Miradije Ramiqi, DASHURIA FLET ME ZEMRËN E DIELLIT, zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, botoi Sh. B. FAIK KONICA, Prishtinë 2014, faqe 178+178. Libri është botuar në dy gjuhë: shqip-italisht. ISBN 978-9951-06-505-4
Vëllimi me poezi të zgjedhura DASHURIA FLET ME ZEMRËN E DIELLIT, për Miradije Ramiqin, përmbush ëndrrën për të prezantuar mozaikun lirik. Kjo vlerë merrë konotacion të shumëfishtë, veçmas dhe veçanërisht kur përzgjedhjen dhe parathënien e librit e ka shkruar profesor Anton Nikë Berisha, i cili si asnjë studiues tjetër njohje në çasjet që ia bënë letërsisë shqipe, por në rastin konkret determinues është vet poezia me shije artistike e cila imponon mundësi për të realizuar këtë mozaik lirik kaq mirë dhe kaq artistikisht.
Miradije Ramiqi, në poezi dhe artet pamore, e ka përmbushur mozaikun artistik, andaj është bërë emër i njohur dhe e respektuar. Ajo i takon plejadës së shkrimtarëve: Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ramadan Musliu, Teki Dërvishi, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Ibrahim Kadriu, etj. me të cilët e kanë skalitur mozaikun artistik në Kosovë, qysh në vitet e shtatëdhjeta kur Kosova frymonte shqip falë kontributit të atij brezi që i përkiste edhe vet autorja. Nga kjo që tham, nuk është rastësi pse libri niset pikërisht me vargun SKALITJA E BUZËQESHJES, në të cilën Miradija shprehet:
Në tri ngjyra të vizatova fytyrën
Engjëll i shpirtit tim
më mbylle në një kornizë të vrugtë
Në tri harqe ta skalita buzëqeshjen
djall nëpër trupin tim të lig
më ktheve mbrapsht deri te burimi
të pi lotin tim në rënie
Më ngujove në ngjyrën e parë të hijes sime
fytyra më mori peizazhin tënd të blertë
e i emërtova gjërat me Ty, mëkatar
Poezia SKALITJA E BUZËQESHJES, faqe 19.
Në mënyrë të beftë ajo shprehet: “Para se të shkelësh në mua// Mëso dhe një herë paturpësisht/ për mëkatin e atij/ që të ka ëndërruar”, (poezia MBARIMI I LOJËS, faqe 20). Po ashtu kemi vargun revoltues që padyshim përfaqëson karakterin e saj njerëzor. Poezitë dhe vargjet shpeshherë prezantojnë atmosferë reale, gjendje e tensionuar që ka ndikuar në formimin poetik, herë më hermetik, e herë tjetër poezia shpreh realitetin me butësi lirike.
Miradije Ramiqi, është produkt i rrethanave nëpër të cilat kaloi Atdheu, atëherë kur “në kthinën e kësaj nate/ u diktua edhe një dritare/ prej nga të shikoj në vetmi/ me katër sy shigjete”, (poezia NË KALTËRSINË E SYVE, faqe 23). Por karakteristikë më dalluese e këtyre lirikave janë elementet e artit figurativ a të pikturës ku janë përdorur si motiv e herë si simbolikë, p.sh.: Studio, peizazhi, hija, retë, ujërat, pëlhura e letra, kornizat si dhe veglat e punës, brusha, lapsi, ngjyra, vaj, akuareli etj., krijojnë identitet specifik dhe të qëndrueshëm, kurse si stil, vargu është më i veçantë me përthurje e ndërthurje me kulturë.
Edhe ata që nuk kanë njohje për autoren do të besojnë se ajo ka njohje të thellë për artet pamore, qoftë si imazhe e qoftë si tematikë në rrafshin ideomatik, ku zënë vend përshkrimet e peizazheve artistike të cilat vet poetesha i ka pikturuar jo vetëm si sfond i imagjinuar por si realitet i përjetuar: “Një copë gjelbërim ta arnova/ në ecjen tënde deri tek unë pikturë”, me të vetmin ndryshim në mes lirikës dhe pikturës “mëkati të arriti/ si e vetmja bukuri që shijohet”, pra poezia si e tillë vetëm ndijohet!
