara
kanë uri
shumë uri
nga verbëria…
(Poezia ““BABËZINJTË’)
Duke na e rikujtuar se:
“Mjerisht
punët nuk po na ecën
për së mbari
janë bërë bashkë
leshkuqi dhe tullaci
Zjarrit po i fryjnë
këta shërbëtorë
të sllavit”
Por, poeti tregon se ata:
“populli po i njeh
kush sot po i fryn zjarrit
disa bij të mallkuar
të kucës edhe djallit”
Duke qenë i bindur se atyre:
“puna do t’u shkojë huq
se ka djem Kosova
këta bastardë të kombit
do t’i hudhin në kosh…”
(Poezia “KUSH PO I FRYN ZJARRIT)
Poeti Qazim Berisha e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën pozitive të poetit për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.
Poezia e tij merret edhe si bisedë e afërt, e ngrohtë, miqësore me lexuesit, duke marrë herë pas here edhe karakter tregimtar në formë të njëfarë ditari intim. Prandaj poezia e tij shquhet edhe për komunikim të afërt.
Poezia e poetit Qazim Berisha është përplot ide. Gjuhësisht është mjaft bashkëkohore. Shquhet për laryshi vargjesh. Të shumtën e herës poezitë janë të parimuara. Poezia e tij shquhet edhe për nga saktësia e fiksimit të detajit dhe për nga krijimi i imazhit të qartë, ravijëzimit të idesë, sugjerimit të gjendjeve. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një poet që në poezinë e tij di të ekuilibrojë kuantumin e tekstit dhe të substratit poetik.