15.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Shteti rajonal në Europë dhe integrimet shqiptare

Shteti rajonal në Europë dhe integrimet shqiptare

0
Martin Berishaj - Bërja e kufirit etnik

Shkruan:
Elife LUZHA

Mbi librin “Nga hapësira e trojeve në hapësirë të rrjedhave” të autorit Martin Berishaj

Dy fjalë për autorin:

Profesor dr. Martin Berishaj, përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës në Kroaci, është një nga politologët e njohur në skenën politike shqiptare. Ai ka jetuar dhe studiuar në Lubjanë, ku, për kontributin e tij në Akademinë e Shkencave të Sllovenisë, nën përkujdesjen e Kryeministri slloven Miro Cerar, më 2017 u nderua me çmimin prestigjioz “Ambasador i Dijes”.

Në vitin 2024, në Sarajevë, Berishaj u vlerësua me titull Profesor i Vitit nga Komisioni Europian. Në vijim kam nderin t’ju prezantoj një nga veprat e tij më përfaqësuese,  me vlera të veçanta shkencore, të botuar më 2004 në Lubjanë.

Elife Luzha - Martin Berishaj

Në librin e tij, “Nga hapësira e trojeve në hapësirë të rrjedhave”, botuar në vitin 2004 në Lubjanë, politologu, dr. Martin Berishaj, trajton një sërë çështjesh me rëndësi që lidhen me zhvillimin e shtetit rajonal në Europë. Sot jemi dëshmitarë të proceseve të integrimit europian, ku, paralelisht, bashkëjeton një shumëllojllojshmëri kulturash nacionale.

Ruajtja e kësaj larmie përbën një vlerë të veçantë për bashkësinë europiane. Si rrjedhojë, çdo qytetar europian ka të drejtë të ketë rajonin e vet, meqë krijimi i rajoneve është një nga mënyrat  më efektive  për ruajtjen e kësaj dallueshmërie.

Rajonalizimi paraqet një formë të decentralizimit të pushtetit qendror dhe njëkohësisht  nënkupton një shkallë të dytë të vetëqeverisjes lokale, të vendosur ndërmjet shtetit dhe komunës, por që nuk ka pozitë juridike më të gjerë sesa bashkësia lokale ekzistuese. Ndryshe, rajoni konceptohen edhe si produkt i kohës moderne, të drejtat e të cilit duhet të sanksionohen qartë me kushtetutë.

Me fjalë të tjera, rajonalizimi paraqet një shkallë të re të organizimit territorial shtetëror në shtetet demokratike të centralizuar.

Sipas autorit Berishaj, koncepti i shtetit rajonal u afirmua pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse forma të organizimeve rajonale, si principata, njiheshin që në lashtësi. Në vitin 1975, Këshilli i Europës (KE) filloi zbatimin e politikës rajonale, dhe që nga ajo kohë, në dokumentet e Kuvendit të Rajoneve Europiane shkruhet se “rajonet janë pushtete lokale nën shkallën e pushtetit qendror, me pushtet politik të zgjedhur nga përfaqësuesit e rajonit”.

Rajonalizimi, sipas autorit, është një prirje bashkëkohore e organizimit shtetëror. Për këtë arsye, në mbarë Europën po bëhen përpjekje për krijimin e strukturave të tilla, duke qenë se ato konsiderohen si faktor që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin shoqëror.

Në kontekstin e zhvillimeve globale dhe të integrimeve ndërnacionale e mbinacionale, kufijt klasik të shtetit nacional duket se po e humbin gradualisht kuptimin e tyre. Në vitin 1985, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian miratuan Kartën Europiane për Vetëqeverisje Lokale (KEVL), ku janë përcaktuar edhe kompetencat rajonale. Qëllimi i kësaj Karte është zhvillimi i demokracisë dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve; për këtë arsye, si instrument juridik detyrues, ajo u rekomandohet jo vetëm shteteve anëtare, por edhe vendeve kandidate për anëtarësim. Parimet e KEVL-së janë inkorporuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale, pavarësisht faktit se Kosova aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe Bashkimit Europian e ka dorëzuar në vitin 2022.