Metaforën dhe simbolikën që lidhet me artin pamor i kemi me bollëk, prandaj më poshtë po i sjell disa vargje me nuanca nga arti pamor: Akuareli, Allçia, Blloku i vizatimit, Brusha, Korniza, Letra, Ngjyra, Peizazhi, Pëlhurëa, Piktura, Portreti, Skulptura, Studio, Vijat, Vizatimi, etj.:
Akuareli: “Ajo fushë e bardhë akuareli”.
Allçia: “Duke i nxjerrë duart nga allçia”, “sa nuk të kam mbuluar me allçi”.
Blloku: “U zgjua, nga blloku im i pagjumë”, “e mbylla brenda bllokut tim”, “ti u ktheve sërish në bllokun vizatimor”, “ti zbrite nga blloku vizatimor”.
Brusha: “Brusha kallet flakë”, “brusha u ngjiz në atë pëlhurë të pikëlluar”, “në majë të brushës të zbrita”, “ta krijoj buzëqeshjen me majën e brushës”, “ti vallëzon në majë të brushës”.
Korniza: “Dil nga korniza sa nuk të zunë ngjyrat”, “dil nga ngjyrat që të zunë në kornizë”, “e mbyll në kornizë ngjyrën e dashurisë”, “i (k)thyer në kornizë”, “në kornizë dashuri përtej dhembjes”, “në kornizë mbyllim mallin”, “në kornizë të shpirtit jetoj artistikisht”, “toka ime mbyllur je në kornizë”, “zogu i parajsës doli nga korniza”.
Letra: “Të tërheq më pranë, për ta ndjerë ngrohtësinë, në letrën e bardhë”.
Ngjyra: “Në varg e në ngjyrë”, “ngjyrat ta vodhën edhe buzëqeshjen”, “para se të zë ngjyra e parë”, “para se ta ngjiz ngjyrën e dytë”, “ringjall rinjohjen në ngjyrë”, “ringjallje plot ngjyrë dashuri e vrarë”, “të shpirtërova në një ngjyrë”, “u derdh ngjyra si verë”.
Peizazh: “Në një peizazh pikëllues”, “peizazh që varur rri në kornizë”, “peizazhi im i mesnatës”.
Pëlhura: “Duke të kërkuar në pëlhurë”, “në pëlhurë i zë të gjitha ndodhitë e jetës”, “në pëlhurë t’i zë të gjitha ikjet”, “sytë tu më shikojnë në pëlhurë”, “të ishte zbehur buzëqeshja në pëlhurë”.
Piktura: “Bukuri e pikturuar”, “bukuria shndërrohet në pikturë”, “duke pikturuar mungesën tënde”, “duke të bërë pikturë”, “ec vetë deri në pikturën time”, “pikturë që e kisha harruar në studion e vetmuar në Prishtinë”, “shpirti im pikturë e lagur”, “shqetësimin e vazhdojë në pikturë”.
Portreti: “Çdo gjë pastaj u emërua në portretin tënd”, “me portretin tim të humbur”, “një portret të pikëlluar”, “portreti yt zgjohej nga ëndërrimi”, “u shpirtëzova edhe unë, në të njëjtin portret”.
Skulptura: “Fytyrën tënde e ktheva në skulpturë”, “trupi im merrte trajtë skulpture”.
Studio: “Endacaku i paemër më zbriti në studio”, “errësira mbush studion ku rri”, “në studio frymonte dhembje”, “studio me fytyrë engjëlli”, “të përftoj në studion time”, “vazhdon në studio vetmia”, “zbrit në studio si engjëllushë”.
