TRAGJEDIA E BALLKANIT – ideologjia serbomadhe –

0
Serbia - Rrena e madhe

Xhelal Zejneli Xhelal Zejenli

Ideologët serbomëdhenj, idenë e krijimit të Serbisë së Madhe e bazonin në kriteret, si:

– Në kriterin e shenjtë historik;
– Në kriterin e gjuhës;
– Në kriterin fetar;
– Në kriterin “e superioritetit” të kombit serb apo në shkallën qytetëruese “më të lartë” të serbëve përballë popujve të caktuar të Ballkanit.

Sipas etërve të idesë së Serbisë së Madhe, serbët na qenkan popull historik.

Sipas ideologëve serbomëdhenj:

– E kujt gjuha, i atij territori;
– E kujt feja, i atij territori.

Bazuar në kriteret e sipërthëna, malazezët janë serbë, për arsye se gjuha që flasin është serbishtja, ndërsa besimi i tyre është feja ortodokse. Boshnjakët e Bosnjës dhe Hercegovinës janë serbë të fesë islame. Gjuha që flasin ata është serbishtja. Kroatët janë serbë të fesë katolike. Gjuha që flasin ata është dialekti shtokav i serbishtes. Maqedonasit janë serbë ngase në mesjetë, Maqedonia ka qenë në përbërje të perandorisë së Dushanit.

Me të mohuar kombësinë malazeze, boshnjake, kroate dhe maqedonase, serbomëdhenjtë mohojnë ekzistimin e shteteve kombëtare të tyre – Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë dhe Maqedoninë.

Pretendimeve ekspansioniste të serbëve ndaj Kroacisë dhe Ballkanit, inteligjencia kroate u ka bërë ballë gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, që nga fillimi i shekullit XIX deri më sot. Midis këtyre dy popujve mbizotëron një armiqësi historike.

Sipas serbëve, krijimin e Serbisë së Madhe e kanë penguar, dikur dhe sot: Berlini, Vjena, Vatikani, CIA dhe agjenti i Vjenës dhe i Vatikanit – Josip Broz Tito.

*   *   *

Shënim: Pas fitores së Lidhjes Ballkanike (Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi) kundër Turqisë në Luftën I Ballkanike (1912), midis tyre filloi konflikti për Maqedoninë. Serbia dhe Greqia u bashkuan kundër Bullgarisë. Lufta midis tyre filloi në qershor të vitit 1913. Aleatët (Serbia dhe Greqia), të cilëve iu bashkuan edhe Rumania dhe Turqia, shpejt e mundën Bullgarinë. Maqedonia nuk u bë e pavarur, por u nda sipas dispozitave të Paqes së Bukureshtit (!913). Më tepër se gjysma e vendit i takoi Greqisë (Maqedonia e Egjeut).

Pjesën më të madhe të asaj që mbeti, e mori Serbia (Maqedonia e Vardarit). Bullgarisë iu la diç më shumë se një e dhjeta (Maqedonia e Pirinit). Bullgaria e humbi edhe Dobruzhën jugore e cila i takoi Rumanisë, por asaj iu lejua ta mbajë një pjesë të Trakisë, duke fituar kësisoj dalje në Detin Egje.

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Jugosllavinë e parë (1918-1941) – Krijimi i Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (MSKS) – Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Serbia realizoi maksimumin e programit kombëtar. Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve – të sapokrijuar, ia bashkëngjiti Malin e Zi dhe rajonet e Austro-Hungarisë, përfshi edhe Bosnjën – me mbizotërimin e serbëve. Me krijimin e Mbretërisë së SKS, populli serb për herëte parënë historinë e tij moderne, u fut në një shtet të vetëm.

Me fjalë të tjera, të gjithë serbët në një shtet. Politikanët serb, mbretërinë e sapoformuar e shihnin si një Serbi të zgjeruar. Serbët konsideroheshin popull shtetformues dhe krijues kryesorë të Jugosllavisë, ndërsa “qëndrimi i tyre prej nikoqiri ndaj shtetit” u glorifikua apo u zmadhua. Zbatimi i politikës serbomadhe nënkuptonte një qeveri të fortë të centralizuar për tërë kombin.

