Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
Me vargje të tilla fluturuese që derdhen nga një shpirt i ndjeshëm që e provoi herët mërgimin si student, do shperfaqte gjithë forcën e pakrahasueshme të dashurisë për vendlindjen, Luigj Gurakuqi ky burrë i urtë i “Shkodrës së moçme”, siç do të pëlqente ta quante qytetin e tij. Në 46 vite të jetës së tij të ndërprerë pabesisht Luigj Gurakuqi shkëlqen si rrallë kush në historinë e kombit me forcën e nje personalitetit jo të zakonshëm. Ai u imponua ne shumë fusha si personalitet i spikatur që i le pas një vazhdë të ndritur për t’u admiruar ne te gjithe kohërat. Ai erdhi në letërsinë dhe kulturën shqiptare kombëtare në kapërcyell të shek. XIX, shekull që tronditi gjithë Evropën me lëvizjet çlirimtare dhe që kish përfshirë si rrallë herë edhe veprimin e shqiptarëve, vetëdijen e tyre kombëtare.
Luigj Gurakuqi i frymëzuar që herët në seminarin jezuit, aty do të nisë te vjersheronte, duke dëshmuar prirjen e tij ne rrugen e bukur te poezise. Shkollimi i mëtejshëm në Italinë fqinje ku gjallonin ngulime te hershme shqiptare do te ndikonte fort ne zotimet e tij te ardhshme. Italia asokohe jetonte zulmen e luftes se gjate per liri dhe bashkim kombetar. Gurakuqi pati fatin te ndiqte mesimet dhe te kishte mesues ne kolegj të madhin poet të Milosaut,De raden. Por mjedisi shqiptar i mërgimit nuk ia shuante mallin e Shqipërisë, mallin e Shkodrës që do t’i brente shpirtin. Dhe ndonëse student ai do të afirmonte veten si poet për afro dhjetë vjet në faqet e një organi prestigjioz si “Albania” e Faik Konicës, si publicist në organin “La nazione albanese” të Anselmo Lorekios.
Dhe si autor i një nder veprat e para të llojit sic ishte “Vargnimi në gjuhë shqype” që ai botoi më 1906 në Napoli. Dhe nis atëherë, disi i rrallë, ai dialog poetik midis dy bashkëqytetarëve që kurrë nuk e njohën njëri-tjetrin për së afërmi, midis Filip Shirokës dhe Luigj Gurakuqit. Poeti i dallëndysheve do të këndonte liksht por ëmbël. Po aq ëmbël po me një mendim më të ndalur do të dialogonte me të Gurakuqi, që si ai po e vuante thellë brengën e mallit të Shkodrës, që sic shkruante ai “gadi më grini”. Por ndjeshmërine e tij Gurakuqi nuk e shpreh vetëm përmes poezisë së mirëfilltë. Ai është poet edhe në prozat e frymëzuara që shkruan. Veprën “Vargnimi në gjuhë shqype” ia kushton poetit të madh shqiptar, Gjergj Fishtës.
Sado që e pakte në numër poezia e L. Gurakuqit ka një regjistër të pasur ndjenjash e përsiatjesh. Ai shkruan poezi me ritëm marcial dhe me hove kushtruese si “Shqyptarëve lidhë në besë”, “Kangë”; “Shqypja e burrit”, por edhe poezi me tone delikate dhe të brishta si poezia “Zogëzës kryezezë” ku përmes simbolikës ai e zbulon veten poet me ndjeshmëri të hollë. I papajtueshëm me të gjithë ata që nuk tregohen veprues në çështjen kombëtare, entuziast i papërmbajtur ndaj çdo përpjekjeje për lulëzimin dhe përparimin e kombit, të kulturës dhe të gjuhës së tij ai shkruan vargje bubulluese qe sugjestionojnë me forcën e bukurinë e tyre: “Kur të humb gjuhën/Nji popull shqim mbaron…”. Një larmi gjendjesh emocionale ndërthuren në poezinë “T’falun atdhetarit nga Kosova” ku poeti gezohet,pershendet, shpreson dhe porosit lulezimin dhe perparimin e gjuhes shqipe qe ai e cileson “të ambël e trimneshë”, duke marrë shkas nga puna e palodhur e Mati Logorecit në mbrojtjen e këtij visari të patjetërsueshëm të kombit.
Tonet burrërore dallojne sidomos poezinë “Qëndresa”. Edhe pse poezia njihet nga lexuesi në variantin e saj jo të plotë, sepse botuesi i parë i poezisë së Gurakuqit ka hequr strofat e fundit, kjo ka rritur homogjenitetin dhe i ka dhënë vjershës karakter universal. Kjo poezi shquan jo vetëm në fondin e poezisë së Gurakuqit por edhe në gjithë hapësirën e poezisë shqipe, tek e cila mendimi poetik ka gjetur shprehjen e përkryer në vargje të magjishme që shpërfaqin bukurinë dhe forcën shprehëse të shqipes. Poezitë e mallit për atdhe, poezitë kushtruese të Gurakuqit ngjajne si pika vese në agimin kombëtar, veçmas tingëllimi “Shpisë sime”.