Vija: “Mjeshtër vazhdoje bekimin edhe me një vijë”, “ta vizatova mungesën në vija”.
Vizatova: “E ke të vizatuar në fytyrën time”, “e vizatova mungesën tënde”, “loti vizaton dhembjen”, “ta vizatova hijen nën shuplakë të dorës”, etj.
Jo vetëm në vargjet e theksuara, por shenja të pikturës e pikturimit na japin edhe ngjyrat npër poezitë e saj ku zënë vend: e kaltërta, e kuqja, e bardha, bardhësia, qumshëtorja, e kuqërremta, e hirta, e remta, e verdha, si dhe elemnti atmosferik; dielli, shiu, retë, deti, mjegulla, janë të ngjizura me sukses në vargun e kësaj poezie.
Pa dyshim poezitë: PËLHURË E PIKËLLUAR; MYLLJA NË NGJYRA; ROBËRIMI NË PËLHURË; NË AROMËN E NGJYRAVE; VALLËZIMI NË MAJË TË BRUSHËS; NGJYRAT TA VODHËN BUZËQESHJEN, e ndonjë tjetër janë poezi më të realizuar, dhe për tematikë kanë simbolikën e artit pamorë. Së këndejmi, poezitë dhe vargjet që lidhen me artin pamor, përveç se shprehin metaforë kanë edhe simbolin ku është derdhur ndjenja artistike, siç derdhet ngjyra në pëlhurë.
Nëpër vargje shijohet edhe një ndjenjë e hollë e motivit erotik, sidomos vargu tronditës: “të zhvesha në studio”, i paraprinë tërësisë së këtij motivi, dhe bashk me vargje të tjera i japin finesë artit lrik duke e bërë poezinë më përjetuese, p.sh.: “kur në studio hyri, trupi im në trupin tënd”, “mbi trupat tanë të pikturuar”, “në zemrën e pikturës kallen ngjyrat në pritje”, “shkrijmë mallin në studio”, “tash të kam në këtë pikturë”, “tash ti je këtu e më kthen në pikturë”, etj. Për ilustrim po risjell të plotë poezinë PIKTURA PIKON ZANAFILLËN TIME:
Më ndjek nëpër studio
Kthehet për një çast në pëlhurë
ia qes edhe tri ngjyra të remta
Çdo gjë pastaj merr ngjyrë
del prej kornize dhe ulët në sofër
E kthej në një peizazh
ia shkurtoj këmbët të mos më ikë
Ai dënes dhe shtrihet si i vdekur
vallë, e vrava modelin tim të gjallë
Një pikturë pikon zanafillën time
Poezia PIKTURA PIKON ZANAFILLËN
TIME, faqen 81.
Vëllimi poetik, DASHURIA FLET ME ZEMRËN E DIELLIT, në tërësinë e saj, ka të zhvilluar metaforën meditative e cila përsosshmërisht është e ngjizur me jetën dhe zhvillimet e saj, por janë edhe ngjyrimet me nuancë të artit pamor, që do ta krakterizojnë mesazhin tematik. P.sh.: “deri te kuptimi është një jetë e tërë”, “gratë e Hasit të Thatë/ ditën lidhin në bistek”, “hijen tënde mos e shkel”, “kur të merr dhimbja/ vetmia të bën më të fortë”, “malli veshi këmishën tënde”, “mëkati rriti trupin tim”, “mos dil prapa hijes, se të ndjek gjithnjë, mallkimi i pafalshëm”, “mosnjohja e gjakimit është më e vogël se njohja”, “nata kacavarët nëpër vetminë e paftuar”, “në qafë më është varur pikëllimi”, “për të dalë nga labirinti lypsen vite”, “pritja është më e madhe se ardhja”, “vetmia, nuk të braktis asnjëherë”, “vishet e zhvishet nata”, etj.