Duke përdorur taktikën e frikësimit policor dhe të kurdisjes së zgjedhjeve, Nikolla Pashiqi* (Nikola Pashić, 1845-1926) e zvogëloi rëndësinë e opozitës në kuvend. Kjo i mundësonte që pushtetin ta centralizojë apo ta qendërzojë në duart e serbëve. Rregullimi i Mbretërisë së SKS-së si një shtet unitar dhe centralist me dominim serb, kishte shumë kundërshtarë, si: “zelenashët”, ithtarë të mbretit të shembur Nikolla Petroviç të Malit të Zi; Partia Fshatare Kroate, e cila kërkonte autonomi për Kroacinë; Organizata Revolucionare Maqedonase e Brendshme (VMRO), e cila luftonte për pavarësinë e Maqedonisë; Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”*, e cila luftonte për shkëputjen e trojeve shqiptare (Kosovës, Maqedonisë perëndimore dhe të pjesëve të caktuara të Sanxhakut); Partia Komuniste e Jugosllavisë, e cila luftonte kundër hegjemonisë serbomadhe dhe për rregullimin e Jugosllavisë mbi baza republikash në kuadër të një federate të përbashkët.

Shënim: Bashkimi i Serbisë dhe Malit të Zi nuk kaloi lehtë. Mbreti i dëbuar Nikolla I Petroviq Njegosh (Nikola I Petrović Njegoš, 1841-1921) u çua kundër këtij vendimi. Vdiq në emigrim. U varros në kishën ruse në Sanremo (San Remo) të Italisë. Në Mal të Zi kishte të tillë të cilët bashkimin e konsideronin si akt jolegjitim. Këta quheshin “zelenashë” (green). Sipas disa studiuesve, këta ishin nacionalistë malazezë dhe luftonin kundër agresionit serbomadh ndaj Malit të Zi.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1 maj 1918. Më 7 nëntor 1918 u vendos në Shkodër. Udhëhiqej nga atdhetarët, si: Bajram Curri,  Hoxhë Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, demokratizimi i tij, çlirimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, që ishin shkëputur padrejtësisht në vitin 1913 dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë.

Kritika komuniste e hegjemonisë serbomadhe – Krijimin e Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, Internacionalja Komuniste e cilësoi vetëm si zgjerim territorial të Serbisë pas luftës imperialiste, ndërsa vetë Mbretërinë – si “ perandori të vogël” serbe. Komunistët jugosllavë konsideronin se Mbretëria e SKS-së është shtet në të cilin klasa sunduese e një kombi i shtyp kombet e tjera. Politikën hegjemoniste të borgjezisë serbomadhe, ata e konsideronin shtyllë të kundërrevolucionit ballkanik dhe pengesë kryesore për krijimin e federatës ballkanike.

Partia Komuniste e Jugosllavisë konsideronte se shkaku kryesor i kundërthënieve kombëtare në Jugosllavi është trashëgimia koloniale e politikës së borgjezisë serbe nga luftërat ballkanike në Maqedoni dhe kundër Shqipërisë si dhe politika hegjemoniste e saj në shtetin e ri. Partia Komuniste e Jugosllavisë, detyrën e vet e shihte në luftën e vendosur kundër shtypjes kombëtare dhe për vetëvendosjen e popujve.

Në Rezolutën e PKJ-së të datës 25 nëntor 1924 thuhet: “Është detyrë e Partisë që me organizatat e masave punonjëse të kombeve të shtypura të zhvillojë luftëra të përbashkëta për të drejtën e shkëputjes, përkatësisht t’u ndihmojë lëvizjeve të kombeve të shtypura për t’i formuar shtetet e pavarura, si të Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, ashtu edhe për çlirimin e shqiptarëve”                   

PKJ thotë: “E vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes kombëtare në Ballkan është krijimi i Republikës Federative Ballkanike. Por, kah mesi i viteve ’30 të shekullit XX, PKJ thotë: “Jugosllavia mund të ekzistojë, me kusht që të rregullohet mbi baza federative”.

*   *   *

Atentati në Kuvendin Popullor të Mbretërisë së Jugosllavisë në Beograd – Më 20 qershor 1928, në sallën e Kuvendit Popullor në Beograd, ndodhi një masakër. Deputeti serb nga Mali i Zi, i radhëve të Partisë Popullore Radikale, Punisha Raçiq (Puniša Račić, 1886 – 16 gusht 1944) nxori prej xhepit revolen e tipit „parabellum“ dhe qiti mbi deputetët kroatë. U vranë vend Gjuro Basariçek (Đuro Basariček, 1884 – 20 qershor 1928) dhe Pavlle Radiq (Pavle Radić, 1880 – 20 qershor 1928). Kryetari i Partisë Fshatare Kroate, Stjepan Radiq (Stjepan Radić, 1871 – 8 gusht 1928)u plagos. Pas një muaj e gjysmë, vdiq prej plagëve të marra. U plagosën Ivan Grangja (Ivan Granđa, 1879 – 31 mars 1953) dhe juristi, Dr. Ivan Pernar (1889 – 2 prill 1967). Atentatori Punisha Rçiq u arrestua dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1944, me të hyrë partizanët në Beograd – e pushkatuan.

