Kur nëna më shoqëroi tek stacioni i autobusit ora ish dy e gjysmë pas mesit të natës. Stacioni qe i shkretë, mbështjellë me cipën e hollë të dëborës. Autobusët e udhëtimeve të gjata qenë parkuar anës trotuareve dhe ngjanin si breshka të mërdhira. Në cipën e hollë të dëborës që mbulonte asfaltin dalloheshin shkoqur gjurmët tona. Nëna donte të më shoqëronte në kryeqytet por s’na mjaftonin hollat të shkonin së bashku. Nëna mbërtheu kopsën e parë të fustanit, ngriti jakën e xhaketës, më mbështolli mua me shallin e saj të leshtë.
Nëna kish ditë që nuk ndjehej mirë, i shponte si me thikë shpatulla e majtë dhe e mundonte një kollë e thatë. Në javë më parë bëri mot të ngrohtë. Prilli e gënjeu nënën si pemët, ajo për të përzënë dimrin dhe prurë mbarësi, lau jorganët, çarçafët dhe kuvertat e pambukta në çezmën me ujë të ftohtë të Kondës. Doktori i lagjes e këshilloi të merrte antibiotikë.
Bënte ftohtë, binte dëborë e imët si e situr në sitë. U shtymë drejt kthinës së vogël në të djathtë të stacionit të autobusëve, ku era ndjehej më pak dhe dëbora shkiste rrëshqanthi. Hukatëm duart të ngroheshin dhe mbështetëm supet tek njëri tjetri. Pritja në të ftohtë është më e lodhshme se ecja. Shyqyr shalli prej leshi i nënës ish i madh dhe i trashë.
-Më fal biro, të zgjoj nëna herët. Kështu është kur nuk ke orë,- murmuriti nëna. Na duhej sikur ngroheshim me frymëmarrjet e njëri tjetrit
Fërkova mjekrën pas thekëve të shallit të nënës, s’fola. Isha zgjuar kur nëna më beri zë të ngrihesha dhe të vishesha. A mund të flija gjatë kur isha përpara konkursit, shpresës në realizimin e ëndrrën së madhe? ‘Bëhu piktor i mirë biri im, nuk të mungon talenti.’ më tha babai përpara se të vdiste. Dola i pari në konkursin e pikturës që u zhvillua në qytetin e lindjes. Tani më duhej të konkurroja në konkursin e madh në kryeqytet të fitoja të drejtën e shkollimit për pikturë në liceun artistik.
Shoferi i autobusit të linjës për në kryeqytet erdhi me vonesë dhe nisi të bërtiste:
– Kush është për në kryeqytet të luajë këmbët.
Udhëtarët e përgjumur hynë me ngutje në autobusin e ftohtë akull dhe fërkonin duart e këmbët të ngroheshin. Përqafova nënën dhe hyra në autobus. Makina u nis dhe nëna mbeti pas e mbështjellë me mugëtirë dhe dëborë të imët si miell.
Më rrihte zemra prej emocionit dhe një copë herë qëndrova në shkallinën e parë të godinës tre katesh të liceut artistik për tu qetësuar dhe rregulluar frymëmarrjen. Vendosa dorën në stomak dhe ndjeva një prerje të lehtë. Përgjatë udhëtimit volla dy herë dhe stomakun e ndjeja akoma të trazuar prej kthesave të forta, ngjitjeve – zbritjeve, në rrugët e përdredhura në faqet e maleve dhe prej karburantit të rëndë të makinës. Ish rrugëtimi i im i parë për në kryeqytet, por nuk ish koha për qullosje dhe plogështi, duhej të shkoja në sekretari të regjistrohesha.
Në sekretarinë shkollës më priti ftohtë një grua e re me flokë korb të zeza, me vetulla si shtizë, të mbërthyera mbi hundë dhe me vështrim te vëngër. Banaku ish i lartë, u ngrita në majat e gishtërinjve dhe i thashë emrin. Sekretarja duke kthyer fletët me zhurmë kërkoi me bezdi emrin e tim në listën e pjesëmarrësve në konkurs dhe pa e pa ngritur kokën i tha:
– Salla e konkursit është në katin e dytë nga e majta, lëviz këmbët, je me vonesë.
