Anton Nikë Berisha
“Me të tilla zbulime, me fusha kaq të gjera e të mistershme për të përshkuar, me pasurimin teknik që vjen së këtejmi, me transcendencën e tij metafizike dhe me atë çka përfaqëson për njeriun e ankthshëm të kohës sonë, i cili te romani jo vetëm që sheh dramën e tij, po edhe kërkon orientim, si mund të mendohet se është një zhanër në rënie? Përkundrazi, mendoj se është veprimtaria më komplekse e frymës së sotme, më e plota dhe më premtuesja në atë përpjekje për të zhbiruar dhe shprehur dramën e tmerrshme që na ka rënë për hise ta jetojmë[2]”. /ERNESTO SABATO
Romani lloj letrar i ndërliqshëm që ndryshon vijimisht
Të gjithë ata autorë që janë marrë mirëfilli me studimin e romanit kanë theksuar me të drejtë se ai, si lloj letrar poetik, paraqet njërin ndër më komplekset brenda prozës, po dhe të artit të fjalës në përgjithësi. Kjo ngjet për arsye të mundësive të shumta për shtjellime, për të mos thënë të pafund, sidomos në rrafshin e mënyrës së të shprehurit gjuhësor poetik, pastaj për shumësinë e stileve, për marrëdhënie të veçanta kushtëzuese dhe ndërvarëse të shtresave rrëfimore e të përbërësve të tjerë që përligjin tërësinë kuptimore dhe artistike të këtij lloji[3].
Ndërliqësia e romanit shprehet me të dhënën, sikur thotë Mihail Bahtini, se ai është zhanër që përherë e gjurmon dhe e studion veten, duke i rishqyrtuar trajtat e veta formale. Në të vërtetë, ndërlikueshmëria e këtij lloji letrar shfaqet nga se ai është kosmopolit për prirjen e tij (Vigari) dhe cilësohet me të shprehurit gjithëpërfshirës letrar. Me pak fjalë, është njëri ndër zhanret më të hapur dhe më të pakufishëm, ku rrënohen vijimisht modelet ekzistuese. Së këndejmi, nëse dëshirojmë ta rimarrim mendimin e Shkllovskit se – atë që e quajnë zhanër, përnjëmend është njësi konfliktesh (do shtuar dhe kundër konvencionale) – atëherë romani mund të shërbejë si nga më tipikët. Vepra romaneske mund të jetë pasqyrë e realitetit jetësor dhe e përvojës së krijuesit, të ndërtohet rreth një ideje, një teme ose një objekti të caktuar, por ai mund të jetë pa objekt të mirëfilltë, larg formës dhe shtjellimit tradicional.
Romani synon të jetë thesar figurash nga jeta, ose matanë saj, të afërta ose përfytyruese e mitike, shoqërore ose poetike, që çdo herë shqiptohen ndryshe. Romansierit jo vetëm i lejohet t’i shmanget llojit, po çdo gjë në tekstin që e përfton, i takon vetëm realitetit romanesk, strukturës gjuhësore shprehëse dhe sistemit të ideve, që e bëjnë atë, siç do të thoshte. H. Xhejmsi, trajtën më të mrekullueshme të artit. Pra, romani është një krijim individual, ku liria e ligjërimit është e pakufishme; në të gjakohen e shprehen dukuri të ndryshme në gjerësinë dhe në thellësinë e tyre më të skajshme. Sipas Th. Hardit, në roman shfaqet dhembja që fshihet nën gjërat më të mëdha dhe madhështia që fshihet nën gjërat më të dhembshme. Kur gjithë kësaj ia shtojmë mendimin e Floberit se “Ajo që më duket e mrekullueshme, që dua të shkruaj, është një farë libri që nuk flet për asgjë, libër që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do të qëndronte vetëm me fuqinë e brendshme të stilit, sikur toka që qëndron pezull dhe nuk e mban asgjë”, atëherë përforcohet dhe më tej shumësia (polifonia) romaneske, që kushtëzoi e kushtëzon mendime të ndryshme, shpesh kundërvënëse, mbi veçantitë e natyrës së tij, veçmas mbi transformimin që ai përjetoi prej kohës së lindjes e deri më sot.
