Meti REXHEPI
Një arrë e mbirë pa e mbjellë sikur më thotë: dua ujë! Një pemë pa fryte në temperaturë dyzetetetë gradë heshtas i lutet shikimeve të mos ia kthejnë shpinën… Shkeli mbi barin e korrikut që po thahet në hapësirën e rrafshët ku kokulur gërvishten shikimet në gjembat e barit. Nuk e dijë: i këndella apo i përcëllova me aq pak ujë të derdhur rreth trungjeve të atyre drunjve fisnikë? E di se shkelja mbi barë të tharë të jetës sime, që stina e valë po ia humbte ngjyrën, e murrmja dhe ngjyrë kashta e grurit të fshirë. Mbi veshjen time të hollë bartja të veshurën e trashë të palltos së qepur prej rrezeve.
Porët e lëkurës si kroje nxirrnin lëngje të kripura, që i derdhnin si sumbulla kokrrash rrushi të bardhë, të shtrydhura në të gjitha gjymtyrët. Avullohej lëngshmëria e trupit dhe, ai avullim dukej se tretej në atmosferë, por nuk e rroknin pamjet e syve avullin, atë materie të gaztë si i thonë kimistët porse ar- praruar për alkimistët! Ajo peshë fluide e jetës mikroskopike shkonte diku, i bashkëngjitej morisë molekulave të së lëngshmes ose së palëngshmes së valë apo të akullt… E akullta mund të na kthehej nga reja e mbarsur me kokrrat e breshërimës.
Tashmë edhe truri më ngjan në diçka që avullohet, ngaqë hullive të mendjes, ku mbillet, mbinë apo piqet ajo, do të rrjedh ujë ndoshta afër pikës së vlimit? Mendja dhe ndjenja po përputheshin të nxirrnin vetëm kuptime të nxehta, gjithçka i përkiste sferës së nxehtësisë. Duket se sfera e zjarrtë e Yllit që na dritëson dhe përcëllon, kishte zbritur më afër Yll-kaltrës sonë apo Yll-kaltëroshja iu kishte afruar gjirit të Yll-zjarrtit të përhershëm? Vetëm kur mendoja nganjëherë se Yll-zjarrti ynë mund të shuhet tej ku nuk arrijnë brezat e frymorëve?!… Hyja në sferën e shkretëtirës, tejet të kobshme, ndoshta të çmendur për atë largësi të pamatshme, të asaj përmase me të ndjella krejt kobtare?!
Ç’po më duhej tash ajo përmasë kozmike?! Janë ligje të universit… Kjo është një logjikë absurde do të pohonte pragmatisti! Çmenduri e marrjes me të pakufishmen, përderisa e rëndomta të mbyllë për çdo të bardhën ditë shtegdaljen për ëndjet tua?! Është dhe nuk është për t`u çuditur: kur imagjinatën na e fali si një dhunti fluturimesh ndër galaktika Enigma e Përsosjes së Mendjes… Megjithatë, kuptimi i shuarjes së Yll-dritës, deshe s`deshe, të sjell vrushkullin e përkohshëm të një ftohtësie rrëqethëse, sikurse zhytja e parë, e shtyrjes së beftë, tërësisht i brishtë pas djersësh në dallgët e detit pa notin e ushtruar! Çfarë rrëqethje për infarkt!
Në monologun tim të korrikut e thashë:
-Po shkeli mbi regjimin tënd të nxehtë, natyrshëm po hedh hapat e mi hijeve të mundshme të jetës sime.
-Ai po më thoshte:
-Që të dy kemi një mandat. – Vijoi:
-E kam mandatin aq sa të më lejojë afërsia e globit me Yll-zjarrtin.
-Por, nuk dua të ma prishësh ventilin e vrimës, zbrazjen e paprerë mbi tualet.
-I madhërishëm je korrik, por të mos m`i vardiskësh virozat tua shëmtuese!
-Në mandatin tim nuk jam i vetëm, jam me sivëllain tim gushtin. Je gjithnjë i papërshtatshëm:
-Përse?
-T`i lash hijet, preve lisat, t`i lash lumenjtë, liqenet, detet ndote ujërat, ta lash ombrellën e ozonit ta kesh oksigjenin e pastër, por më kanose me djegie të thëngjillit, me ato bombat e tua atomike, të hidrogjenit e çfarë jo?!
-Po unë, unë… Ç`faj kam? As frerë në duar, as kllapa për hiena dykëmbëshe tërësisht të tërbuara!…
Mos e paragjykoja, çka do të më përgjigjej Enigma e Madhërishme e Përsosjes së Natyrës apo e kataklizmit të saj?!
Provimi i rëndë dhe i dhimbshëm i jetës mbase mund të jetë i ngjashëm, qoftë në mandatin e korrik-gushtit apo në polet e ngrira nën pesëdhjetë gradë të celsiusit. Thellë në brendi, gjithandej ritmeve të shpirtit, ruhet nxehtësia, që do të dalë vrik si sumbulla në ballë në çastet e fikjes së jetës. Pastaj ngrirje e përhershme e bukurisë sime të shndërruar në kërmë! Zhveshje të menjëhershme të masës dhjamore, shkrirje e venave, e indeve, enëve të gjakut dhe, një mbetje paksa më gjatë të armaturës skeletore që ishte veshur me mishin, muskujt dhe fijet nervore me qendrën e përsosur të trurit. Trurin diti ta përsoste, veçse Enigma e Përsosjes së Natyrës; nga natyrë e vdekur ta ngjallte për të gjallëruar dhe sërish në cikle për të shuar… Te të gjallët, ndoshta paksa do t`u mbetesha, pos si hije flladitëse e verës, së paku si dhunti të kujtesës… Mbase? Kush e di?