*   *   *

Koncepti i Klubit Kulturor Serb – Ka qenë organizatë politike serbomadhe. Është themeluar në vitin 1937 në Mbretërinë e Jugosllavisë. Gjatë Luftës II Botërore, ideologjia e Klubit paraqiste ideologjinë jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës, d.m.th. të çetnikëve. Kryetar i Klubit ishte Sllobodan Jovanoviqi (Slobodan Jovanović, Novi-Sad, 1869 – Londër, 1958). Ky ka studiuar drejtësinë në Gjenevë të Zvicrës. Në vitin 1891, studimet i vazhdoi në Paris. Profesor në Universitetin e Beogradit. Në vitet 1942-1943 ka qenë kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë – në Londër.

Shteti i përbashkët jugosllav ishte jofunksional. Kjo solli ringjalljen shkallëzore të idesë serbomadhe. Ndër politikanët serbë u forcua bindja se me idenë e bashkimin – kanë gabuar, ndaj duhet krijuar Serbinë e Madhe. Për ta zgjidhur çështjen kombëtare serbe, shpesh është propozuar “amputimi i Kroacisë”, në kufij të reduktuar, të cilës do t’i merreshin viset serbe”. Në mars të vitit 1928, deputeti i radikalëve Punisha Raçiq (Puniša Račić, 1886-1944), atentatori famëkeq ndaj Stjepan Radiqit (Stjepan Radić, 1871-1928), në seancën e Kuvendit Popullor kërkoi që shteti të rregullohet ndryshe, të riemërohet dhe të quhet Serbi e Madhe.

Klubi Kulturor Serb thotë: “Gabimet e bëra pas bashkimit, duhet t’i përmirësojmë”.

Sipas serbomëdhenjve, “çështja kombëtare serbe” në Mbretërinë e Jugosllavisë ka mbetur e pazgjidhur. Për këtë arsye një grup intelektualësh serbë formojnë Klubin Kulturor Serb. Synimi i tij është të riafirmojë idenë serbomadhe”. Krahinën e Bosnjës (Bosanska Krajina), Klubi Kulturor Serb e quante “pararojë e Beogradit”. Rajoni i Bosnjës dhe Hercegovinës duhet i tëri të hyjë në njësinë territoriale serbe të ardhshme.

Klubi Kulturor Serb punonte me përkushtim për shkëputjen e Sremit nga përbërja e Banovinës (Guvernës) Kroate (rrethet Dal, Vinkovci dhe Vukovar), duke shtuar se Dalmacia nuk është kroate. Është potencuar karakteri serb i Maqedonisë dhe i Kosovës. Të gjitha këto rajone apo troje i konsideronte toka serbe dhe në to zhvillonte veprime propagandistike të gjera.

Në vitin 1937, sekretari i Klubit Kulturor Serb në Beograd, docent i Fakultetit Filozofik në Beograd, Vasa Çubrilloviq (Vasa Čubrilović, 1897-1990), u dërgoi organeve shtetërore dokument sekret me titull “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta). Dokumenti ka të bëjë me “zgjidhjen e çështjes shqiptare”, përkatësisht me dëbimin e paramenduar, sistematik dhe energjik” të shqiptarëve nga Jugosllavia dhe me asimilimin e atyre që do të mbesin. Për shpërnguljen sa më masive të popullatës shqiptare, Çubrilloviqi propozon metoda të trysnisë shtetërore: largime nga puna,  burgosje, dhunë, frikësime, korruptime, dërgim të njësive paraushtarake dhe djegie të vendbanimeve.

Shënim: Vasa Çubrilloviq (Vasa Čubrilović, 1897-1990) ishte historian, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, profesor ordinar në Universitetin e Beogradit.      

