SYNI I KEQ, MOS JU PAFTȄ!

0
Llesh Ndoj

Në vend të një vëzhgimi

Nga Llesh NDOJ

Si një 25-vjeçar me 40 vite përvojë jete, e me plot 20 vite shkollë të dokumentuar, përveçse në regjistrat e shtetit, në kujtesën e gjallë të bashkënxënësve, bashkëstudentëve, mësuesve e pedagogëve të shumtë që më kanë dhënë mësim, nuk mund të qëndroj indiferent ndaj ngjarjeve e fenomeneve shoqërore, ekonomike e shtetbërëse, në këtë vend ku më kanë lindur pa kërkesën time, por ku kam zgjedhur të jetoj, kurrë pa e shtruar çeshtjen me mundësi alternative. Shumë veta, gjykuar nga sensi im kritik dhe me fokus qeveritë, të djeshme dhe të sotme, dhe qeverisjen si domosdoshmëri e rregullator i gjithë jetës në vend, më kanë gjykuar si një “anti”.

Nuk më vjen aspak keq për këtë, për faktin se qeveritarët tanë të vetmen gjë që e njohin dhe e bëjnë mirë, është vetëlavdërimi, megallomania e propoganda, si dje në kohën e Enverit, (nuk them dot dritë pastë, se ai pati plot dritë në jetë, ndërkohë që ne na izoloi në errësirë totale!). Nuk më vjen keq në se më etiketojnë “anti”, edhe sepse jam mjaftueshëm i ditur për të kuptuar se kritika, oponenca e opozita, janë garancitë e vetme për një qeverisje të shëndetshme, ndërsa duartrokitjet pa vend, lëvdatat pa doganë, a thua se po bëjnë ndonjë heroizëm, e po na falin nga xhepat e tyre edhe atëhere kur e bëjnë detyrën e tyre në parametra të pranueshëm, janë premisa për një qeverisje autoritare e me prirje diktatoriale.

Kam qenë dhe jam kundër punës me aksion në ato që mund të quhen pa frikë e jo thjesht si metaforë, “Ditët e Ramës”, analoge me “Ditët e Enverit” këtu e rreth 40 vite më parë, kam qenë e jam kundër punëve që bëhen me protagonizma individuale, si aksioni i ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike në vitet 2013 – 2017, ndërkohë që fenomeni vjedhje ndoshta në zona të ndryshme vazhdon edhe sot, apo aksionit që të burgoste edhe për hapjen e një një dritareje në shtëpinë tënde, ndërkohë që legalizimet e paligjshme vazhdojnë edhe sot kur kanë kaluar plot 25 vite nga koha e miratimit të ligjit përkatës. Kam qenë dhe jam kundër aksionit në zonat turistike në kulmin e sezonit dhe ndonjë aksioni tjetër, të nisur apo të shpallur, jo se përkrah paligjshmërinë, por se shteti ligjorë, duhet të jetë përditshmëria, ndërsa aksioni i përdorshëm vetëm përjashtimisht për raste emergjente, që s’vijnë me shtrirje kohore si këto të sipërpërmendurat, por ndodhin papritmas e kryesisht nga natyra e faktorët madhorë, si zjarre, tërmete, përmbytje, luftëra e të tjera si këto.

Duke qenë kundër aksionit një apo disa ditorë, qoftë ai edhe periodik, sipas teorisë maoiste “duhet turbulluar që të kjartësohet”, jam kurdoherë pro ligjit edhe kur ai më ndëshkon mua, mjafton që ai të jetë “qorr” e të mos më shohë me sytë e atij që vjen pas tij për t’a zbatuar në mënyrë selektive me moton: Bjeri kundërshtarit e mbyll sytë ndaj përkrahësit! Për shtetin s’duhet të ekzistoje koncepti “i joni” dhe “jo i joni”! Të qeverisurit janë e duhen trajtuar nga shteti siç trajtohen pjestarët e një familjeje nga kryefamiljari i mirë dhe i përgjegjshëm.

Le të kthehemi tek titulli i përzgjedhur për këtë vëzhgim rastësor nga ana ime.

Jan bërë pa asnjë dyshim edhe punë të mira. Shqipëria ka ndryshuar shumë edhe në drejtim të prezencës së autoritetit shtetëror, autoritet që po tenton të shtrihet në të gjithë teritorin. Çdo e keqe e ka një të mirë. Edhe shkundja “7 – ballëshe” e Ramës e këtyre ditëve e ka një të mirë, përveç shëmtisë “Theth”. Nuk shkova për të vëzhguar e për të shkruar, por për kënaqësinë time, por po i paraqes përciptasi tri episode, në tri pika të ndryshme plazhi në Shëngjin, në harkun e tri ditëve të njëpasnjëshme. Për etikë nuk do të them emrat e bizneseve, pasi nuk kam qëllim t’u bëj reklamë atyre:

– Dita e parë tek Rana e Hedhur. Në mes të një ambienti të sistemuar mirë e bukur, tërësisht privat, ndodhej një zonë publike ku mund të pushoje pa asnjë pagesë, e në se dëshiroje shërbim me shezllongje e çadër, mund t’a merrje atë me një çmim të arësyeshëm edhe pse ishte ditë me njëfarë ngarkese me pushues. Parkimi absolutisht falas. Veç tij, zona plazhi publik kishte edhe në pjesët e tjera, gjë që më erdhi si një reflektim pozitiv apo ndërgjegjësim, qoftë edhe përmes forcës së ligjit, i operatorëve turistik atje.