Enigma e Përsosjes së Natyrës u kujdes që me mashtrime dhe lojëra të bukura, ta fsheh çastin e trishtueshëm të zhbërjes së të gjitha joshjeve.
*Beqir Musliu, *Teki Dervishi
Jam në çastet e paragjykimeve të trishtimit… Pse? Ngaqë më ftohu korriku mu në majën e vet të nxehtësisë së valë! Enigma e Madhërishme e Përsosjes së Natyrës hyri mes njerëzve dhe, aty ndoshta prej mjedisesh të atilla e qëmtoi kobin në trajta të shquara. Ca nga miqtë e mi, sikur i përzgjodhi t`ua jepte ta pinin helmin k-a-n-c-e-r ose si vëllamin e tij të ngutshëm e të papritur infarktin. Më erdhi përsiatja: si zvarritej Beqa* pas shpimit të shigjetave të zeza për hyrje dhe dalje nga “Bukuria e zezë” e tij! Mandej si u fik Tekiu* pas gjithë asaj ngjitjeje me “Etje dhe borë” deri te “Bregu i pikëllimit?”
Ashtu radhas vargani i pandalshëm i miqve, atyre që mëtuan të kultivonin bimët e fisnikërisë në shpirtra, të cilët, nuk i shihnim në trajta lule trëndafilash, gonxhesh, burbuqesh, tulipanësh, karafilash, aloe verash apo të llojeve që i kultivon vetë dhuntia e natyrës. Secili nga miqtë e mi la nga diçka e këndshme madje, duke u sfilitur lanë margaritarë të urtisë, por nuk u mjaftua shija e topitur e njerëzve për lule-shkrolat, për ato shije të holla… Erërat e interesit të lehtë i turbulluan shijet e thella dhe thanë:
-Ato shije të tëholluara i përkasin një sfere tjetër përtej zonës sonë. Iluzione si të tilla nuk na ngopin ne asnjëherë!
-Tashmë mungon cakërrimi i gotës me gotën e Ademit* të romuzeve të buta dhe, e ndjenjës me gazin e kulluar të qeshjes.
Në kontrastin e ditës diçka e përhershme vjen tek unë si shuarja e atyre, që i mori vdekja, si akti i fundit i jetës së tyre. Jeta ende më lënka të pi në gotat e alkimisë së atyre. Ende nuk e kam provuar atë akt – aktin e mbarimit të ecejakeve të miqve. Jam duke shkelur hijeve pikëlluese, të cilat shpejt avullohen, sepse nuk ka diell të përhershëm as hije të përhershme, as pikëllim të pangopshëm… Mes meje dhe këtyre Enigma e Përsosjes së Natyrës nuk do të më lërë hapësirë të gjerë, derisa t`ua shpaloj modelet mes enigmash dhe, kërkimin e modelit vetjak të pangjashëm me ta, por prej një brumi të së njëjtës shkëputje. Është pak për një jetë njeriu të gjesh një model të pangjashëm!
-Sa pak, sa pak, sa pak jetë për një model të vërtetë! – Vetëbindej dytëshori para muzgut rrotullues të kësaj dite me rreze përshkuese deri në fyshta kallami të reumës!
Në meditime të holla e të trasha po rigonin pika të imëta mallëngjimi, përderisa sytë e njomnin përsiatjen e jetës kalimtare me gjethnajën e dendur të qershisë tash për tash të pa-zverdhur nga përcëllima e rrezeve pingule. E tashmja e gjetheve të paepura si duket, donte të ma fshinte si me një gomë magjike zymtësinë e pelinët të jetës. Kinse po harroja se isha një fryt përtej mandatit të nisur në sytha. Po piqesha apo do të digjesha? Jeta ime herë lakuar, herë e drejtë për çdo rrotullim dite, po i hidhte hapat mbi disa vdekje të mia të vogla. Të gjitha vdekjet e vogla po e gatisnin për çdo ditë atë të madhen. Babai Mujë ndjesë pastë, e përsëriste:
– Bir deka asht pazar i madh!
*
Poeti shtroi dilema: e shkela apo më shkeli dita e sotme? Cila dy-mendje e poetit do të peshonte më shumë në peshoren e tij? Ata që i shkeli dita ngecnin në ferrat e djerrinës së saj dhe, mallkohej lëndina! Përse e mallkonin lëndinën që u shtrihej gjerë e gjatë përpara bjerrakohësve? Bjerrakohësit kishin pritur, që lëndina vetvetiu t`iu zgjerohej nën këmbë, herrur prej gjembave të egër dhe mushkonjave thith-gjaku dhe, prisnin t`ua erëzonte parfumerinë e vardisjes në secilën frymëmarrje prej Enigmës të Përsosjes së Natyrës.
*Adem Gashi
Të njëjtës lëndinë dëshpëruese duke iu shmangur ferrave të mëdha, vijonin ecejaket mbi mihje karakteresh në kuvendet e thash e them-najës. Kundruall, andej lëndinës shihnin rebelimin e Poetit, që u dukej karikaturë e një trupi të cullakuar, por po e shpallnin: somnambul i natës!
Gjilan, korrik 2024