Poezia e Gurakuqit është poezi e përfytyrimeve të gjalla, situatave dhe jo aq e detajeve të holla, sado që edhe këto nuk mungojnë sidomos në poezitë me karakter intim. Përfytyrime si ai ngritjes së Skënderbeut nga varri duke flakur “të randën rrase” me vringëllimën të shpatës, gjendjet e trishtimit që i shkakton malli për shtëpinë, qytetin e lindjes, njerëzit e shtrenjtë në Shkodër, realizohen me vargje të ndërtuara teknikisht me bartje vërtet të rralla në poezinë shqipe si: “Tek ti më fluturon mendimi, o shpiza ime/Kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue…”. Apo përfytyrimet e poezisë “Qëndresa” që krijojnë asocacione të fuqishme me kuptime disa shtresore për kohën që rrjedh e nuk ndalet, për stinët e moshës njerëzore që edhe ato rrjedhin pa u ndalur e për qëndresen e paepur e të shumfishte që duhet treguar ne emer te nje qellimi fisnik e human që kurdoherë zgjojne nje efekt te vecante tek lexuesi i të gjitha kohëve.
Ndoshta e lënë disi mënjanë nga mendimi letrar, shfaqet poezia tepër interesante e Gurakuqit “Deka e Zanave”. Student në Itali, që ka marre nje kulture solide te lashte dhe te re, Gurakuqi ka mendimin se poezia shqipe nuk ecen kundohere në nivelet e dëshiruara. Alegorikisht ai i referohet nje problemi shume interesant rrezimit te miteve te vjetra dhe gjenerimit te miteve te reja qe ne fakt perterijne perjetsisht letersine dhe artin. Ndonese i ri ne moshe ai shfaq nje pjekuri dhe intuite te pashoqe per kohen ne formulimin perhere te pare te kerkesave dhe normave për një letërsi cilësisht të lartë jo vetëm në pembajtje, por edhe në formë. Këtë ai e dëshmon edhe në veprën “Vargnimi në gjuhë shqype” ku ai shfaq jo vetëm njohjen e tij të thellë në fushën e metrikës,por edhe te vlerave te letersise kombëtare e të huaj, që i bën objekt shqyrtimi dhe ilustrimi. Në tërësinë e saj kjo vepër e Luigj Gurakuqit është dëshmi se fillimi i shekullit të ri për shqiptarët dhe letërsinë e tyre po sillte një koncept të ri, që paralajmëronte zhvillime të reja të saj.
Për fat të keq Gurakuqi u shkëput nga letrat e mirëfillta në prag të këtyre ndryshimeve ku me siguri do të mund të jepte kontribut me horizontin dhe pjekurinë e rrallë që e dalloi me shkrimet letrare, kritike e teorike që ai botoi. Por sensin e tij krijues ai e shprehu në fjalimet, artikujt, botimet shkollore që shquhen për magjinë e forcën e logjikës dhe të stilit të tij të veçantë. Do të kujtonim fjalimet e tij në përvjetorin e pare te pavarësisë, në hapjen e shkollës normale, si dhe fjalën e urtë por të ëndur me një stil të kultivuar në Kuvendin Kombëtar,te parin parlament pluralis Shqiperi. Tingëllon tepër i gjetur përcaktimi që i dha kolosi i letrave shqipe F. S. Noli, “gojë mjaltë e zemër hekur”, që e njohu më afër magjinë e fjalës së tij të ëmbël dhe qëndresen e pashemullt të tij. Nuk janë të rralla rastet në letërsinë shqipe që poetet të kenë artikuluar fjalë zemre, fjalë vlerësimi për njëri-tjetrin.
Duke filluar nga Budi dhe Bogdani, tek Naimi, Fishta, Çajupi, Asdreni, Xanoni, Nikaj etj. Fjalë nderimi do të shqiptonte Fishta për Naimin në kryeveprën e tij epike “Lahuta e Malcis”. A nuk ishte edhe miqësia dhe nderimi qe shprehen per njeri tjetrin Gurakuqi dhe Shiroka nje tregues i shpirtit tejet te hapur për dashuri dhe mirëkuptim si njerëz edhe si krijues. Asnjë fare kulti nuk i lejuan ata vehtes. Sepse tek ata sublimohej madhështia e personalitetit me thjeshtesine njerëzore. Por në marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre ka edhe dëshmi me vlera autentike qe rridhnin nga njohja e përditshme, nga kontakti midis tyre që merr vlere te vecante. Një e tillë është dëshmia e Lazër Shantojës për L. Gurakuqin. Në organin “Ora e maleve”, në mars 1923, Lazër Shantoja boton shkrimin “Te dy shtreter te permendun”.
