Besnik Fishta
Më 17 tetor 2025, në Francë do të prezantohet një risi që pritet të bëjë jehonë në botën e filatelisë: emetimi i pullës së parë postare që “flet”, duke integruar inteligjencën artificiale. Kjo pullë inovative, e dedikuar 60-vjetorit të ndarjes nga jeta të Winston Churchill, përmban një portret të realizuar nga artistja franceze Sophie Boujard dhe një kod QR që e çon përdoruesin te një asistent virtual. Ky asistent, i ndërtuar mbi inteligjencën artificiale, ofron informacion të saktë dhe të verifikuar mbi jetën dhe trashëgiminë e Churchill-it, duke përdorur si burim të dhënash arkivat e “Shoqërisë Ndërkombëtare Churchill”.
Ky emetim shënon një moment historik, një pikë kthese në konceptin klasik të pullës postare. Nuk kemi më të bëjmë vetëm me një objekt simbolik, artistik ose dokumentues. Pulla shndërrohet në një medium interaktiv që komunikon, informon dhe edukon në kohë reale. Ajo hyn në epokën e teknologjisë së zgjuar, duke u bërë një ndërfaqe mes të kaluarës dhe së ardhmes, mes trashëgimisë kulturore dhe inovacionit teknologjik.
Ky zhvillim i fundit është një rast i shkëlqyer për të reflektuar mbi mënyrën se si teknologjia është përfaqësuar në historinë e filatelisë, jo vetëm në vendet e zhvilluara por edhe në Shqipëri, dhe për të vlerësuar perspektivat që kjo tematikë mund të marrë në të ardhmen.
Që nga fundi i shekullit XIX, teknologjia ka qenë pjesë e pandashme e ikonografisë filatelike. Me të nisur epoka industriale, pullat postare filluan të pasqyrojnë imazhe të lokomotivave me avull, anijeve të mëdha, urave metalike, fabrikave dhe pajisjeve industrial, simbole të përparimit dhe transformimit shoqëror të kohës. Këto imazhe nuk ishin thjesht ilustrime dekorative, por reflektim i aspiratave të një epoke që besonte fuqimisht në zhvillimin teknik si rruga drejt modernitetit.
Përmes pullave postare, u dokumentua gjithashtu edhe revolucioni në fushën e komunikimit: telegrafi, telefoni, radioja dhe më vonë televizioni. Këto teknologji, përpara se të bëheshin pjesë e jetës së përditshme, u promovuan dhe u afirmuan përmes imazheve të filatelisë, që u kthyen në një mjet i fuqishëm i edukimit dhe sensibilizimit publik.
Edhe Shqipëria, ndonëse në një kontekst historik dhe ekonomik më të kufizuar, nuk ka mbetur jashtë këtij trendi botëror. Në mënyrë graduale dhe me një ritëm më të ngadaltë, temat teknologjike u reflektuan edhe në emetimet filatelike shqiptare, sidomos nga vitet ’60 e tutje.
Qe në dekadën e dyte pas vendosjes së sistemit socialist, Shqipëria nisi të përdorte pullat postare si një mjet propagandistik dhe edukues, ku ndër temat dominante u përfshinë zhvillimi i bujqësisë, makineritë bujqësore, ndërtimet industriale dhe projektet e mëdha infrastrukturore. Në këtë kontekst, pullat nuk kishin vetëm funksion postal apo estetik, por edhe një mision me qellime propogandistike.
Në vitet ‘60 e në vijim, tematika teknologjike u zgjerua me përfshirjen e arritjeve në shkencën dhe teknologjinë hapësinore, të cilat dominonin diskursin global të kohës. Gara hapësinore midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik frymëzoi një sërë emetimesh filatelike në mbarë botën. Edhe Shqipëria kontribuoi në këtë trend, megjithëse kryesisht duke pasqyruar suksese të vendeve aleate të kampit lindor, si vendosja e satelitëve, misionet kozmike dhe arritjet e astronautëve sovjetikë.
Gjatë viteve ’70 dhe ’80, temat e zhvillimit kombëtar, si elektrifikimi i vendit, ndërtimi i hidrocentraleve, zgjerimi i rrjetit hekurudhor dhe zhvillimi i industrisë së lehte apo te rëndë, ishin pjesë integrale e filatelisë shqiptare. Këto pulla shërbyen jo vetëm për të dokumentuar fazat e transformimit ekonomik, por edhe për të ndërtuar një narrativë të përparimit teknik të vendit.