Sipas Berishajt, qëllimet e rajonalizimit janë të shumëfishta: politike, ekonomike, kulturore dhe etnike. Megjithatë, praktikat rajonale tregojnë se shtetet rajonale mund të krijohen edhe për arsye tjera, siç është rasti i menaxhimit të shtratit të lumenjve që shtrihen në disa shtete, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në raste të veçanta, disa rajone mund të kërkojnë autonomi të plotë politike apo edhe shkëputje nga pushteti qendror, por këto janë kryesisht çështje politike, të cilat kërkojnë dialog dhe bashkëpunim të mirëfilltë demokratik ndërmjet niveleve të pushtetit.

Pos tjerash, Berishaj ka evidentuar edhe disa nga barrierat kryesore të rajonalizimit dhe, siç shkruan ai, barrierë kryesore është frika se rajonalizimi e dobëson tërësinë territoriale të shtetit dhe se me aplikimin e pushtetit rajonal, shteti përkatës s’do mund ta shtrinte autoritetin e vet në atë territor. Në anën tjetër, ekziston edhe shqetësimi se krijimi i një niveli ndërmjetës rajonal mund të dobësoj tërësinë territoriale të shtetit dhe se me aplikimin e pushtetit rajonal, shteti përkatës s’do mund ta shtrinte autoritetin e vet në atë territor. Megjithatë, praktikat e deritanishme tregojnë se shtetet që kanë vendosur institucione rajonale, kanë ndërtuar njëkohësisht edhe mekanizma juridikë për ruajtjen e integritetit territorial.

Në vijim Berishaj paraqet disa modele të vetëqeverisjes rajonale në Europë, të cilat mund të jenë të aplikueshme edhe në rajonet shqiptare në Mal të Zi, si Malësia e Madhe, Ulqini, Kraja dhe Ana e Malit. Sipas tij, lidhja ndër-rajonale e shqiptarëve do të përbënte fazën e parë të integrimeve shqiptare brenda kuadrit të integrimeve europiane. Për këtë arsye, shqiptarët, kudo që ndodhen, duhet të tregohen kreativ dhe bashkëpunues.

Në këtë kontekst, bëhet fjalë për të drejta të garantuara edhe nga KEVL-ja, e cila në pjesën e saj të parë përcakton kompetencat rajonale, përfshirë kompetencat vetjake,  autorizimet, marrëdhëniet me pushtetin lokal, bashkëpunimin ndër-rajonal, përfaqësimin  jashtë shtetit dhe bashkëpunimin në çështjet europiane.

Nëpërmjet shembujve konkretë, autori argumenton se pavarësisht prirjes së përgjithshme për rajonalizim në Europë, ende nuk ekziston një koncept rajonal i unifikuar dhe i pranuar nga të gjithë. Kjo ndodh sepse rajonalizimi, ashtu si çdo formë e vetëqeverisjes lokale, pengon interesa të caktuara të elitave politike, të cilat shpesh nuk janë të gatshme t’u mundësojnë qytetarëve realizimin e të drejtave  elementare të njeriut.

Në këtë kontekst duhen kujtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës në Serbi, të privuar nga të drejtat themelore, si dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët nuk gëzojnë më shumë të drejta se bashkëkombësit e tyre në Serbi.

Në pjesën përmbyllëse, autori përmbledh disa modele të shteteve rajonale në Europë, si Italia, Spanja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Belgjika, Suedia, Austria dhe Polonia, duke analizuar strukturën, shkallët e vetëqeverisjes dhe kompetencat e rajoneve në secilin rast.

Si përfundim, libri i Martin Berishajt përbën një studim të veçantë dhe me vlerë, i domosdoshëm për të gjithë ata që merren ose dëshirojnë të njihen me karakteristikat postmoderne të vetqeverisjes lokale dhe rajonale. Ai trajton një temë ende shumë pak të eksploruar në teorinë politike shqiptare duke ofruar një bazë solide për debat dhe reflektim akademik.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.