Shkasin për këtë shkrim ia jep Shantojës vizita që u bën ne kryeqytet dy personaliteteve L. Gurakuqit dhe A. Zogut që kane zene shtratin, i pari sic shkruan Shantoja “i begatun me nje rezistence te celikte jo vetem morale por dhe fizike, u rrxue prej teprices se mundit te diteve te kalume”. Ai e portretizon Luigjin me forcen e stilit te tij prijsin e opozites. “Prej shtratit të hekurit ne fund të një odës të vogël e të dlirët, i kuqun në fytyr prej etheve me shtrin dorën plot zjarm Luigj Gurakuqi. Njat herë sa duelen tre doktora. Duhet dite qe ska mbete doktor ne Tirane që vullnetarisht s’ka nga me i falë shërbimin e vet këtij njeriu. Prej ditës së sëmundjes oda e tij asht ba qëllimi i një shtegëtimi të paprashëm 100 deri 200 vetë në ditë ngasin me e pa e ndonëse urdhni i mjekvet ndalon pranimin e vizitave, megjithë këtê i sëmueti s’duron ti mbyllet dera kuejt. Në odë të tij ke muejtë me pa gjithnuer gjindsh prej ministrit elegant deri tek fshatari i vorfën.
Sëmundja e tij ka tronditë sidomos armiqt e opozitës si më tha Z. Avni Rustemi para kafes Internacional “Opozita asht tuj pushue, kemi Gurakuqin e sëmuet”.Kush e njeh karakterin e tij, duruesin e pamatë që ka ndaj të tjerëve, bindet kah e sheh aq të padurueshëm ndaj vedit. Në tribunën parlamentare Gurakuqi asht i njoftun porsi oratori “gjentelman”, kundërshtari qi kur don me therë kendin ka mjeshtrinë e posaçme me të rrathë me doreza e me i veshë thumbat me pambuk. Vetëm me vetvedi asht gadi i egër: nuk kursen vedin aspak dhe ky moskursim i tepërt i shkaktoj sëmundjen e randë… Luigj Gurakuqi asht njeri i popullit e populli edhe në këtë rase asht tuj e diftue se ai për nji mend asht njeri i tij”. (Ora e Maleve, 22 Mars, nr. 13)
Dëshmi po aq interesante sjell Ernest Koliqi. Dyzet vjet pas vrasjes barbare të Gurakuqit, mikut te tij te afërt në revistën “Shejzat” boton shkrimin me vlere “Luigj Gurakuqi” dhe po këtë vit shkruan dramën me një akt apo “hov” si shprehet ai me titullin “Takimi i orës 9 të mbramjes” kushtuar figurës së Gurakuqit. Në shkrimin e parë Koliqi vecon nga cilësitë e çmuëshme të Gurakuqit “fuqinë vllaznore” që i bashkonte njerëz me mendime të ndryshme, veti kjo e personaliteteve qe imponohen me mendimin dhe shpirtin e madh ne rrjedhat e ngjarjeve”. Koliqi sjell dhe mbresat e veta: “Unë, që këtu po shkruaj, i kam shërbyer si sekretar privat në Tiranë më 1924.
Në Shkodër ishim ngjet me shtepia.E pritshem kur dilte ne mengjez e mbas dite e percillshem gjithkund.Ai me nxiti me rrahe shtigjet e letërsisë,mbasi lexoj do shkrime te mija.Ai me hodhi ne politike,tue ardhe vete tek gjyshi im me me nxjerre leje mu marre me pune politike,ne ndjekje te tij.Gjyshi qi tjeter udhe e dege veprimtarie ne jete uronte per mue,atij smund ti thoshte jo.Besonte ngultas ne ndershmerine e zotesine e Shkodranit të Madh”. Po në këtë shkrim Koliqi premton “Në më faltë Zoti jetë e shëndet të mjaftueshëm do të mbledh në një vëllim kujtimet e shumta që kam mbi Mjeshtrin e pashoq që më drejtoi gjatë dromit, plot ngashërime të shqiptarizmit. (Shejzat, IX, 1965 nr. 3-4 fq. 74).
Nuk dimë të jetë realizuar kjo dëshirë e E. Koliqit, por ai shkroi po në atë vit një dramë kushtuar Luigj Gurakuqit. Drama “Takimi i orës 9 të mbramjes” është shkruar për të përkujtuar atë personalitet të shquar dhe çastin fatal që ndërpreu jetën e tij në mënyrë të dhunshme, për të cilin Koliqi pati shkruar “Na u duk se me të diq Ora e Shqipnisë”. Drama sado që hedh dritë në raportet intime njerëzore të “Viganit liberator”, si një vepër e përmasave të vogla pa shumë linja veprimi dhe pa ndonji vlerë të spikatur dramatike, me evolimin të thuash real të ditës së fundit të jetës së tij ka arritur të portretizojë në mënyrë të veçantë Luigj Gurakuqin, çka i jep asaj vlerën e një drame dokumentare, gjë kjo e rrallë në dramaturgjinë shqipe.
Falë njohjes nga afër dhe përcjelljes deri në çastet e fundit të jetës së Gurakuqit, Koliqi si në shkrimin editorial dhe në dramë me forcën depërtuese të vështrimit të tij ka arritur ta sjellë pothuajse të gjallë njeriun dhe personalitetin e shquar për të cilin ai do të dëshmojë: “Kështu e njofta unë Gurakuqin, Poet e Njeri shteti me shpirt të hapun kah bukuria e jetës, kah idealet ma të nalta njerëzore”.