Nga rrafshi i qasjes, i shtjellimit dhe i të shprehurit poetik, romani modern del faktikisht si antiroman, përkatësisht zhanër që i kundërvihet vetes (në kuptimin e ndërrimeve që përjeton). Në të vërtetë, romani modern dëshmon më së miri për mundësi të pakufishme shtjelluese dhe për cilësinë e gjjithëpërfshirjes dhe të gjithanësisë, që nuk e cilëson në këtë mënyrë asnjë lloj tjetër të artit të fjalës.
Për këtë veçanti të romanit modern shkrimtari i shquar argjentinas, autor i disa romaneve, Ernesto Sabato, thoshte: “Dhe, nëse klasifikimi i veprës letrare sipas zhanresh të ngurta nënkupton përherë një orvatje të përcaktuar që të dështojë, kur është fjala për romanin, kjo përpjekje është kryekëput e kotë, sepse ai përbën një zhanër karakteristika e vetme e të cilit është se i ka pasur të gjitha karakteristikat dhe i ka pësuar të gjitha shkeljet[4]”. Duke e përimtuar edhe më tej natyrën e romanit modern, Sabato shton: “Me pak fjalë, romani i shekullit XX jo vetëm paraqet një realitet më kompleks dhe më vërtetësor se ai i shekullit të kaluar, por ka fituar një dimension metafizik që ai nuk e kishte. Vetmia, absurdi dhe vdekja, shpresa dhe dëshpërimi, janë tema të përhershme të krejt letërsisë së madhe[5]”.
Qenësia e rrëfimit poetik
Vepra letrare matet dhe është e vlefshme para së gjithash për mënyrën e shqiptimit poetik dhe të shumësisë së kumteve poetike që dalin prej tekstit të saj, për format e mëvetësishme të rrëfimit që autori i zbaton dhe për forcën e ndikimit estetik që ajo krijesë letrare mund të bëjë në lexuesin. Të gjithë përbërësit e tjerë të veprës letrare renditen pas këtyre. Kjo ngjet për arsye se, siç thotë Ernesto Sabato, “Vepra e artit kurrë nuk është një soditje e thjeshtë: është një veprim që kryhet midis unit tonë dhe botës, një veprim që e ndryshon botën dhe unin[6]”.
Natyrisht, edhe romani hyn në këtë përcaktim e rrjedhë: të shprehurit poetik është përbërësi qenësor, pa marrë parasysh se çfarë qasjesh, shtjellimesh dhe mënyrash shprehëse ose çfarë strategjie përdor autori në hartimin e tij. Parë nga ky këndvështrim, pikërisht gjerësia dhe pakufishmëria në vëzhgimin e dukurive dhe të shumësisë së mënyrave të shqiptimit, mënyrat e shumta të zbatimit të gjuhës poetike dhe e të shprehurit poetik, jo vetëm tek romanet e ndryshëm, por dhe tek i njëjti, i jep romanit sa mëvetësinë e llojit letrar, po aq dhe vlerën e pamohueshme.
Duke iu shmangur modeleve të përcaktuara, duke synuar që t’i zgjerojë format e vrojtimit dhe të shprehurit poetik, romani mundëson një shumësi të stileve dhe të mënyrave të të shprehurit gjuhësor poetik më të parëndomtë. Si i këtillë romani modern dëshmon vlerën dhe forcën e tij, duke u ngritur në atë rrafsh që nuk e ka pasur asnjëherë më parë.
Gjithë kjo dëshmohet dhe në romanin e Visar Zhitit “Funerali i pafundmë”, botuar në Tiranë më 2003.