– Dita e dytë në Kune. Një zonë e sistemuar bukur e në harmoni të plotë me natyrën atje, nën pronësi apo administrim privat, të shërbente si s’ka më mirë. Shezllonë e çadër me 400 lek, dhe parkim mjeti në hije e të sigurtë, me 100 lekë. Më pëlqeu mbi të gjitha fakti se punonjësi aty lëshoi në vend, sapo i bëra pagesën, kuponin tatimorë për gjithë shërbimin. Nuk m’u dhimbs aspak leku kur e mora kuponin tatimorë në dorë. E bukura dhe si qershia mbi tortë, më erdhi kur diku nga fundi i kohës së planifikuar për plazh nga ana ime, mësova se pronari i tij ishte eksponent i lartë i partisë në pushtetin lokal. – Hallall, – thashë me vete, – edhe në se në zotërimin apo posedimin e atij vendi ka ndonjë privilegj të vogël!

– Dita e tretë në Shëngjin, zona e qendrës. Plazhe publike mjaftueshëm dhe pastërti e pranueshme edhe aty, shumë më tepër shërbim të arësyeshëm në parkingje, deri diku edhe me rregulla sa i takon pagesës, një frenim çmimesh për çadra e shezllonë, më shumë me bileta se sa “merre po deshe”, e mbi të gjitha jo mendjemadhësi e arrogancë nga pronarët, apo përdoruesit e atyre pronave dhe dhënësit e shërbimit.

Janë këta vetëm filiza të rinj në shkretëtirën e paligjshmërisë, por që duhen përkrahur pa rezerva.

Edhe shërbimi policorë në rrugët që lidhen me plazhin, ishte mjaft i pranishëm dhe korrekt. Por këtë shije të këtij shërbimi t’a prish qyteti i Lezhës. Parkime për tre e për katër. Ndalime kudo dhe në vende pa shenja parkimi. Parkime në vijat e bardha dhe në trotuare, por edhe aty ku marrin udhë pak ramba invalidësh. Fol po deshe! Të vjen trimi tek xhami e të thotë: – Ça kërkon? Mos i bjer borisë! Ma do qefi mos me t’a lëshue udhën! Këmbë polici bashkiak, apo rrugor nuk gjendet për t’i dhënë udhë një qarkullimi normal në rrugët e qytetit, jo vetëm sot, por prej shumë kohësh. Edhe kur janë, bëjnë “sfilatë mode”, herë në këmbë, të kapërdisur rëndë me armë e jelekë, e herë me makina ku një sirenë më shumë shurdhon kalimtarët se sa ve në lëvizje mjetet e parkuara kryq e tërthorë.

Përtej këtyre rasteve mund të rreshtoja shumë, fatkeqësisht më shumë negative se sa pozitive, por dua të theksoj se edhe ne si qytetarë, gjendemi përgjegjës para situatave të tilla, qoftë si shkelës të ligjit, por edhe si njerëz të heshtur, që nuk e ngremë zërin ndaj shkeljeve e shkelësve. Shtetbërja kërkon, pa asnjë dyshim, pjesmarrjen e kontributin e secilit prej nesh. Në se atë e lemë vetëm në dorë të pushtetarëve, minimumi ata bëhen autoritarë, në mos diktatorë të maskuar me maska demokratike.

Duhet t’a ngremë zërin për ç’na takon, pa trokitur horllëku në shtet e shteti horr në dyert tona. Duhet t’a kërkojmë kuponin tatimor, siç e kërkojmë kusurin 5 apo 10 lekësh nga dyqani i bukës. Në atë kupon të marrë në dorë gjenden 1 apo 2 lekë që duhet të na rikthehen ne, përmes shtetit, nga shuma që paguam. Duhet t’i themi policit “të lumtë!”, kur zbaton ligjin e “plaç” kur e mbyll syrin. E vërteta e vetme që vjen si shpresë se trupi qeveritar është akoma i gjallë, është fakti se ai reagon ndaj denoncimeve këmbëngulëse tonat, në të shumtën e rasteve.

Në biznes është e njohur sentenca: Një klient i kënaqur u tregon, maksimumi dy – tre vetave të familjes, kurse një klient i pakënaqur ia shpall pakënaqësinë e tij gjithë botës. Unë po zgjedh të reagoj pozitivisht për sa shpalosa në shembujt e sipërpërmendur, duke shpresuar, që nga filiza të vetmuar e delikate, ata të bëhen pyje me lisa të fuqishëm e të gjelbëruar, bashkë me urimin tim me gjithë forcën e shpirtit: – Syni i keq mos ju paftë!

Lezhë, më 14 korrik 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.