SYRI KEQ

0

NGA KALOSH ҪELIKU

Im Atë i kishte sytë e kaltërt. Unë, jo. Po, i kisha sytë ngjyrë kafe, të “rrezikshëm” sipas grave të mia besnike. Një grua “maqedonase” e fesë ortodokse, kur erdhi për herë të parë një ditë në banesën tonë në “Ҫair” të Shkupit, pasi hyri në paradhomë dhe sytë i ikën në fotografinë time përballë varë në mur të cilën unë e solla nga Prishtina si student, u habitë dhe i tha gruas time besnike: ju e mbani në shtëpi Isu Krishtin?!

– Jo, iu përgjigjë Gruaja ime besnike. Në fotografi është burri im, gjatë kohës të studimeve, atyre viteve në Prishtinë.

– E pabesueshme?! U habitë gruaja e kojshive. I ka sytë e Isu Krishtit.

Unë, nuk besoja në Zot, po u besoja syve të mi në ballë. Edhe, atë: pas disa veprimeve me sy si student në Prishtinë. Erdha, në përfundim, se: Sytë, vërtetë i kisha të “rrezikshëm”. Shpeshëherë pasi t’ia ngulja sytë ndonjë vajze, ose gruaje e rrëzoja në shtrat. Bystytni, që shpesh e dëgjoja nga Nana ime me prejardhje hoxhallarësh, kur pasi i vdiqën trembëdhjetë fëmijë mes moshës dy e pesë vjeçare, dhe i mbetën gjallë vetëm tre fëmijë: Motra e madhe, Vëllai dhe Unë sugari me një diferencë pas tyre njëzetë vjeçare. Nana, qante me lotë kur na vdiste ndonjë fëmijë në familje ose kafshë shtëpiake, dhe thoshte: e ka hëngër “syri i keq”. Ndryshe, në popull kjo thënie njihet edhe si mësysh. Shkak, që unë nuk i shikoja gjatë me sy fëmijët, ose kafshët shtëpiake, përveç vajzave dhe grave besnike.

Bindje, për të cilën edhe pas disa veprimeve duke i hëngër me sy disa vajza dhe gra besnike, erdha në përfundim, që nga koha e studimeve në Prishtinë, se e kisha “Syrin e keq”. Vetëm me një shikim për disa sekonda sy më sy, vajzat dhe Gratë besnike i mbyllnin kapakët syve, dorëzonin armët. Dhe, pas njohjes me to në ato takime rasti, ishin “viktima” të “Syrit keq”.

Vite më vonë, kur macja ime besnike mes tri macive tjera lindi edhe një maci mashkull me sy të kaltërt. Rast i rrallë ky në shtëpinë e Gruas besnike në lagjen “Serova” të Shkupit. Vërtetë, gjatë gjithë jetës kisha parë gra dhe burra me sy të kaltërt, por jo edhe maci. I ushqente mami i tyre me tambël. Por, edhe unë me ushqime natyrore. Dita – ditës, ato po rriteshin dhe më suleshin me mjaullime para derës të shtëpisë. Dihet, i gostisja me ato ushqime që i rezervoja me kohë, ose i kisha në ato momente. Shpeshëherë, më shumë shpenzoja për to, sesa për veten. Herë pas here e leja veten edhe pa bukë, shkaku macive.

Një natë Sykaltërti, nuk erdhi pas dere të më sulet me Nënën Xhadi, Babain Tomi, vëllain Tomi Juniorin, dhe motrat Emërzitshmja me Rrugaçen. U mërzita. Mëngjesi para dere, atë ditë u shtrua pa Sykaltërtin. Pasmesdite, në kopësht erdhi me pak shpirt Sykaltërti, po jo si ditët tjera me sulme luftarake – ushtarake. Nuk, deshi ushqim, as piu ujë. Pas një dite erdhi edhe në shtratin tim, në dhomën e gjumit. Ndihmë më kërkoi për jetë. Thashë, me vete: Nesër, nëse nuk bëhet më mirë do ta dërgoj te veterinari në lagjen “Autokomandë”.

Sykaltërti, ndejti sa ndejti në shtrat, dhe dikur doli në sallon. Unë, e përcolla me sy, përderisa hipi në shtrat. Thashë, me vete: e kaloi rrezikun. Përsëri, pas pak kohe dola ta shoh në paradhomë. Ai, po gërhiste në gjumë të thellë mbi shtrat. U ktheva në dhomën time të punës.

Edhe, një herë dola ta shoh në sallon, po ai më kishte dalë në kopësht. Këmbët para, dhe kokën lartë i shikonte pemët. Përsëri, u ktheva në dhomën e punës. Dhe, pas një kohe dola te dera e madhe, por nuk e pash Sykaltërtin. Me siguri, thashë me vete: ka dalë në rrugë. Pasmesnate, ose nesër do të kthehet në shtëpi.

Ditën e nesërme, e hapa derën për t’ua shtruar mëngjesin e zakonshëm macive. Sykaltërtin nuk e pash pas dere. Me siguri thashë e ka zënë gjumi në ndonjë kopësht. Dhe, u ktheva  në dhomën e punës. Përsëri, nuk isha rehat dhe dola në verandë: matanë, në kopështin e kojshive e pash diçka të bardhë si kese najloni mes barit. Vrik e vrik, zbrita poshtë, dhe matanë gardhit pas disa hapave, e pash Sykaltërtin e shtrirë mbi bar. Thashë, me siguri e ka zënë gjumi. E hapa derën e oborrit, dhe iu afrova te koka: Ҫka të shoh?!

Sykaltërti, duke u përpjekur pasmesnate të kthehet në shtëpi, kishte dhënë shpirt në mes të rrugës. M’u dhimbtë, se: aty për aty m’u kujtua, kur Xhadia bashkë me vëllezërit dhe motrat e lindi para mesnate në shtratin tim të fjetjes. E mora dhe e futa në një kese najloni. Rrugës, duke thënë vetëmevete: E ka hëngër “Syri i keq”. Shtatë vite më parë (2015), “Syri i keq” e kishte hëngër edhe Gruan time besnike?! Tri vite më vonë (2018), e hëngri edhe Miken time “Qerren me ferra”.

Gjatë një takimi poetik në Kërçovë, në tavolinën time u ulë edhe një poete e re nga Shqipëria, së cilës i vardiseshte njëri nga organizatorët e manifestimit poetik. Padashtas, në bisedë e sipër i thashë: Unë, po të dua të rrëzoj me sy në shtrat! Nuk më besohet, m’u përgjigjë vogëlushja. Atëherë, pasi nuk të besohet, më shiko në sy! I hapi sytë. Unë, ia ngula sytë. Përpak sekonda, ajo i mbylli sytë. Dhe, më tha: ec me mua në dhomën time të hotelit!

Jo, i thashë. Kësaj radhe, shpëtove nga “Syri keq”…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.