“Funerali i pafundmë” – roman modern i mirëfilltë”
Romani “Oh” i Anton Pashkut, i cili u botua më 1971 nga “Rilindja” e Prishtinës[7], i dha jetë një mënyre sa të veçantë aq dhe të rëndësishme të shprehurit dhe të shtjellimit poetik të tekstit letrar, që nuk ishte njohur më parë në letërsinë tonë[8]. Para këtij romani Pashku shkroi dhe botoi, duke filluar nga viti 1955 (vëllimin e parë Tregime e botoi më 1961), një numër tregimesh e novelash me këtë frymë[9].
Nuk është vetëm mënyra e qasjes dhe e shqiptimit të objektit poetik, shtjellimi i tekstit të romanit, po para së gjithash është gjuha poetike që e bënte “Oh”-in roman për shumëçka të veçantë dhe të rëndësishëm në letërsinë tonë[10]. Jan Mukaržovski thoshte se pikërisht gjuha poetike është “[…] më e afta nga të tjerat që të mbajë gjallë vijimisht raportin e njeriut ndaj gjuhës dhe të gjuhës ndaj realitetit, që vijimisht dhe në mënyrë të re të zbulojë shenjën e brendshme të sistemit gjuhësor dhe të tregojë mundësitë e reja të përdorimit të saj[11]”.
Se romani “Funerali pafundmë” i Visar Zhitit është një krijesë e mirëfilltë moderne, bindemi nga faqja e parë, ku autori ka vënë titullin: “Fletë e grisur nga fundi për t’u lexuar si fillim”, pastaj nga epilogu i emërtuar “Antifunerali”, po dhe nga kreu i fundit (LXVI), që s’ka fare tekst. Edhe sikur autori të mos i kishte shënuar këto të dhëna në tekstin e romanit, nga mënyra e rrëfimit, nga gërshetimi i shtresave rrëfimore, që e ndjekin njëra – tjetrën, ballafaqohen ose kundërvihen, qoftë në formën e rrathëve, qoftë në vijën vertikale, pastaj nga mënyra si është zbatuar koha subjektive, që nuk u nënshtrohet parimeve të kohës konkrete (historike), nga ndërlidhja e botës së brendshme të individit (rrëfimtarit) dhe të botës së kolektivitetit (në pamundësi që të vihet një kufi ndarës se ku zë fill njëra e ku mbaron tjetra), pastaj të simbolikës dhe figurshmërisë së gjuhës me të cilën është hartuar teksti, zbatimi dhe gërshetimi shpesh i botës së ëndrrës dhe i përfytyrimit, marrësi bindet se Visar Zhiti e ndërton romanin e vet mbi bazën e të gjithë përbërësve të prozës moderne, që në letërsitë e tjera kishin filluar shumë më parë.
Ai nuk ndjek një shembull ose një autor, as ndonjë model përkatës; Zhiti e përfton një rrëfim që në qenësi ngrihet nga të shprehurit e mëvetësishëm, që është fryt i shpirtit dhe i përvojës vetjake; është rrjedhojë e shijes së tij për artin e fjalës dhe e nevojës që kumtet të ndikojnë para së gjithash, estetikisht në marrësin. Pra, autori ka zgjedhur edhe mënyrën e mëvetësishme, edhe stilin, edhe shtjellimin, që ndërlidhen e kushtëzohen nga njëri – tjetri dhe bëjnë dhe ndikojnë si një tërësi. Në të njëjtën kohë shprehet realiteti përkatës, po edhe përftohet, përmes një teksti poetikisht të pasur e të lartësuar, një realitet tjetër, ku asgjë nuk është dominuese, po asgjë nuk është e parëndësishme. Përmes rrëfimit shumë shtresor, jo vetëm rrënohet koncepti i mbështetjes së pandërmjetme të realitetit konkret (të përditshëm), vijimësia e ngjarjes, po në qenësi i kundërvihet atij realiteti.