U shkunda, dola me të shpejtë nga sekretaria dhe ngjita shkallët me vrap. Në krye të shkallëve qëndrova, u përpoqa të rregulloja frymëmarrjen dhe eca drejt derës së hapur të sallës së konkursit.
Gjëja e parë që më ra në sy ish bashkëqytetasi Maliq Susta, i cili qëndronte i krekosur në karrige, me kavaletën përpara dhe lëvizte si rosak kokën katrore me veshë llapushë.
’Hëm! Çdo Maliq Susta këtu!’ gati sa nuk fola me zë. Ai u kthye ballas nga unë dhe u zgërdhi. Maliqi doli më i dobëti në konkursin lokal, në vend të krijonte hije me laps e nxiu vizatimin me leckë, e bëri skëterrë.’ Kryetari i jurisë më uroi me dashamirësi. Emri im ish në krye të listës së konkurruesve dhe fitova të drejtën për të konkurruar në kryeqytet, hyrë në liceun artistik.
U ula në stolin bosh në krah të Maliqit. Nxora prej xhepit lapsin dhe fshirësin dhe i përhumbur vështrova modelin, një plak i shukët, ballin e rrudhur, hundën si shkabë, mjekrën çekiç dhe me pellgore të vogël poshtë syrit. E kisha në gjysmë profili. Më tërhoqi qysh në fillim portreti interesant i plakut të imët dhe mu bë për një moment sikur çapitesha në rrudhat e thella si monopate të modelit.
– Nuk gjetën ndonjë model allçie por na sollën këtë plak të shpifur,- mërmëriti zë grindur Maliqi dhe kafshoi lapsin me dhëmbë.
U dha shenja fillimit e konkurrimit. Qysh në fillim më bëri për vete portreti i veçantë i plakut flokëbardhë me kapelë të zbardhëllyer dhe me vështrim të lodhur, të hutuar, ardhur rastësisht në këtë sallë të madhe konkurrimi pas një udhëtimi të gjatë. Rrëza qafës së modelit qëndronte e mbledhur e rrudhosur, por kur çlirohej, syri i shkëndijonte dhe mjekra çekiç i dridhej lehtë. Punoja i përqendruar dhe nuk vija re pjesëtarët e jurisë që na vinin vërdallë për të ndjekur vizatimet tona. Vizatoja, fshija, vizatoja përsëri pa ngritur kokën të vështroja përreth. Në sallën e konkurrimit ishin vetën dy veta, unë dhe modeli, që më dukej sikur në sytë e tij fshihej një brengë e madhe. Dikush më vuri butë dorën në shpinë. U drodha dhe ngrita kokën me vrull. Fare pranë meje pashë një trup të hollë të gjatë plaku me buzëqeshje të ëmbël.
– Si quhesh ti bir? – më pyeti ai.
– Adrian Belushi.
– Mirë, vazhdo, se je në karakter, – më tha ai dhe shkoi më tej.
Maliqi u ndeh nga ana ime dhe më pëshpëriti.
– E njeh këtë plak që të foli?
– Jo.
– Është Abdurahim Buza, piktori më i mirë.- më tha Maliqi gjithë zili.
Ngrita supet pa ditur çfarë të thosha. Vazhdova të punoja. Më dukej sikur plaku model ngjante diçka gjyshin që vdiq para një viti, disa muaj pasi doli nga burgu. Pothuajse e njëjta hundë, i njëjti vështrim i përhumbur me pellgoren e lotit poshtë syrit të rrudhosur me të pathënën e madhe në shpirt. Gjyshi ish njeri i dashur, i pëlqente të shkonte në pyll dhe të qëndronte aty symbyllur. Koha ikte me nxitim dhe nuk dëgjova kur thanë, koha e caktuar përfundoi.
– Mos harroni të shënoni emrin dhe mbiemrin në fund të punës tuaj. Nesër në mëngjes do të merrni rezultatet e konkurrimit,- foli njëri nga drejtuesit e komisionit.
Shënova në fund të vizatimit me shkrim të kujdesshëm emrin, mbiemrin dhe adresën. U ngrita, gjyshi i pikturuar përpara meje më dukej sikur më përshëndeste. Maliqi fshiu duart e nxira pas pantallonave dhe shtyu stolin me zhurmë. Vështrova nga puna e tij, kish bërë një llahtarë.