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Luftën II Botërore – Ideologjia serbomadhe mor hov gjatë Luftës II Botërore. Sipas historiografisë serbe, eliminimi i serbëve në Shtetin e Pavarur Kroat (të krijuar gjatë luftës), ka qenë pjesë e politikës shtetërore zyrtare. Sipas serbëve, ky eliminim i ka pasur të gjitha elementet e gjenocidit. Rrjedhimisht, ekzistimi i serbëve në një shtet shumëkombësh, është i pamundur. Në vend të rimëkëmbjes së Jugosllavisë, rezultati i luftës  duhet të jetë shteti serbomadh. Idetë e këtilla u paraqitën në mënyrë më eksplicite në memorandumin apo elaboratin “Serbia homogjene” të ideologut të çetnikëve, Stevan Moleviq* (Stevan Moljević, 1887-1959). Në artikull janë përcaktuar kufijtë e ardhshëm të Serbisë së Madhe. Në vitet ’80 dhe ’90 të shekullit XX, këta kufij do të njihen si “Vija e Sheshelit”.

Moleviqi shkruan: “Gabimi kryesor në rregullimin tonë shtetëror ka qenë se në vitin 1918 nuk u përcaktuan kufijtë e Serbisë. Ky gabim duhet të përmirësohet, o sot o kurrë. Këta kufij duhet të përcaktohen sot dhe ata duhet ta përfshijnë tërë rajonin etnik ku jetojnë serbët, me dalje të lira në det, për të gjitha zonat që ndodhen pranë detit”.

Memorandumi i sipërthënë i Moleviqit u botua më 30 qershor 1941. Aty mbron krijimin e Serbisë së Madhe dhe pastrimin etnik të saj prej popujve të tjerë. Ai ngulte këmbë që të shënohen qartas të gjitha tokat serbe dhe ato, në pikëpamje etnike, të bëhen homogjene.

Lëvizja çetnike (emërtimi zyrtar: Ushtria Jugosllave në Atdhe) udhëhiqej nga ideologjia serbomadhe. Ajo synonte krijimin e Serbisë së Madhe në Jugosllavinë e Madhe. Homogjenia e dëshiruar e Serbisë çetnike arrihej me mjete të pastrimit etnik dhe me gjenocid.            

Komandanti i çetnikëve, gjenerali Drazha Mihajlloviq* (Draža Mihailović, ), më 20 dhjetor 1941, shkruan dhe bën thirrje: “Të krijohet Jugosllavia e madhe dhe në të Serbia e madhe, etnikisht e pastër, në kufijtë e Serbisë-Malit të Zi-Bosnjës e Hercegovinës-Sremit-Banatit dhe Baçkës. Të luftohet që të përfshihen në jetën tonë shtetërore të gjitha territoret që ende ndodhen nën italianë dhe gjermanë (Trieste-Gorica-Istra dhe Korushka) si dhe Bullgaria, Shqipëria veriore me Shkodrën. Territore shtetëror të pastrohet nga të gjitha pakicat kombëtare dhe nga elementet jokombëtare. Të krijohen kufij të përbashkët midis Serbisë dhe malit të Zi, si dhe Serbisë e Sllovenisë, duke pastruar Sanxhakun nga popullata myslimane, ndërsa Bosnjën – nga popullata myslimane dhe katolike… Në viset e pastruara prej pakicave kombëtare dhe prej elementeve jokombëtare, të vendosen malazeztë (vijnë parasysh familjet e varfra…).

Në janar dhe në shkurt 1943, ushtria çetnike (Ushtria Jugosllave në Atdhe) ndërmori operacione të gjera gjenocidi dhe pastrimi etnik në Bosnjën lindore dhe në Sanxhak, me ç’rast janë vrarë mijëra civilë myslimanë, gra, pleq dhe fëmijë.

Në Kongresin e Shën Savës të mbajtur në vitin 1944, çetnikët vendosën që Jugosllavia e pasluftës të jetë monarki me tri njësi federale: sllovene, kroate dhe serbomadhe. Në kuadër të Serbisë do të përfshiheshin Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe një pjesë e madhe e Kroacisë. Me fitoren e partizanëve, planet e çetnikëve dështuan. Fitoi koncepti i Jugosllavisë federative.                         

Shënim: Stevan Moleviq (1887-1959) ka qenë jurist serb. Drejtësinë e ka kryer në Zagreb. Një prej ideologëve me peshë të ideologjisë serbomadhe dhe të lëvizjes së çetnikëve. Kryeredaktor i revistës çetnike “Ravna Gora”; gjatë Luftës II Botërore, anëtar i Komandës supreme çetnike dhe këshilltar politik i Drazha Mihailloviqit. Në shator të viti 1945, në ”Procesin e Beogradit” kundër Drazha Mihailloviqit, u dënua me 20 vjet heqje lirie. Vdiq më 15 nëntor 1959 në burgun e Sremska Mitrovicës (Mitrovicë e Sremit). Në memorandumin dhe elaboratin “Serbia homogjene” mbron krijimin e Serbisë së Madhe dhe pastrimin etnik të saj prej popujve të tjerë.