Gjithë kjo nuk shprehet përmes pohimit e retorikës, po përmes simbolikës dhe figurativitetit të tekstit të përftuar. Zhiti nuk i zhvesh, as dukuritë, as mendimet; nuk i vë ato në një rrafsh të thjeshtësuar (cilësi e teksteve që s’kanë natyrë poetike), po synon t’i vëzhgojë e t’i shprehë ato në rrafshe të ndryshme dhe shumësore. Edhe vetë rrëfimtari shpesh dëshmohet subjekt që ka pikëpamje të ndryshme rreth të njëjtës dukuri ose për synimet dhe fatin e tij; herë i takon vetvetes, herë është vetëm hija e tij; herë është bindës në atë që rrëfen, herë përligj se gjithë ajo është vetëm një vegim, një ëndërr e beftë ose vetëm këmbim i asaj që përjetohet ose gjakohet – si cak jete ose si mohim. Ngjet kështu nga se “[…] tema e madhe e letërsisë nuk është më aventura e njeriut që vërsulet për të pushtuar botën e jashtme, po aventura e njeriut qe eksploron humnerat dhe guvat e shpirtit të vet[12]”.
Sistemi që e zhveshi shpirtërisht individin
Në romanin “Funerali i pafundmë”, brenda rrëfimit të menduar e poetikisht të ngritur, shqiptohen rrafshe e aspekte të jetës së shqiptarit në sistemin komunist, të shtrirë në një vertikale dhe horizontale sa të gjerë, aq dhe të thellë; ligësitë dhe pasojat që përjetuan njerëzit në jetën e përditshme; absurdi i veprimeve, ku individi e pësoi në format nga më të ndryshme, sidomos në rrafshin shpirtëror. Në marrëdhëniet shoqërore të tilla individi nuk është më i vetvetes; nuk duhet të ketë mendim të vetin, po të mendojë si shumica; duhet ta përligjë mendimin e njëjtësuar; bëhet trup i përbashkët i turmës, masë tallazuese që i nënshtrohet logjikës kolektive të përcaktuar nga politika; e braktis vetveten dhe shndërrohet më tepër në objekt që përdoret nga udhëheqësit e sistemit dhe shndërrohen në shërbyes, koncept ideologjik i shndërruar në epidemi të rrezikshme. Individin nuk e cilësojnë vlerat morale dhe ndjeshmëria e natyrshme e subjektit të natyrshëm. Pra, në roman bota e brendshme e individit shprehet e njësuar me atë kolektive. Kjo mënyrë e qasjes dhe e të shprehurit ka mundësuar ndërliqësinë e shqiptimit të dukurive e të botës së vështruar; njohja e botës së brendshme të një individi nënkupton njëherit dhe njohjen e botës së brendshme të tjetrit.
Në romanin “Funerali i pafundmë” s’ka personazh kryesor në kuptimin e romanit tradicional, siç s’ka vijimësi të ngjarjes. I vdekuri i madh, i vdekuri i gjithëkundshëm, njeriu i rëndësishmi, që është në arkëmort, në krye të funeralit, nuk rrëfen, nuk është i pranishëm në rrjedhën e veprimit konkret të romanit. Edhe pse autori e ka lënë në prapavijë shkaktarin kryesor të funeralit, jo vetëm i atij konkret (kur është në arkëmort dhe të tjerët i shkojnë mbrapa), ai është i pranishëm me atë që ka ngjarë, me pësimet dhe tragjikat paraprake, që janë rrjedhojë e veprimeve dhe e udhëheqjes së tij.
I vdekuri i madh jo vetëm ishte nxitësi dhe përmbushësi i pësimeve dhe i vdekjeve edhe kur ishte gjallë, kur udhëhiqte funeralin e jetës së njerëzve, po ai edhe në funeralin e fundit në arkëmort vazhdon të jetë shkaktar i vdekjeve të tjera.