PENDIM I VONUAR
Të zgjata dorën të më dërgosh
në mbretërinë e harruar
më lë qyqevetëm
tek bredhja mureve gurë mbi gurë
që frymojnë me etjen e kohëve
hija më vinte para e prapa
shputat e këmbëve tua
pellg vjeshte në rrugët e përgjethura
me hapnin shtegun e panjohur
në një çast magjie
brenda pendimit të vonuar
Faqe 35.
Nëpër shumë poezi ndeshim “Ulisin” e “Penelopën”, si simbole me të cilët është ndërtuar simbolikë e veçantë duke ndertuar figura të ndryshme artistike. Pastaj është figura e “Orfeut”, në poezitë: BARDHËSI NË ERRËSIRË, HIMN NATE, ENIGMË ULQ(I)NAKE, etj. Kurse me figurat: Polifemi, Euridika, Argonauti, Feniksi, Mesia, Krishti, Teuta, përjetësohet një botë e tërë, që nga antika e gjer më ditët e sotme, ku sukseshëm është ngërthyer aspekti mitologjik në poezi.
Elemnti mitologjik është i integruar si topikë me shrirje nga: Troja, Iliria, Arbëria, Dardania, deri te Kosova, Prishtina, Gjilani e Ulqini, për të vajtur në Paris e Levur ose në Fushat e Elizeut te Lumi Sena, apo te Ura e Artës, por edhe në Notre Dame e në Rozafa. Pastaj për tu kthyer artistikisht në Fastivalin e Poeteshave në Vushtrri, kurse toponimet e topika e karakterizojnë poezinë e Miradije Ramiqit.
TEK ZEMRA IME
Vetëm ti
e njeh rrugën
deri tek zemra ime
Të tjerat ka mot që janë mbyllur
Rruga për në zemër
është rrugë që shkon e nuk vjen
si lindja
si vdekja
Faqe 43.
Cikli ose motivi për Parisin është i realizuar, kurse poezitë përjetohen mirë: “Parisi në pëllëmbën time”, “Në Paris nostalgjia shitej me grosh”, “Në portën triumfale ose Leksikoni i dytë për Parisin”, “Lumi Sena i tëhuajtur”, dhe disa poezi të tjera i japin kuptim artistik jo vetëm poezisë por edhe Parisit si Kryeqyteti i Kulturës Botërore!
Ndërsa poezitë kushtuar: Beqir Musliut, Dom Mikel Tarabulluzit, Azem Shkrelit, Anton Pashkut, janë perla poetike, kurse katër poezitë kushtuar Rozafës përbëjnë një quartet në sojin e vet duke krijuar një muzikalitet ritmik e tematik tejet karaktersitik. Nga refreni i përseritur del një klithmë e cila shqiptohet si pasthirrmë:
1. Rozafë, nuk më dëgjuan, Rozafë;
2. Rozafë, s’di a më dëgjuan;
3. Rozafë, prapë nuk më dëgjuan;
4. Rozafë, s’më dëgjuan, Rozafë!
Pra edhe në këtë prizëm poezia e Miradije Ramiqit, është sa karakteristike po aq artistike. Andaj vetëm në saje të nivelit artistik, kjo poezi do të ketë mbijetesën, tamam siç shkruan në poezinë MBIJETESA:
Kohët po ndryshojnë
e djeshmja
nuk do të vij sot
e sotmja kërkon të nesërmen
ta vërë në lojë
pikënisjen
Faqe 137.
Përfundim; Miradije Ramiqi, prej kohësh është e profilizuar poetikisht dhe artistikisht. Individualiteti i saj krijues, dhe padyshim roli i saj si grua, jo vetëm me poezi por edhe me pikturën artistike ka lartësuar rolin e gruas shqiptare në shoqëri, moderne, bashkëkohore dhe e emancipuar. Këtë e dëshmonë poezia që trajtuam dhe arti pamor krijon, ku janë ngjizur vlerat që kompletojnë portretin e saj letrar dhe artistik!…
CH – St. Gallen, 16 prill 2023.
Shefqet DIBRANI