Dragolub Mihajlloviq – Drazha (1993-1946) – gjeneral i Mbretërisë së Serbisë dhe i Mbretërisë së Jugosllavisë, udhëheqës i çetnikëve serbë. Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës I Botërore, oficer i ushtrisë serbe në Mbretërinë e Serbisë. Në vitin 1945, në “Procesin e Beogradit”*, pushteti komunist e dënoi me vdekje për tradhti të lartë dhe për krime lufte. U pushkatua dhe u varros në lokacion sekret. Më 14 maj 2015, Gjykata e Lartë në Beograd mori vendim për rehabilitimin gjyqësor të tij. Me këtë e anuloi aktgjykimin e nxjerrë më 15 korrik 1946. Vendimi i Gjykatës u përshëndet nga Vojisllav Shesheli (Vojislav Šešelj, 1954- ) dhe të tjerë. Në Kroaci, rehabilitimi i tij u dënua ashpër. Është dekoruar në Serbi (në kohën e Mbretërisë së Serbisë), por edhe prej shteteve të tjera. Është mbajtës i “Përkujtimores Shqiptare” (Albanska spomenica).

“Procesi i Beogradit” – Emërtimi zyrtar i procesit është: “Gjykimi i Dragolub-Drazha Mihailloviqit dhe i kolaboracionistëve të tjerë për tradhti dhe krime lufte të kryera në hapësirën e Jugosllavisë gjatë luftës (1941-1945). Procesi u mbajt në Beograd prej datës 10 qershor deri më 15 korrik 1946. Të akuzuar ishin 24 vetë, shumica pjesëtarë të ushtrisë çetnike serbe. Dhjetë prej tyre u gjykuan në mungesë. Të pranishëm ishin 60 gazetarë të huaj. Procesi i ngjante “Procesit të Nyrnbergut” (nëntor 1945 – 1 tetor 1946).

*  *   *

Serbia e Madhe e Millan Nediqit Ky projekt nënkupton rikonstruktimin e  “Serbisë së Plotë” (SveSrbije) në hartën e Jugosllavisë së pushtuar gjatë Luftës II Botërore. Kryetari i Qeverisë së Serbisë, të pushtuar, gjenerali Millan Nediq (Milan Nedić, 1877 – Beograd, 4 shkurt 1946) propozoi krijimin e Serbisë së Madhe të cilën e quajti “Krejt Serbia / Serbi e Plotë” (SveSrbija). Projekti parashikonte bashkimin e Serbisë dhe të Malit të Zi në kufijtë e tyre të atëhershme të luftës, si dhe bashkëngjitjen e pjesëve të caktuara të Shtetit të Pavarur Kroat të banuara me serbë.

Në vitin 1943, Nediqi ia ka paraqitur projektin Adolf Hitlerit (1889-1945), por ky e ka refuzuar. Sipas studiuesve kroatë, ky politikan serb ishte “bashkëpunëtor i pushtuesve fashistë; udhëhoqi qeveri marionete dhe ishte kolaboracionist”. Sipas komunikatës zyrtare të pushtetit komunist, “më 4 shkurt 1946, Nediqi bëri vetëvrasje gjatë procesit hetimor”.

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Jugosllavinë e dytë – Me fitoren e partizanëve në Luftën II Botërore, në përputhje me vendimet e Mbledhjes së dytë të AVNOJ-it (KAÇKJ – Këshilli Antifashist i Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë) të mbajtur më 29 nëntor 1943 në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës, u ripërtëri shteti i Jugosllavisë mbi parime republikash dhe mbi parime federative.

U parashikua që popujt sllavë të jugut (serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit dhe malazeztë) të jetojnë në republikat kushtetuese me të drejta të barabarta. Malazezëve, maqedonasve, më vonë edhe myslimanëve (të BH-së), iu njoh e drejta për kombe të veta. Me Kushtetutën e RSF të Jugosllavisë të vitit 1974, Kosova dhe Vojvodina u bënë pjesë konstitutive të federatës. Për ideologjinë serbomadhe s’kishte vend. Për këtë arsye, ajo u zhvillua jashtë Jugosllavisë, kryesisht ndër çetnikët në emigracion.