Simbolika shumësore e funeralit
Një nga veçantitë dhe qenësitë e romanit “Funerali i pafundmë” është shumësia e simbolikës që autori i ka dhënë në tekstin e përftuar. Pra, s’kemi të bëjmë me një funeral të rëndomtë, me një akt konkret që lidhet me përcjelljen e një të vdekuri, siç thuhet figurativisht, në banesën e përhershme, po për një funeral që ka ndodhur edhe më parë, ka filluar më herët, po që edhe në çastet kur i vdekuri është në arkivol, vazhdon për arsye se vazhdon pësimi dhe tragjika; është një funeral që ngjet edhe brenda rrëfimtarit, po dhe brenda atyre që marrin pjesë në funeral, të cilët shkojnë pas njeriut të madh si funeralistë.
Nisur nga rrënimi shpirtëror, moral dhe material, nga pasojat e shumta e të vijueshme, që njeriu ynë i përjetoi gjatë sistemit komunist, ku në qenësi jeta ishte shndërruar në një varr të madh të gjallë, secili në mënyrën e vet e përjetoi funeralin, për të marrë një përmasë edhe kolektive.
Me pak fjalë, funerali është një vazhdimësi, një shtrirje e pa fund; njerëzit që e bëjnë atë janë të shumtë (vargan rreshtash të çrregullt); janë të kohëve e të brezave të ndryshëm; shkohet drejt varrit pa marrë parasysh se ka vdekur dikush ose duhet të vdesë; nuk dilet dot nga radhët e funeralit edhe kur ndodhin gjëra të papritura e të rënda; është funerali më i gjatë që mund të jetë parë; degëzohet e shtrihet në të kaluarën, në të tashmen, po janë të gjitha shenjat që do të vazhdojë dhe në të ardhshmen.
Romansieri ynë e shqipton funeralin si një përshumim i ankthëm dhe i vijueshëm; është rrjedhojë e tundimit të vetëdijes për një periudhë kohe të gjatë, e vetëdijes së fjetur, e dukurisë që njëri për tjetrin bëhet ujk; është një marshin, më mirë një ortek (ose si i thonë arbëreshët e Italisë: një rrungajë), që përplasët mbi secilin dhe mbi të gjithë; ata e bartin vdekjen në shpinën e tyre dhe shkojnë drejt vdekjes, njësohen me vdekjen e njeriut të madh, që është në arkivol në krye të funeralit. Pikërisht, arka me të vdekurin në të, është arka lavdidhënëse dhe ajo i ka tërhequr (“Njërin krah e ka ma të ulët nga pesha e dikurshme”) dhe i tërheq njerëzit drejt varrezave dhe frymësisë së vdekjes. Me një fjalë, funerali me të vdekurin në arkivol e përligj majën e rrënimit shpirtëror dhe të pësimeve të ndryshme e të shumta (“Po na shkon jeta dëm pas një arkivoli”).
I vdekuri në arkivol është i shumëkohshëm, siç ndodh me vdekjen; kur vdesin diktatorët (sipas tyre) sikur vdes i gjithë vendi, sikur vdesin të gjithë njerëzit!
Funerali, siç u tha, është nisur para se i vdekuri të vihej në arkivol; secili shtegton brenda vetes dhe drejt funeralit të vet, drejt vdekjes; vdekja është vendosur brenda secilit; në arkivol nuk ishte vetëm i vdekuri; aty brenda është edhe vetë rrëfimtari (“[…] brenda të cilit një i gjallë, i shtrirë përmbys, shkruan dhe shkruan…”) po dhe të gjithë: “Ne, kush tjetër!” nga se “Gjithë jetën ecën pas tij”. Kjo dëshmon se realiteti është shndërruar në vegim dhe vegimi në përditshmëri; njerëzit janë katandisur aq shumë brenda tyre, sa gjallimi më shumë i përngjet realitetit të ëndrrës: gjërat ndodhin në bazë të parimeve krejt të tjera përballë asaj që duhet të ndodhin në jetën reale të njeriut, në veprimin e përditshëm të tij: “Ne jemi tashmë në ëndërr” dhe “Pashë ëndërr sikur jemi në ëndërr”.