Në mëngjes u ngrita herët dhe dola me vrap jashtë. Koha ish e vrenjtur dhe frynte një erë e lagësht. Ngjita me vrap shkallët e liceut artistik dhe pyeta sekretaren nursëze se ku ish afishuar lista e fituesve të konkursit.
– Në stendën e murit përballë, s’e pe?- foli ajo ftohtë.
Dola në korridor dhe sakaq u gjenda përpara stendës. Zemra më rrihte me vrull dhe sytë me veshën me avull. Fshiva sytë me shpinën e dorës dhe përqendrova vëmendjen. Kërkova me padurim emrin tim. Lista mu duk tejet e gjatë dhe me germa të përdredhura. Trupi më mpihej dhe ballin ma mbulonin djersët. Në rreshtin e tretë ish shënuar emri i Maliq Sustës dhe emri im nuk dukej askund. Nuk u besoja syve të mia e lexova sërish. Emri im nuk figuronte në listën e fituesve. Germat nisën të shkisnin nëpër fletë dhe binin përdhe. U mbështeta në mur, këmbët nuk më mbanin, shpina më shkau dhe u lëshova si thes në pllakat e ftohta të korridorit. Fshiva sytë, u ngrita në këmbë dhe nisa të zbrisja shkallët ngadalë. Befas pashë që po ngjiste shkallët piktori plak Abdurahim Buza. Ai ndaloi në mes të shkallëve, fytyra i qeshi dhe më foli që larg.
– Hajt bir, të uroj se e meriton,-dhe priti të afrohesha.
Ula kokën, lotët rrodhën prej syve të mi. Fytyra e plakut u zverdh:
– Nuk është e mundur, more djalë i lexove emrat me kujdes?- pyeti dhe vështroi përreth i menduar.
Më ish mbledhur një lëmsh në gjoks dhe nuk mund të flisja. Piktori plak Abdurahim Buza më mori për dore dhe ngjitëm shkallët së bashku. U drejtuam nga stenda ku ishin afishuar emrat e fituesve. Vuri syzet, lexoi njëherë dy herë, tre herë, mblodhi buzët me inat. Më porositi të prisja dhe hyri me nxitim në zyrën e drejtorit të shkollës. Pas pak doli nga zyra e drejtorit i menduar dhe u drejtua nga unë me hapa të ngadalta. Më vuri dorën në shpatull dhe u përpoq të vinte buzët në gaz.
– Mos u mërzit bir, je shumë i ri, i talentuar dhe jam i sigurt se do fitosh një ditë,- më tha.
Doja ti thosha, e kisha fituar konkursin, por është tjetër gjë të fitosh një konkurs dhe tjetër të japin të drejtën të ndjekësh shkollën, sepse e kisha një kleçkë dhe kjo ish biografia. Ai si të më kish blerë mendimet, më shpupurishi flokët, më ktheu shpinën dhe iku me të shpejtë. Dola jashtë, sytë më zunë Maliq Sustën, i cili ish kapardisur në ndenjësen e parë në makinën e të atit, Melvud Sustës, drejtorit të bankës së qytetit tonë. Maliqi zgjati kokën nga dritarja e makinës u zgërdhi dhe më nxori gjuhën…
– Adrian, burri i gjatë, prej vendit tënd me emrin Majkëll, akoma jashtë, në errësirë, në shi, pret te takoje, duket si i mjerë,- më shkundi zëri i hollë i murgut rrumbullak Oshma.
Doja të bërtisja: Hej murg, ai nuk është Majkëll por një pusht me emrin Maliq Susta, vite pa i parë fytyrën.
Ndjehesha i lodhur, kish muaj që punoja jashtë orarit. Me përtesë brodha shikimin përreth. Murgu Oshma i kish ndezur të gjitha dritat e abazhurët dhe katedralja rrëzëllente. U përqendrova në sytë e përfunduara të Virgjëreshës Shën Mëri. Sytë i realizova me ngjyrat, koloritin dhe ekspresivitetin e duhur por se pse më dukej sikur në vështrimin e saj endej një tis i lehtë dyshimi dhe mendimi, më shkaktoi një pështjellim të turbullt…
Çuditerisht Syte e Virgjereshes me ngjanin aq shume me syte e Nenes…
KRISTAQ@TURTULLI
LITARI I MALLIT, novela dhe tregime, Tiranë 2020
Me te LUMTE mor MIK – Kristaq Turtullit – Ju me Shume se NJE *CIFLIK*!