Në Jugosllavinë e parë, Serbia i kishte në kuadër të vet: Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën dhe Vojvodinën. Me vendimet e AVNOJ-it (KAÇKJ-së), përkatësisht me Kushtetutën e vitit 1974, ato u bënë republika më vete, përkatësisht njësi federative.

Shënim: Pas Luftës II Botërore, pater patriae (babai i kombit), akademiku Dobrica Qosiq (Dobrica Ćosić, 1921-2014) deklaron: „Atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe”.            

*   *   *

Marrëveshja Pavelliq – Stojadinoviq e viti 1954 – Ishte një marrëveshje e pasluftës në emigracion midis udhëheqësit të ustashëve dhe ish-kreut të Shtetit të Pavarur Kroat – Ante Pavelliq (Ante Pavelić, 1889 – Madrid, 1959) dhe politikanit serb Millan Stojadiniviq (Milan Stojadinović, 1888 – Buenos-Aires, 1961). Marrëveshja u nënshkrua kah fundi i vitit 1954 në Buenos-Aires. Ajo parashikonte shkatërrimin e RPF të Jugosllavisë (RPFJ) dhe krijimin e tre shteteve të pavarura: Sllovenisë, Kroacisë dhe Serbisë.

Emigracioni serb dhe ai kroat nuk e njihnin legjitimitetin e regjimit të Titos në Jugosllavi. Kjo marrëveshje serbo-kroate duhej të zëvendësonte Marrëveshjen e vjetruar Cvetkoviq-Maçek* të viti 1939, me të cilën e formua Banovina (Guverna) e Kroacisë.

Marrëveshja Pavelliq-Stojadinoviq parashikonte ndarjen e Bosnjës. Bosanska Kraina do t’i takonte Kroacisë, ndërsa pjesa më e madhe e Bosnjës qendrore me Bosnjën lindore, Hercegovina lindore dhe Dalmacia jugore – do t’i takonin Serbisë. Kundër kësaj marrëveshjeje  reaguan ashpër: emigracioni kroat, emigracioni serb si dhe regjimi i Titos në Jugosllavi. Pavelliqi dhe Stojadinoviqi, prej qarqeve politike serbe dhe kroate në emigracion, u shpallën tradhtarë kombi. Regjimi jugosllav ndërkaq, e injoroi rëndësinë e marrëveshjes si një “llogari pa hanxhiun”, duke shtuar se Pavelliqi dhe Stojadinoviqi tanimë nuk e përfaqësojnë askënd.

Disa studiues, këtë marrëveshje e konsiderojnë si bazë për të cilën Sllobodan Millosheviqi* dhe Franjo Tugjmani* do të bisedojnë pas 35 vjetëve në Karagjorgjevë.

Shënim:

Millan Stojadinoviqi studioi drejtësinë në Beograd. I vazhdoi studimet në Munih (München) dhe në Berlin. Doktoroi në Beograd. Profesor universiteti. Ishte i Partisë Popullore Radikale. Në vitet 1935-1939, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë.

Dragisha Cvetkoviq (Dragiša Cvetkoviq, 1893 – Paris, 1969) – politikan serb; u shkollua në Beograd; është i Partisë Popullore Radikale; kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1939-1941.

Vlladko Maçek (Vladko Maček, 1879 – Uashington, 1964) – jurist dhe politikan kroat.

Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević, 1941 – 2006) – kryetar i Serbisë në vitet 1989-1997; kryetar i RF të Jugosllavisë në vitet 1997-2000. Nga Gjykata Ndërkombëtare, u fajësua për krime kundër njerëzimit. Vdiq në burgun Sheveningen të Hagës.

Franjo Tugjman (Franjo Tuđman, 1922-1999) – historian kroat, anëtar i Akademisë Kroate të Shkencave dhe të Arteve; më 1960 e mori gradën e gjeneralmajorit. Më 1961, me kërkesën e vet, e la shërbimin në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Më 1967 përjashtohet nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. E pensionojnë. Më 1972, i cilësuar si nacionalist kroat, u dënua me dy vjet heqje lirie. Pas nëntë muajve u lirua.

Më 1981 përsëri u dënua. Tani me tre vjet heqje lirie, por më 1983 u lirua “për shkaqe shëndetësore”. Më 1984 e rikthyen në burg, por sërish e liruan “për përkeqësim të gjendjes shëndetësore”. Në vitet 1990-1999, kryetar i parë i Republikës së Kroacisë – sovrane dhe të pavarur.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.