Natyrisht një gjallim i tillë, jeta është shndërruar në një funeral, të cilit nuk i dihet as fillimi as mbarimi; koha ka mbetur pezull; as e shkuar, as e tashme, as e ardhshme. Në ndonjë çast njeriu vetëdijesohet dhe e pyet veten: “Mos ecim mbrapshtë ne” ose “Si u bëra befas korb!” ose “Nëse gjysma ime është bërë kafshë, ndamëni me shpatë!”, jo për ta shmangur pjesën kafshore të tij, po atë të njeriut: “S’e dua më pjesën e njeriut!”
Një jetë e tillë brenda tundimeve të ferrta qe dhe është me pasoja të rënda e të pashmangshme: njerëzit jetuan dhe jetojnë në dyshime dhe nuk janë të vetvetes; kur nuk je i vetvetes nuk je as i tjetrit, as i shoqërisë: “S’di cila është kufoma jote e cila e tjetrit?” nga se është “Varreza që lëviz bashkë me ne”.
Shqiptimi poetik si ballafaqim dhe kundërvënie
Një cilësi tjetër e romanit “Funerali i pafundmë”, që i jep atij një vlerë të lartësuar dhe të përhershme është të shprehurit poetik[13], ku dukuritë dhe mendimet ballafaqohen dhe kundërvihen ose kur përftohen pamje poetike të pasura dhe të parëndomta.
Kur thellohesh në qenësitë e tekstit poetik të romanit të Visar Zhitit “Funerali i pafundmë” vëren dy çështje kryesore: ajo që thuhet në roman shprehet përmes teksti poetik të ngritur, përmes pamjeve poetike, përmes të shprehurit figurativ, që shënjon një periudhë kohe në botën shqiptare, që më shumë përafrohej me funeralin dhe me vdekjen sesa me jetën që njeriu duhet ta jetonte.
Për të dëshmuar këtë mënyrë të shqiptimit, po sjell dy shembuj:
“ti që sheh herë pas here atë shprishje të yjeve lart, ato flakëza qirinjsh të një morti të përjetshëm, ç’zbulove aty? Ç’të thonë galaktikat e largëta, planetët që enden, kometat e kobshme? Pse dridhen sikur të jenë ngrica sipërane e ndjenjave tona, mornica të bëmave që u ngjitën qiejve dhe digjen, digjen me flakëza të ftohta, që largohen vazhdimisht sikur të mos e duronin dot dëshpërimin tonë?” (f. 99)
* * *
“nga retë, që qenë ulur aq shumë, sikur të kishin pesha të tjera përsipër dhe nuk i mbanin dot, nisën të rrokulliseshin copëza të bardha mermeri. Mos po shembeshin lart varre perëndish? Dhe binin gurë të bluar, plumba do të qe më mirë, vritnani sa më parë, por jo, ishte borë pikëllimtare me flokë të mëdhenj” (f. 139).
Teksti me cilësi të këtilla mundëson një shqiptim më të ndërliqshëm e më të thellë të dukurive e të botës së brendshme të njeriut, po dhe të rrethanave dhe kundërthënieve shoqërore e politike, në krahasim me rrëfimin e të shprehurit e rëndomtë.
Zhiti nuk zbaton ndonjë model të caktuar të ballafaqimit dhe të kundërvënies së dukurive dhe të mendimeve; ato i shpreh ashtu si i vinë, natyrshëm, pa sforcim, sipas rastit dhe mënyrës kur ato zënë vend në tekstin e romanit. Përdoren sidomos kur autori përfton pamje tronditëse, gjendje rrëqethëse, tragjika të mëdha e të pafund, që shtrihen në kohë dhe në hapësira të ndryshme. Shprehja se funerali është pa fillim dhe pa mbarim, se është edhe nuk është në lëvizje, që mbërrin në asgjëkund, pra është diçka që sillet në rreth, është dëshmi e vijimësisë së pësimeve, po njëherit edhe një lloj shpëtimi: i çon drejt vdekjes dhe shpëtimit! (“Jo të shpëtosh, por të mbarosh sa më parë!”).
