Musa Kurtulaj
Ka lindur prej kohësh një tip i çuditshëm shqiptar, aq i çuditshëm sa e vështirë të gjesh shembull si ky diku tjetër. Është shqiptari që i neveritet Shqipëria. I neveritet toka, njerëzit, institucionet, politikanët, bizneset, ajri, drita, vetë fakti që është shqiptar. Për të, vendi është i mbaruar dhe duhet braktisur menjëherë; njerëzit janë të korruptuar, trafikantë dhe kriminelë; institucionet janë fallco; arsimi, shëndetësua dhe drejtësia të parëndësishme; bizneset janë mashtruese; partitë janë banda; politika është gropë pa fund…..e të tjera! Ky njeri nuk beson në asgjë — as në veten, e jo më në shoqërinë ku jeton. Ka krijuar një doktrinë të tërë mosbesimi, një filozofi dështimi që e përdor si arsyetim universal për çdo pengesë, çdo zhgënjim, çdo mospërputhje me realitetin.
Ky fenomen nuk është thjesht pesimizëm, nuk është as thjesht pakënaqësi ndaj kushteve të vështira që i njohim të gjithë. Ky është një nihilizëm shkatërrues që e grindë vendin nga brenda më keq se çdo qelizë e korruptuar e politikës. Shqipëria është plot probleme, askush nuk kundërshton këtë, por ky tip shqiptari nuk shikon probleme — ai shikon vetëm shkatërrim! Dhe kur një njeri sheh vetëm shkatërrim, nuk prodhon as kritikë, as ide, as përpjekje: prodhon dorëzim, përçmim dhe helm shoqëror.
Ky mentalitet ka krijuar një atmosferë ku gjithçka konsiderohet gënjeshtër, mashtrim, mashtruese, farsë. Në këtë klimë mosbesimi absolut, çdokush futet në të njëjtin thes. Nuk ka më individë të mirë apo të këqij, punëtorë apo dembelë, profesionistë apo matrapazë — ka vetëm një turmë të errët ku të gjithë “janë njësoj”. Kjo nuk është analizë, por mendjelehtësi; nuk është mençuri, por arrogancë e paketuar si inteligjencë. Është mënyra më e lehtë për t’u ndjerë i drejtë pa bërë asgjë për t’i ndryshuar gjërat.
Ky njeri e ka bërë ikjen ideologji. Jo zgjedhje, por mision. Për të, njeriu s’bëhet në Shqipëri. Por ironia është se shpesh as jashtë nuk gjen paqe, sepse problemin e ka marrë me vete: syzet e errëta që ia zëvendësojnë realitetin me zhgënjim. Edhe kur sheh një dritë suksesi, e quan rastësi; edhe kur sheh përparim, e quan mashtrim. Ai nuk gëzohet as për vendin e vet, as për veten e vet, dhe as s’pranon të shohë nuancat e jetës, sepse është më e rehatshme të thuash: “Të gjithë janë të këqij”, sesa të pranosh se ndoshta problemi fillon diku edhe tek vetja.Kjo është një lloj autopërbuzjeje që kthehet në identitet, një formë vetë-mohimi që e bën njeriun të huaj në vendin e vet dhe armik të çdo përpjekjeje për punë të dobishme. Në këtë kuptim, ky fenomen është më i rrezikshëm se korrupsioni apo krimi, sepse ata janë plagë të dukshme, ndërsa mosbesimi total është helm që nuk duket, por ngjit shpejt, paralizon vullnetin kolektiv dhe shuan shpresën.
Shqiptaria nuk ka nevojë për lavdërim të verbër, por as për këtë lloj dorëzimi patologjik. Kritika është e dobishme, përmirësimi është i domosdoshëm, por të besosh se gjithçka shqiptare është e kalbur është mënyra më e sigurt për të mos ndërtuar kurrë asgjë, sepse vendet nuk i bëjnë muret, por njerëzit.Ata që urrejnë gjithçka të vetën nuk ka se si të ecin përpara. Shqipëria mund të ketë shumë probleme, por problemi më serioz sot është ai shqiptar që nuk sheh më asnjë vlerë në vendin e tij. Ky tipar duhet demaskuar jo për t’u përçmuar, por për t’u çliruar nga e keqja që prodhon. Vendi bëhet vetëm nga ata që besojnë se mund të bëhet — e jo nga ata që mezi presin ta shohin të dështojë.