Pas ndryshimeve të mëdha politike në fillim të viteve ’90, Shqipëria përjetoi një tranzicion të thellë ekonomik dhe institucional. Kjo u reflektua edhe në fushën e filatelisë, ku temat e mëparshme propagandistike u zëvendësuan nga një frymë më e hapur ndaj zhvillimeve ndërkombëtare dhe tematikave universale. Pulla të dedikuara teknologjisë së informacionit, komunikimit digjital, energjive të rinovueshme, si dhe pjesëmarrja në emetimet e përbashkëta CEPT/Europa, tregojnë një përpjekje për të sinkronizuar filatelinë shqiptare me zhvillimet e kohës.
Megjithatë, në mënyrë objektive duhet pranuar se frekuenca dhe thellësia e trajtimit të temave teknologjike në filatelinë shqiptare ka qenë relativisht e ulët. Në krahasim me vendet e tjera evropiane, sidomos ato me tradita të konsoliduara filatelike, Shqipëria ka pasur një ritëm më të ngadaltë në integrimin e temave që lidhen me inovacionin, teknologjinë dixhitale dhe sfidat bashkëkohore.
Shembulli francez i pullës së Churchill me teknologji të inteligjencës artificiale hap një horizont të ri për të gjithë botën e filatelisë. Pulla nuk është më vetëm një kujtim apo një artefakt historik. Ajo mund të bëhet një portë drejt njohjes, një mjet ndërveprimi dhe edukimi, një platformë që e lidh koleksionistin me rrjete informacioni të gjalla, të azhurnuara dhe të personalizuara.
Në këtë kontekst të ri, temat që mund të përbëjnë bazën e filatelisë së së ardhmes janë të shumta:
a) Inteligjenca artificiale dhe dixhitalizimi e shoqërisë
b) Robotika, dronët dhe teknologjitë e hapësirës kibernetike
c) Energjitë alternative dhe arkitektura e qëndrueshme
d) Telekomunikimet satelitore dhe perdorimet e internetit te gjerave (IoT)
e) Bioteknologjia, gjenetika dhe inovacioni në shëndetësi
f) Transporti inteligjent, automjetet autonome dhe eksplorimi kozmik
Këto tema nuk janë vetëm aktuale, por janë pjesë e pandashme e sfidave dhe përparimeve që po përjeton njerëzimi. Për Shqipërinë, ato përfaqësojnë jo vetëm një mundësi për të modernizuar përmbajtjen e pullave postare, por edhe një mënyrë për të treguar pjesëmarrjen e vendit në rrjedhat globale të inovacionit.
Teknologjia nuk është më vetëm një temë për të ilustruar në filateli, ajo është një mjet për të transformuar vetë natyrën e pullës. Filatelia shqiptare, për të qenë në hap me kohën, ka nevojë të dalë nga kornizat tradicionale dhe të eksperimentojë me formate të reja: pulla interaktive, pulla me realitet të shtuar, emetime tematike që lidhen me startup-et e ndryshme.
Më poshtë paraqiten disa nga emetimet që, ndër vite, kanë pasqyruar tematika të lidhura me zhvillimin teknologjik në filatelinë shqiptare.
1963, “Vepra industriale”
1963, “Kozmanautë sovjetikë”
1963, “Fluturime hapësinore”
1963, “Fluturime ndërplanetare”
1964, “Sistemi Diellor”
1964, “Katër fazat e Hënës”
1965, “Kozmanoutët sovjetikë”
1966, “Dhjetëvjetori Hidrollogjik shqiptar”
1969, “20 vjetori Hidrometeorologjisë Shqiptare”
1970, “Elektrifikimi vendit”
1977, “Ndërtime industriale”
1983, “Energjitika në vendin tonë”
1983, ”Viti Botëror i Kumunikacionit”
1991, “Historia Aviacionit”
1996, “Hapja shërbimit celular në Shqipëri”
2009, “Astronomia”
2017, “Dita Europiane e mbrojtjes dhe ruajtjes të dhënave personale”
2021, “Arritjet botërore në zhvillimet teknologjike”