Të shprehurit mbi parimin e ballafaqimit dhe të kundërvënies në këtë roman përligjet sidomos me atë që ndodh në botën e brendshme të individit dhe të kundërthënieve që shfaqen në mendimet dhe në logjikën e tij; të merresh me botën e brendshme të njeriut, me pësimet dhe tragjikat që shprehen aty, domethënë vetvetiu të ballafaqohesh me kundërthënie te shoqërisë, të ndriçosh një botë të ndërliqshme të dyfishtë: individuale dhe kolektive. Në sistemin e tillë individi nuk duhet të ketë e të shprehë mendimin e vet të lirë; duhet të jetë vetëm një miratues i asaj që thonë të mëdhenjtë; të flijojë çdo gjë të veten, edhe jetën, për të mirën e drejtuesve.
Kjo ngjet edhe gjatë kohës së përcjelljes së funeralit me të vdekurin në arkivol; ata frymojnë brenda një marramendje të përgjithshme; peshën e arkivolit e ndiejnë më shumë ata që nuk e bartin: “Do t’i dukej gjithçka e mugët nëse s’do t’i vinte supin e vet arkëmortit”. Gjithë kjo ndodh nga fakti se “U përzje ferri me jetën tonë të përditshme”. Edhe në funeralin me të vdekurin në arkivol zbatohen rregullat e sistemit; për hir të udhëheqësit, të tjerët duhet t’i bashkohet vdekjes së tij, ta bëjnë atë më të denjë, më madhështore!
Pra, edhe në funeralin me arkivol në krye (“varrim më i rëndësishëm se jeta”), gjithçka i nënshtrohet hierarkisë dhe pësimeve; as aty nuk merren vesh dot me njëri – tjetrin; ndodh që të ndërrohen edhe kryesuesit (drejtuesit) e funeralit (“U interesonte dëshpërimi i popullit”), po pësimi dhe tragjika nuk ndryshojnë, vijojnë në të njëjtën mënyrë. Pjesëmarrësit e funeralit bartin mbi supet e tyre vdekjen dhe mosvdekjen, asgjënë e vdekur dhe asgjënë e gjallë; secili bëhet një funeral; udhëtohet nëpër atë që nuk është! Kjo përligj botën e vegimit dhe të ëndrrës, ku gjërat funksionojnë dhe marrin kuptime të tjera e të ndryshme.
Ndonjëherë fitohet përshtypja se rrëfehet nga gropa e zjarrit; janë vetëm copa mendimesh e fjali të papërfunduara, të paplota. Këtë e dëshmon dhe kreu 54, që si tekst ka vetëm klithjen Ah! (që të kujton romanin e Anton Pashkut “Oh”), ndërsa kapitujt më të “gjatë” janë ata pa tekst si ata numër 49 dhe 66; lexuesi i mësuar dhe i përshtatur me sistemin e të shprehurit të zbatuar në roman (duke lexuar tekstin), do ta vazhdojë në mendje këtë mënyrë shqiptimi, duke i dhënë ngjyrën dhe frymësinë e shpirtit dhe të botës së vet.
Edhe në funeral përligjet lufta e klasave, po dhe në varreza! Për t’i pikëzuar gjendjet dhe veprimet e njerëzve autori përdor shprehje tepër të veçanta: “Hëna gropë varri në qiell!”, “Toka mrekullisht e mallkuar”; “S’duhej të ishte një kufomë brenda arkës, por shumë”; “ngrita kokën i shushatur dhe pashë të drunjëzuar qiellin e arkivoltë, të brejtur nga krimbat e yjeve”; “një hum(b)nerë… jo poshtë nesh, por sipër… si prej resh”. Edhe vetë rrëfimtari e pyet veten: “Po kush jam unë? Kjo gjysmë apo tjetra? Të dyja mbas asnjëra?”. Pra, edhe realiteti, edhe përfytyrimi në tekstin e romanit shprehen përmes kontrastit: “Ndoshta ne ishim pasqyrimi i funeralit të reve, pra gjendja irreale e një vuajtje të madhe, që s’mbaron”.
* * *
Në fund them se rrëfimi i Visar Zhitit për funeralin e botës sonë e të njeriut tonë, brenda një sistemi politik rrënues dhe vrasës, pësimet dhe vuajtjet e shumta të njerëzve, shkaktojnë, shndërrohen në dhembje të pafund dhe vështirë që nuk duhet të mësohet nga ato. Njëmend autori niset nga dukuritë konkrete të njeriut e të botës sonë, po ato shtrihen vetvetiu edhe te njerëzit e vendeve e të kulturave të tjera, të cilët kanë përjetuar funerale të ngjashme me atë të njeriut tonë; konkretja vetvetiu shtrihet dhe shenjëzon të përgjithshmen; ato janë të ndërlidhura dhe kur shprehen përmes tekstit poetik, dalin më të vlefshme dhe bëhen më të qenësishme dhe si të tilla ia dalin të përmbushin më lehtë edhe atë që thotë rrëfimtari në roman: “[…] do të vijë dita e do të zgjohemi e s’do të jemi më funeral” (f. 72).
Prishtinë, janar 2022
[1] Rreth romanit të Visar Zhitit “Funerali i pafundmë”. Botimet “OMSCA”, Tiranës 2003.
[2] Ernesto Sabato, Shkrimtari dhe fantazmat e tij. Përkthyen nga origjinali: Edlira Hoxholli dhe Bashkim Shehu. Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2015, f. 103.
[3] Shih më shumë për çështjet e romanit Mihail Bahtin, O romanu. Prevod Aleksandar Badnjarević. “Nolit”. Beograd 1989; shih dhe punimin tim Romani – zhanër pa kanone. Në veprën time “Çështje teorike të letërsisë”. Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 139 – 142.
[4] Ernesto Sabato, Shkrimtari dhe fantazmat e tij, vep e përm., f. 99.
[5] Ernesto Sabato, po aty, f. 103.
[6] Ernesto Sabato, po aty, f. 33.
[7]Për romanin “Oh”, për tregimet dhe dramat e Anton Pashkut shih vëllimin Në mbretërinë poetike. Kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha. “Shpresa” – Kuvendi Salezian, Prishtinë 2002.
[8] Shih për romanin “Oh” punimet e mia: Konstantet stilistike ose mbi stilematikën e një proze. Në “Fjala”, 15 qershor 1977, f. 6-7 dhe Metaforika e tragjikes, e absurdit, e protestës. Në “Fjala” nr. 13, 1980, f. 8 dhe 13.
[9] Shih punimin tim për tregimin “Kulla” të Anton Pashkut: Vetëdija mitike e qenësisë dhe e qëndresës. Në “Rilindja”, 29.07, Prishtinë1989, f. 11.
[10]Më 2002 botova në Prishtine romanin Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar. Faik Konica, Prishtinë 2002. Për këtë roman u shkruan dhe u botuan 52 punime nga autorë shqiptarë dhe italianë (meqenëse romani u përkthye edhe në italisht me titullin La sete pietrificata.Romanzo. Traduzione di Albana Alia. “Luigi Pellegrini” Editore. Cosenza (Itali) 2013. Shih Vëllimin – Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike. 52 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Zgjodhën dhe përgatitën për botim Albana Alia& Labinot Berisha. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2019; Romanzo di estremabelleza. Ventiduescrittori e studiosi italiani e arbëreshë sul romanzo “La sete pietrificata” di Anton Nikë Berisha. A cura di Albana Alia& Labinot Berisha, “Faik Konica”, Prishtinë 2016.
[11]Jan Mukaržovski, Struktura pesničkoga jezika. Teze Praškog lingvističog kružoka. Zavod za udžbenike i nastavna sredstva. Beograd, 1986, f. 52.
[12] Ernesto Sabato, Shkrimtari dhe fantazmat e tij, vep. e përm., f. 120.
[13] Shin për veçantitë dhe rëndësinë e tekstit poeti të veprës letrare librin Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (me Labinot Berishën). “Faik Konica”, Prishtinë 2017.